Në thelb | Muzikë

Skena gjithnjë e më e tkurrur e muzikës metal në Kosovë

Nga - 21.11.2017

Bon me kry, bon me kry.

Në qershor, bendi suedez i muzikës metal, Adrestia, performoi në Termokiss në Prishtinë – performancë e nxehtë e energjike. Ishte një ndër paraqitjet e pakta të bendeve metal që ndodhën në Kosovë këtë verë, dhe rrjedhimisht edhe një mundësi e rrallë për fansat e kësaj muzike. Rreth 200 njerëz erdhën në Termokiss, dhe shumë prej tyre qëndruan më gjatë për ta përcjellur edhe paraqitjen e bendit lokal Frisson.

Frisson është një prej bendeve të pakta që po e mbajnë gjallë skenën e e muzikës metal në Kosovë. Ky bend është i përbërë prej katër të rinjve të cilët janë krejtësisht të përkushtuar ndaj muzikës metal. Vetë emri i bendit, Frisson (drithërimë), e ka kuptimin e efektit rrënqethës të cilin ky zhanër i muzikës ua përçon. Por një titull tjetër, ai i albumit debutues të këti bendi, “Exit Denied” – i publikuar në vitin 2015 – zbulon ndjenjat e tyre e të qenët bend metal në Kosovë.

Sipas bateristit të bendit, Lum Havollit, këtë emër e lanë për dy arsye: “Sepse nuk ka bende të reja, dhe ato që ekzistojnë përballen me vështirësi për të dalur e për ta treguar veten”. Frisson aktualisht është duke incizuar albumin e dytë. Por ata i kanë pauzuar paraqitjet live, meqë njëri prej kitaristëve është duke i kryer studimet në Amerikë.

Një bend tjetër i ri, Shlem, po kujdeset që pishtari i skenës së metalit në Kosovë të mos shuhet krejtësisht. Basistja e bendit, Artea Bajri, shpjegon se ky bend kombinon zhanrin me elemente të muzikës punk dhe stoner rock, varësisht prej disponimit. Pjesë e bendit të saj është edhe bateristi Florent Bajrami. Ai më parë kishte qenë pjesë e bendit Sledge Stoner, por grupi u nda për shkak të mungesës së fondeve, gjë që prodhoi mungesë energjie.

Lirim Gashi (majtë), vokalisti i Shlemit, dhe Artea Bajri (djathtë) janë disa prej njerëzve të paktë në Kosovë që ende po mundohen të bëjnë muzikë metal. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

Bajri dhe Bajrami kanë histori të pasur muzikore – prej adoleshencës së tyre. Artea është vajza e kompozitorit të muzikës xhez, Ilir Bajrit. Ajo luan në bas prej moshës 12-vjeçare. Ndërsa Bajrami luan në baterive që nga mosha 13-vjeçare. Ai gjithashtu ka prodhuar pak muzikë edhe me midi controller, të cilën pastaj e ka shitur për artistët lokalë të zhanrit hip hop. Kur iu prish kompjuteri, ai iu kthye metalit.

Ky bend ende është në fillet e tij. Deri më tani i kanë shkruar shtatë këngë, por Bajri ka besim në muzikën e tyre dhe shpreson se do të gjejë vende për t’u paraqitur sa më parë., “në mënyrë që të na marrin seriozisht, sepse bendi është shumë i mirë – e meritojmë”, thotë ajo.

Ndonëse është zor të gjesh aktualisht bende të muzikës metal në Kosovë, një anëtar tjetër i bendit Shlem i kujton ditët kur kjo muzikë dëgjohej shpesh nëpër baret e Prishtinës. Kur kitaristi Almir Fazlijevic erdhi për të jetuar në Kosovë në vitin 2008, për një kohë të shkurtër ai mendoi se muzika më e rëndë që e d njerëzit në Prishtinë ishte kënga e Bill Withers, “Ain’t No Sunshine”. Megjithatë, duke eksploruar ai zbuloi një skenë të metalit që ishte në rritje e sipër.

“Bendet të cilat i gjeta tashmë kishin krijuar emër”, thotë ai për K2.0. “Ishin Toxin dhe Diadema të cilët ishin të orientuar drejt folkut, si dhe Luftë Popullit, të cilët nuk ishin realisht bend i metalit, por ishin të rëndë dhe të mirë”.

Bateristi Granit Havolli hyri në skenën e metalit me MadGod, gjatë një epoke të cilën ai e përshkruan si shumë të mirë për skenën. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

I frymëzuar nga skena e asaj kohe, Fazlijevic formoi një bend të cilin ai e përshkruan si më i rëndi që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë. Emrin e kishte MadGod dhe ishte aktiv kryesisht në fund të dekadës së parë të shekullit XXI. Bateristi i këtij bendi ishte Granit Havolli, entuziast i muzikës metal i cili e nisi karierën e tij me MadGod. Ai e përshkruan kohën e tij me bendin si “udhëtim i mirë, për aq sa zgjati”.

Havolli me nostalgji e kujton një skenë plot ngazëllim. Ngjarjet që organizoheshin ishin plot me fansa të kësaj muzike, të cilët i kishin flokët e gjata dhe farmerkat e gjera. Havolli thotë se zemra e kësaj skene ishin dy bare në një qosh të bulevardti Bill Clinton, ku Havolli nisi të shkonte nëpër ndeja diku dy herë në javë, në kohën kur ishte adoleshent.

Disa vite më vonë, po ky qosh e joshi edhe Florent Bajramin e Shlemit, në një moshë të ngjashme. Njëri prej dy bareve, Hard Rockers, pësoi duke humbur energjinë që e kishte krijuar për shkak të ndërrimit të njëpasnjëshëm të pronarëve. Muzika live u bë gjithnjë më e rrallë. Edhe te tjetri, Prishtina Rockers Cafe (PRC), u ndërruan pronarët më herët gjatë këti viti. Shumë pjesëtarë të skenës thanë se atmosfera humbi si pasojë e ndryshimeve.

Meqë “qoshi i metalit” rrallëherë organizonte ndeja, u bë gjithnjë më e vështirë që bendet të gjejnë vende për të performuar. Festivali “Rock Për Rock” u ofron një mundësi të përvjetshme, por edhe ai është zvogëluar nga një festival treditor në një garë në stilin ‘beteja ndërmjet bendeve’, e cila mbahet për një natë.

Frisson e fitoi këtë garë në vitin 2016, por sivjet u paraqitën vetëm dy bende nga Kosova, 505 nga Mitrovica dhe fituesit eventualë të garës, Jutbina, të cilët gjithashtu ishin nga Mitrovica, dhe të cilët e përziejnë rokun me elemente të post-punkut, indie dhe hip hopit. I vetmi bend i cili performoi muzikë metal ishte Syrgjyn nga Tirana.

Agim Berisha i Rock Për Rock është një prej shumë njerëzve të cilët e kujtojnë me nostalgji epokën kur e kishin më lehtë të lidheshin me audiencën më të gjerë dhe me rok bendet e të gjitha zhanreve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Njëri prej organizatorëve të Rock për Rock është Agim Berisha, rok muzikant i cili është paraqitur me bende për më shumë se 50 vjet, përfshirë këtu Modestët, Minatorin dhe Tentenen. Ai e pranon se ky festival ka pasur ditë më të mira, si dhe zbulon se në ditët e para të Rock Për Rock, ai kishte mundësi t’i shpërblente fituesit me instrumente, meqë kishin shumë më shumë sponsorë.

Tani interesimi është shuar dhe ditët e bollshme janë kryer. Por Berisha thotë se të pakën bendet e reja e kanë një vend ku mund të performojnë, të rriten dhe të kompletohen, edhe pse për vetëm një ditë në vit.

Jashtë kësaj ngjarjeje, festivalet e Kosovës ishin pothuajse krejtësisht pa muzikë metal këtë verë. Veton Nurkollari, drejtori artistik i festivalit Dokufest, seria ‘DokuNighs’ e të cilit është një prej ngjarjeve më të mëdha për muzikë elektronike në Kosovë, beson se ka hapësirë në festival për bende të muzikës metal, por vetëm nëse kjo skenë bëhet më e dukshme. “Nuk është se nuk ka hapësirë, por unë për vete nuk po shoh ndonjë lëvizje ose ndonjë skenë të metalit në Kosovë”, thotë ai për K2.0.

Nurkollari përmend një festival tjetër në Prizren, NGOMfest, pjesëtarët e të cilit duan të japin çmime për bendet lokale. “Ka shumë ide, por disi ngecin”, thotë ai. “Dikush duhet të merret me to, t’i shtyjë përpara idetë e tilla. Gjithmonë ka mundësi”.

Jashtë sezonit të festivalit, shuarja e qoshit të metalit prodhoi mungesë të lokaleve për bende më të rënda. Florent Bajrami i Shlemit beson se askush nuk dëshiron të rezervojë bende të metalit në Prishtinë, dhe se ka probleme kur kërkon të performosh vet. “Nëse kërkon të performosh diku, të shikojnë çuditshëm”, thotë ai për K2.0. “[Pronari/ja i/e barit] nuk të merr më seriozisht”.

Përveç performancave live, prania në media mund t’u ndihmojë bendeve të arrijnë te audienca e tyre, por edhe kjo ka qenë e vështirë për të. Fazlijevic flet për një moment që kishte potencial për të qenë historik për skenën e metalit në Kosovë.

Në vitin 2010, MadGod menduan se kishin arritur diçka për metalin kosovar, duke u paraqitur në TV, por gjërat nuk shkuan si duhet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai zbulon se në vitin 2010, KTV e kishte ftuar MadGodin dhe disa bende të tjera të rënda për ta bërë një program për transmetimin e tyre për mbrëmen e Vitit të Ri, duke shtuar se këto bende i kushtuan shumë kohë dhe energji krijimit të këtij projekti. Për të festuar, bendet e organizuan një ndejë në PRC, por kur erdhi koha për transmetim… asgjë! I hoqën nga emisioni.

“Një shok i imi i thirri [KTV-në]”, thotë Fazlijevic. “I pyeti pse na hoqën, dhe përgjigja që e mori ishte se Flaka Surroi kishte thënë se janë tepër të rëndë për këtë komb”.

Ishte kjo përvojë veçanërisht dëshpruese për Fazlijevicin, i cili ishte rritur në një qytezë të vogël në Serbinë fqinje, ku në fakt nëpërmjet një kanali televiziv të quajtur Kanali i Tretë kishte mësuar për muzikën metal duke parë video të bendeve si Dimmu Borgir, Marilyn Manson dhe Morbid Angel. Ai beson se programi televiziv që shfaqet në krahina dhe periferi të Kosovës kurrë nuk do të ofrojë më këso mundësi.

Pavarësisht incidentit me KTV, Fazlijevic mendon se skena e metalit që ishte duke u zhvilluar gjatë fundit të dekadës së parë të shekullit XXI prapëseprapë arriti të ndikonte te shoqëria jonë. “Kënaqem kur shoh të rinj me flokë të gjata dhe skejterë me dreadlocks, sepse këto ishin tabu në këtë vend”, kujton ai, duke i përmendur pushimet në Kosovë në fillim të shekullit kur ai i kishte flokët e gjata – kjo pamje të shkaktonte probleme atëherë, sipas Fazlijevicit. “Njerëzit dojshin me m’hangër! Me m’hangër!”

“Në ditë të sotit nuk është tabu”, vazhdon ai. “Jemi duke ecur përpara dhe do të ketë bende shumë të trenta për gjeneratat e reja. Në fund të fundit, e gjithë poenta është me ndjekë tripin tand, e me i injoru ata që të gjykojnë”.

Ky ndryshim shoqëror i jep Granit Havollit shpresë për të ardhmen e metalit në Kosovë. “Jam shumë optimist”, thotë ai. “Nëse vazhdojmë me këtë përkushtim dhe ecim në këtë mënyrë, atëherë mund të përparojmë. Bendet e reja nuk duhet ta kenë problem ta formojnë atë dashuri për muzikën, mbi të gjitha – kjo është e tëra që na duhet”.

Frisson fituan garën Rock Për Rock në vitin 2016 dhe janë duke incizuar albumin e dytë. Basisti i bendit, Shpetim Smolica, mendon se metali në vendin tonë po zhduket. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por muzikantët aktualë të muzikës metal në Kosovë kanë më pak besim. Artea Bajri beson se vështirësitë me të cilat përballen këto bende në Kosovë me gjasë do t’i dekurajojnë gjeneratat e së ardhmes. “Nuk po përgjithësoj, por shumica presin të bëhen të njohur dhe të bëjnë para menjëherë”, thotë ajo për K2.0. Por në spektrin e muzikës metal në Kosovë, duhet të luftosh shumë për shpërblime materiale. Siç thotë Bajri, “vështirë është të bësh metal, pos nëse e don tepër”.

Shpëtim Smolica, basisti i Frissonit, i ka parashikimet edhe më të zymta. Ai beson se bendet të cilat filluan të bëjnë muzikë metal janë bërë më të buta, dhe se po formohen gjithnjë e më pak bende, në përgjithësi. Ai thotë gjithashtu se bendet ekzistuese të cilat janë më të rënda janë edhe më të rralla. “Metali si metal po zhduket”, thotë ai, duke vazhduar të tallet, “Po flas për Kosovë, sigurisht, sepse në botë njerëzit e dinë çka është muzika e mirë”.

Me këtë diagnozë pajtohet edhe Fazlijevic. Ai mendon se metali në Kosovë “po mbahet për peni, është në fazën e fundit. Edhe pak e zhduket”.

Vështirë është ta gjejmë ndonjë shpëtimtar. Ndonëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka fonde për muzikantë, Sami Piraj i Departamentit për Kulturë tha për K2.0 se ka tendencë që ato të fokusohen në “muzikë më serioze”. Në mënyrë tipike, paratë publike me sa duket po rezervohen për muzikën klasike, ndërsa zhanret më bashkëkohore po mbesin për forcat e tregut. Pa mbështetje të mediave, të festivaleve e të lokaleve të Kosovës, ky zhanër mund të humbet përgjithmonë në vendin tonë.K

Foto kryesore: Fikret Ahmeti/ K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO