S`fundmi | LGBTQ+

Kosova nikoqire e konferencës së parë rajonale për të drejta LGBTI

Nga - 07.10.2016

Ngjarje historike me temë “Pse ligjet nuk mjaftojnë”.

Kosova e priti konferencën e parë të përvjetshme rajonale të këti lloji për të drejta LGBTI. Organizuar nga qeveria e Kosovës dhe Asociacioni për të Drejta të Barabarta LGBTI për Ballkanin Perendimor dhe Turqine (ERA), kjo konferencë nisi mbrëmë në ndërtesën e qeverisë para përfaqësuesve të qeverisë, ambasadorëve, përfaqësuesve të BE dhe aktivistëve e anëtarëve të komunitetit LGBTI.

Me temën “Pse ligjet nuk mjaftojnë!” konferenca tre-ditore (6-8 tetor) synon që ta rris nivelin e debatit për mungesën e përfshirjes sociale dhe barazisë për persona LGBTI në Ballkanin Perendimor dhe në Turqi.

Ky eveniment i bëri bashkë më shumë se 120 përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut dhe të drejtave LGBTI, si dhe përfaqësues të qeverive nga Ballkani Perendimor dhe Turqia. Organizatorët shpresojnë që do të bëhet hapësirë për zhvillimin e diskutimeve dhe ideve për sfidat dhe pengesat në rrugën e fuqizimit të lëvizjeve LGBTI në rajon.

Pavarësisht disa viteve përplot me punë të organizatave LGBTI dhe me amendamente në strukturë ligjore, efekti i legjislacionit të përmirësuar ende nuk është ndjerë nga popullsia LGBTI. Problemet janë të dukshme në të gjitha fushat e zbatimit, përfshirë mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimin, ngacmimin, gjuhen e shtuar të urrejtjes në media dhe në rrjete sociale, qasjen e dobët ose joadekuate në shërbime shëndetësore, dhe mungesën e legjislacionit që i njeh të drejtat e personave trans dhe interseks.

Nëpërmjet diskutimeve dhe uorkshop-eve të ndryshme, kjo konferencë synon që të nis një platformë rajonale si mënyrë e shkëmbimit të praktikave më të mira për autoritetet kombëtare, dhe rritjes së dukshmërisë së lëvizjeve LGBTI përgjatë rajonit.

The historic three-day conference on LGBTI rights opened its doors last night in Kosovo.

Konferenca historike tre-ditore për të drejta LGBTI i hapi dyert mbrëmë në Kosovë. Fotografia: Fikret Ahmeti / K2.0

Habit Hajredini, kreu i Zyrës për Qeverisje të Mirë brenda Zyrës së Kryeministrit e shpalli zyrtarisht të hapur konferencën. Si i vetmi përfaqësues i qeverisë në panel, ai tha se konferenca do të diskutonte çështje të ndryshme që lidhen me legjislacionin dhe atë se pse ligjet nuk janë të mjaftueshme për synimin e arritjes së përfshirjes sociale dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perendimor dhe në Turqi.

“Nuk është rastësi që konferenca po mbahet në Kosovë”, tha Hajredini, duke theksuar strukturën progresive të legjislacionit kosovar që ka miratuar një pako të ligjeve pro të drejtave të njeriut dhe kundër diskriminimit. “Këto ligje garantojnë të drejta për komunitetin LGBTI, jo vetëm në lidhje me diskriminim, por edhe në lidhje me çështje tjera që përfshijnë mbrojtjen [e personave LGBTI] në përgjithësi”.

Duke folur për legjislacionin dhe zbatimin e tij, Hajredini tha se fokusi i konferencës do të jetë identifikimi i mekanizmave që do të reduktojnë hapësirën në mes të institucioneve dhe komunitetit LGBTI. Ai theksoi mekanizma të ndryshëm të zbatuar nga qeveria e Kosovës, si krijimi i grupeve këshilluese ndërministrore dhe koordinuese për të drejta LGBTI që përfshijnë pjesëmarrjen e shoqërisë civile, komunitetit LGBTI, Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.

“Shumë shpejtë po presim që të krijojmë një plan dy-vjeçar që do të jetë specifikisht i përkushtuar për komunitetin LGBTI, dhe në të cilin arsimi, mirëqenia sociale, shëndeti dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile do të jenë fokus kryesor”, tha ai.

Hajredini shtoi se bashkë me shoqërinë civile qeveria synon që të krijojë politika speciale për t’i adresuar çështjet LGBTI, duke filluar me rritjen e ndërgjegjësimit me fushatë të madhe kombëtare.

Ai përfundoi duke thënë se ka ende shumë sfida pavarësisht të gjitha hapave të bërë nga qeveria dhe “tani nevojitet angazhimi i institucioneve dhe gjithë shoqërisë kosovare”.

"Kur ma shumë mbrojtje të të drejtave të njeriut ka edhe më shumë stabilitet, e pastaj promovohet mirëqenia, toleranca dhe gjithëpërfshirja."

Greg Delawie

Greg Delawie, ambasadori i SHBA në Kosovë, e nisi fjalimin e tij duke theksuar mbështetjen e liderëve politik kosovar ndaj komunitetit LGBTI, si pjesëmarrjen e Presidentit Hashim Thaçi në evenimente publike LGBTI.

“Jem gjithashtu të kënaqur që tash e disa vite kemi parë festime publike në Kosovë për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë”, tha ai.

Delawie e ceku se ka patur pak progres në sistem të drejtësisë në lidhje me të drejtat LGBTI; si përjashtim ai përmendi 26 shtatorin kur Gjykata Themelore e Ferizajit i dënoi dy burra të përfshirë në një sulm ndaj dy anëtarëve të komunitetit LGBTI më herët gjatë këti viti. “Shpresojmë që kjo ndjekje e suksesshme penale do të ndihmojë që të dërgohet një mesazh, që sulmet në bazë të urrejtjes nuk do të tolerohen kurrë”, tha ai.

Por ambasadori prap se rrap theksoi se raportet e të drejtave të njeriut tregojnë se si personat LGBTI vazhdojnë të përballen me praktika diskriminuese në arsim, punësim, strehim dhe kujdes mjekësor. Ai tha se shpreson që plan veprimi që pritet të lansohet nga qeveria do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit që të punojnë me ndjeshmëri kundër krimeve të urrejtjes, e t’i ndihmojnë punëtorët e sistemit të shëndetësisë që t’i kuptojnë nevojat e komunitetit, e t’i inkurajojnë mësuesit që të miratojnë kukurrikule që respektojnë personat LGBTI, “në mënyrë që studentët gej, lezbike, biseksual, transgjinor dhe interseks të ndihen të mirëpritur nëpër klasa”.

“Është obligimi ynë moral për një shoqëri të drejtë dhe tolerante… kur ma shumë mbrojtje të të drejtave të njeriut ka edhe më shumë stabilitet, e pastaj promovohet mirëqenia, toleranca dhe gjithëpërfshirja”, tha ai. “Nuk është proces i lehtë për asnjë shoqëri, as atë timën, por në këtë proces kemi mësuar se për të patur sukses, qeveria dhe populli duhet të punojnë së bashku”.

Si folës i tretë i hapjes zyrtare të konferencës, Thomas Gnochi, nga Zyra e BE në Kosovë, theksoi masat e marra nga qeveria e Kosovës për të përmirësuar legjislacionin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si dhe ato LGBTI në veçanti.

"Të gjithë duhet të punojmë së bashku për një ambient më të mirë dhe më tolerant, ku dallimet dhe orientimi seksual nuk janë arsye për të patur frikë."

Thomas Gnochi

Por duke komentuar temën e konferencës, “Pse ligjet nuk mjaftojnë!” ai iu referua një sondazhit në vitin 2015 që u drejtua në Ballkanin Perendimor, sipas të cilit 81 përqind të komunitetit LGBTI thanë se iu ekspozuan abuzimit psikologjik, ngacmimeve të ashpra, komenteve fyese dhe kërcënimeve me dhunë fizike.

“Kjo është diçka që duhet të ndryshojë”, tha Gnochi. “Të gjithë duhet të punojmë së bashku për një ambient më të mirë dhe më tolerant, ku dallimet dhe orientimi seksual nuk janë arsye për të patur frikë”.

Gnocchi argumentoi se, edhe pse komuniteti LGBTI në Kosovë ka qenë i dukshëm e i zëshëm si kurrë më parë, numri i krimeve të urrejtjes më motive të homofobisë është ende shqetësim i madh. “Zyra jonë i ndjek këto rasti me shumë kujdes… jemi të kënaqur që kemi mësuar se njëri prej gjykimeve të këtyre rasteve për herë të parë e trajtoi një krim të tillë ashtu siç është – krim i urrejtjes”, tha Gnocchi, duke shtuar se më shumë duhet të bëhet nga liderët e shoqërisë kosovare për të ndihmuar aplikimin e legjislacionit kundër diskriminimit.

Rajmonda Sylbije, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL) diskutoi shumë sfidat e vështirësitë me të cilat përballen komuniteti LGBTI në Ballkan dhe Turqi, dhe dështimet e qeverisë për t’i adresuar krejtësisht ato.

“Si nikoqire po ndihem e lumtur, por kam edhe ndjenja të përziera, pasi që vetëm nevoja për të organizuar këtë tregon se qeveritë tona ende nuk janë të përkushtuara sa duhet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin”, tha Sylbije.

Ajo tha se shpreson që të vazhdojnë debatet dhe lëvizjet LGBTI në rajon, pasi që aktualisht po përjashtohen anëtarët e komunitetit LGBTI. “Nuk mjaftojnë të drejtat”, tha ajo. “I gjithë komuniteti LGBTI e di se çfarë do të thotë kjo”

Rajmonda Sylbije told the conference that she had mixed feelings about it, because the need to hold such conferences showed that much more still needs to be done for LGBTI rights in the region.

Rajmonda Sylbije i tha konferencës se kishte ndjenja të përziera në lidhje me të, sepse nevoja për të mbajtur konferenca të tilla tregoi se më shumë duhet të bëhet për të drejtat LGBTI në rajon. Fotografia: Fikret Ahmeti / K2.0

Ajo argumentoi se çështjet LGBTI shkojnë përtej këti rajoni dhe se sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme në shtetet e perendimit, por “të paktën të drejtat kanë arritur nivelin e duhur të respektit”.

“Shpresoj se kjo konferencë tre-ditore do të ndihmojë që të shtojë sa më shumë aspekte evropiane që do të na ndihmojnë që të kemi qasje më të mirë e më efektive në luftën për të drejta LGBTI në Kosovë”.

Folësi i ardhshëm në panel ishte Agim Margilaj, një aktivist tjetër kosovar i të drejtave LGBTI, dhe menaxheri i programit për Qendrën për Zhvillim Social Grupor (CSGD).

“Ky eveniment, në të cilin po bëhen bashkë institucionet qeverisëse, publike dhe shoqëria civile në rajon, për të diskutuar çështje LGBTI, është mundësi e mirë për të njohur njëri tjetrin më mirë, e për t’i ndarë përvojat tona, me fokus në sfidat, historitë e suksesit dhe pengesat e përbashkëta me të cilat secili prej nesh në shtetet tona përkatëse mund të përballemi, sa i përket ushtirmit të të drejtave LGBTI”, tha Margilaj.

Ai theksoi se të gjitha ndryshimet pozitive në legjislacion që u bënë në dekadën e fundit janë rezultat i punës së OJQ-ve LGBTI. Margilaj gjithashtu u pajtua se shtetet e rajonit nuk janë të gatshme që të tregojnë gatishmëri për zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe komunitetin LGBTI. “[Kjo] do të garantonte mundësinë që njerëzit të jetojnë lirshëm sa i përket identitetit gjinor dhe orientimit seksual”, tha ai.

Ai shprehi shqetësimin e tij me faktin se disa vite pasi janë miratuar ligjet, 17 raste të diskriminimit dhe sulmeve janë raportuar në polici; prej vitit 2013 saktësisht. Duke komentuar rastin e fundit në Ferizaj, që u mbyll së fundmi në gjykatë, Margilaj tha: “Për disa prej juve mund të jetë dëshpruese, por neve na jep shpresë”.

“Ne, komuniteti LGBTI, qytetarët e këti rajoni, ne duam që orientimet tona seksuale dhe identitetet tona gjinore të njihen ligjërisht. Ne duam që krimet e urrejtjes dhe diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të merren seriozisht, dhe autorët e krimeve të dënohen”, përfundoi ai.

 Agim Margilaj told the conference that a recent conviction of two people for an attack on LGBTI persons in Ferizaj gave the LGBTI community hope that such issues were beginning to be taken seriously.

Agim Margilaj i tha konferencës se dënimi i fundit i dy personave për një sulm ndaj personave LGBTI në Ferizaj i dha komunitetit LGBTI shpresa që po fillohet të merren seriozisht çështjet e tilla. Fotografia: Fikret Ahmeti / K2.0

Diskutimi me panel përfundoi me Dragana Todorovic, bashkë-drejtoreshë ekzekutive e ERA. Ajo e falenderoi qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e tyre gjatë shumë muajve të përgatitjes intensive për konferencë.

“Dialogu domethënës me autoritetet shtetërore është tepër i rëndësishem për lëvizjet LGBTI në Ballkanin Perendimor dhe në Turqi, dhe është e rëndësishme që ky dialog të shkojë përtej fjalëve e premtimeve”, tha ajo. “Duhet të kalohet në veprime; veprime konkrete”.

Todorovic vazhdoi duke përmendur hapësirën në mes të legjislacionit dhe realiteteve me të cilat përballen personat LGBTI. Ajo tha se kjo u pasqyrua më së miri në të dhënat e hulumtimeve: Më shumë se 30 përqind e personave të komunitetit LGBTI në Ballkanin Perendimor dhe në Turqi kanë qenë viktima të dhunës fizike; më shumë se 50 përqind e personave LGBTI kanë qenë dëshmitar të diskriminimit; 20 përqind e popullsisë së përgjithshme në këto rajone mendojne se personat LGBTI nuk janë më të mirë se kriminelët dhe duhet të dënohen; më shumë se 60 përqind e popullsisë së përgjithshme rajonale mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje, pavarësisht shumë viteve me përpjekje për t’i promovuar të drejtat LGBTI.

“Këto shifra ilustrojnë rrethanat e vështira në të cilat ne si persona LGBTI jetojmë – me frikë, ankth, pasiguri”, tha Todorovic. “Prandaj ligjet nuk mjaftojnë, siç thotë edhe titulli i konferencës sonë”.

"Ne besojmë se mesazhi ynë është më i fuqishëm kur i unifikojmë zërat."

Dragana Todorovic

Ajo argumentoi se komuniteti LGBTI ka nevojë për të rritur më tej dukshmërinë dhe lëvizjen, por tha edhe se një ambient i sigurt nevojitet për të qenë të hapur për orientime seksuale e identitet gjinor.

“A e dini se vetëm një nga dhjetë njerëz e njohin dikë që është LGBTI… dhe të dhënat tregojnë se pikërisht këta njerëz, ai/ajo një prej dhjetëve, janë ata që kanë opinion më të favorshëm për çështje LGBTI”, tha Todorovic. “Prandaj duhet të rrisim më shumë dukshmërinë tonë duke krijuar një ambient në të cilin njerzit mund të na njohin ashtu si jemi”.

Ajo tha se mbi 40 organizata LGBTI nga rajoni tani kanë vendosur që t’i bashkojnë forcat për një të ardhme më të mirë për komunitetin LGBTI si anëtarë të ERA, përfshirë disa nga Kroacia e Sllovenia, që u bashkuan dje.

Ne besojmë se mesazhi ynë është më i fuqishëm kur i unifikojmë zërat, dhe nderohemi që ju kemi gjithë juve si mbështetës, në përpjekjet e mundimet tona të përbashkëta për ta bërë këtë rajon vend më të mirë për të gjithë, pavarësisht orientimit seksual, identitetit gjinor dhe karakteristikave seksuale”, ra në përfundim ajo.

Pas diskutimit foli Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës. Ajo tha për K2.0 se përfshirja e qeverisë së Kosovës në organizimin e konferencës e bënë këtë eveniment historik, dhe se kjo tregon që dukshmëria e LGBTI duhet të shihet nga një pikëpamje më pozitive.

“Problem është fakti që sot pati fjalime pesimiste”, tha ajo. “Në vend se të themi që kjo është ngjarje historike, e para ne rajon, dhe të ofrojmë lëvdata që tani jemi në një situatë më ndryshe nga ajo në të cilën ishim më parë – duke marrë parasysh faktin se njerëzit u persekutuan në rrugë dhe në institucione – tani kemi njerëz nga institucionet të cilët e çojnë përpara këtë çështje. Prandaj kjo është ngjarje historike”.K