Në thelb | Kulturë

Duke lënë të bukurën pas

Nga - 01.03.2017

A ka përparuar Kosova sa i përket ruajtjes së trashëgimisë kulturore?

Në vitin 2015, Kosova dështoi që të anëtarësohej në Organizatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Sidoçoftë, në fund të këtij viti do të ketë mundësi që të aplikojë përsëri, por edhe nëse as këtë vit nuk ka sukses, një aplikim tjetër duket i pashmangshëm dikur më vonë.

Ndonëse në të kaluarën vendet e trashëgimisë kulturore u konsideruan si fokusi kryesor i organizatës, tani në fakt më shumë investojnë në shkencë dhe arsim. Pavarësisht kësaj, beteja politike për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë u luftua (dhe me shumë gjasa do të luftohet) jashtë sferës së trashëgimisë kulturore.

Ndonëse anëtarësimi do të ishte i mirëpritur, deri sa ta arrijmë, Kosova ende duhet të mundohet që t’i aplikojë standardet dhe vlerat e organizatës.

Gjatë fushatës së vitit 2015, qeveria e Serbisë theksoi incidente të trazirave, veçanërisht ato të vitit 2004 kur disa kisha ortodokse u shkatërruan, si motive të fuqishme për mos pranimin e Kosovës në UNESCO. Pranimi në këtë organizatë jo vetëm që do të ishte njohje e Kosovës si shtet i pavarur, por edhe do t’i vendoste përgjegjësitë për të gjitha vendet e trashëgimisë kulturore në Kosovë nën jurisdiksionin e organizatës në fjalë.

Pa marrë parasysh se a do të ketë aplikime për t’iu bashkaur UNESCO-s në të ardhmën, anëtarët e shoqërisë civile që janë të specializuar në fushën e trashëgimisë kulturore kanë deklaruar që, ndonëse anëtarësimi do të ishte i mirëpritur, deri sa ta arrijmë, Kosova ende duhet të mundohet që t’i aplikojë standardet dhe vlerat e organizatës.

Duke patur këtë parasysh, K2.0 i analizon përpjekjet e bëra për përmirësimin e standardeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, prej momentit kur dështoi që të anëtarësohet në UNESCO në vitin 2015.

Veprimet e qeverisë: strategjitë, ligjet dhe listat

Në detyrën e saj për të ndihmuar me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, qeveria më në fund e miratoi Strategjinë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore për periudhën 2017-2027, strategji kjo me tri synime kryesore.

Së pari, strategjia synon që të mundohet të themelojë një sistem ligjor dhe institucional të mbrojtjes së elementeve të trashëgimisë kulturore. Së dyti, shpreson që të zbatojë një qasje të integruar për mbrojtje, duke unifikuar të gjitha institucionet e ndryshme qeveritare të cilat janë përgjegjëse për trashëgimi kulturore, nën një qasje ombrellë dhe unitare. Së dyti, thekson nevojën për të arsimuar dhe promovuar vlerën e trashëgimisë kulturore te qytetarët, dhe për të shtuar nivelin e ndërgjegjësimit, sa i përket rëndësisë së saj.

Sali Shoshi është drejtor i zyrës së Cultural Heritage Without Borders – CHWB (Trashëgimi Kulturore pa kufij) në Kosovë. Organizatë jo-qeveritare që është aktive tash e 15 vite. Është një prej OJQ-ve më të zëshme sa i përket çështjeve të trashëgimisë kulturore. Shoshi ishte gjithashtu pjesë e grupit punues që projektoi strategjinë kombëtare.

Ai e kritikon përmbajtjen e Strategjisë duke thënë se është e huazuar kryesisht prej dokumenteve të ngjashme që janë zbatuar në shtete tjera, dhe beson që është tepër ambicioze për Kosovën. “Opinioni im, që dokumenti duhet të jetë më i thjeshtë e më i zbatueshëm, nuk është marrë parasysh”, thotë ai për K2.0. Për më tepër, Shoshi zbulon se kjo strategji, pavarësisht miratimit të saj, nuk është zbatuar në planin e punës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vitin 2017.

Duke reaguar ndaj këtyre shqetësimeve, Vjollca Aliu, udhëheqëse e departamentit për trashëgimi kulturore në MKRS,  i tregoi K2.0 se ministria ende është duke e përfunduar planin e punës dhe se është duke përfshirë aktivitete nga strategjia. Për më tepër, kjo strategji është dërguar nëpër organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e bërë të mundur pjesëmarrjen e të gjithë atyre që duan të ndihmojnë me zbatimin e saj.

Ligjërisht shumë pak ka ndryshuar prej vitit 2015. Trashëgimia kulturore ende ligjërohet nga një ligj i vitit 2006 që u zbatua nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, para se të shpallte Kosova pavarësinë. Dy vite kaluan me përpjekje për të bërë amendamente në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, prej 2012 deri në 2014, por rezultatet përfundimtare arritën të miratohen në ligj nga Kuvendi, për shkak të ngërçit gjashtë-mujor politik, pas zgjedhjeve të vitit 2014. Në këtë pikë, Ministria vendosi që ky ligj ka nevojë për rifreskim të mëtejmë, dhe ka formuar kështu një grup tjetër punues për t’i bërë këto amendamente.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KTK), ka patur progres. Ky organ u bë funksional më në fund në vitin 2015, pas më shumë se tre viteve të stagnimit – kryesisht të shkaktuar nga dështimi i Kuvendit të Kosovës për të aprovuar anëtarët e bordit për shkak të “ambiguitetit ligjor”. Tani rreth 20 asete kulturore janë vendosur në listë e mbrojtjes së përhershme, prej rreth 1,500 objekteve të prekshme që janë kandidate potenciale për të qenë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Megjithatë, Shoshi shpreh zhgënjimin e tij edhe me listën e mbrojtjes së përhershme. Pavarëisht faktit se prej statusit të ‘mbrojtjes së përkohshme’ tani kanë kaluar në statusin e ‘mbrojtjes së përhershme’ nga ligji, këto asete marrin shumë pak benefite shtesë, përveç në raste kur ofron Ministria. “Edhe nëse hynë në listë asetet kulturore, çka atëherë?”, pyet Shoshi. “Nuk ndodh asgjë. Nuk marrin as vëmendje e as fonde shtesë”.

Faturat e riparimit

Një hulumtim i CHBV gjeti se rreth 140 ndërtesa janë afër shkatërrimit të tërësishëm dhe një numër i ngjashëm i tyre janë në gjendje shumë të keqe. Duke reaguar ndaj këti pretendimi, Vjollca Aliu nga MKRS tha se institucionet që punojnë nën autoritetin e ministrisë e kanë parë gjendjen e lokacioneve të trashëgimisë kulturore dhe kanë përpiluar plane konkrete për atë se ku duhet të ketë ndërhyrje dhe ku jo.

Për sivjet, buxheti për ndërhyrje do të jetë 200,000 euro. Sipas Aliut kjo shumë nuk është e mjaftueshme. “Ne vazhdimisht përballemi me prioritete mbi prioritete, e për këtë ministria ka mungesë të fondeve”, thotë ajo për K2.0. Por në fund të fundit, thotë Aliu, përgjegjësia për vlerësimin e rasteve ku nevojitet ndërhyrja i mbetet institucioneve të Ministrisë.

Majlinda Hoxha, Vjollca Aliu,KosovoInUnesco

Vjollca Aliu, udhëheqëse e departmanetit për trashëgimi kulturore brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se ky departament përballet me ‘prioritete mbi prioritete’. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Sali Shoshi ndërkaq insiston që ka buxhet, por në mënyrë që t’i shpëtojmë ndërtesat e rrezikuara kemi nevojë “që buxheti të miratohet për nevojat e terenit”. Shoshi beson se fondet shpeshherë prioritizohen për projekte më të mëdha, ndërsa për lokacionet më të rrezikuara ka mungesë të fondeve.

Buxheti për departamentin e Trashëgimië Kulturore brenda Ministrisë do të jetë 5 milion euro për vitin 2017, prej të cilave 3 milion janë për projekte të investimit kapital, si Kalaja e Novo Bërdës, parku i Ulpianës, dhe Kalaja e Prizrenit. Gjithashtu do të ketë më shumë fokus sivjet në një lokacion të ri arkitektural: mbetjet e pallatit residencial dhe statujave në Dresnik, në komunën e Klinës.

Parandalimi i dëmtimeve të qëllimshme

Një tjetër shqetësim i madh është parandalimi i shkatërrimit të qëllimshëm të lokacioneve të trashëgimisë kulturore. “Vitin e kaluar pamë shkatërrime të qëllimshme”, thotë Shoshi për K2.0. “Veprimet e tilla do të ishin parandaluar duke e funksionalizuar një Inspektorat të Trashëgimisë Kulturore”. Ligji për Trashëgimi Kulturore i vitit 2006 kërkoi që të themelohet një institucion i tillë në po atë vit.

Edhe pse 10 vjet më vonë se që është paraparë fillimisht, vendimi ekzekutiv për formimin e tij u nënshkrua vitin e kaluar nga Ministri i Kulturës, Kujtim SHala. Deri më tani, krijimi i tij është vonuar nga Ministria e Financave, që argumenton se nuk ka buxhet për të.

“Është aspekt tekni, por prap se prap shumë i rëndësishëm. Është çështje e buxhetit, dhe jemi duke konsultuar Ministrinë e Financave për t’i shqyrtuar të gjitha mundësitë”, thotë Aliu. Inspektorati pritet që t’i ketë 3 inspektorë, një kryeinspektor dhe një asistent administrativ.

Hajrulla Çeku, nga organizata jo qeveritare e qytetarisë aktive “Ec ma ndryshe”, beson se këtë institucion Kosova ka mundur ta krijojmë me shumë më shumë efikasitet, po të ketë patur më shumë guxim dhe vendosmëri politike nga MKRS. “Si duket ka grupe të fuqishme biznesore që janë të interesuara në shkatërrim dhe ndërtim të hapësirave të reja bizensore”, argumenton Çeku, “por edhe pronarë që duan t’i shkatërrojnë shtëpitë e tyre të vjetra”.

Pa marrë parasysh funksionalitetin e Inspektoratit, ministria është kritikuar se janë treguar të ngadalshëm në reagim, ose se nuk kanë reaguar fare, kur janë shkatërruar ose shembur lokacionet e trashëgimisë kulturore.

Aliu thotë se, ndonëse mund të jetë e vërtetë që ky institucion nuk i publikon reagimet e tij, ajo nuk pajtohet “që nuk ka patur reagim, sepse ne marrim masa në përputhje me institucionet tjera të trashëgimisë kulturore”. Megjithatë, ajo shtoi se do ta konsiderojnë informimin e publikut për opinionet dhe veprimet e tyre sa i përket këtyre çështjeve.

Një masë tjetër për të ndihmuar me ruajtjen e lokacioneve të trashëgimisë kulturore është penalizimi i atyre që i shkatërrojnë me qëllim këto ndërtesa. Sanksionet e parapara në ligjin e vitit 2006 për trashëgimi kulturore dallojnë prej gjobave monetare e deri te burgosja.

Trashëgima kulturore shpirtërore

Një fushë tjetër për të cilën ka mungesë të vëmendjes është trashëgimia kulturore shpirtërore. Gjatë historisë, Kosova ka humbur shumë tradita dhe shprehje orale, por ende ka trashëgimi të shumëllojshme kulturore shpirtërore për t’i ofurar botës, si këngë të vjetra dhe ninulla, zejtari tradicionale, instrumente muzikore, rituale, tregime e anekdota, valle, si dhe këngëtarë më modern si Nexhmije Pagarusha, e poashtu edhe diversitet gjuhësor, evenimente festive, praktika sociale dhe arte të performimit.

Aliu insiston që sivjet trashëgimia shpirtërore është prioritet dhe se një prej projekteve të mëdha të ministrisë do të jetë “regjistrimi dhe dokumentimi i trashëgimisë shpirtërore”. Ajo e përshkruan trashëgiminë shpirtërore si një prej kategorive më të rëndësishme dhe më të ndjeshme, me shumë potencial dhe nevojë të madhe të punës.

’Ka shumë punë për t’u bërë’ është vlerësim që e ndajnë edhe tjerët që punojnë në këtë fushë. Iniciativa e Historisë Gojore (IHG) në Kosovë është projekt i themeluar nga një grup i aktivistëve, hulmtuesve dhe studentëve, dhe ka për synim regjistrimin e historive jetësore që kryqëzojnë historinë kosovare me atë botërore. IHG e informon K2.0 se në kohët e ish-Jugosllavisë, në ditët e para të Universitetit të Prishtinës, Kosova kishte një gjeneratë të akademikëve që po mbledhnin folklor, poezi, tregime folklorike dhe këngë kreshnike, që deri atëherë kishin ekzistuar vetëm në bazë gojore, e që ishin përcjellur gjeneratë pas gjenerate.

Sot kjo traditë e grumbullimit të trashëgimisë gojore vazhdohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga hulumtues të pavarur. Erëmirë Krasniqi nga IHG thotë se aktualisht Universiteti i Prishtinës bënë shumë pak për t’i inkurajuar financiarisht stafin e saj që të merren me hulumtime të trashëgimisë shpirtërore, e madje dhe Instituti Albanologjik është ankuar që buxheti i tyre, që ndahet nga Ministria e Arsimit, është i pamjaftueshëm, e që fatkeqësisht kjo ka rezultuar në një qasje më joshkencore, sa i përket hulumtimeve të tyre.

Përfshirja e komunave

Në luftën për të lënë diçka të bukur për gjeneratat e së ardhmës, përgjegjësi kanë shumë akterë, përfshirë kryesisht qeveritë lokale. Ndonëse disa komuna kanë projektuar plane lokale për trashëgimi kulturore, shumica prej tyre nuk kanë plane të tilla, e as nuk komunikojnë fare me MKRS.

Shoshi argumenton se përfshirja e komunave duhet të jetë plan i afatit të mesëm. Secila prej tyre duhet të ketë plan hapësinor urban, që mund të përfshijë edhe trashëgiminë kulturore, thotë Shoshi: “Duhet të sigurohen që lokacionet e trashëgimisë kulturore jo vetëm të vazhdojnë të ekzistojnë, por që asgjë të mos ndërtohet rreth tyre”.

Majlinda Hoxha, Sali Shoshi, KosovoInUnesco

Sali Shoshi, drejtor i zyrës së Cultural Heritage Without Borders (Trashëgimi Kulturore pa Kufij) në Kosovë, insiston që kultura nuk duhet të jetë barrë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shoshi këshillon që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të përpilojë një plan të përgjithshëm që inkorporon gjithashtu edhe lokacionet kulturore. “Kultura nuk duhet të jetë barrë”, argumenton ai. “Por diçka që sjell turistë, krijon vende pune, dhe zgjidh shumë probleme ekonomike që i kemi”.

Aliu thotë gjithashtu se do ta vlerësonte ndihmën e jashtme, për të lehtësuar peshën mbi buxhetin e departamentit të saj. “Është për të t’ardhur keq, por them se MKRS vazhdon të jetë financieri kryesor i aktiviteteve të Trashëgimisë Kulturore”, shpjegon ajo. Sipas Aliut, vetëm komunat e Vushtrrisë, Gjakovës, Fushë-Kosovës dhe Prizrenit, kanë shfaqur gatishmëri për të marrë pjesë në financimin e pjesshëm të disa aktiviteteve të trashëgimisë kulturore.

Institucione tjera të trashëgimisë kulturore dhe komuna tjera kanë ofruar shumë pak mbështetje financiare për aktivitete të trashëgimisë kulturore, e kështu është rënduar edhe më shumë buxheti i ministrisë, duke bërë që qeveria të mos i arrijë synimet e saja në shumë fusha.

“Nëse kalaja e Prizrenit është prioritet i MKRS, nuk mund të jetë vetëm prioritet për financim”, argumenton Aliu. “Kalaja e Prizrenit gjindet në qytetin e Prizrenit, dhe sigurisht që Komuna duhet t’i ketë disa përgjegjësi sa i përket promovimit e mbrojtjes së saj, si dhe masave tjera që duhet të merren atje”.

Një e ardhme e vetëqëndrueshme

Shoshi argumenton se nëse fqinjët e Kosovës mund të gjenerojnë të ardhura nëpërmjet trashëgimisë kulturore, edhe Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë. “Mund të fillojmë që t’i përdorim [lokacionet e trashëgimisë kulturore] për turizëm, mund të krijojmë interpretime, udhërrëfyes informativ, dhe hapësira të rekreacionit”, sugjeron ai. “Në vend se të shkojmë në Albi, mund t’i çojmë fëmijët tanë në Ulpianë, ku mund të luajnë, ku ka restorane e kafene”.

Plani afatgjatë do të kishte qenë që të bëhen lokacionet e trashëgimisë kulturore në Kosovë të vetëqëndrueshme. “Do të bëheshin pjesë e përditshëmrisë tonë”, thotë Shoshi. “Aktualisht askush nuk blenë kulturë, sepse kultura nuk ka produkte”.

Deri më tani, me përjashtim të lokacioneve të trashëgimisë ortodokse serbe, shumë pak lokacione të trashëgimisë kulturore në Kosovë mund të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të qenë të vetëqëndrueshme. Shoshi thotë se kështu shtrohen disa pyetje: Si ndahet buxheti? Si po performon Ministria? A janë të përgatitura institucionet e saja për të punuar? A ka plan të punës? Dhe a e ka vlerësuar dikush këtë plan? Nëse këtyre pyetjeve mund t’i përgjigjemi me transparencë dhe kompetencë, thotë ai, atëherë në të ardhmën Kosova mund t’i bëjë të gjitha lokacionet e trashëgimisë kulturore të vetëqëndrueshme.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 10 Mar 2017 - 19:50 Alberti Trashegimtari: e vertete qe kemi nje minsitri qe kulturen e udheheqin kryesisht ariktektet. Thuajse kultura e trashegimia jone edhe vetem arkitektura apo vetem shtepite! Njerez kyc ne ato derpatmanet te Trashegimise jane vetem arkitekte. Edhe ligjin kane arritur ta bejne per nevojat e veta pe rme ja ndreq vendin vetit e jo per me e permiresue funksionimin e trashegimise siç e bejne krejta Bota. Por vetem te ne i jipet hapesire OJQ ve edhe aq shume hapesire sa qe shpesh here keto OJQ, e sidomos Trasgemia Kulturore Pakufij (Cultural Heritage without Borders (CHwB)). Kujtojeni skandalin midis kesaj oreganzate dhe Insituti per Planifikim te Hapesires, pastaj shume resaturime te kesaj organizate ne objektet te tarshegimise ne kosove e te cilat jane bere sa per sy e efaqe ose jane shkaterruar (kujtoni Kalane e Prizrenit rrezimin e murit) e plote e plote te tjera... E si merrni deklarata nga nje organizate apo nga nje njeri i cili me shuem i ka bere deme kultures sone se sa pare q ejan eharxhuar ne emer te kessaj trashegmie.....
KOMENTO

KOMENTO