Pikëpamje | Demokraci

Politika në Kosovë po zhytet në një epokë Makiaveliste

Nga - 17.05.2017

Koalicioni i ri në mes të PDK, AAK dhe NISMA-s veç sa mund ta shtojë nivelin e apatisë tek elektorati.

Mbrëmë (16 maj), një orë para afatit të fundit për të regjistruar koalicionet parazgjedhore, politika e Kosovës pësoi një tronditje. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovë nënshkruan një marrëveshje parazgjedhore, duke nominuar Ramush Haradinaj si kandidat për kryeministër nga blloku i koalicionit të tri partive – të njohura si parti të krahut të luftës.

Në mandatin e kaluar parlamentar, këto parti i shpallën njëra -tjetrës rivalitet të ashpër, meqë PDK qeverisi përkrah ish-partnerit në koalicion – Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – ndërsa NISMA dhe AAK ishin në opozitë.

Dy vite kaluan me krizë politike, pjesërisht të shkaktuar nga marrëveshja për demarkacionin e  kufirit me Malin e Zi, që u nënshkrua asokohe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. Koalicioni PDK-LDK insistoi që kjo marrëveshje të ratifikohej në Kuvend, ndërsa opozita, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj i AAK-së me përfshirje të Nismës, dhe Vetëvendosjes, e kundërshtoi fuqimisht marrëveshjen duke akuzuar PDK-në për tradhti dhe për falje të më shumë se 8,000 hektarëve të tokës së Kosovës.

Më pak se një javë më parë, Haradinaj dukej se nuk kishte dëshirë që të krijonte koalicione, duke deklaruar se ka “vija të kuqe” që e parandalojnë aleancën me LDK-në ose PDK-në. Megjithatë, shpërblimi i të qenurit kandidat për kryeministër duket se tani ka bërë që Haradinaj të ndërrojë mendje, dhe të zhduk vijat e tij të kuqe.

Ka patur spekulime tash e ca kohë se një koalicion në mes të këtyre tri partive është i mundshëm. Ish-kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, dhe njëri nga themeluesit e  NISMA-s, pas daljes nga PDK, Jakup Krasniqi, u fotografuan duke mbajtur takim së bashku në Durrës me 23 prill. Pak më vone, me 4 maj, NISMA e nisi një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë. Kur ra qeveria, dolën në sipërfaqe përsëri thashethemet për koalicion.

Një vendim nga gjykata kushtetuese pas zgjedhjeve të vitit 2014 krijoi një precedent që vetëm partia ose koalicioni që merr më së shumti vota në zgjedhje ka të drejtë që të formojë qeverinë, duke krijuar kështu një situatë në të cilën koalicionet parazgjedhore u bënë të leverdishme, sepse i rrisin mundësitë për të fituar vendin e parë. Duke iu referuar këtij vendimi, partitë që kanë bërë koalicionin e kanë shfrytëzuar afatin e fundit për të lajmëruar atë edhe si masë  parandaluese për një marrëveshje të ngjashme në mes të partive rivale, në këtë rast një marrëveshje eventuale mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Është lëvizje që vetëm sa do ta zmadhojë e thellojë mosbesimin në politikën kosovare, jo vetëm në spektrin politik, por edhe në shoqërinë e gjërë, e veçanërisht në mesin e të rinjve.

 

Megjithatë, vendimi i AAK-së dhe NISMA-s për të formuar koalicion parazgjedhor me PDK-në prapë se prapë erdhi si befasi. Liderët e dy të parave në gjashtë muajt e fundit e kanë akuzuar PDK-në për tradhëti dhe se janë pjesë e një qeverie që e ka udhëhequr shtetin drejt dështimit. Vështirë është që të shihet kjo lëvizje si diçka tjetër pos e kalkuluar, vetëm e vetëm për t’i shërbyer interesave të ngushta, e për të marrë nga një copë pushtet.

Nuk është hera e parë që kultura politike në Kosovë është përballur me kësi lloj kthese politike. Në vitin 2014, LDK nuk iu përmbajt një marrëveshje që e kishte me partitë opozitare, ajo e VLAN-it,  dhe e nënshkruajti koalicionin me PDK-në për të qeverisur, pasi kishte bërë një fushatë të gjatë kundër koalicionit me PDK. Megjithatë, në fund ata hoqën dorë nga këto ideale për “interesat e vendit”, sllogan klishe me të cilin ata shpresuan se do t’i zhdukin të gjitha akuzat paraprake.

Manovrat e mbrëmshme në politikën e Kosovës mund të shihen edhe si shtojcë e vlefshme e veprës së njohur të Niccolo Machiavelli “Princi” – në të cilin ai e tregon historinë e sjelljeve të paskrupullta e të pamoralshme të politikanëve të uritur për pushtet. Koalicioni i fundit, që vë në pah këto lloj sjellje, vetëm sa do ta zmadhojë e thellojë mosbesimin në politikën kosovare, duke bart pasoja jo vetëm në spektrin politik, por edhe në shoqërinë e gjërë, e veçanërisht në mesin e të rinjve.

Ky koalicion, do të thellojë humbjen e besimit dhe shpresës që vota mund të ndryshojë diçka në Kosovë, e që aktiviteti politik mund t’i ndryshojë gjërat në praktikë. Partitë tradicionale po vazhdojnë të operojnë vetëm nëpërmjet klientelizmit, korrupsionit dhe nepotizmit, pa i kushtuar vëmendje programeve partiake apo parimeve qeverisëse që adoptohen e mbështeten.

Në zgjedhjet e vitit 2014, më pak se 43 përqind e votuesve të regjistruar iu drejtuan kutive të votimit. A do të dalin më shumë votues kësaj radhe? Vështirë është të jemi optimist kur politikanë pa parime që brenda një javë e shpallin kundërshtarin e tyre si të korruptuar, dhe përgjegjës për dështimin e izolimin e vendit, e me të njëjtit nënshkruajnë aleancë  “për të sjellë shpresë”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO