Shkurt | Zgjedhjet2017

U shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve

Nga - 29.06.2017

Konfirmohet nga KQZ, PAN e para, Vetëvendosje e dyta dhe LDK e treta në zgjedhjet 2017.

Mbi 700 mijë kosovarë, respektivisht 41.30 përqind e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë kanë dhënë verdiktin e tyre lidhur me atë se kush donë që të i përfaqësojë në mandatin e ri të legjislativit, respektivisht të formojë qeverinë e re të Kosovës. Këto të dhëna u prezantuan sot bashkë me shpalljen e rezultateve finale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura me 11 qershor të këtij viti,  nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Sipas KQZ-së në këto zgjedhje numrin më të madh të votave nga elektorati e ka marrë koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN) me 33.74 për qind, ndjekur nga Vetëvendosje me 27.49 për qind dhe koalicioni LDK-AKR me 25.53 për qind. Rezultatet treguan po ashtu se kush do të jenë deputetë të ardhshëm të legjislativit të ri të Kosovës.

Koalicioni PAN do të ketë brenda Kuvendit të Kosovës 39 deputetë,  Vetëvendosje 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR do të ketë 29 deputetë. Vetëvendosje mbetet partia e cila është rritur dukshëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014. Në ato zgjedhje ajo ka pasur vetëm 13.59 për qind të votave totale, dhe 16 deputetë, ndërsa në këto palë zgjedhje e ka dyfishuar numrin e deputetëve.

PDK prej zgjedhjeve të vitit 2007, njihej si partia më e madhe në vend, për nga numri i deputetëve dhe përqindjes në vota.  Në zgjedhjet e sivjetme ky subjekt si vetëm ka arritur të ketë vetëm 23 deputetë brenda Kuvendit, duke u renditur kështu si parti a dytë në vend për nga numri i deputetëve. Partneri i PDK-së, të cilit ajo i’a dha mandatarin për kryeministër, AAK -ja,  ka arritur të ketë 10 deputetë. Nisma për Kosovën, partneri tjetër në PAN, në Kuvendin e ardhshëm do të ketë 6 deputetë.

Edhe LDK ka shënuar rezultatin më të dobët zgjedhor që nga ekzistenca e saj politike prej 28 vjetësh. LDK ka arritur të sigurojë vetëm 23 deputetë dhe partneri i saj i koalicionit AKR ka marrë 4 deputetë, dy deputetë të tjerë i koalicionit parazgjedhor të LDK-së vijnë nga partneri i saj, partia Alternativa. Deputetë nga kjo parti do të jenë Mimoza Kusari – Lila dhe Ilir Deda.

Në këto zgjedhje si kandidati për kryeministër me më së shumti vota del të jetë Albin Kurti me 143 mijë e 642 vota, i ndjekur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli me afërsisht 129 mijë e 818 vota, pastaj Avdullah Hoti, mandatar i koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa për kryeministër, me 115 mijë e 658 vota, si dhe Ramush Haradinaj mandatar i PAN-it për kryeministër, me 101 mijë e 994 vota.

Por gara për mandatin e deputetit ka lënë jashtë Kuvendit disaemra të njohur nga mandatet e kaluara. Nënkryetarët e PDK-së, Hajredin Kuçi dhe Arsim Bajrami nuk kanë arritur të fitojnë votat e mjaftueshme që të jenë pjesë e parlamentit, si deputetë, në zgjedhjet e sivjetme, ani pse ishin të pranishëm qoftë si deputetë apo zyrtarë të qeverisë që prej vitit 2007.

Gjithashtu, një nga zërat më kritik brenda PDK-së, Nait Hasani, i cili ishte deputet edhe në legjislaturën e kaluar të kuvendit nuk ka arritur të merr vota që të futet në parlament. Hasani ishte një zë kundërshtues për shumë vendime të PDK-së së udhëhequr nga Kadri Veseli, ku dy nga çështjet më të nxehta të legjislaturës së kaluar të kuvendit si; ‘‘Asociacionin e Komunave Serbe’’, si dhe Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi. Hasani  ishte shfaqur publikisht kundër këtyre dhe qëndrimit zyrtar të partisë së tij. Hasani gjithashtu ishte përmendur në aferën e përgjimeve “Pronto”, të publikuara nga Insajderi, ku zyrtarë të PDK-së dëgjohen duke e akuzuar Hasanin si jo lojal ndaj partisë.

Brenda listës së PAN-it si kandidat për deputet, nga radhët e PDK-së, ishte edhe Mërgim Lushtaku i cili është djali i Sami Lushtakut. Ky po përballet me një proces gjyqësorë me akuza për krime lufte, derisa djali i tij Mërgimi  ka arritur të merr vota të mjaftuehme për t’u bërë deputet, duke u renditur si i gjashtu i listës së PAN-it.  Andin Hoti është një tjetër kandidat për deputet që vjen nga lista e PDK-së dhe ka arritur të merr votat e mjaftueshme që të zgjidhet deputet. Ai është djali i Ukshin Hotit, i cili ishte i burgosur politik në vitet e ’90 dhe që prej asaj kohe rezulton i zhdukur. Pjesë e listës së PDK-së për kandidat për deputet ishte edhe Evgjeni Thaçi-Dragusha e cila është mbesa  e presidentit Thaçi dhe që ka arritur të ketë vota që të jetë pjesë e kuvendit. Këta emra të rinj nga raportimet e medieve janë cilësuar si kandidat që i kanë të ‘‘trashëguara’’ mandatet nga familjarët e tyre, sepse më parë nuk janë shquar si pjesë e skenës politike në vend apo në profesione të caktuara.

AAk në listën e saj për zgjedhjet sivjet kishte futur emra të rinj. Kohë më parë në AAK u fut gazetari Muharrem Nitaj i cili është pjesë e kryesisë së partisë dhe një nga personat më të afërt të kryetarit të Ramush Haradinaj, por ai nuk ka arritur të bëhet deputet i Parlamnetit.

Një emër tjetër që u fut brenda AAK-së pak para fillimit të fushatës zgjedhore ishte edhe Halil Matoshi, një nga publicistët më të njohur në vend. Ai kishte shprehur haptazi se qëllimi i tij dhe futja brenda AAK-së ishte që të bëhej pjesë e kuvendit. Ani pse Matoshi para se të futej në listën e AAK-së, kishte pasur qëndrime publike të kundërta me ato të kësaj partie. Sidomos për demaskimin e kufirit me Malin e Zi si dhe ‘‘Asociacionin e Komunave Serbe’’. Matoshi nuk arriti të sigurojë votat për të hyrë në Kuvend.

Daut Haradinaj, sa ishte deputet në mandatin e kaluar të kuvendit ishte shprehur se më nuk do të kandidojë për deputet sepse dëshiron që të angazhohet më shumë në degën e AAK-së në Deçan. Mirëpo, ai ishte kandidat për deputet në këto zgjedhje dhe ka arritur që të renditet si i katërti në listën PAN-it.

Lëvizja Vetëvendosje me rritjen e votave arriti që të përfaqësohej në Parlament nga shumë emra të rinj.  Frashër Krasniqi është një prej tyre e që në listën e kandidatëve të Vetëvendosjes kishte numër rendor 58. Ai ishte futur në listën e Vetëvendosjes së bashku me tre aktivistë të tjerë të cilët janë të akuzuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës. Fitorja e mandatit të deputetit e bënë Frashërin deputetin e parë të Kuvendit të akuzuar për terrorizëm.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është kandidati i dytë, pas Albin Kurtit, që më së shumti ka fituar vota brenda listës së Vetëvendosjes. Shpend Ahmeti pritet që ta dorëzoj mandatin e deputetit, pasi që nuk mund ta mbajë edhe postin e kryetarit të Prishtinës. Ahmeti ka lënë të kuptohet se në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti do të jetë përsëri ai kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës.

Një nga figurat kyçe të Vetëndosjes, Dardan Molliqaj, i cili është Sekretar i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, ka garuar për herë të parë për deputet dhe ka arritur që të dal i treti brenda partisë. Ky është një rezultat mjaft i mirë për të, kur kihet parasysh se prapa tij për nga numri i votave qëndrojnë, kryetari aktual i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe Glauk Konjofca një nga themeluesit dhe kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Dukagjin Gorani është një tjetër kandidat për deputet i Vetëvendosjes i cili garonte për herë të parë dhe që ka arritur të bëhet deputet. Në të kaluarën Gorani ishte këshilltar i Hashim Thaçit gjatë kohës kur ky u fundit ishte kryeministër i Kosovës. Gorani ishte përfolur nëpër media për afrinë e tij me Vetëvendosjen duke pas parasysh kundërshtitë e ashpra të saj dhe Hashim Thaçit, si dhe raportit të Goranit me Hashim Thaçin në të kaluarën.

Lista e kandidatëve të koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa, ishte përcjellë me polemika të shumta për shkak të dyshimit për largimin e  disa prej emrave që ishin kritikë brenda partisë, si dhe rënditjen e Vjosa Osmanit në numrin 81. Ajo njihej si një nga zërat më të zhurmshëm të LDK-së dhe kundër koalicionit të kësaj partie me PDK-në në vitin 2014. Osmani edhe pse me numër rendor të lartë ka arritur që të dalë e dyta e partisë, duke siguruar mbi 60 mijë vota.

Disa nga prurjet e reja të LDK-së para fushatës zgjedhore si: Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj kanë arritur që të marrin vota për mandatin e deputetit. Ata një nga pesë deputetët më të votuar të koalicionit LDK-AKR. Naser Osmani ishte emri i vetëm brenda listës së LDK-së për kandidat për deputet ndaj të cilit kishte të ngritur aktakuzë për rastin e privatizimit të jashtëligjshëm të fabrikës ‘‘FAN’’ që pretendohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit miliona euro, e që në këto zgjedhje nuk ka arritur të marrë numër të mjaftueshëm të votave për t’u rizgjedhur deputet.

Behxhet Pacolli ka arritur të kthehet në Kuvendin e Kosovës, pasi që në zgjedhjet e vitit 2014, partia e tyre nuk kishte arritur të kalojë pragun elektoral. Partia e Pacollit, AKR, brenda koalicionit me LDK-në ka rritur të fitoj 4 deputetë, ndër ta është edhe këngëtari i muzikës turbo-follk Labinot Tahiri.

Në këto zgjedhje si kandidati për kryeministër me më së shumti vota  del të jetë Albin Kurti me 143 mijë e 642 vota, i ndjekur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli me afërsisht 129 mijë e 818 vota, pastaj Avdullah Hoti, mandatar i koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa për kryeministër, me 115 mijë e 658  vota, si dhe Ramush Haradinaj mandatar i PAN-it për kryeministër, me 101 mijë e 994 vota.

20 ulëset e mbetura prej 120 ulëseve që janë gjithsej në Kuvend janë të rezervuara për përfaqësues të minoriteteve. Prej atyre 20, 10 janë për serbë. 9 prej 10 ulëseve të rezervuara për përfaqësues të serbëve janë zënë prej anëtarëve të Listës Serbe (që mbështetet nga Beogradi), por lideri Slavko Simic nuk arriti që të sigurojë një ulëse. Do të jenë edhe tri përfaqësues boshnjak, dy turq, tri ashkalinj, dhe një përfaqësues prej komuniteteve përkatëse rome, egjiptiane dhe gorane.K

Foto kryesore nga: Agan Kosumi / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO