Pikëpamje | Sinjalizimi

Kosovarëve iu duhet ndihma për të sinjalizuar

Nga - 28.11.2017

Akuzat ndaj EULEX-it ngrisin çështjen e sinjalizuesve të aktiviteteve të paligjshme.

Akuzat e fundit për korrupsion brenda Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), të drejtuara nga kreu i dikurshëm i gjykatësve të misionit, Malcolm Simmons, e drithëruan publikun kosovar, e edhe komunitetin ndërkombëtar.

Më 16 nëntor, Simmons bisedoi me gazetën e mirënjohur franceze, Le Monde, duke pretenduar se kishte korrupsion në zemër të misionit, e duke thënë se kjo organizatë u nënshtrohej ndërhyrjeve politike. “Nuk dua të jem më pjesë e kësaj farse”, tha Simmons.

Reagimi nga EULEX-i erdhi menjëherë. Po atë ditë misioni publikoi një deklaratë duke pretenduar se Simmons ishte përfshirë në një seri hetimesh nga EULEX-i në lidhje me “akuza serioze” përgjatë viteve. Akuzat e tjera për Simmons-in më pas dolën në shtyp, si doktoratura e rreme dhe mungesa e kualifikimeve ligjore.

Ky rast na kujton incidentin e kaluar në të cilin u përfshi një prokurore tjetër britanike, Maria Bamieh, e cila u shkarkua nga EULEX-i në gusht të vitit 2014, gjoja për shkak të akuzave që i bëri kundër misionit për shpërfillje të korrupsionit dhe dhënie të ryshfetit. Më vonë ajo deklaroi se përpjekja për ta ndjekur atë penalisht ishte kulmi i asaj që ajo e përshkroi si fushatë trevjeçare e cila synonte ta ndalonte për të mos e ekspozuar “kulturën e korrupsionit” brenda misionit.

Në të dyja rastet, akuzat nuk janë dëshmuar dhe motivet nuk janë qartësuar, por Bamieh dhe Simmons kanë kontribuar në një narracion që thotë se misioni që u dërgua për ta luftuar korrupsionin mund të jetë ngatërruar vetë në keqbërje, dhe me gjasë e kanë hapur një dritare të vogël të një institucioni që shpeshherë perceptohet si institucion i mbyllur hermetikisht.

Ndihmë për publikimin e aktiviteteve të paligjshme

Bamieh dhe Simmons shihen prej shumëkujt si sinjalizues të dyshimtë të aktiviteteve të paligjshme, por a ekziston një sinjalizues i tillë i përkryer? Këshilli i Europës e përkufizon sinjalizuesin e aktiviteteve të paligjshme si “një person i cili raporton apo zbulon informata për rrezikim apo dëmtim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënieve të punës, qoftë në sektorin publik apo në atë privat”, por ky koncept është më i ndërlikuar në realitet sesa në teori.

Sa herë u krye një veprim i sinjalizimit të aktiviteteve të paligjshme, ai u përcoll me akuza dhe pasoja të padëshiruara, prej Edward Snowden-it e deri te Julian Assange. Ndonëse disa prej tyre janë viktima të shkarkimit të padrejtë dhe fushatave të njollosjes, gjithmonë do të ketë individë të cilët e keqpërdorin konceptin e sinjalizimit të aktiviteteve të paligjshme, jo për t’i shërbyer interesit publik, por për t’i shërbyer interesave të tyre personale.

Por paqartësia e rasteve të EULEX-it nuk duhet t’i dekurajojë njerëzit të cilët duan të publikojnë aktivitete të paligjshme në Kosovë. Aktualisht, rastet e njohura të këtij lloji në Kosovë janë të rralla. Ndonëse zbulimi i praktikave të korrupsionit ndodh më rrallë, në vitin 2015 ishin vetëm tri raste në të cilat njerëzit kërkuan ndihmë ligjore.

Ligji për Mbrojtje të Informatorëve u miratua në vitin 2011, dhe gjuha e përdorur në të ishte problematike, meqë termi “informator” ka konotacion të keq për kosovarët. Në Kosovë, para luftës së vitit 1999, “informatorë” konsideroheshin ata të cilët i kishin shërbyer regjimit, dhe shpeshherë quheshin spiunë të regjimit shtypës. Plagët e së kaluarës janë ende të pranishme, e kësisoji njerëzit ngurrojnë t’i denoncojnë haptas keqbërjet brenda institucioneve apo kompanive të cilat e dëmtojnë interesin publik.

Ligji për Mbrojtje të Informatorëve nuk është problematik vetëm për shkak të gjuhës që e përdor për t’i përshkruar sinjalizuesit e aktiviteteve të paligjshme. Ky ligj nuk i përmbush standardet e Këshillit të Europës dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Nëse shfrytëzohet mirë, një statut i tillë mund t’i fuqizojë punëtorët në institucione private dhe publike, që ata të zbulojnë keqbërje apo korrupsion në institucionet e tyre përkatëse.

Ndonëse Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut bën dallimin ndërmjet publikimit të aktiviteteve të paligjshme dhe mbrojtjes së dëshmitarëve, ligji kosovar për mbrojtje të informatorëve nuk e bën këtë dallim. Shumë kritikë kanë thënë se ky ligj duhet të ndryshohet thelbësisht për t’i inkurajuar sinjalizuesit e aktiviteteve të paligjshme, për t’i bërë ata të ndihen më të mbrojtur.

Kur u miratua ligji, nuk pati diskutime të mëtejme në Kuvend. Kjo e dëshmoi saktë përkushtimin e ligjvënësve kosovarë për sinjalizimin e aktiviteteve të paligjshme. Ky qëndrim ekziston pavarësisht faktit se, nëse përdoret në mënyrë efektive, sinjalizimi i aktiviteteve të paligjshme mund të jetë mënyra më efektive për luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit.

Në anën tjetër, numri i rasteve i shfrytëzimit të këtij ligji nuk jep pasqyrë reale të sinjalizimit të aktiviteteve të paligjshme, meqë shpeshherë ka individë të cilët e ngrisin zërin por nuk janë të vetëdijshëm për mënyrën më të mirë për realizimin e të drejtave të tyre. Kjo situatë është pasojë e një fushate të dobët të informimit në lidhje me përdorimin potencial të Ligjit për Mbrojtje të Informatorëve për ata të cilët i bëjnë publike aktivitetet e paligjshme – kjo fushatë pothuajse nuk u zhvillua fare, dhe ka bërë që njerëzit të mos kenë informata për të drejtat e tyre të përkufizuara me ligj.

Neni 3 i Ligjit thotë specifikisht se nuk mund të ndërmerren masa disiplinore apo ndëshkuese kundër një punëtori që ndan informata për interesin e publikut. Nëse shfrytëzohet mirë, një statut i tillë mund t’i fuqizojë punëtorët në institucione private dhe publike, që ata të zbulojnë keqbërje apo korrupsion në institucionet e tyre përkatëse.

Institucionet e Kosovës duhet të luajnë rol më inkurajues për sinjalizuesit e aktiviteteve të paligjshme, dhe duhet të zhvillohen fushata të vetëdijësimit për t’i bërë këta sinjalizues më të zëshëm dhe më të mbrojtur. Menjëherë duhet të ketë nisma për ndryshim të Ligjit për Mbrojtje të Informatorëve, që nuk është në frymën e praktikave më të mira europiane.

Nuk është e tepërt të themi se vetëm duke i inkurajuar sinjalizuesit e aktiviteteve të paligjshme për ta ngritur zërin dhe vetëm duke i mbrojtur ata do të kemi një mënyrë efektive për luftimin serioz të korrupsionit në institucionet e Kosovës dhe në kompanitë private.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky artikull u shkrua nga Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. K2.0 është partner i projektit të ECPMF. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.