party-militants
Në thelb | Politika

Gjenerata e ardhshme politike e Kosovës?

Nga - 19.12.2016

Aktivistët e rinj politikë përgatiten për skenën e madhe.

Armend Ibrahimi ishte vetëm dyvjeçar kur u thelemua Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 1989. Megjithatë, partia e cila u shndërrua në forcën më të madhe politike e shqiptarëve të Kosovës gjatë dekadës së turbullt të viteve të ’90-a për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e familjes së tij, dhe si rrjedhojë, pjesë edhe e vetë Armendit.

Sot, 25-vjeçari është kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, pozitë të cilën e mban që nga maji i vitit 2012. Përshtatshmërisht, duke marrë parasysh vlera të shpallura konzervative të kësaj partie, që e vë familjen në thelb të politikave të saj, Ibrahimi beson se kjo lidhje me LDK-në nuk mund të ndahet nga ata të cilët i ka më të afërm. “Nuk mundet me u mohu fakti që një pjesë të ndikimit e ka pasë edhe familja” thotë Ibrahimi, i cili për herë të parë u bë anëtar i partisë në vitin 2009.

Kur Ibrahimi iu bashkua LDK-së, ajo tashmë i kishte bërë 20 vjet, duke e ndërtuar namin si parti intelektualësh, shkrimtarësh dhe aktivistësh qytetarë. E themeluar nga 23 intelektualë të Shoqatës së Intelektualëve të Kosovës dhe të së përditshmes Rilindja, partia udhëhoqi rezistencën paqësore kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të ’90-a dhe refuzoi përdorimin e dhunës.

Për Ibrahimin, pjesë e simpatisë për LDK-në ka të bëjë edhe me lidhjen të cilën e ndjen me figurën qendrore të LDK-së, kritikun letrar Ibrahim Rugova, i cili e udhëhoqi partinë për plot 17 vjet, që nga formimi i saj e deri në vdekjen e tij më 2006. “E njoh dhe e admiroj Rugovën si shkrimtar, dhe prandaj nuk ka gjasa që ndikimi i tij në jetën time të jetë kryekëput politik”,  thotë Ibrahimi, duke përmendur njëkohësisht edhe personalitete tjera të shquara të LDK-së nga e kaluara, siç ishte Fehmi Agani.

majlinda-hoxha-party-militants-eraldin-fazliu-armend-ibrahimi-11-2016_11

Armend Ibrahimi, është kryetar i Forumit Rinor të LDK-së qe katër vjet, ndërsa në parti u anëtarësua në vitin 2009

LDK-ja nuk është e vetme në kuptimin e partive politike bashkëkohore të Kosovës të cilat karakterizohen me personalitete kyçe të viteve të ’90-a. Figurat e kësaj dekade sot janë në krye të udhëheqësisë politike të Kosovës, dhe shumë prej tyre iu janë rrekur politikës në periudhën e pasluftës ndërsa partitë e reja politike nisën të shfaqeshin gjithandej.

Sot, shumica e partive politike në vend janë bërë sinonime të personaliteteve që i krijuan ato, dhe shumë pak prej tyre – në mos asnjëra –  pothuajse nuk e kanë ndërruar udhëheqësin që nga themelimi i tyre. Këto figura qendrore kanë fituar statuse mitike nga ana e mbështetësve të tyre, dhe kur shikohet se çka i shtyn gjeneratat e reja të kosovarëve t’i hynë politikës, këto personalitete përmenden si faktorë kyçë.

Më i shquari prej tyre është ish-kryeministri Hashim Thaçi i cili, menjëherë pas luftës, ishte pjesë e grupit udhëheqës të UÇK-së i cili e krijoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Thaçi e drejtoi partinë për plot 16 vjet që nga themelimi i saj e deri në momentin kur u tërhoq sivjet për t’u bërë President i Kosovës. Ndonëse atij i kërkohet të heqë dorë nga të gjitha pozitat politike në rolin e tij kushtetues si përfaqësues i “unitetit të popullit”, ai gëzon mbështetje të fuqishme brenda PDK-së dhe portreti i tij ende qëndron i varur në dritaren e selisë qendrore të kësaj partie në Prishtinë.

20-vjeçari Triumf Sadikaj, student i fakultetit juridik, i cili e drejton degën e të rinjëve të PDK-së në Prishtinë, e admiron fuqimisht si Hashim Thaçin ashtu edhe pasardhësin e tij, Kadri Veseli –  gjithashtu ish-udhëheqës i UÇK-së. “Unë besoj se në momentet kryesore politike të historisë së fundit të Kosovës, këta dy liderë patën rolin kyç, dhe vendimet e puna e tyre Kosovës i kanë sjellur suksese të mëdha”, thotë ai.

Përveç rolit të shquar të Thaçit në negociatat e Rambujesë që u zhvilluan më 1999 dhe përfundimisht çuan në intervenimin e NATO-s në Kosovë, si Kryeministër i Kosovës ndërmjet viteve 2007 dhe 2014, Thaçi ishte personi i cili e lexoi me zë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, 2008.

majlinda-hoxha-party-militants-eraldin-fazliu-triumf-sadikaj-11-2016_1

Kryetari i degës së të rinjëve të PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj (në të majtë) i jep merita Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për arritjen e “sukseseve të mëdha” në Kosovë.

Në vitin 2000, edhe një ish-figurë e UÇK-së, Ramush Haradinaj, vendosi ta formojë partinë e tij politike, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilën vazhdon ta udhëheqë edhe sot e kësaj dite. “Me të tregu të drejtën në aleancë kryesore është lideri” thotë sekretari i përgjithshëm i Rinisë së AAK-së, Ekrem Ahmeti.

Ish-komandanti 48-vjeçar i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili shërbeu si kryeministër për 100 ditë gjatë vitit 2005, shihet si hero i luftës nga përkrahësit e partisë së tij, dhe atij iu organizua pritja shtetërore me t’u kthyer në Kosovë në vitin 2012, pasi Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë e shpalli të pafajshëm për krime të luftës.

Për Ahmetin, të jesh në parti ku je në kontakt të afërt me idolin është shumë me rëndësi. “Një i ri pa marrë parasysh çfarë pozicioni ka, anëtar i kryesisë apo simpatizant me qenë i aleancës, lidhjen e ka direkt me liderin, ku edhe lideri është si i ri”, thotë ai. “Ështe një vendimmarrës dhe që merr vendime për të mirën e të gjithëve..”

Traditat dhe vlerat

Të rinjtë e AAK-së dhe ata të PDK-së vinë kryesisht nga familjet të cilat e kanë mbështetur luftën e UÇK-së kundër Serbisë. Ashtu si në rastin e anëtarësimit të Ibrahimit në LDK, vendimi i Leutrim Retkocerit për t’iu bashkuar PDK-së ishte i ndikuar në masë të madhe nga familja e tij. Ne nisemi parimisht prej vlerave dhe traditave tona”, thotë 26-vjeçari, i cili punon në zyrën për komunikim të PDK-së  në Prishtinë. “Familja besoj se është shumë e rëndësishme tek na si shoqëri”.

Në të vërtetë, një anketë e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftun (FES) e vitit 2012 gjeti se familja është institucioni më i besueshëm shoqëror i të rinjve kosovarë, ku 98 për qind e 1,000 të anketuarve e konsiderojnë familjen si institucionin e tyre më të besueshëm. Shumë njerëz do të pajtoheshin se për shkak të faktorëve shoqërorë, historikë, ekonomikë e të tjerë, familja ende luan rol qendror në mesin e të rinjve kosovarë; shumica e të rinjve jetojnë me familjet e tyre dhe janë financiarisht të varur prej tyre derisa t’i kryejnë studimet dhe të gjejnë punë.

Varësia e tillë lehtësisht përkthehet në ndikim, e edhe të rinjtë të cilët nuk janë anëtarë aktivë të ndonjë partie politike prapëseprapë shpesh shprehin përkrahje për partinë e familjeve të tyre për shkak se kjo pritet prej tyre. Kjo ndjenjë e besnikërisë së verbër ndaj familjes dhe partisë është treguar problematike, dhe gati se nuk fshehen përpjekjet e partive politike për t’u bërë presion votuesve ndërsa nepotizmi institucional sa vjen e shtohet. Në pjesën e parë të këtij viti, bisedat e përgjuara telefonike ndërmjet figurave udhëheqëse të PDK-së të cilat grafikisht shpërfaqin nepotizëm të shfrenuar mu në zemër të qeverisë nuk i befasuan fort qytetarët e Kosovës.

majlinda-hoxha-party-militants-eraldin-fazliu-leutrim-retkoceri-11-2016_8

Leutrim Retkoceri (në të djathtë), i cili punon në zyrën për komunikim të PDK-së, thotë se familja e tij poashtu ndikoi në vendimin e tij për t’iu bashkuar partisë.

Motivi tjetër i Retkocerit për t’iu bashkuar PDK-së ishte qëndrimi i partisë në lidhje me pronën. Unë besoj se nëse secili e kemi familjen mirë, tani kqyrim me e siguru pronën, që prona është e  shenjtë në aspektin e të kaluarës sonë”, thotë ai.

Prioretitizimi i familjes dhe i pronës nuk është diçka e papritur për një anëtar të një partie e cila, ashtu sikur edhe LDK-ja e AAK-ja, pozicionohen si qendër e djathtë dhe me ideologji konservatore, të një partie e cila në të kaluarën kishte përdorur togfjalëshin “Famija, Prona, Shteti” si slloganin kyç parazgedhor. Të trija partitë besojnë në tregun e lirë dhe e kanë mbështetur procesin e privatizimit pas lufte, me anë të të cilit janë privatizuar me dhjetëra ndërmarrje publike në vitet e fundit, megjithëse pak nga elementet tjera brenda platformave apo politikave të tyre partiake tregojnë për platforma ideologjike të definuara qartësisht.

Dykuptimësia e tillë ideologjike pasqyrohet edhe te Sadikaj i PDK-së, i cili pajtohet me kolegët e tij partiakë se prona dhe çështjet financiare janë thelbësore, por njëkohësisht shtron edhe çështje që tradicionalisht janë majtiste. “Unë besoj se ekonomia është faktor përcaktues i përkufizimit tonë si qendër e djathtë”, thotë ai. “Ne përkufizohemi si qendër e djathtë duke u nisur nga procesi i privatizimit; ne nuk kemi dashur që ndërmarrjet publike të drejtohen nga shteti. Por në anën tjetër, ne dëshirojmë barazi sociale me pensione e vende të punës”.

Përkundër pohimeve të Sadikajt, çështja e vendeve të punës është kundërthënëse në Kosovë, ku papunësia vazhdon të jetë shumë e lartë, sidomos te të rinjtë. Në një vend ku më shumë se 50 për qind e popullsisë është nën moshën 25-vjeçare, më shumë se 55 për qind e të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç janë të papunë.

Sipas Ibrahimit të LDK-së, megjithëse politikanët duhet të bëjmë më shumë për ta adresuar këtë çështje, ky problem gjithashtu shtrihet edhe përtej kufijve të Kosovës. “Problemi i papunësisë së të rinjve është problem për tërë Europën Juglindore”, thotë ai.

Radikalisht të ndryshëm

Ky argument nuk vlen për shumë të rinj kosovarë, të cilët besojnë se fain për situatën e pashpresë ekonomike e ka PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, të cilat që nga paslufta kanë qeverisur në kombinim me njëra-tjetrën. Ose PDK-ja ose LDK-ja gjithmonë kanë qenë partnere kryesore koalicioni dhe për arsye praktike këto dy parti kanë formuar koalicion qeverisës dy herë, përkundër ndasive së thella historike dhe mosbesimit të ndërsjellë — madje, politikanët e LDK-së e kishin përshkruar koalicionin e kaluar PDK-LDK si “guns and roses”.

Shumë prej atyre të rinjve të cilët ndiheshin të frustruar me partitë e formuara politike gjetën strehë politike për pakënaqësitë e tyre në vitin 2010, kur Vetëvendosje vendosi të marrë pjesë në zgjedhje për herë të parë, pasi që paraprakisht ishte themeluar si ‘lëvizje’ më 2005. Duke u bërë shumë shpejt e njohur — dhe gjithashtu e kritikuar — për protestat e saj militante, prirjet majtiste të Vetëvendosjes përfaqësuan diçka shumë më ndryshe nga partitë qeverisëse.

Edhe pasi lëvizja Vetëvendosje hyri në jetën institucionale, aktivistët e saj vazhduan të shfrytëzonin taktika aksionesh të drejtpërdrejta në përputhje me rrënjët e saj të lëvizjes protestuese. Protestat në rrugë — të cilat ndonjëherë kaluan në përplasje me policinë — slloganet nëpër mure dhe gjuajtja e politikanëve me vezë janë vetëm disa prej mënyrave jokonvencionale të cilat përdoreshin nga aktivistët e Vetëvendosjes pavarësisht moshës së tyre.

Tinka Kurti për shumë vite punoi si gazetare në media të ndryshme të Kosovës para se t’i bashkohej Vetëvendosjes para dy vitesh e gjysmë. Vendimi i 27-vjeçares për t’iu bashkuar kësaj lëvizjeje ishte në përputhje me qëndrimin kundërshtues të Vetëvendosjes ndaj privatizimit të ndërmarrjeve publike si dhe ndaj elitave të korruptuara. “Duke qenë afër lajmeve, duke qenë shumë e informuar dhe duke parë ngjarjet për së afërmi, besoj se kanë qenë disa momente që e kanë shtuar bindjen time se nuk mjafton aktivizmi jashtë politikës”, thotë Kurti. “Privatizimi i KEDS-it [Distributorit të Energjisë Elektrike të Kosovës] ishte njëra prej arsyeve që më shtyu të angazhohesha në politikë, ashtu sikur që protestat në Merdarë për reciprocitetin [tregtar] me Serbinë ishin momente kyçe që më bindën të bëhesha pjesë e saj”.

majlinda-hoxha-party-militants-eraldin-fazliu-tinka-kurti-6

Tinka Kurti ishte gazetare para se t’i bashkohej Vetëvendosjes në vitin 2014, pasi që ishte frustuar me privatizimin e aseteve publike nga ana e qeverisë.

Përderisa në pikëpamje ekonomike lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar si parti e majtë, si parti e vetme e madhe kosovare e cila kërkon bashkim me Shqipërinë në manifeston e vet, kjo lëvizje prej shumë njerëzve gjithashtu konsiderohet të ketë prirje të forta nacionaliste. “Unë besoj në demokracinë sociale të Vetëvendosjes dhe pajtohem me idealin që të kemi një popull shqiptar në Ballkan”, thotë Labinot Halimi, student i historisë i moshës 19-vjeçare nga Ferizaji, i cili u anëtarësua në këtë parti para një viti e gjysmë. “Programi i Vetëvendosjes është ndryshe nga programet e partive tjera… Nëse nuk më pëlqen diçka brenda Vetëvendosjes dhe nëse unë mendoj ndryshe, mendimeve të mia u jepet peshë e njëjtë sikur mendimeve të të tjerëve”.

Ndryshe nga kolegët e tij nga partitë e tjera, as Kurti as Halimi nuk i japin fort rëndësi liderëve individualë të partisë së tyre. “Në të vërtetë, as ‘lideri’ as ‘lidershipi’ nuk janë shprehje që i përdori në fjalorin tim të përditshëm”, thotë Kurti, duke shtuar se roli i secilit aktivist të përkushtuar çon peshë.

Megjithatë, sipas kritikëve të Vetëvendosjes, kjo parti ndryshon pak nga partitë tjera politike në Kosovë sa i përket imponimit të procedurave të rrepta, dhe qasjes nga lart poshtë, dhe ka pasur një numër rastesh të largimit të anëtarëve të Vetëvendosjes nga kjo parti, duke shprehur mendime të cilat ndryshojnë nga qëndrimet zyrtare të partisë, dhe duke e akuzuar udhëheqësinë për kontroll të ashpër.

Shumë prej tyre ende e shohin ish-udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, si “udhëheqës shpirtëror”, ndërsa emri i tij shpesh brohoritet gjatë protestave të kësaj lëvizjeje. Duke fituar nam nga fundi i viteve të ’90-a si njëri prej udhëheqësve të protestave studentore kundër regjimit të Millosheviqit, Albin Kurti punoi në zyrën politike të UÇK-së, para se të arrestohej nga forcat serbe në prill të vitit 1999; ai kaloi më shumë se dy vite e gjysmë si i burgosur politik para se të lirohej në dhjetor të vitit 2001. Pasi kontribuoi në themelimin e lëvizjes Vetëvendosje, ai u bë udhëheqësi i saj i parë, rol i cili nuk hasi në kundërshtim derisa u tërhoq në vitin 2015, dhe u zëvendësua me Visar Ymerin.

Halimi thotë se përkundër roleve që luajtën figurat e shquara të Vetëvendosjes, asnjë person nuk është më i madh se vetë partia. “Unë i shoh ata si shembuj të mirë, por nuk i shoh si të pazëvendësueshëm”, thotë ai. “Shoh shumë aktivistë të Vetëvendosjes që mund të ishin në vendin e Ymerit apo të [Albin] Kurtit”.

majlinda-hoxha-party-militants-eraldin-fazliu-labinot-halimi-11-2016_13

Labinot Halimi thotë se të gjitha mendimeve të aktivistëve të Vetëvendosjes u jepet rëndësi e njëjtë, e kjo kontestohet nga kritikët e kësaj partie.

Është pikërisht kjo shprehje barazie dhe ky nocion se të gjithë anëtarët e partisë janë aktivistë pavarësisht pozitave të tyre, që e dallon këtë lëvizje nga të gjitha partitë tjera politike kosovare, dhe që rrjedhimisht lëvizja Vetëvendosje të mos ketë forum rinor të përkufizuar. “Të rinjtë janë pjesë e shoqërisë edhe nuk duhet me i pasë pjesë të veçanta”, thotë Tinka Kurti. “Në vend të kësaj ata duhet të jenë pjesë e forumeve kryesore dhe pjesë e vendimmarrjes. Me forume të veçanta i bie që të rinjtë janë veç, gratë janë veç edhe politika madhore kujt t’i mbetet, burrave të moshës madhore?

Sipas Tinka Kurtit, nuk është mosha ajo që i përbashkon aktivistët e Vetëvendosjes, të cilët takohen rregullisht për diskutime, ligjërata e shfaqje filmash. “Pavarësisht se Vetëvendosja e ka moshën mesatare më të re prej të gjitha subjekteve, dmth mosha e anëtarësisë, çfarë e bën VV-në të vërtetë të re nuk është mosha por mosvazhdimësia e politikës së vjetër dhe vendosja e ideve krejtësisht të reja”, thotë ajo.

Përveç aktiviteteve të tyre më filozofike, aktivistët e rinj të Vetëvendosjes shquhen për rolin e tyre aktiv në shumë protesta të partisë së tyre. Kritikët e akuzojnë partinë se po i shfrytëzon të rinjtë për qëllimet e veta politike, duke i mobilizuar me qëllim të shkaktimit të dhunës, pretendim të cilin kjo parti e mohon.

Potencial apo fasadë?

Qasja e partive të tjera politike sa i përket anëtarëve të rinj dallon jashtëzakonisht shumë nga ajo e Vetëvendosjes. Për PDK-në, forumi rinor i partisë shërben si vend për përgatitjen e liderëve të së nesërmes, derisa përfshirja e një numri ish-anëtarësh të forumit rinor në pozita qeveritare shihet nga anëtarët aktualë të forumit si një rrëfim frymëzues i suksesit.

"Prej asaj që kam arrit me perceptu, mendoj se të rinjtë kanë një tendecë me i pasë afër kryesisht si një element dekorativ se sa substancial."

Armend Ibrahimi

Granit Geci, aktivist 22-vjeçar i PDK-së nga Skenderaji, thotë se të jesh anëtar i PDK-së do të thotë të kesh mundësi si i ri. “Mund të përmendim të rinj të cilët kanë marrë përgjegjësi të ndryshme të cilat u ka besuar partia”, thotë ai. “Kemi ministra, ambasadorë, dhe kështu me radhë”.

Ish-kryetari i të rinjëve të PDK-së, Memli Krasniqi u bë ministër i kulturës gjatë qeverisjes së viteve 2010-2014, para se ta merrte pozitën aktuale, atë të ministrit të bujqësisë. Një ish-anëtar i shquar i këtij forumi është edhe Blerand Stavileci, ministër aktual i zhvillimit ekonomik, i cili qe dy mandate mban postin e ministrit.

Megjithatë, kritikët i kanë parë këto zhvillime vetëm si fasadë, duke lënë të kuptohet se propaguesit e politikës “së vjetër” thjesht po i shfrytëzojnë kolegët e rinj për të shfaqur një fytyrë “të re” të qeverisë. “Prej asaj që kam arrit me perceptu, mendoj se të rinjtë kanë një tendecë me i pasë afër kryesisht si një element dekorativ se sa substancial”, thotë Ibrahimi.

Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së — i cili gjatë mandatit katërvjeçar ka drejtuar më shumë se 250 ngjarje e takime me të rinj nga mbarë Kosova për të diskutuar për brengat e tyre — ka provuar të kalojë nga forumi rinor i partisë së tij në politikë të rëndomtë. Në vitin 2014, si 23-vjeçar, ai fitoi më shumë se 6,000 vota në një përpjekje të dështuar për të siguruar një vend në Kuvendin e Kosovës, dhe ishte gjithashtu këshilltar i Kryeministrit, udhëheqësit të LDK-së, Isa Mustafa, para se të jepte dorëheqje në shkurt të këtij viti, pa dhënë ndonjë arsyetim. Ndërsa insiston se ende ka shumë respekt për Isa Mustafën, Ibrahimi gjithashtu sugjeron se të ardhmes së Kosovës i duhen “shembuj të ri për t’u ndjekur”.

Themelet e së ardhmes

Se nga do të burojnë këta shembuj të ri të cilëve u referohet Ibrahimi ende mbetet e paqartë ndërsa sistemi i arsimit në Kosovë, shtyllë thelbësore e çdo shoqërie, shihet në masë të madhe si i papërshtatshëm për ta arritur këtë qëllim. Në vlerësimin e fundit ndërkombëtar të PISA-s të cilit iu nënshtruan 15-vjeçarët në shkencë, lexim dhe matematikë, Kosova doli në pesëshen e fundit në nivel global, me vetëm 23 për qind të të testuarve si funksionalisht të aftë për shkrim-lexim.

Gjiithashtu, ka pasur politizim të shkollave dhe të universiteteve, me emërime të vazhdueshme politike të stafit dhe të anëtarëve të bordit nëpër institucione publike, si dhe ndërhyrje këmbëngulëse politike. Vlen të përmendet rasti i Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, në vitin 2014 — i cili ishte anëtar i partnerit të atëhershëm qeverisës, AKR-së — ku u zbulua se ai ishte avancuar në karrierë përmes mashtrimit duke botuar studime në revista të paqena hinduse. Pas protestave të studentëve që u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme me policinë, Gashi u detyrua të jepte dorëheqje. Në nëntor të këtij viti, ish-rektori zyrtarisht u bë anëtar i ri i PDK-së.

Për Ahmetin e AAK-së, problemet me sistemin arsimor të Kosovës janë aq të thella saqë kërkojnë një betejë të përbashkuar shoqërore e cila nuk do të duhej t’i ndante të rinjtë përgjatë vijave partiake. “Edhe nëse AAK-ja do të ishte në pushtet, ne do të protestonim për shpolitizimin e universitetit”, thotë ai, para se të theksonte se ç’formë do të duhej të merrnin protestat e tilla. “Çdo protestë paqësore është e mirë dhe ne duhet të protestojmë çdo ditë, por jo duke dalur përnjëherë [në rrugë] dhe duke protestuar pa përdorur forma, siç është parashtrimi i ankesave”.

majlinda-hoxha-part-militants-e-fazliu-ekrem-ahmeti-11-2016

Sekretari i përgjithshëm i Rinisë së AAK-së, Ekrem Ahmeti, thotë se në AAK “gjëja kryesore është lideri” Ramush Haradinaj.

Gjatë kohës së tij si sekretar i përgjithshëm, Ahmeti thotë se Rinia e AAK-së e ka vendosur arsimin si prioritetin kyesor, që shtrihet nga organizimi i aktiviteteve me të rinjtë për t’i informuar rreth rreziqeve të përdorimit të drogës, e deri te lobimi për përmirësimin e arsimit formal. “Qëllimi ynë gjithmonë ka qenë ta përmirësojmë cilësinë e arsimit, si në universitet ashtu edhe në shkolla të mesme”, thotë ai. “Gjithmonë i bëjmë presion partisë që ajo t’i bëjë presion qeverisë dhe Kuvendit për përmirësimin e cilësisë”.

Por, me vlerësimin negativ të sistemit arsimor të Kosovës nuk pajtohen të gjithë aktivistët e rinj kosovarë. Sipas Sadikajt të PDK-së, sistemi arsimor i Kosovës ka përfituar shumë nga politikat e Hashim Thaçit gjatë kohës sa ai ishte Kryeministër, duke përfshirë hapjen e programeve të ndryshme studimi si dhe zhvillimin e infrastrukturës. “Realisht Kosova duhet të gëzohet se ka një rini shumë të kualifikuar dhe që është shumë e vendosur në edukim”, thotë ai. “Të rinjtë e Kosovës i përkushtohen arsimit dhe gjithmonë kanë korrur suksese në arenën ndërkombëtare”.

Për Tinka Kurtin e Vetëvendosjes, pretendimet se të rinjtë kosovarë janë të arsimuar mirë vështirë se mund të mbështeten me prova, duke vënë theksin në largimin masiv të më shumë se 100,000 kosovarëve në fund të vitit 2015 — kryesisht të rinj — drejt Europës Perëndimore. “Nga një sistem i keq i arsimit, kemi të diplomuar me pak dije dhe pa mundësi për të gjetur punë”, thotë ajo. “Shumica dërrmuese e qeverisë i zhveshin ga gjitha mundësitë për perspektive dhe rrjedhimisht kemi pa të rinj tu shku për Hungari, të rinj të izolun tu pritë ambasadave për viza, të rinj që bëhen të vjetër në pritje të një vendi të punës.

Pavarësisht se cilës parti politike i përkasin, qoftë atyre aktuale apo të tjerave që mund të themelohen, aktivistët e sotëm politikë do të jenë pjesë e elitës së ardhshme politike. Mënyra se si ata mësojnë ta perceptojnë politikën, arsimin e tyre — të përgjithshëm e atë politik — dhe hapësirën e cila u jepet dhe në të cilën ata zhvillohen, do t’i përkufizojë sjelljet e tyre si udhëheqës të Kosovës. Dhe kultura politike të cilën e mësojnë sot, në masë të madhe do t’i japë formë shoqërisë kosovare nesër.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO