Blogbox | Hapësira Publike

Kultura e kafeve

Nga - 25.12.2017

Kemi nevojë për qendra të tjera shoqërore.

Historikisht, kafet (kafenetë, kafeteritë, kafiqat) kanë qenë vende ku janë mbledhur njerëzit për ta takuar njëri-tjetrin, për të shkëmbyer disa llafe, për t’i qarë hallet e tyre e për ta pirë nga një gotë. Që nga hapja e kafeve të para në Lindjen e Mesme e deri te përhapja e tyre anembanë botës, ato kanë shërbyer si pikëtakime sociale dhe shpeshherë madje edhe kanë qenë vende ku janë marrë vendime të mëdha, politike e të tjera.

Sot, kur shumë qytete ndajnë karakteristikat e përbashkëta në krejt botën, pavarësisht shtrirjes së tyre gjeografike apo organizimit të tyre socio-politik, zor të gjesh njeri i cili asnjëherë nuk ka qenë në kafe. Ato janë bërë aq të shpeshta, dhe të domosdoshme – nësë bën të thuhet ashtu – saqë rrallëkush në mbrëmje mund ta përmbledh ditën e vet e që në një pjesë të atij rrëfimi të mos jetë kafja, takimi në këtë apo në atë kafe.

Dhe kjo është e natyrshme. Është më mirë ta takosh dikë në një vend neutral (kafja është e pronarit) sepse kështu jemi palë të barabarta, sepse kështu u shmangemi situatave kur njëri apo tjetri mund të ndihet në siklet për shkak se gjendet në mjedisin e tjetrit. Është edhe punë e relacionit të forcave megjithëse kjo vlen më shumë kur kemi të bëjmë me ndonjë takim më formal sesa me një ndejë miqsh.

Të gjitha këto pra e arsyetojnë dhe i japin kuptim ekzistimit të kafeve, rëndësisë së tyre sociale e tjetërfare.

Por gjithsesi, s’ka se si të mos ekzistojë edhe ana tjetër e medaljes, sidomos në një vend ku kafet janë vendi i prishjes së koalicioneve qeverisëse, vendi i lidhjes së marrëveshjeve qeveritare, vendi i premtimeve elektorale, i pazareve me vota, i shitblerjes së  diplomave, i emërimeve nëpër borde (lista është e gjatë).

Tash, të ndalemi e të shohim. Meqë u tha se kafet (edhe historikisht) janë ndër vendtakimet më të popullarizuara, më të përhapura, më të qasshme, cila është pra alternativa e tyre? Cili është ai vend, ai organizim, ajo hapësirë publike ku do të takonim njëri-tjetrin, të bisedonim e t’i qanim hallet pa qenë të detyruar të pimë makiato? A i kanë zëvendësuar kafet të gjitha hapësirat e tjera publike e shoqërore, të gjitha format e tjera të organizimit shoqëror, të gjitha vendet ku njerëzit (që ndajnë mendimet e ngjashme, por jo domosdo) bëhen bashkë?

Duket se po. Të paktën në vendin tonë.

Kafja dhe alternativa

Gjatë viteve të ’80-a dhe të ’90-a kafet kanë qenë më të pakta dhe kanë pasur alternativë. Edhe qytetet e vogla, e të mos flasim për Prishtinën dhe Prizrenin, kanë pasur kinema, hapësira e të cilave është shfrytëzuar edhe për shfaqje teatrale (mbase edhe për fushata, por pak ka pasur fushata politike në atë kohë) dhe për organizime të tjera sociale.

Ka pasur biblioteka (lokale) në të cilat kanë shkuar më shumë njerëz se sot. Ka pasur salla bilardosh dhe ping-pongu. Ka pasur qendra të sportit. Në kryeqytet ka pasur edhe patinazh, e gjëra të tjera. 

Të ndalemi dhe ta pyesim veten: çka bën një 12-vjeçar/e në një qytezë të vogël të Kosovës?

Mbase disa prej këtyre gjërave mund të jenë jorelevante për politikanët dhe biznismenët të cilët, nëse donë patinazh, mund të shkojnë edhe në hemisferën e jugut për një gjë të tillë, mirëpo ato megjithatë janë shumë të rëndësishme për një shtresë shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë: për rininë.

Të ndalemi dhe ta pyesim veten: çka bën një 12-vjeçar/e në një qytezë të vogël të Kosovës? Ku e kalon pjesën tjetër të ditës pasi të jetë kthyer nga shkolla? Ku takohet me shokët e shoqet? Ku shkon gjatë pushimit të gjatë apo pas përfundimit të orëve? E një 19-vjeçar i papunë i cili nuk studion? Ku i kalon 16 orët e ditës? E një 62-vjeçar i cili është para pensionimit?

Ka vend për krejt

Kafet, per se, nuk janë problem. Por ato bëhen problem kur e gllabërojnë një shoqëri të tërë. Kur bëhen opsion i vetëm i jetës shoqërore. Kur të imponohen si zgjidhje e vetme për kalimitn e kohës.

Një qytezë e vogël në Kosovë, me rreth 20,000 banorë ka së paku 20 kafe, që i bie së paku 1 kafe për 1,000 njerëz. Dhe nëse i përjashtojmë kategoritë që rëndom nuk janë klientë, gjithsesi e merr kuptimin e fjalëpërfjalshëm shprehja: “ka vend për krejt“.

Alternativa për kafen është kafja. Nganjëherë shohim se u mbyll një biznes, një kafe, dhe e pyesim veten: a thua, çka do të hapet tash? Dhe pas dy muajsh, voila, një kafe tjetër, krejt e re! Më e mirë, thonë. Me espresso më të mirë. Me enterier më modern. Me kamarierë me shkollë. Blla, blla, blla.

Nëse shkoni dhe vizioni qytezat e vogla të ndonjë vendi të Europës Perëndimore, nuk do të gjeni aq shumë kafe (ose nuk do të jenë plot me njerëz gjatë gjithë ditës). Por ka gjasa që ky fakt të mos vlejë për vendet e rajonit. Dhe nëse ngjashmëria ndërmjet vendeve të rajonit është e madhe, kjo s’ka se si të mos jetë tregues i një mungese zhvillimi, tregues i një papunësie të theksuar, tregues i një mpirjeje shoqërore.

Edhe njëherë, kafet nuk janë problem në vetvete. Problem është mungesa e asaj që kafet kanë zëvendësuar. Kur një i ri (mundësisht i mitur) nuk ka ku të shkojë, ku ta kalojë kohën e lirë – e cila, për fat të keq dhe në shumë raste është më shumë se e mjaftueshme – ai do të shkojë në kafe. Dhe, duke e ditur ç’lloj përgjegjësie sociale kemi, ata në kundërshtim me ligjin edhe do të kenë qasje në pije alkoolike dhe, pse jo, edhe në substanca narkotike. Jo sepse pronari është ai që shet, por thjesht sepse kafja është pikëtakimi i atyre që shesin dhe i atyre që blenë, i atyre që japin dhe i atyre që marrin. Sepse kafja nuk ka alternativë (mund ta merrni me mend sa bën një gotë raki, apo një gotë verë në Rahovec, ta zëme, dhe sa të qasshme janë ato për personat e mitur).

Nuk di nëse shteti apo komunat mund të bëjnë diçka për rregullimin e aktiviteteve biznesore brenda një zone të caktuar të planifikimit hapësinor. Nuk di nëse ky intervenim apo rregullim mund të paraqesë shkelje të së drejtës për ushtrim të papenguar të aktivitetit ekonomik. Por për një gjë duhet të jemi të bindur: kafet e stërmbushura janë më shumë pasqyrim i mjerimit të gjithëmbarshëm shoqëror sesa pasqyrë e mirëqenies së atyre që kanë gjysmë euro për të blerë nja dy orë të jetës së tyre.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • 04 Jan 2018 - 22:42 | Liridoni:

    Bravo për temen e zgjedhur, bravo për artikullin. Dua veq të theksoj se sa të rëndësishme jan shoqatat civile në këtë aspekt, çfarë përgjegjësi të madhe mbajnë dhe se sa po i mungon mbështetja nga shteti/institucionet. Si shembull pozitiv dua ta marr Termokiss-in, i cili i jep vend rinisë të takohet, të zhvillon idea të reja, bisedon, filozofon, feston. Ka shembuj, po vijnë dalëngadalë. :)

KOMENTO