Pikëpamje | Zgjedhjet Lokale 2017

Mësime gjithandej pas zgjedhjeve lokale

Nga - 25.10.2017

Partitë kryesore politike të Kosovës kanë arsye për të reflektuar.

Ndonëse partitë kryesore politike të Kosovës po i festojnë publikisht fitoret dhe sukseset e tyre në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën të dielën, pragmatistët brenda partive menjëherë do të mundohen të nxjerrin mësime prej këtyre rezultateve. Nuk është diçka që ata nxitojnë ta thonë, por realisht rezultatet ishin paksa frenuese për pjesën më të madhe të partive.

Tranzicioni nga realiteti i politikës kosovare, dëshmi për të cilin ishte rritja e pakrahasueshme e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, u dëshmua përsëri me këto rezultate – ndonëse në stilin më pak dramatik kur krahasohet me ngjarjet e verës. Partitë politike janë disiplinuar me delikatesë nga qytetarët, të cilët u përçuan mesazhin se duhet t’i harrojnë zonat e rehatisë dhe t’i trajtojnë problemet ekzistenciale të qytetarëve.

Rezultatet fillestare e kanë rikonfirmuar sidomos thyerjen e dominimit politik të LDK-së dhe PDK-së – pavarësisht sistemit shumëpartiak të Kosovës, këto dy parti kanë qeverisur me pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare në 18 vitet nga përfundimi i luftës. Përjashtime të dalluara bënë disa prej komunave të Dukagjinit të cilat ishin drejtuar nga AAK-ja, fitoret e AKR-së në Mitrovicë dhe Gjakovë në vitin 2013, dhe fitorja e Shpend Ahmetit të Lëvizjes Vetëvendosje si kryetar i kryeqytetit të Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale.

Zgjedhjet e së dielës sollën përsëri ndryshime në pushtet. Lëvizja Vetëvendosje në veçanti ka arritur shumë në nivelin lokal, duke e dyfishuar numrin e votave krahasuar me vitin 2013 dhe dhe duke arritur shtrirje më të përhapur votuesish të saj në mbarë vendin. LVV-ja do të hyjë në balotazhin e 19 nëntorit kundër LDK-së dhe PDK-së në gjashtë komuna, duke përfshirë këtu qytetet e mëdha si Prizreni, Gjilani, dhe Prishtina edhe kësaj radhe; në zgjedhjet e kaluara, fitorja e Ahmetit në balotazh në Prishtinë ishte paraqitja e vetme e LVV-së në raundin e dytë. Ndonëse asnjërën prej këtyre komunave nuk e kanë të garantuar, harta e ndarjes së pushtetit nëpër komuna të ndryshme mund të ketë edhe më shumë llojllojshmëri ngjyrash pas një muaji.

Partia e cila me gjasë ka më së shumti arsye për të festuar është LDK-ja, e cila fitoi më së shumti vota në vend.

Por ndonëse rezultatet për LVV-në janë mbresëlënëse kur i krahasojme me ato të para katër viteve, shumëkush brenda partisë do të jetë i zhgënjyer për faktin se arritjet në nivelin lokal nuk krahasohen me ato të qershorit, pasi LVV-ja dështoi të kalonte në balotazh në Ferizaj dhe Mitrovicë (qytete në të cilat e fitoi votën popullore në zgjedhjet e kaluara nacionale) apo në Gjakovë (ku në qershor doli e dyta pas koalicionit PDK-AAK-Nisma). Ahmeti shpresonte ta fitonte Prishtinën në raund të parë, e fakti se tashmë është nisur drejt balotazhit do t’i shkaktojë kokëçarje në javët në vijim.

PDK-ja është goditur disa herë, por nuk është rrëzuar. Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2013, PDK-ja me sa duket e ka humbur ndikimin që e kishte në rajonin e Anamoravës (Gjilan, Kamenicë dhe Viti), meqë LVV-ja do ta zëvendësojë atë në balotazh kundër LDK-së në Gjilan dhe Kamenicë, ndërsa në Viti fitoi në raund të parë kandidati i LDK-së. Në anën tjetër, PDK-ja do të garojë në balotazh në Ferizaj dhe Mitrovicë, me avantazh në të dy komunat nga raundi i parë kundër kryetarëve aktualë nga radhët e LDK-së, përkatësisht AKR-së.

Fitoren në raund të parë në bastionin e saj në Drenas e siguroi ashtu siç u prit, por dështoi ta siguronte 50-përqindëshin e votës në ndonjë komunë tjetër, dhe kështu shkoi në balotazh në Shtime, Skenderaj dhe Kaçanik – të gjitha këto komuna i fitoi në raund të parë në vitin 2013. Për më tepër, kësaj radhe ka rënë edhe numri i komunave në të cilat PDK-ja është përfshirë në balotazh, meqë në nëntor, kur edhe do të zhvillohet balotazhi, do të garojë në nëntë komuna, ndërsa në vitin 2013 në balotazh garoi në 11 komuna.

Partia e cila me gjasë ka më së shumti arsye për të festuar është LDK-ja, e cila mori më së shumti vota në nivel vendi. Kapjen e madhe të Pejës ia shtoi fitoreve që i shënoi edhe në vitin 2013 në raund të parë, duke fituar kështu gjithsej katër komuna. Megjithatë, edhe LDK-ja u dëmtua. Dëmtimi më i madh padyshim ishte dështimi për të shkuar në balotazh në Prizren. Gjithashtu, kjo parti sivjet do të garojë në balotazh në 10 komuna, ndërsa në vitin 2013 garoi në 13 komuna.

S’ka më zona të rehatisë

Votimi i së dielës gjithandej u ka shkaktuar kokëçarje partive në krejt spektrit politik, e kjo mund të ndikojë në përmirësimin ie demokracisë në disa fronte.

Fillimisht, pas zgjedhjeve të qershorit, zgjedhjet lokale të këtij muaji edhe njëherë kanë dëshmuar se zonat e rehatisë për partitë politike të cilat mbështeten në bastione tradicionale tani po shuhen – ata do të duhet të fillojnë të punojnë për të gjitha votat. Pak kohë më parë do të ishte vështirë të përfytyrohej një balotazh në Istog apo Podujevë, meqë të dy këto komuna ishin bastione të LDK-së, por edhe njëra edhe tjetra tani po shkojnë në raundin e dytë, me kandidatët përkatës të AAK-së dhe LVV-së për kundërshtarë.

Kjo nuk do të thotë se bastionet janë shuar krejtësisht – për shembull, në qytete më të vogla ende ka përqëndrime të mëdha të pushtetit. Deçani dhe Juniku vazhdojnë të mbeten bastione të AAK-së, Drenasi ka qenë i PDK-së prej fundit të luftës dhe nuk duket se po ndryshon diçka atje, e njëlloj po ndodh edhe me dominimin e LDK-së në Fushë Kosovë.

Por nëse e shohim në një aspekt më të përgjithësuar, partitë nuk mund të mbështeten më në modelet tradicionale të votimit. Të gjitha partitë politike duhet të mësohen të mos i llogarisin votuesit si prona të veta. Këto rezultate duhet të kontribuojnë në përqëndrimin e përpjekjeve të partive politike në secilin qosh të vendit, t’i nxisin partitë të punojnë më afër me elektoratin, meqë u pa se preferencat e votuesve mund të ndryshojnë, madje edhe brenda disa muajve. Një mësim i tillë iu përçua të gjitha partive politike pa përjashtim.

Disa politikanë kanë filluar të kuptojnë se mbështetja në rezultatet e kaluara, qofshin ato para pak muajve, është pritje e gabuar, dhe se nuk kanë llogari të qëndrojnë statik.

Ndryshimin e votave nga qershori e ndjeu veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, e cila e pësoi një lloj tërmeti në këtë aspekt. Për pesë muaj, LVV-ja ra nga 200,000 vota në zgjedhjet e përgjithshme në 130,000 vota në zgjedhjet lokale.

Ndonëse i dyfishuan votuesit prej zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ky hap prapa i ka befasuar shumë njerëz, duke përfshirë këtu edhe vetë themeluesin e Lëvizjes, Albin Kurtin, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook të hënën aludoi për nevojën për “vetëkritikë” brenda Vetëvendosjes pas rezultateve.

Kjo është shenjë që tregon se disa politikanë kanë filluar të kuptojnë se mbështetja në rezultatet e kaluara, qofshin ato edhe para pak muajsh, është pritje e gabuar, dhe se nuk kanë llogari të qëndrojnë statikë.

Ndonëse ky ndryshim drastik në vota u theksua shumë, të tjerët thonë se krahasimi i zgjedhjeve parlamentare me ato lokale të jep idenë e gabuar, pasi ka votues të ndryshëm me modele të ndryshme votimi. Një pretendim i tillë nuk mund të hidhet poshtë.

Çështjet e mëdha politike nëpërmjet të cilave LVV-ja fitoi më shumë se 200,000 vota nuk janë domosdoshmërisht të njëjta me ato për të cilat kanë votuar qytetarët në nivelin lokal të qeverisjes, ku ka çështje të tjera në lojë. Politika lokale kërkon lidhje me njerëz në lagje, nuk mjafton mbështetja e madhe në një mesazh qendror. Pikërisht këtë duhet ta mësojë Lëvizja Vetëvendosje – e cila ka struktura më pak të zhvilluara lokale sesa kundërshtarët e saj kryesorë – por edhe të gjitha partitë e tjera: Besnikëria e verbër ndaj partive të caktuara nuk është e garantuar .

Megjithatë, nuk duhet të nënçmohen dhe të nënvlerësohen krejtësisht as sjelljet e partisë qendrore dhe mesazhi i saj; modelet e përgjithshme të arritjeve të partive, në krahasim me ato të para katër viteve, i pasqyrojnë gjerësisht arritjet e tyre në qershor – votat e LVV-së u rritën shumë, ndërsa ato të PDK-së u tkurrën.

Përjashtim këtu është LDK-ja, e cila u godit në zgjedhjet nacionale, por e ruajti gjerësisht mbështetjen lokale që e kishte para katër viteve. Si shpjegohet kjo performancë e LDK-së, e cila e rriti edhe numrin e votuesve nga zgjedhjet e qershorit?

Vështirë është të theksohet një arsye. Megjithatë, rëndësia që i japin votuesit kosovarë përputhshmërisë ndërmjet fjalëve dhe veprimeve është me gjasë faktor kyç; votuesit mendohet se e dënuan LDK-në në qershor sepse ajo nuk e mbajti fjalën dhe iu bashkua koalicionit me PDK-në në vitin 2014. LDK-ja me sa duket ka nxjerrë mësim nga kjo, dhe kësisoji e ka mbajtur fjalën duke mos iu bashkuar ndonjë koalicionit me PDK-në në negociatat pas zgjedhjeve të verës që lamë pas.

Secila parti po mundohet t’i portretizojë rezultatet si fitore, por në realitet, secila parti duhet të bëjë vlerësime serioze – nëse i marrin si të nënkuptuara votat e qytetarëve, e rrezikojnë veten.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.