Blogbox | Aktivizmi

Një qen Kosovar operohet në Serbi

Nga - 25.11.2016

Ndihma për kafshët që kanë nevojë për të, është shenjë e një shoqërie të ndjeshme.

Në prill 2014, pas një peticioni që u nënshkrua nga 700,000 njerëz në Francë kundër një ligji që i konsideronte kafshët shtëpiake si prona, si tavolina e karrige, parlamenti francez votoi në favor të një legjislacioni të ri.

Ky ligj i ri i përcakton kafshët si qenie që jetojnë dhe kanë ndjenja, e jo si mall i lëvizshëm. Ish-Ministri i Arsimit në Francë dhe njëri prej nënshkruesve të peticionit, Luc Ferry, argumentoi se ky ligj është i domosdoshëm për mbrojtjen e kafshëve nga keqtrajtimi: “Nuk ka ndodhur që dikush ta torturojë një orë, [mirëpo] kafshët vuajnë, dhe kanë emocione e ndjenja”.

Në shumicën e vendeve të tjera kafshët ende konsiderohen si pronë, mirëpo në vendet më të zhvilluara rregulloret e kanë mjegulluar këtë nocion kur vjen puna tek gjykatat, dhe njerëzit mund të dënohen për keqtrajtim të kafshëve. Por në Francë, në Zelandën e Re dhe në Kanadë, ligji tani është i qartë: Mund të burgoseni për keqtrajtim të kafshëve, ndërsa për keqtrajtim të një dere, vetëm mund të lëndoheni e të dukeni pambarimisht i marrë.

Ky është vetëm një shembull, i cili tregon se shoqëritë më të zhvilluara, që një kohë të gjatë e kanë njohur vlerën e kafshëve shtëpiake – jo vetëm për të luajtur rolin e rojës, për gjueti ose për punë, ndërsa në kohët moderne më së shumti për hir të dashurisë dhe shoqërisë.

Ka shumë histori që tregojnë qartë se më në fund po lind një dritë shprese edhe për kafshët e Kosovës.

Ndërkohë në Kosovë gjatë 15-20 viteve të fundit është rritur niveli i ndërgjegjësimit se kafshët shtëpiake, veçanërisht qentë, janë qenie që jetojnë dhe kanë ndjenja. Fakt të cilin mund ta dëshmoj edhe nga përvoja personale. Para luftës, organizimi i përleshjeve mes qenve ishte dukuri e zakonshme, dhe keqtrajtimi i tyre shihej më shumë si “sjellje e keqe” sesa si krim.

Sot sheh njerëz, kryesisht të rinj, që janë të dashur e miqësor edhe me qenë të rrugës. Edhe pse kemi bërë një vrapim të vrullshëm në këtë drejtim, megjithatë kemi ende një rrugë të gjatë rafinimi para nesh.

Ende dëgjojmë se komunat i vrasin megjithëse është ilegale. Rregullisht organizohen përleshje mes qenve, veçanërisht në fshatra të Kosovës – inçizimet e tyre shpeshherë shfaqen, edhe pse për kohë të shkurtër, në Facebook dhe YouTube.

Nëse shteti i keqtrajton kafshët, do të ishte hipokrizi hetimi dhe dënimi i qytetarëve për sjellje të tilla. Por mos të thellohemi më tej në anën e errët të kësaj historie, gjegjësisht të shkeljes së të drejtave të kafshëve – Ka shumë histori që tregojnë qartë se më në fund po lind një dritë shprese edhe për kafshët e Kosovës.

Një histori veçanërisht e padëgjuar në Kosovë ndodhi para disa muajve kur u organizua një koncert në Soma Book Station, për të mbledhur fonde për trajtimin e një qeni të lënduar. Ndonëse një realitet i dhimbshëm, rastet e grumbullimit të parave janë të shpeshta për personat që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit si shkak i mungesës për një trajtim të tillë në Kosovë; megjithatë, një veprim i tillë për një kafshë ishte novacion.

Driada Matoshi, aktore dhe aktiviste e të drejtave të kafshëve me Njerëzit për të drejtat e kafshëve (People for Animal Rights Kosovo – PARK) – që organizuan këtë eveniment – thotë se ideja erdhi pasi e gjeti një këlysh të vogël krejtësisht të vetëm në rrugë para dy viteve.

“E morra dhe u kujdesa për të, sepse këtë e bëjnë aktivistët kur përballen me një kafshë që ka nevojë për ndihmë”, thotë Matoshi. “E dërgova te veterinari dhe e pastruam nga parazitët, dhe më pas ishte qen i shëndetshëm, por prap se prap i kequshqyer”.

Ajo e emëroi qenin Picrra, por nuk pati mundësi që ta mbante në shtëpinë e saj meqë veçse i kishte dy qenë të tjerë në shtëpinë e saj.

fikret-ahmeti-picrra-1

“Në Prishtinë janë tre katër familje kujdestare që për 30 euro në muaj – pa i përfshirë ushqimin dhe medikamentet – kujdesen për qenin. Një familje e tillë u kujdes për Picrrën për një vit”, thotë Matoshi. Por ajo familje, pasi e tejkaluan numrin e qenve që u lejohej për kujdesje, u detyrua që ta dërgoj Picrrën në një strehimore të qenve në Graçanicë.

Matoshi dhe anëtarë tjerë të PARK e vizituan Picrrën sa më shumë shpesh që kishin mundësi sepse  u dashuruan në personalitetin e saj. “Picrrën asnjëherë nuk është futur në kuti. Ajo ishte zemra jonë sepse kishte personalitet shumë të dashur”, thotë Matoshi. “Ishte shumë miqësore, shumë e ngrohtë dhe mirënjohëse për githçka që bënë njerëzit për të, dhe ishte e aftë që të kujdesej për vetën”.

Duke qenë qen kaq i gjallë, ajo kishte liri në strehimoren e qenve në Graçanicë. Ajo dilte jashtë e endej. Matoshi thotë se, duke njohur personalitetin e saj, Picrra sigurisht e zgjeroi territorin e saj gjithnjë e më shumë; ai territor me siguri përfshiu edhe një rrugë.

“Gati pesë muaj më parë, më thirrën dhe më thanë se Picrrën e kishte goditur një automjet dhe se këmbën e kishte në gjendje shumë të keqe”, kujton Matoshi. “U thash që ta sjellin këtu, dhe kur e pashë u tmerrova. Këmbën e kishte të thyer në tri katër vende, indet dhe venat i kishte plotësisht të dëmtuara. Nuk kishte shpresa”.

Dy veterinarë nga Kosova konfirmuan atë nga e cila frikësohej Driada: Këmba duhej të amputohej. Por pastaj Svetlana Bjelogrlic, shoqe dhe aktiviste e të drejtave të kafshëve, sugjeroi që të marrin një opinion të dytë në Beograd.

“Pasi e çuam te veterinari [në Beograd], ai menjëherë na dha shpresa duke operuar këmbën e saj”, shpjegon Matoshi. “Fillimisht menduam se do t’i duheshin dy operacione, por pas trajtimit, nuk ishte e nevojshme”.

Pas operacionit, Picrra kaloi pak kohë në klinikë dhe bënte terapi tri herë në ditë. Më pas e sollën në Prishtinë dhe vendosën që ta strehojnë në shtëpinë e Matoshit përkohësisht deri sa të gjenin një familje të përhershme për të, me gjasë në SHBA, që shpeshherë konsiderohet si një prej vendeve më dashamirëse ndaj kafshëve shtëpiake.

“Duam që ajo të adoptohet në Amerikë sepse kemi një lidhje atje. E kemi bërë këtë më parë, sepse amerikanët i duan qentë shumë dhe kujdesen për ta”, thotë Matoshi, por ajo nuk i përjashton vendasit, nëse janë njerëz të mirë dhe mund të kujdesen për Picrrën e ta duan atë përherë.

T’i ndihmosh kafshët është poaq fisnike si t’i ndihmosh fëmijët.

Tani Picrra është mirë me shëndet, e lumtur dhe duke rikuperuar në shtëpinë e Matoshit. Por prap se prap aventura e shërimit të Picrrëns pati kosto për njerëzit e përfshirë. Prandaj e organizuan një koncert për të mbledhur fonde që t’i mbuluonin faturat.

Me ndihmën e Soma Book Station dhe aktivistëve tjerë të PARK, përgatitë një organizim që edhe mund të quhet mbledhje artistike, në të cilin u përfshinë fotografi, muzikë dhe produkte vendore të punuara me dorë.

Muzikantët – Ilir Bajri, Fatjon Miftari, Enes Beu, Art Lokaj dhe Labinot Avdiu – e bënë ndejën, ndërsa fotografitë nga Zake Prevlukaj, Lendita Zeqiri, Rron Qena, Roksi dhe Driton Gusia, ishin në shitje, dhe pesëdhjetë përqind ose më shumë të fitimeve shkuan për fondin e Picrrës.Vizitorët patën mundësi që të blenin edhe çanta me mbishkrim “Unë i ndihmova Picrrës”, dhe sapuna të prodhuara prej grave të komunitetit rom, si dhe të jepnin donacione – të gjitha për mirëqenien e Picrrës.

Edhe pse ky eveniment ndihmoi që të paguhen faturat, Matoshi thotë se ende kanë borxhe, por është e lumtur që të paktën Picrra është mirë, dhe së fundmi ka filluar të ecë me katër këmbë përsëri.

Megjithatë ngjarjet si kjo shihen prej shumë njerëzve si shumë avant-garde. Justifikim i zakonshëm (që zakonisht e shohim në statuse në Facebook) është se kemi shumë probleme tjera, dhe prandaj për të drejtat e kafshëve duhet të mendojmë më vonë, gjoja se toleranca dhe humanizmi janë probleme që duhet t’i adresojmë në të ardhmen! Të shumtë janë ata që nuk do ta kuptonin një eveniment të tillë, duke argumentuar se ka shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe se ata vijnë para kafshëve.

Edhe pse Kosova është vend i varfër, kemi dëshmuar pandërprerë se mund të solidarizohemi me njëri tjetrin – kujtoni të 90-at. Pra kushdo që e sheh si të keqe ndihmën për qenë, është më mençuri që të mos shpenzoj energjitë për destruktivitet, por t’i shëndrron ato në ndihmë për këdo që ai/ajo mendon se ka nevojë. Me një vullnet të fortë, secili mund të ketë sukses.

Të gjithë duhet të japin nga vetja për shtetin e ri të Kosovës. T’i ndihmosh kafshët është poaq fisnike si t’i ndihmosh fëmijët. Nëse shpresojmë që ndonjëherë t’i bashkohemi familjes së madhe evropiane, duhet të kujdesemi dhe t’i duam edhe më të pambrojturit.

Sepse siç tha dikur Immanuel Kant: “Ai që është mizor me kafshët, bëhet i ashpër edhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit. Ne mund të gjykojmë zemrën e një njeriu nga mënyra si i trajton kafshët e tij”.K

Fotografitë: Fikret Ahmeti / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO