Shkurt | Drejtësi

Te “Varri i Kosovarit”, i zhvarrosur në Kukës

Nga - 04.10.2017

Trupi i pajetë ishte varrosur në Shqipëri, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Eskavatori nuk mund të kalojë në rrugën malore që të shpie tek bregu i Liqenit të Fierzës në fshtatin Domaj të Hasit, afër Kukësit të Shqipërisë. Andaj, punëtorët e kompanisë “Loti” nga Kosova marrin lopatat dhe pajisjet e tjera në krah për t’u nisur tek vendi ku ata do të gërmojnë në një vend, i cili gjatë 18 viteve u quajt “varri i kosovarit”.

Fshati Domaj gjendet afër bregut të Liqenit të Fierzës, në Kukës të Shqipërisë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Atyre dhe një ekipi të udhëhequr prej koordinatores së Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, prokurores Drita Hajdari, e cila doli në vendin e ngjarjes me njësitin për hetime të krimeve të luftës, u printe 54-vjeçari Avdullah Totaj nga Kosova së bashku me Zaim Thaçin, një burrë i moshuar nga Domaj i Shqipërisë.

Totaj dhe Thaçi janë vetëm dy nga shumë burrat që në prill të vitit 1999 kishin marrë pjesë në varrimin e një të riu rreth moshës 20-vjeçare, trupin e pajetë të të cilit kishin supozuar se Liqeni i Fierzës e kishte bartur në breg të fshatit Domaj, nga matanë kufirit – nga Kosova.

“Fëmijët duke lozur në breg e patën parë trupin të parët. Menjëherë patëm shku me burra me pa nëse është gjallë ende, por jo. Kishte pasë plagë të mëdha në kry”, kujton ai.

Avdullah Totaj dhe familjarët e tij asokohe po strehoheshin si refugjatë në Domaj, pasi kishin lëshuar fshatin e tyre Gjonaj të Prizrenit në kërkim të shpëtimit nga lufta që po ndodhte në Kosovë. Në prill të vitit 1999 shumë shqiptarë nga Kosova kishin ikur për strehim nëpër male dhe nga aty për në Shqipëri, sidomos ata të rajonit të Prizrenit që ka vetëm gjysmë ore distance kohore deri në Kukës.

Avdullah Totaj kishte ndihmuar për të varrosur trupin e gjetur, para 18 vjetëve, përpara se të raportojë rastin tek autoritetet menjëherë pas luftes. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Totaj foli për K2.0 më 18 shtator, derisa po bëhej zhvarrimi i trupit të panjohur në Domaj. 

Rrëfimin e tij herë pas herë e ndërprenin vetëm gërmimet, të cilat i përcillte me shumë vëmendje nga bregu, madje duke i ndihmuar punëtorët me përshkrime se si e kanë varrosur trupin asokohe.

Totaj kishte qenë i pari që e kishte raportuar te UNMIK-u vdekjen dhe ekzistencën e “varrit të kosovarit”, menjëherë pas luftës. Përkushtimin e tij dhe gatishmërinë për të ndihmuar Prokurorinë ai e shpjegon me një fjali shumë të shkurtë.

“Ndoshta nji nane i qetësohet zemra”, thotë ai duke iu afruar varrit.

Ishte një shishe e plastikës që pas gati gjysmë orë gërrmim doli në sipërfaqe. Ajo përmbante një letër me shkrim të dëmtuar nga lagështia.

“Dikush prej burrave e pati shkru, që herëdokur nëse e gjen dikush varrin me gjetë edhe përshkrimin e djalit që e patën bo në letër, domëthënë ashtu qysh e kemi gjet. Se çka ka pasë veshë, ngjyrën e syve e krejt”, shpjegon Totaj.

Këtë detyrë tash e ka prokurorja speciale Hajdari dhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të drejtuar nga Arsim Gërxhaliu, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar të të Pagjeturve, së bashku me kryetarin e tij Prenk Gjetaj, të cilët ishin të pranishëm gjatë zhvarrimit.  

U deshën gati dy orë gërmim që ajo për të cilin përfaqësuesit e shtetit të Kosovës ishin mbledhur të vërtetohet. Trupi i personit që dyshohet se është një kosovar i vrarë gjatë luftës dhe i zhdukur qysh nga prilli i vitit 1999, u gjet. Dyshimet zyrtare janë për vdekje të dhunshme dhe krim lufte. 

Punëtorët që po punonin në zhvarrimin e trupit të varrosur 18 vjet më parë, u shoqëruan nga ekspertë të forenzikës si dhe nga prokurorja e rastit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Prokurorja Hajdari ka shpjeguar se ky rast ishte raportuar menjëherë pas përfundimit të luftës nga Avdullah Totaj dhe Zaim Thaçi në UNMIK, porse nuk ka dhënë ndonjë përgjigje pse është dashur të kalojnë 18 vite për të zhvarrosur trupin, për të cilin dihej saktësisht se ku është i varrosur.

“Nuk e di. Këtë përgjigje duhet ta drejtoni në UNMIK dhe EULEX meqë është lëndë që neve na ka ardhë më 27 prill të këtij viti në kuadër të lëndëve që janë trasnferuar nga EULEX-I”, ka shpjeguar ajo duke iu referuar transferimit të lëndëve për krime lufte nga këto dy misione.

Departamenti për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ishte themeluar ndërkaq tek në vitin 2015, pas transferimit të kompetencave për trajtimin e krimeve të luftës tek vendorët prej EULEX-it. Ky mision i kishte trashëguar këto kompetenca nga UNMIK-u më 2008. Deri në këtë vit UNMIK-u e ka pasur kompetencën ekskluzive të trajtojë krimet e luftës, si dhe vazhdon akoma të ketë disa lëndë të natyrës së tillë. 

Por as nga EULEX-it, që për 9 vite pati në procedim rastin, e as nga UNMIK-u nuk janë dhënë shpjegime të qarta se pse janë dashur të kalojnë 18 vite për ta zhvarrosur trupin.

Është e paqartë, se pse kanë kaluar pothuajse dy dekada për të hetuar vrasjen, kur informatat e sakta u janë dhënë autoriteteve ndërkombëtare menjëherë pas luftës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikolic Solomon tha se vonesat janë shkaktuar si pasojë e “procedurave gjyqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore mund të gërmojë vetëm me urdhër të gjykatës të gjyqësorit përkatës në vendin ku ndodhet vendi i dyshuar”, ka thënë ajo.

Prokurorja Hajdari, megjithatë, ka shpjeguar se urdhri për zhvarrosje ishte bërë menjëherë pasi ajo kishte pranuar rastin. “Ka pasur një gatishmëri të plotë të Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri për të bashkëpunuar në lidhje me rastin”, ka treguar Hajdari.

Një zëdhënese e UNMIK-ut tha për K2.0 se nuk janë në gjendje ta komentojnë rastin në mungesë të detajeve, siç është  numri i rastit, për të cilin ka pohuar se nuk ka gjetur asgjë në arkivën e tyre, si dhe numrin e rastit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, të cilës K.20 ia kërkoi këtë numër por nuk mori përgjigje deri në datën e publikimit të shkrimit.

Anën tjetër, prokurorja Hajdari ka treguar se duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtyre rasteve si dhe duke ditur se kishte informacion dhe dëshmitarë që dinin vendndodhjen e saktë të varrit, ajo menjëherë pas pranimit të rastit nga EULEX-i në kompetencën e saj, në prill të këtij viti, ka bërë menjëherë kërkesën për zhvarrojse.

Drita Hajdari, e cila kryeson departamentin e krimeve të luftës brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka qenë në vendin e ngjarjes, gjatë eshkumimit në pah erdhi edhe një shënim në një shishe, që ishte varrosur së bashku me trupin. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Hajdari, ka treguar po ashtu se ka kërkuar që identifikimi i kufomës të bëhet sa më shpejtë në mënyrë që të dihet saktë nëse ka familje dhe asaj t’i kthehet trupi.

“Marrë për bazë numrin e madh të personave të zhdukur nga lufta, dhe ndjeshmërinë e rasteve të tilla, unë personalisht do të angazhohem që procesi i identifikimit të kryhet në afat sa më të shpejtë që të jetë e mundshme”, ka thënë ajo.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO