Pikëpamje | Media

Lajmet e rreme nuk janë vetëm problem ndërkombëtar

Nga - 13.12.2017

Kosova në asnjë mënyrë nuk është e pacënueshme nga fenomeni i lajmeve të rreme.

Një prej akuzave më të përdorura kundër mediave nga Donald Trump është ajo e ‘lajmeve të rreme’. Përgjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2016 në SHBA, publiku dëgjoi vazhdimisht akuza kundër ‘mediave të përhapura’ (i përdorur si term përçmues) nga Trump dhe ekipi i tij. Pasi i fitoi zgjedhjet, administrata e tij vazhdoi ta bënte edhe më të përhapur çështjen e lajmeve të rreme duke e futur atë në kontekstin e çfarëdo lajmi që nuk do t’i raportonte ndodhitë ashtu siç i sheh ajo (administrata).

Duke u përdorur nga i ashtuquajturi lideri i botës së lirë, nga gazetarë, analistë apo komentatorë të rrjeteve sociale të cilët e japin mendimin e tyre për skandalin e fundit, nocioni “lajme të rreme” me sa duket është çdokund. Vitin e kaluar, pas zgjedhjes së Trump-it dhe referendumit të Brexit-it, shoqëruesi konceptual i këtij nocioni, “post e vërteta”, u zgjodh si fjala ndërkombëtare e vitit nga fjalorët e Oksfordit.

Lajmet e rreme janë raporte apo lajme pjesërisht apo krejtësisht të pasakta të cilat i paraqesin gabimisht informatat e sakta, dhe kështu krijojnë informata çorientuese apo mashtruese për publikun. Në një botë me shpejtësi të avancuar të internetit dhe me teknologji mobile si telefonat e mençur, informata udhëton shpejt, e njëlloj edhe lajmet e rreme.

Mënyra se si ndikojnë lajmet e rreme te audienca në nivel botëror ilustrohet më së miri nga shembulli i një grupi të rinjsh të Velesit, Maqedoni, të cilët u përfshinë në prodhimin e lajmeve të rreme gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Sipas analizës së BuzzFeed-it, në tre muajt e fundit të fushatës, artikujt më të njohur të lajmeve të rreme prodhuan më shumë angazhim në Facebook se artikujt më të njohur prej mediave të mëdha të lajmeve; 2 nga 10 artikujt më të njohur të lajmeve të rreme në këtë periudhë vinin nga Maqedonia.

Lajme të rreme qendrore

Ndonëse nocioni i “lajmeve të rreme” mund të jetë mjaft i ri, vetë fenomeni nuk është i tille, dhe në asnjë mënyrë nuk është çështje që ndikon vetëm te shtetet e tjera.

Kosova iu ekspozua lajmeve të rreme para dhe gjatë luftës, veçanërisht në raste të raporteve në lidhje me humbjet gjatë luftës dhe numrin dhe statusin civil të shumë viktimave, të cilët – pas shkarkimit nga puna të gazetarëve shqiptarë – shpeshherë u etiketuan si ‘terroristë’ nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS) dhe Televizioni i Prishtinës (RTP) – që ishin të kontrolluara nga regjimi i Millosheviqit. Meqë ishte organizatë e cila bënte propagandë dhe prodhonte gjuhë të urrejtjes dhe kështu mobilizonte publikun në emër të qeverisë së Serbisë, RTS-ja u bombardua nga trupat e NATO-s në fushatën 78-ditore kundër Jugosllavisë.

Së fundmi, meqë Ballkani është bërë një prej qendrave të prodhimit të lajmeve të rreme për zgjedhjet në SHBA, shtypi ndërkombëtar i kushtoi shumë vëmendje rajonit tonë. Megjithatë, lajmet e rreme gjithashtu konsumohen edhe në Kosovë.

Llojet e keqinformimit dhe dezinformatave

  • Pa qëllim për të shkaktuar dëm por me potencial për të mashtruar

  • Përdorim çorientues i informatave për ta kurdisur një çështje apo individ

  • Kur burimet e vërteta ndryshohen për t’u përdorur si mashtrim

  • Përmbajtje të reja dhe 100% të gabuara, të dizajnuara për të mashtruar dhe për të shkaktuar dëm

  • Kur kryetitujt, pamjet apo përshkrimet nuk i mbështesin përmbajtjet

  • Kur përmbajtja e njëmendtë përcillet me informatat e rrejshme kontekstuale.

  • Kur informatat apo pamjet e sakta manipulohen për të mashtruar (Burimi: First Draft News)

Për të ndihmuar në ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit dhe për t’u përballur me sfidat në lidhje me besimin dhe të vërtetën në epokën digjitale, organizata jofitimprurëse me seli në SHBA, First Draft News, ka ofruar udhëzime praktike dhe etike për mënyrën se si duhet të gjenden, të verifikohen dhe të publikohen përmbajtjet të cilat si burim i kanë rrjetet sociale. Më herët gjatë vitit, drejtoresha për strategji dhe hulumtim, Claire Wardle, veçoi shtatë lloje të lajmeve të rreme të cilat janë të pranishme edhe në Kosovë.

Shkurtimisht, Kosova i përmbush të gjitha elementet e shpjeguara nga Wardle nëpërmjet ‘matricës së keqinformimit’, që kategorizon lajmet e rreme si vijon: satirë apo parodi, vegëza të gabuara, përmbajtje çorientuese, kontekst i gabuar, përmbajtje mashtruese, përmbajtje të manipuluara dhe përmbajtje të trilluara. Për ta kuptuar ekosistemin aktual të informatës ajo sugjeron t’i analizojmë tri elemente: llojin e përmbajtjeve, motivet dhe përhapjen.

Meqë shumë interesa të SHBA-së dhe të Rusisë janë të përfshirë në Kosovë, një prej buriemve kryesore të lajmeve të rreme për temën e Kosovës është ‘zëdhënësi i identifikuar i qeverisë’ në spektrin e mediave televizive ruse, agjencia e lajmeve Sputnik. Agjencia Sputnik prodhon një numër të madh raportesh dhe lajmesh nga Kosova duke i cituar gabimisht burimet kosovare.

Sipas një shkrimi në Facebook të cilin në korrik të këtij viti e publikoi Florian Qehaja, drejtor Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), Agjencia Sputnik vazhdon të prodhojë lajme të rreme dhe të publikojë propagandë duke cituar fillimisht shkrime hulumtuese të prodhuara më parë nga QKSS-ja, e më pas duke përdorur burime të tjera por përsëri duke ia mveshur këto burime QKSS-së, duke lënë kështu përshtypjen se burimet e cituara fillimisht janë gjithashtu pjesë e hulumtimeve empirike. Në këtë mënyrë, Sputnik e çorienton publikun në lidhje me situatën në Kosovë duke pretenduar se i tërë artikulli është shkruar duke u bazuar në hulumtimet e QKSS-së. Artikulli për të cilin reagoi Qehaja u publikua nga Sputnik Serbia dhe mbante titullin: “Rekruton, trajnon, vret: Kreu femëror i ‘Detashmentit të Vdekjes’ vjen nga Kosova”.

Por Sputnik ka prodhuar lajme të rreme edhe për vende të tjera. Në Ukrainë, Sputnik gjithashtu vlerësohet njëlloj, me neveri dhe indinjatë. Nisma online për luftimin e lajmeve të rreme, “stop-fake”, paralajmëroi më herët gjatë muajit se “Gazetarët e Sputnik-ut lexojnë 103 faqe direktiva” për atë se si duhet t’i “qëndrojnë besnikë interesit kombëtar të Federatës Ruse”.

Prodhuar në Kosovë

Edhe Kosova prodhon “lajme të rreme” në nivel kombëtar. Pas trazirave të marsit të vitit 2004, kur si rrjedhojë e raporteve të paverifikuara dhe gjysmë të vërteta që u transmetuan nga mediat në Kosovë, 12 njerëz u vranë dhe më shumë se 4,000 serbë, romë, ashkalinj dhe minoritete të tjera u detyruan të ikin nga Kosova, lajmet e rreme sot kanë një dimension tjetër.

Lajmet e rreme në Kosovë shpeshherë marrin formën e lajmeve të paverifikuara, të pahulumtuara dhe gjysmë të vërteta të cilat përhapen qëllimisht për t’u perceptuar si lajme. Tipike janë rastet e lajmeve të rreme ekonomike, kur pjesë të kontratave fotografohen dhe u dërgohen qëllimisht gazetarëve të cilët nuk hulumtojnë arsyet për përhapjen e qëllimshme apo nuk kërkojnë ta shohin dokumentin e plotë për ta studiuar dhe për ta verifikuar vërtetësinë e tij.

Duke i publikuar këto dokumente pa e kontrolluar vërtetësinë e tyre, gazetarët kanë kontribuar në shtimin e madh të lajmeve të paverifikuara dhe spekulimeve në lidhje me marrëveshjet ndërmjet dy shteteve.

Kjo ndodhi pjesërisht me përhapjen e qëllimshme të kontratës së supozuar të Bechtel & Enka për ndërtimin e autostradës së Kosovës në Shqipëri. Mediat online në veçanti e morën dhe e publikuan pa e paverifikuar, ndërsa gazetarët më seriozë e vlerësuan si burim të dyshimtë dhe e raportuan me pikëpyetje. Kontrata kurrë nuk është bërë publike, pra është e ende e paqartë ajo se a është i vërtetë ky dokument i cili u përhap qëllimisht te opozita, e cila më pas e përhapi qëllimisht në media.

Gjatë procesit të negociatave me Serbinë në Bruksel, me ndërmjetësim nga BE-ja, gazetarëve u kanë munguar versionet zyrtare të marrëveshjeve të arritura. Shpeshherë zyrtarët e Serbisë dhe ata të Kosovës kanë përhapur qëllimisht kopje të paautorizuara të projekt-marrëveshjeve, duke shkaktuar huti të madhe në shtyp dhe publik. Duke i publikuar këto dokumente pa e kontrolluar vërtetësinë e tyre, gazetarët kanë kontribuar në shtimin e madh të lajmeve të paverifikuara dhe spekulimeve në lidhje me marrëveshjet ndërmjet dy shteteve.

Deri më sot nuk ka databazë zyrtare të këtyre marrëveshjeve e cila është e qasshme për gazetarët apo publikun. Në situata të tilla, të shtyrë nga presioni kohor dhe dëshira për të publikuar lajme, gazetarët shpeshherë harrojnë se detyra e tyre është t’i hulumtojnë, t’i verifikojnë dhe t’i konfirmojnë të gjitha informatat të cilat i publikojnë.

Arsyet e tjera që krijojnë tendencën për “lajme të rreme” në Kosovë janë të shumta dhe të ndryshme. Ndonjëherë janë të qëllimshme dhe ndonjëherë ndodhin për shkak të standardeve joadekuate etike/profesionale. Gazetaria e dobët në shumë raste është pasojë e dekadës së arsimimit joadekuat në vitet e ‘90-a dhe i vazhdimësisë së sistemit të zhvleftësuar të arsimit në Kosovë, që ka prodhuar gazetarë të cilëve u mungojnë shkathtësitë për raportim të specializuar, pavarësisht faktit se kanë diploma në degët e komunikimit dhe gazetarisë.

Por, një arsye tjetër është edhe modeli problematik i pronësisë së mediave në Kosovë, që shkakton presion ekonomik dhe politik, që – siç kam shkruar më parë në K2.0 – shpeshherë i shtyn gazetarët drejt një jete të njohur të viteve të ‘90-a si “bashkëjetesë me politikën”. Në vend se ta luajnë rolin e tyre për të kërkuar llogari nga politikanët, gazetarët mund ta gjejnë vetën duke “ua kruar shpinën” politikanëve nëpërmjet vetëcensurimit dhe duke shërbyer si zëdhënës jozyrtarë politikë.

Mjegullimi i vijës ndarëse

Një element tjetër i “lajmeve të rreme” është satira apo parodia. Ndonëse në përgjithësi nuk kanë qëllim shkaktimin e dëmit, këto lloje të gazetarisë prapëseprapë kanë potencial ta çorientojnë publikun. Ndërkombëtarisht ky medium ka traditë të gjatë që daton shumë dekada më parë. Disa emisione të njohura në televizion dhe radio, si programi i lajmeve satirike That Was The Week That Was, u krijuan në fillim të viteve të ‘60-a në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa komedianë si John Oliver dhe Stephen Colbert i kanë zbavitur audiencat botërore për një kohë të gjatë me emisione televizive të SHBA-së, si Saturday Night Live.

Në epokën e internetit, uebfaqet e lajmeve satirike si The Onion përdorin artikuj satirikë dhe humoristikë për t’i përshkruar momentet e rëndësishme dhe qëllimisht i tregojnë gabimisht ndodhitë për ta mashtruar publikun të besojë në diçka që është krejtësisht e pabesueshme.

Në vitet e fundit në Kosovë janë prodhuar këso lloj “lajmesh të rreme”, veçanërisht në rrjete dhe media sociale. Dy prej uebfaqeve kryesore parodike në Kosovë janë Pampress, e cila funksionon me uebfaqe dhe gjithashtu i shpërndan përmbajtjet nëpërmjet Facebook-ut, dhe KukuNews, e cila ka shtrirje vetëm në rrjete sociale. Të dyja përhapin ‘përmbajtje të rreme’ me synim të parodizimit të figurave politike. Shpeshherë i paraqesin në mënyrë komike duke përdorur narrativa nëpërmjet audios apo duke i redaktuar dhe duke i montuar tej mase.

Një prej artikujve të njohur ishte ai që paraqiti ish-gazetarin Halil Matoshi duke nisur një peticion për ta hequr statujën e Skenderbeut nga qendra e Prishtinës, ndërsa në një rast tjetër ai u paraqit duke i hequr flamujt shqiptarë nga Bulevardi Nëna Terezë në kryeqytet. Ky rast prodhoi shumë debat të nxehtë në rrjete sociale, deri në pikën ku anëtarë të publikut të cilët nuk e kishin kuptuar natyrën satirike të artikullit drejtuan kërcënime të dhunshme kundër Matoshit.

Pavarësisht satirës dhe artikujve të mirë parodikë, të cilët shpeshherë të japin ndjesinë e ajrit të pastër kur çdo ditë lexojme e dëgjojmë diskurs të nxehtë politik, gazetarët duhet ta mbajnë në mend se detyra parësore e tyre gjatë prodhimit të lajmeve është verifikimi i informatave prej disa burimeve, kontrollimi i motivit për përhapje të qëllimshme dhe hulumtimi i të dhënave të cilat i marrin prej përhapjeve të qëllimshme, që publikun t’i shpjegojnë saktësisht ndodhitë. Gazetarët duhet të mësojnë nga praktika e koalicionit të madh të gazetarëve që punoi me muaj të tërë për ta zbërthyer, për ta dekoduar dhe, duke i bërë bashkë informatat, për të verifikuar dhe për t’i konfirmuar informatat e përhapura qëllimisht në Letrat e Panamasë dhe Letrat e Parajsës.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.