Në thelb | Energjia

Shpjegojmë ‘krizën’ e energjisë elektrike në Kosovë

Nga , - 05.08.2017

Zbërthejmë pështjellimin e krijuar për energjinë.

“Kosova në kolaps energjetik” erdhi si lajm mjaft alarmues në fund të javës së kaluar, dhe befasisht ngadalë u përhap gjatë ditëve në vijim. Pavarësisht zbulimit që rezervat e thëngjillit do të zgjasin vetëm edhe dy javë, u nevojit pak kohë që të procesohet si duhet ky lajm bombastik, meqë vëmendja fillimisht ishte e kthyer fillimisht kah zënkat e tejzgjatura politike të cilat së fundmi kanë mbizotëruar në lajme e rrjete sociale.

Energjia elektrike është sektor i cili rrallëherë i ngazëllen njerëzit, e faktor i rëndësishëm në këtë dukuri është fakti që kjo fushë është mjaft e ndërlikuar. Por meqë funksionimi i ekonomive të shekullit 21 varet thelbësisht në furnizimin me energji elektrike, ideja e ‘dështimit të sistemit të energjisë elektrike’ do të ishte fatkeqësi kombëtare, implikimet e së cilës vështirë është t’i kuptojmë.

Të mërkurën (2 gusht) qindra punëtorë të KEK-ut – Korporata Energjetike të Kosovës, pronë e shtetit, përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike dhe nxjerrjen e thëngjillit – dolën rrugëve të Prishtinës për të protestuar kundër situatës që ata po e parashohin në të ardhmën e afërt, gjegjësisht kundër rritjeve të mëdha të çmimit të energjisë elektrike dhe ndërprerjeve të energjisë. Pastaj, më vonë gjatë asaj pasdite, KEK lajmëroi se ishte gjetur një zgjidhje afatshkurtër, dhe se pa një pa dy, ‘krizës’ i kishte ardhë fundi – të paktën për tani.

Pra a ishte Kosova me të vërtetë aq afër katastrofës energjetike? A është gjithçka në rregull tani? Apo ka mundësi që çmimi të rritet shumë, e kjo të përcillet edhe me ndërprerje të energjisë elektrike?

K2.0 u konsultua me ekspertë të energjisë elektrike, si dhe analizoi mbulimin mediatik, strategjitë dhe kornizën ligjore, për ta zbërthyer këtë ‘krizë’.

Pse gjithë kjo zhurmë për thëngjill?

Furnizimi i Kosovës me energji elektrike varet jashtëzakonisht shumë në djegien të linjitit (lloj i thëngjillit me kualitet të dobët) në termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq. 97 përqind e gjithë energjisë së prodhuar në Kosovë vjen nga ky burim, pra nëse harxhohen rezervat e thëngjillit, Kosova në thelb nuk do të ketë më mundësi që të prodhojë energji elektrike.

Që një kohë të gjatë ka filluar planifikimi për zhvillimin e një termocentrali të ri, Kosova e Re, i cili do të ndihmonte me përmbushjen e nevojave të Kosovës për energji elektrike, por afatet kohore për këtë projekt vazhdimisht po shtyhen. Termocentrali i ri po ashtu do të varej nga thëngjilli.

Prodhimi vendor i energjisë elektrike në Kosovë aktualisht bëhet nëpërmjet djegies së linjitit në termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

A po i harxhohet Kosovës thëngjilli?

Jo, Kosova i ka edhe 14 miliardë ton thëngjill. Është rezerva e pestë më e madhe e linjitit në botë. Është e shpërndarë në tri ‘bazene të qymyrit’: bazeni i Dukagjinit, bazeni i Drenicës dhe bazeni i Kosovës. Ky i fundit, që është afër Prishtinës, është më i madhi, gjegjësisht 850 kilometër katrorë (por sipas Strategjisë Minirare së Kosovës, vetëm 300 kilometër katrorë prej tij janë “produktive”).

Nëse ka Kosova thëngjill, atëherë ku është problemi?

Nuk është problem sasia e thëngjillit në dispozicion, por qasja në të. Pjesa më e madhe e thëngjillit gjendet brenda – ose teknikisht nën – prona private si fshatra. Kjo do të thotë që mënyra e vetme për ta marrë atë thëngjill është duke i zhvendosur njerëzit prej shtëpive dhe tokave të tyre.

Miniera e vetme aktive e thëngjillit në Kosovë është “Fusha e Mihjes së Re” (Sibovci jug-perëndim) në Komunën e Obiliqit, por KEK thotë se në këtë lokacion nuk mund të mihet më në mënyrë të sigurtë, pa i rrezikuar vendbanimet që janë në afërsi.

Më parë KEK kishte për qëllim vazhdimin e mihjes në drejtim të fshatit Hade, e për këtë u përpilua edhe një plan veprimi pjesë e së cilit ishte zhvendosja e shumicës së popullsisë së fshatit. Megjithatë, ky proces u bë me shumë pakujdesi, duke krijuar zemërim të madh te banorët lokal dhe grupet e shoqërisë civile, të cilët argumentuan se po shkeleshin të drejtat e njerëzve lokal.

Më së fundmi, për arsye që ende janë të paqarta, KEK vendosi që t’i fokusojë përpjekjet në zgjerimin e mihjeve në drejtim të fshatit Shipitullë. Megjithatë, edhe aty ka shtëpi dhe toka që janë prona private pikërisht në zonën në të cilën KEK duhet të ketë qasje.

Ende është e paqartë se sa njerëz saktësisht mund të ndikohen nga ky zgjerim drejt Shpitullës – Reuters raporton se para tre viteve, kur KEK i’u tha pronarëve të shtëpive që i duhen tokat e tyre, aty ishin 99 shtëpi, por që ndërkohë janë ndërtuar 120 shtëpi. Por janë përmendur edhe numra të ndryshëm gjatë ‘krizës’ së fundit; KEK-u ka përmendur që tetë shtëpi janë në zonën fillestare në të cilën i duhet qasje.

Hmm, a nuk ishte dashur që dikush ta përcillte këtë dhe lajmëronte më herët që po harxhohet thëngjilli i qasshëm?

Po. Shumica e shteteve kanë plane të mira sa i përket energjisë elektrike, e kjo u mundëson që t’i parashikojnë nevojat e energjisë për afat të shkurtër, mesëm dhe të gjatë, dhe të planifikojnë me vite paraprakisht mungesat e mundshme. Por, në këtë situatë kanë munguar shumë parime të organizimit.

Megjithatë, nuk është se e kanë harruar krejtësisht këtë çështje. KEK-u i raporton çdo vit Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Në raportin e vitit 2016, ata theksuan se nuk kishin mundësi që t’i mihin rezervat e nevojshme në Shipitullë për shkak të pengesave në lidhje me shpronësim, duke shtuar se i kishin adresuar ankesat e tyre në institucionet relevante, dhe se veprimet e vonuara mund të rezultojnë në ndalim të furnizimit të Kosovës me thëngjill deri në gjysmën e dytë të vitit 2017.

Banorët lokal dhe Komisioni Statutor në Sindikatën e re të KEK-u kanë bërë akuza për shkelje serioze të rregullave.

Më së fundmi, në qershor 19 të këti viti, drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Aben Gjukaj, e dërgoi një letër te Komuna e Obiliqit dhe te akterët tjerë relevant në qeveri, si Zyra e Kryeministrit duke paralajmëruar që problemet me ndërtime ilegale dhe procesin e shpronësimit në Shipitullë do të shkaktonin ndalimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Me 14 korrik, KEK gjithashtu dërgoi një kërkesë zyrtare te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shpronësim të tetë shtëpive. Në një përgjigje të shkruar për Klan Kosovën, ministria tha se i njëjti propozim ishte dërguar edhe vitin e kaluar (17 korrik, 2016) nga KEK në qeveri, e cila me 21 korrik, 2016, morri vendim që ta miratojë kërkesën e KEK për rishqyrtim.

E paqartë është se çfarë ndodhi në këtë pikë, por në thelb, të gjithë janë munduar që ta heqin fajin nga vetja, e t’ia lënë dikujt tjetër.

Në rregull, e gjithë kjo tingëllon si një lëmsh i madh.

Nuk përfundon me kaq. Duke parashikuar që e gjithë kjo zonë mund të jetë e rëndësishme për nevojat e Kosovës për energji elektrike në të ardhmën, qeveria në vitin 2009 e caktoi një fushë 150 kilometra katrorë rreth Obiliqit si Zonë e Interesit të Veçantë Ekonomik, e njour si ‘Fusha e Mihjes së Re’ (jo e njëjta që u përmend më lart në artikull). Qeveria e rikonfirmoi shpalljen e bërë nga UNMIK-u në 2004. Për shkak të kësaj, si dhe Planit Hapësinor që u miratua për këtë zonë në 2011, qeveria ka fuqi të mëdha sa i përket shpronësimit në toka të cilat i duhen shtetit për t’i përmbushur nevojat për energji elektrike.

Megjithatë, e gjithë kjo ka një dimension politik.

Sipas një hulumtimi që u publikua në Jeta në Kosovë (JNK) të BIRN vitin e kaluar, 56 hektarë të kësaj zone u privatizuan nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në 2012. Meqë kjo tokë është caktuar si Zonë e Interesit të Veçantë Ekonomik, nuk është dashur të privatizuohet, dhe nuk është dashur të ketë zhvillime të mëtejme.

JNK raportoi se shteti i morri 370,000 euro nga shitja e këtyre pronave, por KEK-u me gjasë do të duhet që t’i shpronësojë përsëri në të ardhmën për shkak të nevojës së furnizimit të termocentraleve ekzistuese, si dhe të termocentralit të propozuar, Kosova e Re. Në atë rast, shteti do të duhej që t’i blente përsëri për një shumë rreth 3 milion euro. Vitin e kaluar, kur JNK e pyeti Agjencinë Kosovare të Privatizimit se a kishin qenë të informuar që ato toka ishin pjesë e Zonës së Interesit të Veçantë Ekonomik, dhe se a lejohej privatizimi i toakve në atë zonë, ata nuk u përgjigjën.

Banorët lokal dhe Komisioni Statutor në Sindikatën e re të KEK-ut sugjeruan që në pyetje është  një lojë e madhe. Ata thonë se shumë prej shtëpive të reja që janë ndërtuar në vitet e fundit në mënyrë ilegale u ndërtuan prej njerëzve që kanë lidhje politike, si mënyrë për të fituar shumë para prej pagesave të kompenzimit për shpronësim.

Edhe pse në vitin 2014 u bënë premtime për përpilimin e një Plan Veprimi për Zhvendosje për fshatin Shipitullë, K2.0 nuk gjeti dëshmi që një plan i tillë është prodhuar.

A nuk mundet qeveria thjesht ’i merr përsëri tokat?

Shpronësimi i tokave është proces i ndërlikuar dhe duhet të bëhet në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Sipas Ligjit për Shpronësim dhe sipas Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, për secilin projekt që kërkon zhvendosjen e qytetarëve duhet të prodhohet së pari një Plan Veprimi për Zhvendosje. Ky plan veprim duhet të bëhet në konsultime me komunitetin e ndikuar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtje të të drejtave themelore, si dhe duhet të përcaktojë atë se si njerëzit që kanë prona apo toka në zonën e ndikuar do të kompenzohen për humbjet e tyre.

Kur u propozua një Plan Veprimi për Zhvendosje në Hade në 2008, tri vite u deshën që të finalizohet, dhe më pas i gjithë procesi u ndërlikua nga vonesat, frustrimi, hutia dhe pasiguria.

Edhe pse u bënë premtime në vitin 2014 për përpilimin një Plan Veprimi për Zhvendosje për fshatin Shipitullë, K2.0 nuk gjeti dëshmi për krijmin e një plani të tillë. Duke i’u referuar përpjekjeve të KEK-ut për shpronësim në Shipitullë, zëdhënësi i këti entiteti, Skender Bucolli, tha për K2.0 se kjo po bëhej brenda kornizës së Ligjit për Shpronësim dhe Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, por nuk e përmendi një Plan specifik Veprimi për Zhvendosje për këtë projekt.

Sipas kornizës së gjërë ligjore, a kanë të drejtë të marrin kompensim njerëzit nëse shtëpitë e tyre janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme?

Fillimisht, është e rëndësishme që të theksohet një dallim i rëndësishëm. Shumë prej shtëpive në Shipitullë janë ndërtuar shumë vite më parë, dhe në to banojnë njerëz vendas të cilët absolutisht kanë të drejtë kompensimi nëse i merr shteti pronat e tyre nëpërmjet shpronësimit.

Megjithatë, pikëpyetje ka në rastin e shtëpive që janë ndërtuar më së fundmi prej njerëzve që shpresojnë të fitojnë para prej kësaj situate. Sipas Ligjit për Shpronësim, pronarët e pronave që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme nuk kanë të drejtë kompensimi, përveç nëse mund të dëshmojnë se prona e tyre u ndërtua në një kohë kur nuk kishte plan hapësinor në fuqi. Mbetet të shihet se a do të aplikohet kjo në këtë rast. Insajderi e kontaktoi KEK duke i kërkuar emrat e pronarëve të shtëpive që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, por nuk morri përgjigje.

Çfarë po ndodh me tetë shtëpitë, të cilat KEK-u i përmendi fillimisht?

Të mërkurën (2 gusht) drejtori ekzekutiv i KEK-ut lajmëroi se kishte arritur një marrëveshje fillestare për t’i blerë dy shtëpi të cilat sipas tij do ta nxjerrin vendin nga ‘kriza’ e energjisë elektrike.

Marrëveshjet për t’i blerë këto shtëpi mund t’i kenë fituar KEK-ut pak kohë shtesë, por pa plan efektiv e afatgjatë për sigurimin e qasjes në rezerva të thëngjillit, është vetëm çështje kohe, dhe Kosova dikur do të përballet përsëri me mungesa të thëngjillit.

Zëdhënësi i KEK-ut, Bucolli, tha për K2.0 se KEK veç se kishte arritur marrëveshje me 11 familjet, por se marrëveshjet për t’i blerë këto dy shtëpi, veçanërisht prej familjeve Grajçevci dhe Berisha, ishin shumë të rëndësishme, meqë pronat e tyre gjinden shumë afër lokacionit në të cilin KEK i ndali punimet para një viti për t’i nisur negociatat me banorët. Bucolli shtoi se KEK është po ashtu duke bërë në bisedimet me pronarët tjerë, por ai nuk zbuloi informata të mëtejme për natyrën e këtyre negociatave.

Nëse është arritur marrëveshje për këto shtëpi, atëherë ka përfunduar ‘kriza’ e energjisë elektrike, apo jo?

Sipas KEK-ut, në afat të shkurtër po.

Por edhe po të ishte kështu, kjo është vetëm zgjidhje e shpejtë, dhe Kosova ende është larg nga të pasurit një të ardhme të sigurisë energjetike. Marrëveshjet për t’i blerë këto shtëpi mund t’i kenë fituar KEK-ut pak kohë shtesë, por pa plan efektiv e afatgjatë për sigurimin e qasjes në rezerva të thëngjillit, është vetëm çështje kohe, dhe Kosova dikur do të përballet përsëri me mungesa të thëngjillit.

Nëse thëngjilli në dispozicion me të vërtetë harxhohet, a do ta shkaktonte kjo një dështim absolut të sistemit të energjisë elektrike?

Jo edhe bash. KESCO (Kompania e Kosovës për Furnizim me Energji Elektrike), si i vetmi furnizues aktual i energjisë elektrike në Kosovë, e ka një obligim në formë të shërbimit publik, që të garantojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët. Nëse nuk ka mundësi që ta sigurojë energjinë prej prodhimit vendor të KEK-ut, mund të importojë prej jashtë Kosovës. Kjo ndodh edhe tani deri në një masë, meqë Kosova aktualisht nuk prodhon energji elektrike të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e konsumimit të saj.

Energjia elektrike tregtohet në tregje ndërkombëtare, pak a shumë si aksionet, e kjo do të thotë që shtetet mund të blejnë e importojnë energji elektrike me çmimet më të vogla që i janë në dispozicion. Shpeshherë kjo bëhet paraprakisht, meqë shtetet i parashikojnë nevojat energjetike të tyre për javët, muajt dhe vitet në vijim, e kjo do të thotë që mund të sigurohet një çmim i fiksuar. Por mund të përdoret edhe për të siguruar energji elektrike në afat të shkurtër.

Kur termocentralet e Kosovës nuk kanë mundësi që të prodhojnë energji të mjaftueshme elektrike për t’i përmbushur nevojat vendore, KESCO importon energji prej jashtë vendit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Vendi prej të cilit importohet energjia elektrike varet krejtësisht prej furnizimit dhe nevojës – kush po e furnizon energjinë e tepërt, dhe çfarë çmimi po ofrohet; tregu më i afërt që rregullisht ka tepricë të energjisë elektrike është ai i Hungarisë. Ndonëse importimi mund të jetë i lirë gjatë verës, kur niveli i përdorimit të energjië elektrike është i ulët dhe shpeshherë ka teprica në vende tjera, në një situatë në të cilën Kosova do të ishte e varur ndaj importimit të gjithë energjisë elektrike gjatë dimrit, kostoja e kësaj do të rritej shumë.

Shtetet e rajonit në përgjithësi nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat gjithnjë më të mëdha për energji elektrike gjatë dimrit vetëm duke prodhuar vet, dhe në këtë kohë ka më pak tepricë të energjië elektrike në tregje ndërkombëtare për shkak te nevojës së shtuar për ngrohje. Kërkesa e lartë dhe furnizimi i ulët shkakton rritjen e kostos së importit.

Kosova gjithashtu e ka një marrëveshje të ndërsjellë me Shqipërinë: importon energji të tepërt prej digave hidro-elektrike të fqinjit të saj në pranverë – kur për shkak të niveleve të ujit zakonisht ka boll energji të prodhuar elektrike në Shqipëri – dhe e kthen një sasi të barasvlershme gjatë pjesës tjetër të vitit. Megjithatë, për shkak të nivelit të ulët të reshjeve të shiut, thatësira e ka kapluar pjesën më të madhe të Mesdheut Jugor sivjet, e kjo ka bërë që Shqipëria të mos ketë mundësi t’i sigurojë energji elektrike Kosovës si zakonsht.

Ideja e importimit të energjisë shtesë prej vendeve tjera në plan afatgjatë tingëllon si e shtrenjtë – a do të më kushtojë më shumë?

Ndoshta, por me gjasë do të kalonte një kohë para se t’ia ndjenim efektin, meqë tarifat e energjisë elektrike caktohen në bazë vjetore. Për shembull, nëse çmimi i sigurimit të energjisë elektrike rritet tash, publiku do ta ndjente nëpërmjet faturave të energjisë elektrike tek në mars 2018, kur do të kishin hyrë në fuqi tarifat e reja.

Çmimi i energjisë elektrike gjithashtu rregullohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila merr parasysh faktorë të ndryshëm, përfshirë të hyrat mesatare kombëtare, në përpjekje për t’i bërë çmimet e energjisë elektrike më të përballueshme për qytetarët. Qeveria gjithashtu mund ta subvencionojë koston e energjisë elektrike.

Si masë e urgjencës, në rast se ka mungesë afatgjate të prodhimit të energjisë elektrike, qeveria mund të vendosë që ta kufizojë furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike, që do të thotë ta shtojë nivelin e ndërprerjeve të planifikuara qe veç se zbatohen ende në shumë zona të Kosovës gjatë periudhave kur ka pak energji elektrike në dispozicion.

Por përfundimisht, këto të gjitha janë zgjidhje afatshkurtra.

Termocentralet Kosova A dhe Kosova B janë të vjetra dhe e ndotin shumë ambientin, por shteti ende nuk e ka përpiluar një plan të qëndrueshëm dhe afatgjatë sa i përket energjisë elektrike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

E për afat të gjatë?

Qeveria e Kosovës planifikon që ta eliminojë problemin e furnizimit me energji elektrike nëpërmjet ndërtimit të termocentralit Kosova e Re dhe rindërtimit të termocentralit Kosova B, i cili u ndërtua në 1980-at. Kosova e Re ka për qëllim zëvendësimin e prodhimit të energjisë elektrike që aktualisht e bënë termocentrali Kosova A, i cili u ndërtua në 1960-at. Ishte planifikuar që ky termocentral ta ndalë punën, në mënyrë që të përmbushen standardet evropiane, por meqë nuk ka alternativë tjetër në dispozicion, kjo nuk do të ndodhë.

Autoritetet e Kosovës e kanë diskutuar ndërtimin e termocentralit Kosova e Re për ta mbyllur termocentralin aktual Kosova B për më shumë se një dekadë, dhe në parim e kanë mbështetjen e Bankës Botërore, pavarësisht politikës së këti institucioni për të mbështetur projekte të reja të thëngjillit vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Sivjet, Ministria e Zhvillimit Ekonomik deklaroi se është në proces të finalizimit të përgatitjeve për termocentralin e ri, por mbetet e paqartë se kur do të fillojë ndërtimi.

Ndërkohë shumë organizata dhe grupe të zhvillimit të qëndrueshëm, nën ombrellën e KOSID – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – po e kundërshtojnë termocentralin e ri, duke i theksuar efektet negative që i shkaktojnë termocentralet e thëngjillit ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ambientit. Ata argumentojnë se vëmendja jonë duhet të fokusohet në zhvillimin e zgjidhjeve alternative për energji elektrike, dhe se duhet të investojmë më shumë kohë, përpjekje dhe hulumtime në potencialin e zhvillimit të burimeve ripërtërishme.

Pra kjo nuk është hera e fundit që do të flasim për çështje të energjisë elektrike në Kosovë?

Jo – kjo do të jetë çështje e madhe për një të ardhme të parashikueshme të Kosovës, çështje me të cilën duhet të merret shteti në një mënyrë apo tjetër.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.