Në thelb | BiH

Toka e të varfërve dhe e të uriturve

Nga - 02.02.2018

Më shumë se një çerek i popullsisë në Bosnjë dhe Hercegovinë flenë të uritur.

Edin Calo ka shitur lapsa në rrugë dhe kafene të kryeqytetit të Bosnjës dhe Hercegovinës për 24 vitet e fundit. Deri sa flet për punën e tij në një natë dimri në një parking në qendër të qytetit, vërehet nga fytyra dhe mënyra e të shprehurit se është shumë i lodhur. Ai thotë se punon 14 orë në ditë – nga ora 9:30, deri në 11 apo 12 të natës. Megjithatë, ai shton duke qeshur: “Njerëzit më duan, dhe unë i dua ata”.

Ai thotë se i bën 100 kilometra në ditë, dhe “pak a shumë” fiton 500 deri në 600 marka të konvertueshme (250-300 euro) në muaj. Ai e mbështet një familje gjashtëanëtarëshe me këto para, dhe të gjithë jetojnë në një banesë të papërshtatshme njëdhomëshe.

Kur e pyesim si mbijetojnë, ai buzëqesh dhe thotë: “Sa të jem gjallë unë…” Ai nuk e përfundon fjalinë, e as nuk do të ishte e drejtë t’ia parashtronim pyetjen që menjëherë na shkon në mendje – çka ndodh më pas?

Foto: Velija Hasanbegović.

Calo dhe familja e tij janë në mesin e 900,000 qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, 28 për qind e popullsisë totale, të cilët konsiderohet se jetojnë nën kufirin absolut të varfërisë. Ky kufi matet duke marrë për bazë paratë e nevojshme për konsumim të ushqimit, që sipas të dhënave të vitit 2016 arrijnë totalin prej 271 markave të konvertueshme (rreth 135 euro) në muaj për person në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Të dhënat e tjera statistikore janë edhe më të vështira për t’u lexuar. Sipas hulumtimeve të OKB-së, çdo i gjashti banor në Bosnjë dhe Hercegovinë, 17 për qind e popullsisë, jetojnë me 3-5 marka të konvertueshme (1.5 deri në 2.5 euro) në ditë, apo prej 90 deri në 150 marka (45 deri në 75 euro) në muaj – këto shifra janë shumë më të ulëta se kufiri absolut i varfërisë.

Pra 28 për qind e popullsisë nuk mund ta përballojë financiarisht blerjen e ushqimeve themelore, ndërsa 17 për qind mezi mund ta blejnë një shujtë në ditë. Veçanërisht tronditës është fakti se më shumë se një çerek i popullsisë flenë të uritur, ndërsa ata të cilët janë përgjegjës për këtë situatë dhe pjesa më e madhe e publikut qëndrojnë të heshtur.

Injorancë institucionale

Ranka Ninkovic Papic, drejtoreshë e Fondacionit për Përfshirje Shoqërore (Fondacija za socijalno ukljucivanje) në Bosnjë dhe Hercegovinë, thekson se pak njerëz janë të vetëdijshëm për faktin se këto shifra përfaqësojnë njerëz realë.

“Kur flas për këto përqindje, gjithmonë them: ‘Parafytyroji 900,000 njerëz para teje. Ata janë njerëz. Ata janë fëmijë’. Por njerëzit nuk janë të vetëdijshëm çfarë do të thotë realisht varfëria absolute”, thotë ajo, duke shtuar se shumë njerëz nuk përballen me këtë imazh të Bosnjës dhe Hercegovinës. “Ndoshta e kthejnë kokën për të mos i parë. Në qytete si Sarajeva kjo nuk dallohet edhe aq. Por në pjesët e tjera të Bosnjës dhe Hercegovinës kjo është shumë e dukshme”.

Kjo që po ndodh, sipas Ninkovic-Papic-it, është injorancë e institucionalizuar e problemit, veçanërisht nga ana e politikanëve. “Paramendojeni, si mund të flasin për këtë me gjithë gjërat e tjera që po ndodhin – korrupsionin e të tjerat”, thotë ajo. “Në çfarë situate do të ishin [po të flisnin për këtë]? A mund të flasin fare për të? A janë të interesuar? Jo, nuk janë. A dinë diçka për këtë? Jo, nuk dinë. Së treti: A lejohen të flasin? Kush lejohet të flasë për këtë? Do t’i kisha quajtur ‘Cosa Nostra’, por të paktën ata kishin një kod të sjelljes”.

Foto: Velija Hasanbegović.

Heshtja e personave përgjegjës dhe mungesa e vëmendjes publike ka shkaktuar probleme të pazgjidhura përkitazi me dispozitat ligjore, të cilat nuk e rregullojnë si duhet mundësinë për t’u ndihmuar të uriturve.

Hajrudin Solak është aktivist i OJQ-së Pomozi.ba, organizatë që merret me sigurim dhe dhënie të ndihmave, kryesisht nëpërmjet racioneve ushqimore, për persona të cilët nuk kanë mundësi ta ushqejnë veten dhe familjen. Ai beson se ky ligj i kufizon mundësitë e Qendrës për Punë Sociale për sa i përket orientimit të burimeve aty ku ka nevojë.

“Përcaktimi ligjor i varfërisë është i dyshimtë. Për shembull, nëse dikush ka pasuri të patundshme, edhe nëse janë të shkatërruara, është e pamundshme t’i ofrosh ndihmë atij personi”, thotë ai, duke shtuar se gjithçka varet nga ndihma që ofrojnë “njerëzit e mirë”.  

Një ngjarje që ndodhi në Kakanj – një qytezë në Bosnjën qendrore ku aktivistët e Pomozi.ba dhanë donacione në formë të ushqimeve të lehta për nxënës të shkollave – është shembull i dalluar dhe tragjik i pengesave me të cilat përballet kjo organizatë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Shumë familje nuk kanë mundësi t’i përballojnë financiarisht ushqimet e lehta për fëmijët e tyre, pa marrë parasysh faktin se ato kushtojnë 50 feningë [25 centë]”, tha Solak për K2.0. “Kur i dorëzuam donacionet, një djalë pa për herë të parë tortë të vishnjes. Ai e hëngri gjysmën, e gjysmën tjetër e ktheu në shtëpi për motrën e tij. Ka shembuj të situatave në të cilat gjërat që ne i marrim të vetëkuptueshme, të tjerët i shohin për herë të parë”.

Diskriminim sistematik

Por, kur jeton në varfëri, uria nuk është e vetmja gjë që shkakton probleme. Ninkovic-Papic thotë se rrethanat e jetesës së atyre të cilët janë të prekur nga varfëria janë shumë më të ndërlikuara.

“Ka pabarazi shoqërore dhe diskriminim, si dhe një sistem krejtësisht i shkatërruar, joefikas, socialisht i padrejtë dhe i paqëndrueshëm i mbrojtjes sociale, që nuk ofron siguri minimale sociale për njerëzit më të prekur, dhe është krejtësisht i bazuar në status, e jo në nevoja”, thotë ajo.

Sipas Ninkovic-Papic-it, më shumë se gjysma e personave të regjistruar si të varfër përjashtohen socialisht prej faktorëve të tjerë si mosha, etnia apo aftësitë e kufizuara. “Brenda kësaj kategorie, 10 për qind – 300,000 njerëz – janë me aftësi të kufizuara. Pastaj janë personat e papunë, personat pa të hyra, romët, gratë etj. Kryesisht ky problem është diskriminim sistematik i legjitimuar”.

Foto: Velija Hasanbegović.

Ky diskriminim sistematik, që e përhap gjithë problemin e varfërisë, dallohet më së shumti në shembullin e popullsisë rome në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo pakicë etnike është më e madhja, por edhe më e varfra.

Dalibor Tanic, aktivist dhe redaktor i portalit rom Udar, është dëshmitar i përditshëm i shembujve në të cilat sistemi është përgjegjës për situatën e romëve. “Rrethi i ashtuquajtur vicioz i varfërisë nis nga arsimi”, thotë ai. “Sepse nëse nuk je i arsimuar, nuk mund të gjesh punë, dhe nëse je i papunë, atëherë nuk ke jetë të mirë, as shëndet të mirë, dhe kjo të kthen përsëri te pika zero”.

Rezultati përfundimtar është që gratë dhe burrat romë në Bosnjë dhe Hercegovinë janë në mëshirë të shkathtësive të tyre. Jeta e tyre tkurret në mbijetesë.

“Puna të cilën e bëjnë ata është kryesisht e bazuar në ‘ekonominë gri’, duke mbledhur lëndë të parë”, shtoi Tanic. “Të paktë janë ata të cilët kanë gjetur punë dhe mund të sigurojnë të hyra për një jetë deri diku të mirë. Pra në këtë rast po flasim për varfërinë e një komuniteti të tërë pakicë, jo vetëm të një pjese apo përqindjeje të tij”.

Ky rreth vicioz i prek të gjithë të varfërit. Pjesëmarrja në ekonominë gri apo shpikja e punëve si shitja e lapsave, siç punon Edin Calo, është e vetmja gjë që i shpëton nga uria, tragjedia përfundimtare për një pjesë të madhe të shoqërisë së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Foto: Velija Hasanbegović.

Duke biseduar për të ardhmen, të gjithë njerëzit e intervistuar nga K2.0 pajtohen se ky problem nuk do të zgjidhet vet, duke marrë parasysh trendet statistikore që tregojnë rritje të mëtejme të nivelit të varfërisë.

Solak thotë se situata në teren është krejtësisht në përputhje me të dhënat statistikore dhe se gjithçka varet nga dashamirësia e individëve. “Derisa presim për zgjidhje ligjore, kemi vendosur të bëjmë diçka për këtë”, deklaron ai.

Ninkovic-Papic beson se zgjidhja më efikase është ndryshimi i diskursit politik në Bosnjë dhe Hercegovinë. “E rëndësishme është që politikanët të mos i theksojnë konfliktet, interesat kombëtare dhe prodhimin e tensionet. Sepse e dimë dhe e kemi thënë shumë herë: të jesh boshnjak i varfër, serb i varfër, kroat i varfër – është krejtësisht njejtë”. Fraza ‘Ne jemi të uritur’ ende ka mbetur e pikturuar në shumë mure në Bosnjë dhe Hercegovinë, në gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe, prej kohës së protestave të vitit 2014.

Ndërkohë, me sa duket e gjithë popullsia në Bosnjë dhe Hercegovinë po rri e ulur mbi një bombë të kurdisur e cila pritet të shpërthejë herët a vonë; me gjasë herët, e jo vonë, meqë çmimet e mallrave pritet të rriten në vitin 2018, pas miratimit të Ligjit për Akcizë që do t’i rritë çmimet e karburantëve për 15 për qind.

Sipas projektimeve të Drejtoratit për Planifikim Ekonomik të Këshillit Boshnjak të Ministrave, indeksi i çmimeve të konsumit pritet të rritet për 1.8 për qind, e kjo do t’i shtyjë edhe më shumë qytetarë nën kufirin absolut të varfërisë.

Ndonëse OJQ-të dhe analistët presin që në të ardhmen e afërt ky numër të arrijë mbi 30 për qind, dhe praktikisht 1/3 e popullsisë të përballet me probleme të urisë, politikanët vazhdimisht premtojnë rritje dhe zhvillim të mëtejmë ekonomik. Realisht, ky sllogan pritet të dëgjohet edhe në zgjedhjet e vitit 2018. Pyetja kryesore është: a do të arrijë shoqëria të gjejë një mënyrë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në diskurs, apo do të shpërthejë bomba në ndërkohë? K

Foto kryesore: Velija Hasanbegović.