Blogbox | Diaspora

A po synojnë të ardhme të njëjtë kosovarët ‘atje’ dhe kosovarët ‘këtu’?

Nga - 13.03.2018

Me sa duket, diaspora po largohet gjithnjë e më shumë prej atyre që janë në Kosovë.

Sa e mbaj në mend unë, gjithmonë ka qenë ose gishti i madh, ose shenja e fitores. Dhe më kujtohet shumë mirë që të gjithë fëmijët ishin të obliguar ta shfaqnin atë që e vlerësonin familjet e tyre.

Sa e mbaj në mend unë, prej kohës kur isha fëmijë në parashkollor e deri kur diplomova në universitet, ishin vetëm dy emra që depërtuan në çdo diskutim për vendlindjen time: Rugova dhe Thaçi. “I pari vdiq e tjetri ende po i reziston vdekjes”, i thashë babait tim, i cili është mbështetës i zjarrtë i PDK-së. E vërteta është se nuk mërzitem për asnjërin. “Me sa duket është e qartë se vdekja është e vetmja mënyrë për ta detyruar dikë të japë dorëheqje nga politika kosovare”.

Unë jam rritur në Gjermani, dhe Kosova u bë një vendlindje e largët e idealizuar së cilës i përkisnim më shumë se shoqërisë në të cilën jetonim, përkundër faktit se ishim gjithnjë e më të vetëdijshëm se nuk do të ktheheshim kurrë. Prindërve të mi u mungonte, kështu që supozoja që duhet të më mungonte edhe mua. Dhe kur u ktheva më në fund në Kosovë për herë të parë në vitin 2000, me të vërtetë më pëlqeu: peizazhet, familja ime, njerëzit – po jo edhe bërlloku edhe ndërprerjet e rrymës.

Ne duhej të ishim naivë dhe të ndiheshim fajtorë për faktin që kishim mundësinë të rritemi në një shtet të zhvilluar. Po, sikur kjo ndjesi e fajësisë nuk ka qenë me neve gjatë gjithë jetës në diasporë.

Megjithatë, në vitet e fundit, shoqëritë shqiptare që janë të përhapura nëpër botë kanë ndryshuar dhe janë distancuar nga njëra-tjetra nëpërmjet përdorimit të katër fjalëve të vogla që në dukje janë të padëmshme: ‘ne këtu, ata atje’ – të përdorura prej të gjithëve, këtu dhe atje. Këto fjalë jospektakolare të cilat i njeh mirë secili shqiptar në botë përmbajnë një ndryshim të lehtë të vlerave dhe të pikëpamjeve për botën, një ndryshim drejt një qëndrimi pasiv-agresiv kundër vet popullit, i cili rrjedh nga një krizë e pazgjidhur e identitetit, e ndier në secilën anë.

Si është dukur kjo në jetën e përditshme? Papritmas, miqtë e mi dhe unë u bëmë schatzi, pa marrë parasysh prejardhjen tonë. Posterët që valëviteshin nga era e verës plot pluhur po na mirëprisnin – të dashur migrantë – ndërsa shitësit na e fusnin me çmime sikur të ishim turistë të huaj. Kushërirët tanë na ngacmonin sepse si fëmijë emigrantë, ne duhej të ishim naivë dhe të ndiheshim fajtorë për faktin që kishim mundësinë të rritemi në një shtet të zhvilluar. Po, sikur kjo ndjesi e fajësisë nuk ka qenë me neve gjatë gjithë jetës në diasporë.

Por ky denoncim funksionon në të dy anët. Ata të cilët e kishin parë demokracinë institucionale të Gjermanisë, të Zvicrës e të vendeve të tjera, sistemet ligjore dhe ekonomitë e zhvilluara të tyre, ata të cilët kishin kaluar mjaft kohë duke punuar për të mbështetur katër familje në Kosovë përveç familjeve të tyre për dy dekada prej fundit të luftës, filluan të besojnë se ndoshta familjarët e tyre në vendlindje nuk duan të ndryshojnë dhe t’i marrin në dorë punët e veta: ‘Po a kanë faj a?’, mendonin në vete emigrantët për të afërmit e tyre. ‘Nuk dinë gjë për botën e jashtme. Janë të përjashtuar, fshatarë të mbrapshtë’. Ne këtu, ata atje.

E mësova personalisht atë se si kjo arrogancë e emigrantëve pritet nga njerëzit vendas në Kosovë, sepse kur isha në Lluna Parkun e Prishtinës verën e kaluar fillova të përlahem me një baba emigrant, i cili ishte në Kosovë për pushime. Ky burrë më bërtiti dhe më kërcënoi duke thënë se do të më godasë, para fëmijëve dhe bashkëshortes së tij, e cila iu bashkua duke bërtitur në mënyrë agresive.

Çfarë bëra unë për ta provokuar? E pyeta të birin e tij nëse mund ta lironte motocikletën lodër për motrën time të vogël, pasi e vërejta se ai nuk kishte dëshirë ta përdorte më. Dhe fëmija i vogël pranoi. Nuk e dija që babai i tij e kishte ulur aty për t’ia ruajtur motocikletën një fëmije tjetër.

Unë nuk u dorëzova, por as nuk e fola ndonjë fjalë në gjermanisht, sepse në atë moment nuk ishte problem ajo se a jam unë vendase apo jo.

Ai u nervozua shumë me mua, dhe më frikësoi – prita se do të më lëndonte. Askush nuk thoshte gjë, e të gjithë shikonin të shqetësuar. Disa burra të ri e pozicionuan veten në mes meje dhe tij, për çdo rast. Ai fliste gjatë duke bërtitur e duke më thënë se kosovarët janë të pakulturuar, se ata nuk dinë gjë për respektin, e herë pas herë duke më sharë në gjuhën gjermane, fjalë që kurrë nuk do t’i përdorja.

“Pse nuk ia ktheve gjermanisht?”, më pyeti nëna më pas.

“Çka me i demonstru?”, iu përgjigja. “Nuk desha të pajtohem me këtë derr të degjeneruar. Nuk desha t’i tregoj që jemi ‘të njëjtë’, vetëm për të më respektuar. Dua të respektohem pa marrë parasysh dallimet.  Nëse nuk mund ta bëjë këtë, i mungon jo vetëm intelekti, por edhe karakteri”.

Unë nuk u dorëzova, por as nuk e thashë ndonjë fjalë në gjermanisht, sepse në atë moment nuk ishte problem se a jam unë vendase apo jo. Nuk duhej të ishte relevante se a jam me ‘këta këtu’ apo me ‘ata atje’.

Shpeshherë më ka rënë në sy ky lloj nënvlerësimi i pandershëm i njerëzve në Kosovë, apo i atyre në diasporë, prej kur ka ndodhur ky incident. Vërejtje të lehta për atë se si njerëzit në Kosovë nuk dinë si ta krijojnë një shtet të vërtetë, apo se si emigrantët nuk dinë çka është papunësia dhe mungesa e perspektivave, pasi që e jetojnë jetën të pasur në botën perendimore.

Prej nga burojnë këto qëndrime urrejtëse?

“Shqiptarët janë të hutuar”, i thash babait tim në vitin 2015, kur po e fyeja partinë e tij të dashur, me të cilën në fakt nuk ka ndonjë lidhje reale. Ai është me këtë parti për shkak të zakonit apo traditës, apo përtesës – nuk ka rëndësi. “Unë nuk jam ekspert i politikës. Por duke menduar në mënyrë praktike them: Pse ta votojë një parti e cila gjithmonë ka qenë në pozita të larta dhe nuk ka ndryshuar gjë? 20 vjet nuk është periudhë e shkurtër, dhe asfaltimi i rrugëve rurale nuk vlen më. Kosova i ka tejkaluar këto çështje, por politikanët e mëdhenj në secilën parti ende i përmendin sepse me këto u lënë mbresa burrave të thjeshtë”.

Babai im nuk proteston; ai madje duket edhe pak i shqetësuar. “Për ne është pak më mirë të votojmë për ta”, thotë ai si i lodhur.

“Po thua që vetëm për shkak se vjen nga rajoni i njejtë si politikani për të cilin voton, ai nuk do të vjedhë prej xhepit tënd?”

Babai im ishte i qetë. Fillimisht, para se të fillonte ky diskutim, ishim duke folur për protestat që po mbaheshin në Prishtinë atë vit. Disa prej miqve të tij ishin mbledhur në shtëpinë tonë dhe bashkë me babain tim po filozofonin për atë se sa e turpshme ishte dhuna në protesta, dhe se si ata duhet të përmbahen e të jenë mirënjohës. Babai im nuk është edhe aq orator, kështu që ose pohonte me kokë, ose vetëm dëgjonte.

Kur shkuan mysafirët, unë shkova të rri me të. “Mendoj se dhuna është e neveritshme. Por jam e bindur se kur ka dhunë, shoqëria duhet të përpiqet ta kuptojë atë se si kemi arritur deri te kjo pikë. Për sa kohë ka qenë i lirë ky vend? Pesëmbëdhjetë vjet? A ka pasur protesta masive? Nuk është se Kosova po lulëzonte pas luftës. Ata kishin shumë arsye për të protestuar të paktën një herë në muaj”.

Për çdo emigrant të zhgënjyer që ka hequr dorë nga kthimi në vendlindje, është një vendas që i mallkon perspektivat e mjera për ta bërë këtë vend një vend në të cilin ja vlenë të jetosh.

Por njerëzit tanë ‘në vendlindje’ u përmbajtën për shkak të idesë se kosovarët duhej të ishin mirënjohës që u shpëtuan nga NATO-ja dhe u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara, e nuk u shpërfillën nga Gjermania, e që janë të pavarur – ndërsa të gjithë sendet e tjera po shkonin keq.

“Vandalizmi është krim. Por njerëzit kanë të drejtë të jenë të pakënaqur”, vazhdova unë. Kosovarët kanë të drejtë ta kritikojnë Qeverinë e tyre. Ata nuk janë të obliguar të jenë të kënaqur me sukseset e vogla të dy dekadave të fundit, të vuajnë në heshtje ose të jenë mirënjohës për asgjë.

Ashtu siç e shprehu frustrimin e tij në mua burri në Lluna Park, mund të kishte qenë edhe ndonjë kosovar vendas me nevojë të njëjtë për ta projektuar nervozën e tij mbi emigrantët e gjithëditur. Për çdo emigrant të zhgënjyer që ka hequr dorë nga kthimi në vendlindje, është një vendas që i mallkon perspektivat e mjera për ta bërë këtë vend një vend në të cilin ia vlen të jetosh. Gjatë protestave të vitit 2015 e kam parë një shpërthim të identitetit të imponuar të pranuesve pasivë të mëshirës së botës.

Në përpjekje për ta ruajtur dinjitetin, duke pranuar pa dashje stagnimin, duhej të kishte të ‘tjerë’, ata atje, për të shërbyer si dhe më të paaftë, e më pa merita. Ndonëse vazhdimisht pretendojnë të jenë një, kosovarët, vendasë e emigrantë, zgjodhën t’i shohin edhe më afërsisht dallimet ndërmjet njëri-tjetrit.

Kur kosovarët e analizojnë historinë e tyre, ata pretendojnë se kanë qenë heronj fatkeqë apo viktima të patrembur të të fuqishmëve. Ne gjithmonë identifikoheshim me personalitete unike karizmatike, në të cilat besuam për të na udhëhequr drejt një të ardhmeje të lavdishme. Ne jemi varur prej dikujt për të na drejtuar.

Por kohët e paqes nuk janë aq të thjeshta. Kur nuk ka më luftë, natyrisht gjërat nuk shkojnë ashtu siç duam ne. Paqja është proces aktiv i cili varet nga secili. Kur ka paqe, shoqëria e udheheq individin nëpërmjet të drejtave dhe vlerave.

Por nuk mund të funksionojë kur nuk e sheh kush veten si pjesë të kësaj shoqërie, sepse njerëzit kanë evoluuar përtej identitetit të imponuar nga shteti si pranues pasivë të ndihmës nga unionet ndërkombëtare, pjesë e të cilëve nuk është Kosova aktualisht.

Fakti se kosovarët në Kosovë dhe emigrantët kanë ndjekur rrugë të ndryshme në të kaluarën nuk mohohet, dhe padyshim që ne kemi përjetuar ndryshime dhe kriza të ndryshme të mendimit dhe identitetit përgjatë viteve. Por problemi kryesor që shkakton konflikt dhe i tensionon marrëdhëniet ndërmjet vendasve dhe diasporës me sa duket është bindja që secila palë beson se e ka barrën e ndryshimit, që është munduar dhe ka dështuar për shkak të mungesës së mbështetjes nga pala tjetër.

Kosovarët identifikohen me lëvizje ndërkombëtare, trende dhe vlera të lirisë dhe inovacionit, siç bëjnë të gjithë njerëzit nëpër botë. Por shteti i Kosovës dhe klasa politike nuk e ka ndjekur këtë. Qytetarët nuk e shohin veten si të përfaqësuar, prandaj nuk identifikohen as me çështje të shtetit (korrupsion, sistemi shoqëror, etj.)

Sidoqoftë, pikërisht ky konflikt më tregon se sa i përket synimit për të ardhme më të mirë, kosovarët në Kosovë dhe emigrantët kosovarë i ndajnë të njëjtat shqetësime dhe ide për këtë vend. Megjithatë, ne nuk po e vërejmë që jemi në të njëjtin “ekip”.

E edhe pse kjo nuk e zgjidh me magji çdo problem, kam dëshirë që populli im ta zëvendësojë çfarëdo lloj indinjate me fuqizim dhe solidaritet me njëri-tjetrin.

Dua që ne të jemi një lëvizje përsëri. Këtë herë, një lëvizje për progres në bazë të veçantisë sonë si kosovarë – ne këtu me ata atje.

Foto kryesore: Drenizë Rama.

  • 16 Mar 2018 - 16:10 | Sofije Rama:

    Do te ndihesha krenare bija ime por asht ni realitet i hidhur por i vertet por te uroj qe nje dit jo te larget te shkruajsh per suksese paq dhe drejtesi per kosoven ton te bukur

Comments are closed.