sports
Pikëpamje | Sporti

Kur gurbeti bëhet shteti që përfaqëson

Nga - 06.10.2016

Shqiptarët e Zvicrës kanë të drejtë për identifikim të vetes.

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA këtë vit solli në qendër të vëmendjes lojtarët profesionistë të diasporës shqiptare që luajnë për kombëtare të tjera. Varësisht nga rastet individuale, pjesa më e madhe e tyre mund të ndërrojnë kombëtarën e tyre për t’iu bashkuar kombëtarës së Kosovës për kualifikimet e Botërorit 2018 në Rusi. Në këtë debat fokus i veçantë i’u dha lojtarëve të Zvicrës më prejardhje nga Kosova. Diskursi në Kosovë ka qenë mjaft i ashpër sa i përket refuzimit të tyre të mundshëm të kombëtares kosovare në futboll: Ata që e refuzuan Kombëtaren e Kosovës në futboll pa një-pa dy u etiketuan si “tradhtarë”, dhe u trajtuan si të tillë.

Sa herë përdoret në debat fjala “tradhtarë” për t’iu referuar lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, diskursi qëllimisht fokusohet në vetëm një narrativë, në vetëm një të ashtuquajtur të vërtetë të plotë e të patjetërsueshme: se shqiptarët e diasporës duhet të luajnë për Kosovën, apo edhe Shqipërinë, sepse me mosluajtjen e tyre tradhëtojnë kombin, prejardhjen dhe gjakun.

Kur njeriu lexon, dëgjon e shikon vetëm rrethin apo mediumet që i ka afër, e sheh vetëm një përfaqësim; specifikisht, që kjo narrativë është e vërtetë absolute. Atëherë lehtë njerëzit i etiketojnë lojtarët e diasporës si tradhtarë, dhe lehtë mund t’i shajnë e përbuzin ata. Por, pse nuk binden krejtësisht lojtarët me prejardhje shqiptare nga kjo narrativë historike, kaq “e bindshme”? Pse vendosën ata “të bëhen tradhtarë”?

Shqiptarët janë një popull mjaft homogjen. Rriten duke mësuar një histori të rezistencës shumëshekullore, njësoj sikurse shumë histori nacionale nëpër botë. Historia shqiptare është vetëafirmuese e vetëvajtuese, e në të theksohen të bëmat, të arriturat, luftërat e padrejtësitë që i janë shkaktuar kombit shqiptar. Ngaqë historikisht shqiptarët kohë pas kohe janë shtypur dhe i janë nënshtruar asimilimit, ruajtja e identitetit dhe kulturës, dhe e vet identitetit shqiptar, është burim i krenarisë: Siç brohorisin shpesh tifozët tanë në futboll: “O sa mirë me qenë shqiptar?”

Secili ka të drejtën e zgjedhjes dhe asnjëri nuk është tradhtar.

Sidoqoftë, njerëzit si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Valon Behrami, nuk janë rritur në të njëjtin ambient homogjen, dhe në orët e historisë nuk janë edukuar me nacionalizmin shqiptar. Ata janë rritur në një ambient krejtësisht tjetër, në një ambient ku ishin minoritet, në një ambient ku kishte (pjesërisht ende ka) paragjykime për shqiptarët apo në përgjithësi refugjatët nga ish-Jugosllavia. Ata janë rritur si shqiptarë të Zvicrës, dhe Graniti e Xherdani më shumë mund të identifikohen me një shqiptar të Zvicrës sesa me një shqiptar të Kosovës.  Që këta shqiptarët e Zvicrës të jenë të suksesshëm si imigrantë të gjeneratës së dytë është tejet e vështirë, sepse thjesht nuk kanë kapitalin, rrjetet sociale në komunitetin e tyre dhe njohuritë mbi sistemin sikurse vendasit.

Këta shqiptarët e Zvicrës janë mjaft të vetëdijshëm se janë zvicranë, por edhe shqiptarë. Por, sidoqoftë Zvicra mbetet vendi ku janë rritur dhe kanë kaluar pjesën më të madhë të jetës së tyre.  Në anën tjetër të luash për Zvicrën dhe të kesh një komb zvicran që duartroket shqiptarët me fanela të Zvicrës, tregon për integrimin e shqiptarëve atje dhe fuqizimin e imazhit e pozitës së tyre brenda Zvicrës.

Natyrisht për shqiptarët e lindur e rritur në Kosovë diaspora mendohet si një vend ku punon, fiton para, dërgon remitanca në vendlindje; nuk shihen si njerëz që në fakt jetojnë në një shtet tjetër. Rrallë herë (gati kurrë) flitet për integrimin e shqiptarëve në diasporë, por këndohet e shkruhet për gurbetin, si shkuarje e detyrueshme. Është e vërtetë që shkuarja ishte e detyrueshme, ndoshta edhe qëndrimi i diasporës është i detyrueshëm ngaqë nuk kanë siguri financiare po të kthehën në atdhe – dhe kjo duhet të jetë në fakt çështja më brengosëse.  Por është e pakapshme për dikë që është mësuar gjatë gjithë jetës se gjaku është gjëja më e rëndësishme, që pastaj të kuptojë se Xhaka apo Shaqiri me mjaft të drejtë mund ta shohin Zvicrën si shtetin e tyre.

Në diskursin shqiptar identiteti rrallëherë shihet, trajtohet e kuptohet si konstrukt social; identiteti etnik shihet si i pazëvendësueshëm. Identiteti etnik nuk mund të shpjegojë se si shteti dhe rrethi e krijojnë identitetin tënd, e se nuk lindesh shqiptar, por përgjatë zhvillimit tënd si individ e formëson identitetin tënd – përmes familjes, komunitetit, rrjetit social, shtetit, apo edhe kombit. E nëse këto karakteristika nuk e përforcojnë njëra tjetrën, por e prejnë tërthorazi njëra tjetrën, atëherë vetë identiteti i personit është më fluid. Prandaj edhe shumë shqiptarë të Kosovës e ndjejnë veten si shqiptarë, por edhe kosovarë.  

Identiteti fluid i Xherdanit shihet mjaft mirë në atletet e tij, që kanë flamurin e Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë. Por, Xherdani nuk mund të luajë për tre kombëtare përnjëherë dhe duhet të vendosë për një – e ai po luan për Zvicrën. Sinan Bytyqi në anën tjetër la Austrinë për të luajtur për Kosovën, ndërsa lojtarë si Lorik Cana, shqiptarë të Kosovës, i mbesin besnik Shqipërisë.

Secili ka të drejtën e zgjedhjes dhe asnjëri nuk është tradhtar. Secili nga ta bën kalkulime personale për atë se cila kombëtare është së pari e arritshme për ta, e më pas se cila është më e rëndësishmë të përfaqësohet për lojtarin; mund të jenë edhe kalkulime pragmatike. Fundja kjo është barazia më e madhe në këtë mes: lojtarët mund të përzgjedhin vet identitetin me të cilin dëshirojnë ta përfaqësojnë kombëtaren e tyre.

Kur beson qorrazi se identiteti etnik qëndron mbi të gjitha identitetet tjera, të përplaset për fytyrë kur lojtarët me origjinë shqiptare zgjedhin përfaqësuese tjera.

Por, ana tjetër e medaljes – që injorohet plotësisht nga diskursi shqiptar – është integrimi i shqiptarëve nëpër shtetet ku jetojnë. Për djathtistët ekstremist në Zvicër, dalja e shqiptarëve të Kosovës nga përfaqësuesja do të legjitimonte thirrjet e tyre se shqiptarët e Zvicrës apo migrantët në përgjithësi janë të paintegrueshëm dhe nuk janë besnik ndaj shtetit Zvicran.  Një akt i tillë padyshim do të ndikonte në një armiqësi kundrejt shqiptarëve në Zvicër, e rritja e sentimentit anti-shqiptar do të ndikonte negativisht në sport, në punësim e në shkollim e në integrimin e shqiptarëve të Zvicrës. Me këtë akt do shpërndahej ideja që shqiptarët e përdorin Zvicrën vetëm për para dhe nuk kanë kurrfar interesi të identifikohen me Zvicrën si shtet. Zvicra do të shihte si tradhëti largimin e shqiptarëve, ngaqë Zvicra me shkollat e tyre të futbollit i bëri ata që janë sot, e mu ata lojtarë do ta përbuznin me atë veprim shtetin mikpritës duke i qenë besnik shtetit të origjinës. Në anën tjetër edhe shqiptarët e Zvicrës kur shohin se i gjithë kombi zvicran i duartroket lojtarëve me emrin Xherdan, Granit e Valon, atëherë ndihen si shqiptarë të Zvicrës, sepse prezenca e tyre në kombëtare simbolizon edhe rrugën e tyre integruese në shoqërine zvicerane, shoqëri kjo që ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve.

Lëvizja e njerëzve në shtete tjera qoftë për arsye ekonomike, të persekutimit apo katastrofave natyrore, sjell migrantë të gjeneratës së dytë, e të tretë e kështu më radhë. Të presësh se secila gjeneratë do të kthehet e të përfaqësojë vendin e origjinës është sikurse të besosh se gjaku e origjina janë gjërat e vetme mbi të cilat ndërtohet identiteti. Padyshim që për shumë ballkanas – përfshirë edhe shumë shqiptarë e serbë – etnia është bosht i identitetit. Por kur beson qorrazi se identiteti etnik qëndron mbi të gjitha identitetet tjera, të përplaset për fytyre kur lojtarët me origjinë shqiptare zgjedhin përfaqësuese tjera.

Ata që besojnë pakushtimisht në identitetin etnik, besojnë se Graniti e Xherdani nuk mund të vendosin për vete dhe nuk kanë të drejtë të vendosin për vete; etnia e tyre prej lindjes i’u është vendosur, e kështu është përcaktuar edhe ajo se për kë duhet të luajnë.  Por përgjatë historisë, përmes migrimit dhe kontaktit të njerëzve me shumë kultura, kanë lindur konflikte, por edhe marrëdhënie të mira mes popujve dhe individëve kundrejt shteteve. Me migrimin permanent dhe natyralizimin e qytetarëve në shtetin mikpritës janë zhvilluar edhe identitete tjera – të karakterizuar me migrantë të gjeneratave të dyta e të treta që nuk e kanë parë shtetin mikpritës si Gurbet, por si vendlindje, e janë rritur kështu me një vendlindje të prindërve dhe një të tyrën. Kështu ka ndryshuar edhe botëkuptimi sa i përket shtetësisë e identitetit.

Nëse besojmë në identitetin si konstrukt social atëherë është e pranueshmë të i lihet individit e drejta të vet-identifikohet. Nëse Zvicra do të konstruktonte identitetin si etnik atëherë nuk do ekzistonte së pari si shtet për shkak të ndarjes gjuhësore: gjermane, frënge, italiane dhe rome. Por edhe nëse do e konstruktonte identitetin bazuar në këto katër etni e gjuhë, atëherë çdokush që del jashtë këtyre parametrave do të shihej si i huaj e do diskriminohej në punë, edukim, e në aspekte të tjera të jetës.

Prandaj edhe narracioni ynë etnocentrik është i rrezikshëm në vende diverse si Zvicra, por edhe në ato homogjene si Kosova, pikërisht sepse është imponues, absolut dhe përjashtues e nuk merr parasysh mendime tjera. E kur dikush si Granit Xhaka merr vendim, në fakt legjitim, që të luaj për Zvicrën atëherë ne lëshohemi me ofendime ndaj tij e familjes së tij, pikërisht sepse kemi krijuar diskursin me absolutizma, që nuk merr parasysh narrativa tjera; e kur këto të fundit shfaqen, atëherë injorohen apo shahen.

Në këto kohë në Evropë e SHBA rritja e ekstremit të djathtë me retorikë nativiste që ka elemente etnocentriste po përdoret nga politikanë të shumtë.  Njerëzit që dëmtohen më së shumti nga kjo retorikë nativiste dhe besimit se etnia është gurthemeli i identitetit, janë pikërisht migrantët. E nëse ne si shqiptarë çojmë përpara një retorikë të tillë atëherë dëmtojmë vet pozitën e diasporës shqiptare nëpër shtetet ku jetojnë, duke kontribuar kështu indirekt në margjinalizimin e jo integrimin e tyre.

Sidoqoftë në zgjedhjen mes Kosovës e Zvicrës, mbizotërojnë dy narracione të bindshme: një se duhet të përfaqësojnë shtetin e tyre që është formuar me sakrificën e shumë njerëzve përgjatë viteve dhe se përfaqësimi i Kosovës padyshim që është histori në vetvete; e tjetra narrativë është se duhet t’i qëndrojnë besnik shtetit në të cilin jetojnë, në të cilin janë rritur dhe që i ka bërë ata që janë përmes ofrimit të infrastrukturës.

Të dy narracionet janë të bindshme dhe cilado që zgjedhet nga lojtarët zgjedhët për arsye të shëndosha. Por, në diskursin shqiptar duhet të mësohemi të mos e refuzojmë tërësisht si të paqenë narracionin e dytë, sepse një gjë e tillë do të sillte armiqësimin ndaj diasporës shqiptare, pjesë kjo e rëndësishme e popullësisë shqiptare.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO