Në thelb | Politika

Kriza politike kushton

Nga - 24.08.2017

Kosova po përjeton pasoja për shkak të stagnimit paszgjedhor.

Të enjten (24 gusht) dështoi përpjekja e gjashtë për ta përmbyllur seancën themeltare të Kuvendit të Kosovës. Më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare (11 qershor), ende është e paqartë se a do ta përmbushë koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) rolin e tij si fituesi i numrit më të madh të votave, dhe ta propozojë një kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit.

Por përderisa ende nuk është zgjidhur ngërçi politik dhe institucionet e Kosovës kanë mbetur praktikisht të paralizuara, polarizimi politik ka filluar të ketë ndikim të dëmshëm te aspektet tjera të jetës. Meqë pjesa më e madhe e vëmendjes është fokusuar në marrëveshjet politike dhe retorikën e përshkallëzuar, K2.0 analizon ndikimin praktik të ngërçit të tejzgjatur.

Ndikimi ekonomik

Ditëve të fundit është zbuluar se Kosova po humb me miliona euro prej organizatave ndërkombëtare financiare për shkak të mungesës së qeverisë.

Në vitin 2015 Kosova nënshkroi një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një kredi në vlerë prej 185 milion eurosh për 22 muaj. Sipas marrëveshjes, shqyrtimi i këstit të katërt dhe të pestë të kësaj kredie – 15 milion euro që planifikohet të shpenzohen për përmirësimin e klimës biznesore – duhej të ndodhte në qershor, por pa qeveri të re nuk kishte mundësi që kjo gjë të ndodhte.

“Problemi është se qytetaret nuk janë te alarmuar, ngase po të ishin, asnjë qeveri nuk do kishte guxim të prishte marrëveshjet dhjetëra milionëshe me FMN e BE.”

Agron Demi, Instituti GAP

Afati i fundit i FMN-së (4 gusht) për shqyrtim të marrëveshjes kaloi, dhe siç duket 15 milion eurot e fundit tani janë humbur. Këtë e pranoi ministrja në largim e tregtisë dhe industrisë, Hykmete Bajrami, në një diskutim që u organizua javën e kaluar nga LDK-ja për t’i shqyrtuar mënyrat e mundshme të tejkalimit të ngërçit politik.

Kjo çështje me FMN-në mund të ketë ndikim indirekt edhe më të madh, meqë Kosova sivjet rrezikon të humbë më shumë se 70 milion euro nga paratë e BE-së. Instrumenti për Ndihmën e Paraanëtarësimit (IPA) i Komisionit Europian, që shërben për t’i mbështetur shtetet që synojnë anëtarësimin në BE gjatë fazës përgatitore, e ka si parakusht bashkëpunimin me FMN-në. Kosovës i janë ndarë 645 milionë euro për periudhën 2014-2020, si pjesë e fazës së dytë të këti programi, të njohur si IPA II.

Agron Demi, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), beson se Kosovës mund t’i kushtojë shumë ky tejkalim i afatit të FMN-së. “Edhe nëse krijohen institucionet por nuk arrihet të shpëtohet marrëveshja me FMN-në, fondet e BE-së prapë mund të mos alokohen”, tha ai për K2.0.

Demi beson se qytetarët nuk janë të shqetësuar sa duhet për këtë situatë. “Problemi është se qytetaret nuk janë te alarmuar, ngase po të ishin, asnjë qeveri nuk do kishte guxim të prishte marrëveshjet dhjetëra milionëshe me FMN-në e BE-në”, thotë Demi.

Zgjedhjet lokale

Nëse vazhdon ngërçi politik, Kuvendi nuk do të ketë mundësi ta bëjë shqyrtimin e buxhetit në mes të vitit. Ky proces bëhet çdo vit dhe shërben për të votuar për ndryshime të mëdha të buxhetit të cilat bëhen të domosdoshme më vonë, pas miratimit të buxhetit vjetor në fillim të vitit. Kjo mund të shkaktojë probleme për departamentet, agjencitë dhe organet shtetërore të cilat janë të varura nga financimi i qeverisë dhe të cilat duhet të reagojnë ndaj zhvillimeve apo angazhimeve të paparashikuara, sa i përket shpenzimit.

Për shembull, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se i duhen edhe 2 milionë euro për zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor. Kjo për shkak se në maj, pas thirrjes për zgjedhje të parakohshme parlamentare, qeveria mori vendim të ndihmojë pagesën e faturës rrjedhëse që kishte vlerë 5 milionë euro, duke i ndarë 2 milionët nga buxheti i zgjedhjeve lokale, që është gjithsej 6 milionë euro.

Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Në atë vendim të qeverisë u tha se këto para do t’i kompenzohen KQZ-së kur të bëhet shqyrtimi vjetor i buxhetit, por shqyrtimi i buxhetit nuk mund të kryhet pa përfunduar konstituimi i Kuvendit. Në këtë rast, është e paqartë se çfarë do të ndodhte po të mos themelohej Kuvendi me kohë për ta kryer shqyrtimin e buxhetit, para kohës kur është planifikuar që të mbahen zgjedhjet lokale.

Stadiumi i Prishtinës

Efektet e këtij ngërçi të vazhdueshëm po lënë pasoja edhe te projektet e infrastrukturës. Javën e kaluar u kuptua se punimet për riparimin e Stadiumit të Prishtinës, projekt me prioritet parësor që nisi pas njohjes së Kosovës nga UEFA dhe FIFA në vitin 2015, janë pezulluar për shkak të mungesës së qeverisë së re.

Pas analizës së UEFA-së doli se nevojitej një investim shtesë në vlerë prej 4 milionë eurosh në mënyrë që, në fund të riparimit, stadiumi i kryeqytetit t’i plotësojë standardet e UEFA-së. Ibër Alaj, nga Departamenti i Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha për K2.0 se këto para janë ndarë në parim, por meqë bëhet fjalë për financim shtesë i cili nuk ishte ndarë në buxhetin e miratuar për vitin 2017, nevojitet edhe një miratim nga Kuvendi. Deri sa të ndodhë kjo, punimet nuk do të vazhdojnë.

Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Edhe pse qeveria vazhdimisht ka deklaruar se riparimi i stadiumit është prioritet, punimet nuk janë kryer brenda afateve të paracaktuara kohore, meqë fillimisht plani ishte që të përfundoheshin me kohë për ndeshjet kualifikuese për Kupën Botërore, qe do të mbahet këtë verë. Sipas vlerësimeve të reja, riparimi i stadiumit nuk do të kryhet deri në prill të vitit 2018.

Safet Gërxhaliu i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se mungesa e qeverisë së re nuk ndikon vetëm te investimet kapitale, por gjithashtu paraqet rrezik për ndikim indirekt te sektori privat. “Nëse nuk kryhet shqyrtimi i buxhetit dhe nuk kemi para, jo që do të dështojnë investimet kapitale, qoftë në infrastrukturë apo në fusha tjera, por do të goditet direkt edhe sektori privat, sepse sektori privat është zbatuesi i këtyre projekteve”, tha Gërxhaliu së fundmi për Radio Europa e Lirë.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

Mungesa e legjislaturës së re po krijon pengesa për Kosovën sa i përket aspiratave të saj për t’u integruar në institucione ndërkombëtare.

Pas aplikimit të parë për anëtarësim në vitin 2010, në shtator Kosova do ta ketë edhe një mundësi për t’u bërë anëtare e Policisë Kriminale Ndërkombëtare, Interpol. Aplikimi i saj është në agjendën e Kuvendit të Përgjithshëm të Interpolit, që do mbahet në Pekin.

Arsyetimi i dobishëm?

Ndonëse ngërçi politik ka efekte negative, disa besojnë se ai po përdoret gjithashtu si arsyetim për mungesën e progresit në lidhje me çështje të caktuara.

Javën e kaluar ministri i jashtëm, Emanuel Demaj, njoftoi se Kosova kësaj radhe nuk ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, pas përpjekjes së dështuar të vitit 2015, meqë ligjet për liri fetare dhe trashëgimi kulturore nuk u miratuan në Kuvend.

Megjithatë, për Hajrullah Çekun nga OJQ-ja së EC ma Ndryshe, kjo është thjesht një përpjekje e qeverisë së përkohshme për ta maskuar mungesën e përkushtimit institucional ndaj së ardhmës së Kosovës në UNESCO. “Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk është ulur për ta analizuar atë se pse kemi dështuar në përpjekjen e parë. Asgjë nuk është ndërmarrë në atë aspekt”, thotë ai. “Ky justifikim u përdor madje edhe herën e fundit kur dështoi Kosova”.

Megjithatë, sipas Plator Avdiut të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, mungesa e qeverisë së re po e pengon aplikimin e Kosovës, meqë përpjekjet e saj për lobim kanë qenë të dobëta. “Fakti që ministri i ri [i përkohshëm] i jashtëm, Emanuel Demaj, u bëri thirrje urgjente diplomatëve kosovarë që t’i kthehen lobimit për Interpol dhe t’i lënë pushimet, e shpjegon mungesën e këmbënguljes nga ana e Kosovës sa i përket lobimit”, thotë ai.

Ndonëse Ministria e Punëve të Jashtme është raportuar të ketë deklaruar se shtetet që e njohin Kosovën kanë sugjeruar që aplikimin për anëtarësim ta shtyjnë për një vit, mbetet e paqartë secilat shtete konkretisht e bënë këtë kërkesë dhe për çfarë arsye. Është thënë gjithashtu se kjo është thjesht një justifikim, meqë Kosova nuk ka arritur t’i sigurojë votat e domosdoshme të anëtarëve, por kjo është mohuar nga Demaj.

Sivjet Kosova në teori e ka edhe një mundësi për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO, por siç duket prej vitit 2015 nuk ka pasur përpjekje të bashkërenduara për lobim, gjegjësisht prej kur dështoi aplikimi i fundit për anëtarësim, në mungesë të tri votave. Meqë ende nuk është formuar qeveria e re dhe pasi që Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-së do të mbahet në Paris në nëntor, duket se nuk ka shumë gjasa për t’u përkushtuar me kohë me veprimtari lobuese. Disa ministra tashmë kanë lënë të kuptohet se këtë herë Kosova nuk do të kërkojë anëtarësim. Pas kësaj nuk do të ketë mundësi për të aplikuar për anëtarësim deri në vitin 2019.

Anëtarësimi në BE dhe udhëtimi pa viza

Mungesa e qeverisë së re po krijon edhe probleme afatgjata për Kosovën.

Kur Komisioni Europian rekomandoi që kosovarëve t’u lejohet udhëtimi pa viza në Zonën Shengen të Europës në maj te vitit 2016, një parakusht i rëndësishëm ishte që marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet paraprakisht nga Kuvendi i Kosovës. Ndonëse kjo marrëveshje u nënshkrua në gusht të vitit 2015 nga qeveria e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës thotë se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare duhet të mbështeten nga 2/3 e deputetëve në Kuvend.

"Shumë ligje kanë mbetur pezull ose po u shtyhet miratimi vit pas viti."

Artan Murati, KDI.

Megjithatë, pas kundërshtimit të fuqishëm, kjo çështje nuk u miratua në Kuvend gjatë legjislaturës së fundit, e edhe kur të themelohet më në fund Kuvendi, nuk dihet se si do të veprojnë partitë politike, meqë asnjëra nuk ka ofruar rrugë të qartë për atë se si do të lëvizin sa i përket kësaj çështjeje; ndërkohë kosovarët janë populli i vetëm i Ballkanit Perendimor i cili detyrohet të merret me procedura të shtrenjta dhe burokratike për t’u pajisur me viza për Zonën Shengen.

Mungesa e formimit të qeverisë së re po ndikon edhe te agjenda e integrimit në Bashkimin Europian. Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), marrëveshje e parë kontraktuese ndërmjet saj dhe BE-së. Kjo marrëveshje shihet nga shumëkush si hapi më i rëndësishëm që e ka bërë Kosova deri më sot sa i përket procesit të integrimit europian.

Por sipas Artan Muratit, përfaqësues i OJQ-së për qeverisje të mirë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dhe monitorues i punës së Kuvendit në legjislaturën e fundit, institucionet kosovare duhet të ndërmarrin hapa urgjentë për këtë proces. “E kemi nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Europian e cila i paracakton masat që duhet të merren, përfshirë këtu ligjet specifike që duhet të ndryshohen ose ligjet e reja që duhet të miratohen. Prandaj Kuvendi duhet të jetë më dinamik”, thotë Murati.

Mungesa e agjendës legjislative

Kosova tashmë po mundohet ta kompenzojë kohën për punët që nuk i ka kryer me kohë, meqë legjislatura e fundit ishte mjaft jofunksionale. Fillimisht u deshën gjashtë muaj për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të vitit 2014. Pastaj partitë opozitare e bllokuan për gjashtë muaj Kuvendin për shkak se ishin kundër marrëveshjeve të diskutueshme për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në fund qeveria me koalicion u shpërbë pasi u miratua një mocion i mosbesimit që u propozua nga partneri i madh i koalicionit, PDK-ja. Shpërbëria e parakohshme e kësaj qeverie ndodhi 18 muaj para përfundimit të mandatit.

Murati argumenton se mungesa e themelimit të Kuvendit do t’i “kushtojë shumë” të ardhmës së Kosovës. “Legjislatura e fundit edhe kur ishte funksionale nuk arrinte që t’i miratonte më shumë se 36 përqind të agjendës. Shumë ligje kanë mbetur pezull ose po u shtyhet miratimi vit pas viti”, thotë ai.

Murati gjithashtu thotë se bllokimi i vazhdueshmëm i institucioneve po krijon praktika të dobëta parlamentare për shkak se po akumulohen punët, dhe kështu mund të ketë pasoja negative në afat të gjatë. “Në parlament ligjet mund të miratohen me lexim të parë ose të dytë brenda një dite”, thotë ai. “Paramendoni, ka seanca plenare që i kanë nga 15 apo 16 çështje. Përfundojmë duke i parë deputetët duke diskutuar ligje në ora 12, në mesnatë – paramendoni sa kanë ata vëmendje për këto ligje”.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.