S`fundmi | Drejtësi

Kthehet për rivendosje aktakuza ndaj Sali Mekajt

Nga - 25.05.2017

Apeli ia mundëson ish-kryetarit të saj të kundërshtoj sërish aktakuzën ndaj tij.

Gjykata e Apelit ka vendosur më 17 maj të këtij viti që të rikthejë në rivendosje konfirmimin apo jo të aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Apelit, Sali Mekaj i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në dy raste.

Në rastin e parë ai ka krijuar lidhje jashtëmartesore me V.G., bashkëshorten e një të paraburgosuri për shtytje në vrasje, me të cilën, sipas akuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës të publikuara më parë në media të ndryshme, dyshohej se kishte negociuar 20 mijë euro ryshfet për të liruar bashkëshortin e saj. Në rastin tjetër, Mekaj akuzohet se ka ndërmejetëuar nga pozita e tij si kryetar i Gjykatës së Apelit në një rast fajdeje ku është i përfshirë djali i vëllaut të tij, Asdren Meka.  

Kthimi i vendimit për konfirmim të aktakuzës në rivendosje nënkupton, që Gjykata e Apelit ia ka rimundësuar palës mbrojtëse të Mekajt, dhe të tjerëve, që të kundërshtojnë provat inkriminuese ndaj tyre. Në rast se Gjykata Themelore hedh poshtë aktakuzën e prokurores speciale Drita Hajdari, Mekaj do të mund të lirohet.

Lajmin e ka konfirmuar për K2.0 zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me lëndën në fjalë me 17.05.2017. Kolegji i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, e ka aprovuar ankesën e të pandehurit Salih Mekaj”, ka thënë ai. “Aktvendimi i Gjykatës Themelore i datës 16.02.2017, më anë të të cilit ishte refuzuar kundërshtimi i provave në aktakuzë dhe hudhja e aktakuzës, është anuluar dhe çështja i është kthyer shkallës së parë në rivendosje”, ka thënë Jashari për K2.0.

Seanca për Sali Mekajn, po zhvillohet me dyer të mbyllura për media pasi Gjykata Themelore në Prishtinë pati vendosur të përjashtojë publikun, duke u thirrur në interesin personal të palëve, vendim ky i kritikuar nga mediat dhe shoqëria civile vendore dhe ndërkombëtare.

K2.0 këtë javë ka publikuar një artikull, që flet për terrin medatik që është kirjuar në rastin “Mekaj” për shkak të përjashtimit të opinionit dhe mediave nga shqyrtimi fillestar gjyqësor, që mund ta lexoni këtu.

Mekaj, u arrestua më 20 korrik të vitit 2015, në zyren e tij në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Apelit.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.