Në thelb | Sporti

Lulëzimi i kulturës së alpinizmit në Kosovë

Nga - 26.05.2017

Si u bënë ecjet e së dielës, argëtimi më i pëlqyer në vend.

Kishte filluar të agonte, në një ditë pranvere, kur alarmi i Gonxhës shënoi orën 6 të mëngjesit. Tejet herët për çfarëdo dite, e lere më për një ditë të diel. Ajo u zgjua e i bëri gati çantat me furnizime e ujë, meqë po e priste një udhëtim i gjatë. Erdhi koha për ngjitjen e parë të saj në një mal, e po i bashkoheshin edhe motra e kushëriri i saj.

Ajo u takua me plot udhëtarë tjerë, tre autobusa plot me ta, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, para se të merr rrugën drejt maleve të Sharrit. Atje u ngjitën afro 200 njerëz, deri në pikën më të lartë (2,528 km) të rrethinës, atë të Kobilicës. Njjë prej majeve malore që e formojnë kufirin në mes të Kosovës e Maqedonisë.

Disa metra më lart, re të errëta e të hirta zgjateshin lart mbi malet e Sharrit. Nuk zgjati shumë dhe nisi shiu i parë; stuhitë dhe erërat e fuqishme e bënin ngjitjen edhe më të vështirë. Të gjithë i veshën jaknet e shiut e i shtrënguan çizmet. E vështirë ishte ngjitja nëpër rrugët e rrëshqitshme, të e me gurë.

Në majë u ndal ngadalë shiu dhe iu zbulua pamja e bukur alpinistëve. Në fytyrat e tyre vërehej një ndjenjë hareje e lehtësimi. Ishin të mahnitur nga ajo panoramë. “Vështirë ishte deri sa arritëm në majë”, tha Gonxhja. “Por kur arritëm atje, të gjitha mundimet u harruan”.

Ishte udhëtimi i parë i Gonxhës me Kosovo Hiking Trips, organizatë që promovon alpinizmin në Kosovë nëpërmjet ekskursioneve dhe projekteve tjera promocionale. Kushtet ishin të vështira për një përvojë të parë me alpinizëm, por sigurisht se nuk do ta harrojë kurrë këtë përvojë. Siç tha edhe Gonxhja, udhëtimet malore janë “mënyrë e mirë për ta testuar vetën, për të parë se a mund ta bësh. Mos u dorëzo. Kur të arrin në majë do ta shohësh bukurinë”.

Foto nga OSE.

Prej këti udhëtimi, Gonxhja ka ecur e është ngjitur nëpër male të ndryshme të Kosovës, duke shkuar të paktën një herë në muaj në këso udhëtime, e shpeshherë edhe nga dy ose tri herë. Ajo beson se udhëtimet malore ofrojnë edukim si dhe arratisje. “Unë u linda e u rrita në Prishtinë, e nëpërmjet alpinizmit e kam njohur më shumë shtetin tim”, shpjegon ajo, duke shtuar se e gjithë përvoja pasurohet nga ndjenja që ta ofron, ajo që i përket një komuniteti që ndanë vlera të përbashkëta, dhe që kërkon mbështetje reciproke për të arritur majën.

Këto udhëtime janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës së saj; kohë që ajo mund ta kalojë me miqtë e saj e kur mund ta harrojë jetën e përditshme për një moment; ta pushojë mendjen. “Ecja malore të largon nga ajo zona e rehatisë”, insiston Gonxhja. “Kur nuk je në zonën e rehatisë, bëhesh më fleksibil dhe më kreativ”.

Grupet në rritje

Prej vitit 2014 është shtuar numri i organizatave që organizojnë udhëtime malore në Kosovë, siç është shtuar vazhdimisht edhe numri i alpinistëve që po i bashkohen ekskursioneve, veçanërisht në grupin e Gonxhes, Kosovo Hiking Trips, që njihet edhe si “Hiking Njeri”.

Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk e dinë se si duket Kosova.

Beni

Ky grup u krijua gati krejtësisht spontanisht. Në prill 2004, një ekip i sporteve dimërore, Snow Njeri, përfshirë Arben Islamin (Benin), shkuan në një udhëtim të skijimit në qendrën e skijimit në Brezovicë në malet e Sharrit. Por doli që ski lifti nuk po punonte në atë kohë. Në vend se të skijojnë, Beni me miqtë e tij vendosën që të ngjiten deri në majë të stazës së skijimit, dhe kështu u lind Hiking Njeri.

Gjatë viteve Beni është ngjitur në të gjithë malet e Kosovës, dhe nëpërmjet rrjeteve sociale e fotografive, ai ka përfshirë gjithnjë më shumë të rinj. “Pas vitit 2014, udhëtimet malore u bënë viral”. Beni tha për K2.0 që ky projekt “ka bërë revolucion për jetën e të rinjve”.

Për Benin, kjo përpjekje për t’i inkurajuar njerëzit që të merren me sporte në ambient të hapur kishte pjesërisht motivin e ndryshimit të kulturës në Kosovë. “Shoh ndonjëherë energji negative në Kosovë dhe dua që ta ndryshojë nëpërmjet alpinizmit”, zbulon ai. “Aktualisht është aktiviteti më i rëndësishëm në Kosovë”.

Foto: Julia Kirner.

Tashmë shumë organizata aranzhojnë udhëtime në Kosovë çdo fundjavë. Nuk janë vetëm për t’i ndihmuar njerëzit që të njoftojnë miq e njerëz të ri; është gjithashtu mundësi për ta parë një anë tjetër të Kosovës. “Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk e dinë se si duket Kosova”, thotë Beni. “Ne po i nxitim njerëzit që ta shohin vendin e tyre”.

Ecje me synim

Një organizatë tjetër e alpinizmit është OSE (Outdoor Sports Experts) të cilët, jo si Hiking Njeri, fokusohen në ofrimin e mundësive për ecje malore jashtë Kosovës. Përveç që organizojnë udhëtime për ecje malore, OSE synojnë që gjithashtu të rrisin nivelin e ndërgjegjësimit për vlerën e natyrës, ambientalizmit dhe eksplorimit të shteteve fqinje.

Ky grup u themelua në fund të vitit 2016 nga një ekip i vogël i entuziastëve, përfshirë Besnik Vasollin, i cili u dashurua në alpinizëm dhe në idenë e bashkimit të njerëzve. Ai gjithashtu do që ta mbështetë Kosovën për të arritur një prej synimeve politike të saj: më pak kufizim të udhëtimeve të qytetarëve. “Qëllimi ynë ishte që të rrisim nivelin e ndërgjegjësimit për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovë”, shpjegoi ai.

“Kosova është i vetmi vend në rajon qytetarët e të cilit nuk kanë mundësi që të udhëtojnë pa viza [në Zonën Shengen]”. Me aktivitetet e tyre, ata shpresojnë që të demonstrojnë se “kosovarët duan të kenë mundësi që të udhëtojnë pa viza për turizëm, e jo vetëm për të migruar”.

Vendimi i tyre për të planifikuar udhëtime jashtë vendit ka edhe dimension social. “Mundohemi që të lidhemi me njerëz të rajonit, e t’i bëjmë bashkë njerëzit, për t’i kuptuar gjërat më ndryshe”, thotë Besniku. “Kur e analizojmë të kaluarën, më shumë kemi që na bashkon se sa që na ndanë”.

OSE gjithashtu shpresojnë që të përmirësojnë kualitetin e jetës së njerëzve duke reduktuar stresin e duke e gjetur një ekuilibër në mes të punës e jetës, si dhe duke e shijuar e vlerësuar natyrën e Kosovës. “Nuk janë vetëm qytetet e fshatrat”, thekson Besniku. “Nëse ecë pak më larg përjeton pamje mahnitëse e takohesh me njerëz të mirë e interesant”.

Foto nga OSE.

Sa i përket turizmit në Kosovë, të dy organizatat pajtohen që alpinizmi mund të përdoret për të promovuar turizmin e për të ofruar mundësi ekonomike në Kosovë. Për Benin një synim i së ardhmës është që të bëhen ndërkombëtare këto udhëtime malore, e të tërheqen më shumë njerëz për ta vizituar Kosovën. “Mundohem që të bëjë ndryshim për Kosovën, që ta bëjë Kosovën të njohur në botë si vend i alpinizmit”, thotë ai. Për të ndihmuar me shtytjen e turizmit, idea e tij ishte që të formohet një bord publik që specializon në turizëm të ambientit të jashtëm.

Ndërkohë Besniku beson se çfarëdo rritje e turizmit duhet të bëhet në mënyrë të qëndrueshme dhe duke e mbrojtur mjedisin. Vlerat e ambientalizmit i ka pjesërisht si rezultat i alpinizmit. “Kur e sheh natyrën e bukur je shumë më i kujdesshëm me ambient e me mbeturina”, deklaron ai.

Në përgjithësi, Besniku beson se universaliteti i alpinizmit e bënë që të dallohet prej aktiviteteve tjera: “Nuk është vetëm për të rinjtë ose për të vjetrit, ose vetëm për biznesmenë apo zyrtarë qeveritar. Është për të gjithë”.

Foto kryesore: Julia Kirner / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO