Në thelb | Migrimi

KOSOVARËT NË MBRETËRINË E BASHKUAR PO E NDJEJNË EFEKTIN E BREXIT-IT

Nga - 01.07.2016

Reagime të përziera pas rezultatit shokues në referendum.

Rezultati i referendumit të Brexit-it javën e kaluar shkaktoi tronditje anembanë globit. Më 26 qershor qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar votuan me 52 për qind në favor dhe 48 për qind kundër largimit nga Bashkimi Europian – vendim i cili la shumë pyetje pa përgjigje lidhur me të ardhmen e vendit si dhe të BE-së në përgjithësi.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar po orvatet t’ia dalë mbanë me efektet politike, ekonomike dhe sociale, K2.0 bisedoi me disa prej rreth 30,000 kosovarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar — shumica e të cilëve kishin emigruar gjatë viteve të 90-a — për të parë se si ndiheshin nga ky rezultat i papritur i referendumit.

Paqartësi gjithandej

Megjithëse largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja tashmë duket i pashmangshëm, Neni 50 — i cili e rregullon procesin formal të largimit — ende nuk është inicuar në sajë të paqartësisë dhe hutisë në lidhje me atë se çka vjen pas.

“Që nga java e kaluar kryeministri [David Cameron] ka dhënë dorëheqje dhe lideri opozitar [Jeremy Corbyn] e ka humbur votën e mirëbesimit — e kjo të gjithëve na e shtoi ndjenjën e paqartësisë,” tha Adelina Toplica-Badivuku, zëvendesemenaxhere shërbimesh në zyrën e qeverisë lokale për fëmijë, e cila jeton në Londër dhe kishte fituar shtetësinë britanike në vitin 2000. “Situata e tanishme në Mbretërinë e Bashkuar është mjaft e tensionuar. Paqartësia, frika, dhe ankthi për të ardhmen duket të jenë temat kryesore të bisedave ndërmjet njerëzve.”

Nëna e dy fëmijëve dhe mbështetëse e madhe e mbetjes së Mbretërisë së Bashkuar në BE përshkruan se si i gjithë ndryshimi i udhëheqësisë politike të vendit vetëm sa po e rrit ndjenjën e stresit. “Ideja që Boris Johnson-i [një prej udhëheqësve kryesorë të fushatës së “Largimit” dhe ish-kryetar i Londrës] mund të bëhet Kryeministër është e tmerrshme,” tha ajo. Një ditë pasi Toplica-Badivuku bisedoi me K2.0, udhëheqësi i mëhershëm Johnson hoqi dorë nga gara për ta zëvendësuar Cameron-in si lider i Partisë Konservatore dhe Kryeministër britanik, zhvillim i cili vetëm sa më tutje e thekson paqëndrushmërinë e politikës britanike.

Toplica-Badivuku nuk e idealizon BE-në dhe e di se ajo “nuk është e përsosur.” Megjithatë, ajo gjithashtu beson se Bashkimi Europian ndihmon “që qeveria jonë të jetë nën kontroll dhe siguron që të drejtat e caktuara — të drejtat e punëtorëve, ligjet kundër diskriminimit, barazia gjinore — të mbrohen.” Ajo shtoi: “ideja e të qenit e izoluar më brengos, dhe ideja e të jetuarit në një ishull të udhëhequr nga një qeveri në krye me Partinë Konservatore është e tmerrshme.”

Pasi që u bë i qartë rezultati i referendumit, funta ra në nivelet më të ulëtanë tri dekada të fundit, megjithëse vlera e saj që atëherë sadopak u rimëkëmb. Ekonomistët e shquar, megjithatë, paralajmërojnë se ekonomia britanike ka gjasa të mbetet e paqëndrushme në një periudhë afatshkurtë deri në periudhën afatmesme.

Muhamet Salihu, një 32-vjeçar beqar që punon në sektorin e hotelierisë në Londër, i tha K2.0 se ka frikë se vlera e funtës mund të ketë efekt në vizitat e tij vjetore në Kosovë dhe shqetësohet lidhur me pasojat ekonomike të Brexit-it të pashmangshëm. “Mendoj se në muajt në vazhdim pasojat do t’i ndjejnë xhepat tanë, si mërgimtarë që udhëtojmë në Kosovë gjatë pushimeve verore, pasi që funta do të ketë vlerë më të ulët,” tha ai. Salihu ka statusin e qëndrimit të përhershëm në Britani të Madhe, por nuk ka shtetësi, prandaj nuk pati të drejtën e votës në referendum.

Rënia e vlerës së funtës gjithashtu paraqet shqetësim për Toplica-Badivukun e cila tha se ishin prekur “planet e familjes së saj për pushimet verore.”

Lorik Çela është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai punon dhe jeton në Leeds dhe është auditor kryesor i rrjetit të supermarketëve LIDL. 42-vjeçari Çela ka votuar kundër largimit dhe nuk sheh të ardhme për Britaninë e Madhe pas këtij rezultati. Ai i tha K2.0 se është aq i shokuar nga rezultati i referendumit saqë kishte plane të largohej nga vendi kur të konfirmohet largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja. “Nuk dëshiroj të jem pjesë e Britanisë së Madhe pas Brexit-it meqë një pjesë e familjes sime janë austriakë, dhe ne para së gjithash jemi europianë,” tha ai.

Besa Gashi është studente dhe agjente shitjesh e moshës 26-vjeçare nga qyteti Glasgow i Skocisë. Ajo, sikur edhe 62 për qind të njerëzve në Skoci, votoi kundër largimit. Ashtu sikurse Toplica-Badivuku, edhe Gashi është “ e shokuar se si qeveria britanike duket e papërgatitur lidhur me atë se çka duhet bërë tani pasi është votuar largimi nga BE-ja.” Megjithatë, ndryshe nga Çela, Gashi është e vendosur të qëndrojë në Britani të Madhe, përkundër brengava të saj.

Shoqëri tejet e ndarë

Një prej debateve kyçe që çuan në referendum ishte çështja e migrimit, ku Partia e Pavarur (Independence Party-UKIP) populliste e krahut të djathtë udhëhoqi një fushatë armiqësore karshi emigrantëve dhe refugjatëve. Kreshnik Hoxha, 28-vjeçari hulumtues dhe zhvillues i industrisë farmaceutike që jeton në East Yorkshire, i tha K2.0 se natyra e fushatave nuk ishte në përputhje me “liritë e njëmendta britanike” të cilat ai i njihte. “Niveli i frikësimit, i sulmeve personale dhe i jotolerancës karshi pikëpamjeve të kundërta e kanë transformuar politikën britanike në Westminster, por edhe vendin e kanë lënë tejet të ndarë,” tha ai. “Ishte një fushatë e stilit ballkanik.”

Çështja e migrimit është posaçërisht e ndjeshme për kosovarët, ngase një pjesë aq e konsiderueshme e popullsisë u detyrua të emigronte jo shumë kohë më parë. Kosovarët kanë emigruar në Britani të Madhe kryesisht në fillim të viteve të 90-a për shkak të segregacionit dhe shtypjes së regjimit të Millosheviqit ndaj Shqiptarëve të Kosovës.  Një valë e re erdhi pasi me qindra mijëra kosovarë u përndoqën nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së viteve 1998-1999. Sipas të dhënave të Qendrës së Informacioneve për Azilkërkues dhe Refugjatë (ICAR), më shumë se 4,000 refugjatë  nga Kosova u pranuan në Britani të Madhe vetëm gjatë luftës, dhe shumë prej tyre zgjodhën të mos ktheheshin dhe të bëheshin qytetarë britanikë.

Derisa Gashi votoi që Britania e Madhe të mbetej në BE, ajo ka kritika sa i përket fushatës e cila e mbështeti këtë qëndrim. “Fushata për të mbetur në BE nuk tregoi se si do të menaxhohej migrimi në Britaninë e Madhe, [apo] si mund të përmirësohet ekonomia britanike në të ardhmen,” i tha K2.0.

Në ditët pas referendumit kishte raporte  të një numri në rritje të incidenteve armiqësore ku përfshiheshin emigrantët . Të gjithë të intervistuarit të cilët folën për K2.0 kishin dëgjuar për këtë dukuri të raportuar. Asnjëri prej tyre, megjithatë, nuk kishte qenë në shënjestër, edhe pse Hoxha tregoi për “një shok [QO1] shumë të dashur Kenian [i cili] kishte përjetuar racizëm në rritje nëpër rrrugët e Londrës, që është diçka shumë shqetësuese dhe demoralizuese.”

“Nuk besoj që secili që ka votuar për largim është racist,” tha Salihu. “Një prej shokëve të mi më të ngushtë votoi për t’u larguar dhe e di se ai nuk është racist. Por do të thoja se të gjithë personat racistë e ksenofobë kanë votuar për largim.”

Kërkohet fleksibilitet

Askush nuk e di saktë se çka do të ndodhë më tutje. Efektet e vërteta të një Brexit-i në dukje të pakthyeshëm vështirë se mund të parashikohen, e udhëheqësit e fushatës për “Largim” duket se nuk e kanë ndonjë plan për zbatimin e vendimit ndërsa vakuumi qeverisës në zemër të politikës britanike sa vjen e rritet. Por përkundër paqartësisë aktuale, shumica e kosovarëve me të cilët bisedoi K2.0 dukeshin të vendosur të ballafaqohen me realitetin e ri.

“Besoj se kur të qetësohen gjërat… liritë e vërteta qytetare britanike do të dalin në pah përsëri, pavarësisht nëse Brexit-i materializohet apo jo,” tha Hoxha.

Studentja 23-vjeçare Arta Vala, e cili është qytetare britanike që nga viti 2004, i tha K2.0 se rezultatet e referendumit nuk ia kishin prishur planet që të qëndronte në Britani të Madhe dhe t’i mbaronte studimet e saj të mjekësisë. “Kam besim që qeveria do ta marrë situatën nën kontroll,” tha ajo.

Toplica-Badivuku ishte edhe më e vendosur, duke thënë se pavarësisht se çka ndodh ajo nuk do të largohet. “Britania e madhe është mëmëdheu im i adoptuar,” tha ajo. “Në BE a jashtë saj — unë nuk largohem nga këtu.”K