S`fundmi | Demokraci

“Krejt një mut jemi”

Nga - 27.05.2017

Shtatë ditët e fundit të fushatës zgjedhore.

Kosova po bëhet gati për ditën e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen më 11 qershor, derisa fushata zgjedhore nis të dielën (28 maj). Edhe pse zyrtarisht ende nuk ka filluar, fushata zgjedhore tashmë ka marrë hovin me deklarata qesharake, ofendime brutale, dhe pallavra që dalin nga goja e politikanëve gjithandej. Këto janë disa prej deklaratave më të spikatura që K2.0 i ka përzgjedhur në këto shtatë ditë që lamë pas.

Më nostalgjikja

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli me gjasë po e kanalizonte shpirtin e liderit komunist shqiptar, Enver Hoxha, kur foli për “kazmën në dorë, bukën në gojë”, gjatë vizitës një furrë në Prishtinë. Megjithëse vështirë të tërhiqet paralelja, ndërmjet ngrënies së byrekut dhe hapjes së gropave, thënia e Veselit erdhi pak si “Fillimi i Ri”, të cilin ai po e promovonte si diçka të re por që më shumë duket si një shkëndijë nga e kaluara.

Më modestja

Mbrëmjen që shkoi, ish-gazetari dhe kandidati i Nismës për deputet, Milaim Zeka, kishte një moment përsiatjeje kur u përplas me Fitore Pacollin nga rradhët e Vetëvendosjes. I ballafaquar me kritikën se tani ishte pjesë e një koalicioni prej tri partive të cilat ai i kishte kritikuar për keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsion gjatë gjithë karrierës së tij, ai u përgjigj duke insistuar: “Dëgjo! Krejt një mut jemi!”

Premtimi më ambicioz

Të dielen e kaluar në Prizren, ylli kosovar i filmave aksion, Ramush Haradinaj premtoi se nëse votohet për kryeministër, ai do ta siguronte përmbushjes e procesit të liberalizimit të vizave dhe transformimin e FSK-së në Ushtri…brenda tre muajve!

Këto dy çështje të cilat për vite me radhë nuk kanë lëvizur përpara duket se nuk paraqesin problem për Haradinajn, duke qenë se ai është i bekuar me shpejtësi supersonike që mund t’i tejkalojë me lehtësi shumë faktorë të jashtëm (Komisionin Europiann, luftimin e korrupsionit, Listën Srpska, ndryshimet kushtetuese), që nevojiten për t’i zgjidhur këto çështje.

Përgjigjia më ‘informative’

Derisa K2.0 po i bënte bashkë informacionet në lidhje me idetë e partive politike në lidhje me themelimin e ushtrisë, Rexhep Selimin nga Vetëvendosja i cili u pyet në lidhje me politikat e partisë që përfaqëson sa i përket shërbimit të detyrueshëm ushtarak që parashohin. Kur u pyet nëse ky shërbim do të jetë i zbatueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, se në çfarë moshe fillon shërbimi, sa do të zgjaste ai, dhe pse do të ishte i detyrueshëm, Selimi dha këtë përgjigje të kompletuar sa s’ka  më:

“Zhvillimet sa i përket forcave ushtarake janë procese me përditësime të shpeshta. Modelet e shumë vendeve demokratike dhe të zhvilluara do të shërbejnë si model edhe për Kosovën. Kësisoji, ka vende të cilat gjithmonë kanë pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak si Zvicra, por ka edhe vende të cilat nuk e kanë pasur këtë shërbim të detyruar, por e kanë bërë një gjë të tilë, si Kroacia. Në rrethanat e Kosovës, është i nevojshëm shërbimi i detyrueshëm në përputhje me specifikat e Kosovës”.

Aha…Nejse, të faleminderit që na e bëre kaq të qartë, Rexhep!

Shpjegimi më pak bindës

Jakup Krasniqi nga Nisma bëri të ditur në Facebook këtë javë se partia e tij i ishte bashkuar koalicionit parazgjedhor me PDK-në për shkak të “sigurisë kombëtare në rrezik”. Derisa partitë politike shpesh e përdorin argumentin e sigurisë kur gjërat bëhen lëmsh, Krasniqi këtë e çoi në një nivel tjetër, duke shpresuar ta kthente partinë e tij në binarët e rrezikut të mistershëm, të padetajuar të sigurisë. Mbase ishte pikërisht vizioni i një qeverie pa Nismën që po e fuste vendin në rrezik, dhe që po e tmerronte aq shumë Krasniqin.

Goditja më e ulët

Mbretëresha e deklaratave të neveritshme, Ganimete Musliu, ishte në aksion sërish këtë javë. Duke iu përgjigjur qëndrimit të Ilir Dedës nga Alternativa të postuar në Facebook se Kosova do të çlirohej për së dyti më 11 qershor, 18 vjet pas çlirimit të parë, Musliu deklaroi se çlirimi i parë i Kosovës në vitin 1999 ishte nga dajallarët e Dedës, aludim i poshtër dhe i panevojshëm në lidhje me originën e nënës së Ilir Dedës e cila ishte serbe.

…dhe Oskari shkon te…

Pronari i Grupit Elkos dhe kandidati i LDK-së për deputet, Ramiz Kelmendi, i cili na dhuroi dy performanca të hatashme videospotesh me të cilat po e niste fushatën e tij. Së pari Kelmendi (apo teksti të cilin po e lexonte gjatë gjithë kohës) i drejtohej famijes së tij, apo meshkujve të familjes, të paktën, duke i përmendur vështirësitë me të cilët u ballafaqua në rrugëtimin e tij drejt një biznismeni të suksesshëm, para se t’ia uronte ditëlindjen secilit në dhomë, të paktën duke ardhur në këtë përfundim bazuar në gramatikën e tij.

Po gjatë javës që lamë pas, Kelmendi na u kthye sërish në ekrane, duke u shfaqur jashtë vilës së tij alla Shtëpia e Bardhë, duke u mbajtur ligjëratë dy rugovasve në lidhje me gjendjen e ekonomisë kosovare. Ndërsa Ramizi nuk po ndalej së foluri, dy rugovasit dukej se dalëngadalë po e humbnin interesin, se heshtja e tyre po tregonte mjaft shumë. Jemi të lumtur që Kelmendi nuk është i ngarkuar në departamentin e marketingut të Elkosit, se përndryshe kompania do të falimentonte për një javë.K

Imazhi: Majlinda Hoxha.

  • 29 May 2017 - 07:58 | off:

    Me pelqyen nominimet, kurse me se shumti me pelqeu edhe cmimi kryesor (ne te vertete e dhimbshme) Vetem nje plotesim, besoj se ai qe ben marketingun per Elkos me siguri qe e ka trurin e njejte me ate qe i ka bere keto dy video. Eshte pikerisht ky lloj marketingu qe aplikohet tek ne e qe ka sukses te turmat. Si duket problemi qendron tek ajo cfare shohin njerezit. Common sense is so uncommon

KOMENTO