Blogbox | Viza

Letër nga një person miqësor dhe ‘i papranueshëm’

Nga - 04.10.2016

Aktivistja e të drejtave të njeriut përshkruan përvojën e anulimit të vizës Shengen.

Në mbrëmjen e 5 shtatorit, plani ishte që të pranohesha në një hotel në Bruksel, të pija ndonjë birrë e të përgatitesha për takimet e ditës së nesërme me Tanja Fajon, Ulrike Lunacek dhe zyrtarë tjerë të lartë të Bashkimit Evropian. Në vend të kësaj, më shumë se 10 orë pasi aterova në Vienë për të zënë aeroplanin tjetër për Bruksel u shoqërova nga policia në një aeroplan që më kthente në Prishtinë.

Si drejtoreshë e përkohshme e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Kosovë, isha ftuar nga Civil Rights Defenders bashkë me përfaqësues të tri OJQ-ve tjera lokale, për një vizitë studimi/lobimi në selinë e BE-së në Bruksel. Organizata jonë është e përkushtuar në procesin e trajtimit të së kaluarës, fuqizimit të sundimit të ligjit dhe rolit të rinisë në Kosovë, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut; këto takime të nivelit të lartë kishin për të qenë shumë të rëndësishme si pjesë e përpjekjeve për t’i adresuar problemet me të cilat përballen të rinjtë në Kosovë.

majlinda-hoxha-k2-0-teuta-hoxha-letter-from-a-friendly-inadmissible-person

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Një prej temave që ne kishim zgjedhur për t’i diskutuar në Bruksel ishte liria e lëvizjes dhe arsimit. Atëherë ishte ironike që udhëtimi im, gjatë së cilit kisha planifikuar që të marr pjesë në këto diskutime, papritmas u ndërpre. Pavarësisht faktit se u ftova nga institucionet e lartpërmendura, ajo që ndodhi më pas e konfirmoi besimin tim se sjelljet e mira dhe trajtimi i drejtë ndonjëherë nuk janë të rezervuara për të gjithë, pavarësisht supozimit të zakonshëm.

Gjithçka po shkonte mirë deri kur ateruam në Vienë. Aty më ndalën te seksioni i imigrimit dhe më thanë se kishte problem. Ata më informuan se problemi ishte te viza ime Shengen, që ishte vetëm për një hyrje, dhe ishte dhënë nga Ambasada Suedeze në Shkup. Sipas një listës së Pyetjeve që Shtrohen Shpesh, e publikuar në uebfaqen e Komisionit Evropian, udhëtimi në një shtet shengen me vizë të dhënë nga një shtet tjetër nuk duhet të jetë problem: “Si rregull i përgjithshëm, mund ta kaloni çfarëdo kufiri Shengen me [një] vizë të dhënë nga cilido shtet Shengen”. Pastaj në një paralajmërim shkruan: “Viza e qëndrimit të shkurtër nuk ju jep automatikisht të drejtë që të hyni në zonën Shengen”, dhe më pas jep shembuj të dëshmive ekstra që mund të kërkohen prej personit para hyrjes – e mua nuk më kërkuan asnjë dëshmi të tillë.

Hulumtimet më pas kanë aluduar se kjo është një fushë ligjore e definuar dobët, dhe si duket interpretime të ndryshme të rregullave të vizës Shengen aplikohen në kufij të ndryshëm. Autoritetet austriake zgjodhën që të ma marrin pasaportën, dhe të ma përfundojnë udhëtimin tim për në Bruksel duke ma anuluar vizën.

Pas anulimit, u shoqërova nga policia për ‘procedura të mëtejme’, por shpjegimi i tyre ishte si i mjegullt; e vetmja informatë nga ana e tyre ishte që më duhej të prisja që ‘procedurat’ të përfundojnë, por së shpejti u bë e qartë që policët vet nuk ishin të sigurt se çfarë duhet të bëjnë.

E ja ku isha, një aktiviste e të drejtave të njeriut nga Kosova, duke u përpjekur që ta mbrojë të drejtën time për informata mbi vendndodhjen e dokumenteve të mija të udhëtimit, në një shtet të Bashkimit Evropian.

Gjithmonë i kam urryer aeroportet, por ky për një kohë të gjatë u shndërrua në një vendpushim për mua – përveç se nuk mund të pushoja; nuk kisha ide se ku e kam pasaportën, e as valixhet. Duke mos ditur se çfarë të bëja, vendosa që të ankohem në departamentin ligjor të aeroportit. Doja që ta gjeja pasaportën time, pasaportën time të Kosovës, në Austri. Rrallëherë shihet si dokument me shumë vlerë, por në atë situatë ishte sendi më i vlershëm në botë për mua, dhe doja vetëm që të kthehesha në Kosovë sa më shpejtë që ishte e mundur.

Por edhe kur i pyeta policët se ku gjindej departamenti ligjor, askush, asnjë polic, me plot kuptimin e fjalës, nuk mund të më tregonte se ku ishte, ose nëse ekzistonte një i tillë. Duke kërkuar këto informata, vendosa që të shkojë te seksioni i kontrollimit të pasaportave për të kërkuar ndihmë, e aty u prita me reagim shpërfillës nga kontrolluesit e pasaportave, të cilët nuk treguan fare interesim për shqetësimet e mia. Si me tri përpjekjet tjera që i bëra për të marrë informata për atë se çfarë po ndodhte, më thanë se më duhej që të prisja deri sa të përfundonin ‘procedurat’. E ja ku isha, një aktiviste e të drejtave të njeriut nga Kosova, duke u përpjekur që ta mbrojë të drejtën time për informata mbi vendndodhjen e dokumenteve të mija të udhëtimit, në një shtet të Bashkimit Evropian.

Procesi i pritjes për shkak të procedurave burokratike zgjati jo më pak se 10 (dhjetë!) orë. 10 orë prita që autoritetet austriake ta mbushin një formular dy faqe për udhëtimin tim kthyes për në Kosovë, e gjatë tërë kohës nuk e kisha pasaportën time, e ashtu kështu edhe viza më ishte anuluar.

Në fund, policët erdhën e më shoqëruan deri në aeroplan, ku isha e para që hyra dhe e fundit që dola. Edhe në këtë fazë nuk i morra dokumentet e mija; ato iu dhanë stjuardesës, dhe kur erdha në Prishtinë, një punëtorit të aviacionit që po më priste. Pas shoqërimit përfundimtar nga policia dhe kontrollit të pasaportës, më në fund ma kthyen pasaportën dhe për herë të parë arrita që ta lexojë dokumentin zyrtar të lëshuar nga autoritetet austriake.

imigration-police_th

Ky dokument, i titulluar “Dokument dëshmues i lidhur me dokumente të humbura ose të shkatërruara të udhëtimit”, më shpalli si “Person të Papranueshëm”, pa informata të mëtejme, vetëm me një tik të thjeshtë në një kuti afër fjalëve “nuk ka vizë”. Sipas kuptimit tim të këti procesi të gjatë e të ndërlikuar, Kodit të Komunitetit të Bashkimit Evropian për Viza, unë është dashur që të pranoj një dokument të shkruar në të cilin sqarohet në mënyrë më precize arsyeja për anulimin e vizës sime, por nuk pranova një të tillë.

Ende nuk e di se a kishin të drejtë teknikisht autoritetet austriake që të më kthenin; ende nuk kam pranuar ndonjë shpjegim formal. Megjithatë, për mendimin tim, trajtimi i situatës nga ana e tyre ishte i pafalshëm, meqë e gjithë ajo përvojë, prej fillimit deri në fund, më bëri që të ndihem si kriminele. Për mendimin tim, nuk ka justifikim për ta mbajtur një person për më shumë se 10 orë pa informata ose pa i përfshirë në proces.

Pavarësisht përvojës sime, jam e vetëdijshme që jam mjaft me fat që kam përvojë me udhëtime, para dhe aftësi për të folur në gjuhë angleze; privilegje që shumë qytetarë të Kosovës nuk i kanë.

Tregimi im nuk duhet të trajtohet si rast individual, por si një prej shumë shembujve të izolimit që shkaktohet nga regjimi i vizave me të cilin qytetarët e Kosovës janë përballur për më shumë se tetë vite, prej pavarësisë së Kosovës. Këto masa, dhe ky izolim, krijojnë përshtypjen që të rinjtë e këti vendi janë “të dëbuarit e Evropës”, e jo pjesë e saj, dhe e botës.

Vazhdoj të besoj se liria e lëvizjes është e drejtë njerëzore, dhe se duhet të trajtohet si e tillë e të aplikohet në mënyrë të barabartë për të rinjtë e Kosovës. Ironike është që kjo ishte një prej temave për të cilat deshëm të flasim në Bruksel, para se të më shkurtohej udhëtimi para kohe.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO