Shtyp | Korrupsioni

Fjala e kryeredaktores

Nga - 09.12.2011

Shpjegim mbi konceptin e numrit për korrupsionin.

Nja një javë para përmbylljes së këtij numri, pranova ofertën e një mikeshe, studente e drejtësisë, për të vizituar disa dyqane fotokopjesh pranë fakultetit të saj. Me sugjerimin e saj, bleva disa gjëra: një përmbledhje të pyetjeve të lëndës “E drejta penale” (1 euro), një skript të lëndës “E drejta administrative” (70 centë) dhe një test të lëndës “E drejta kushtetuese” (30 centë). Më pas, ia dola të shndërroja testin 30-centësh në letra tejet të vogla, me madhësi edhe më të vogël të shkronjave, të cilat u mundësojnë studentëve që t’i përdorin ato për të kopjuar dhe për ta kaluar provimin pa u vënë re.

Kjo që studentët e Universitetit të Prishtinës zgjedhin të përgatiten për provime nëpërmjet skripteve të shkurtra apo përmbledhjeve, në vend se të lexojnë librat e mësimit, tregon përtaci. Dhe kjo që bizneset private, që shihen si mjete për mirëqenie ekonomike dhe sociale, mbeten të pakontrolluara për praktikat e tyre të dyshimta, është diçka më problematike: korrupsion (shiko “Premtimi i rremë i privatizimit”, faqe 61).

Bërja e kopjeve për arritje akademike flet për një pengesë më të madhe me të cilën po ballafaqohet ky vend: Është krijuar një sistem ku mbijetesa varet nga një praktikë e kopjimit dhe e korrupsionit, ku të gjithë shikojnë çdo mundësi për të çarë udhë. Arsimi është vetëm një pjesë e tij, por ofron një pikë interesante hyrëse në zbulimin e shtrirjes së ndërvarësisë në mesin e nepotizmit, dhe përvetësimeve financiare dhe politike.

Përderisa korrupsioni në të gjitha format e tij është fenomen mbarëbotëror, ajo që duket të jetë bërë e veçantë në Kosovë është një mbështetje e idesë se asgjë nuk mund të arrihet pa pasur lidhje.

Sikur në nëntor, Prokuroria Publike Komunale në qytetin e Pejës dëshmoi përtej dyshimit të bazuar se tetë zyrtarë të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit dhe 37 ish-studentë kishin falsifikuar dokumente zyrtare, kishin marrë ryshfet, kishin regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe kishin diplomuar qindra studentë, kishin falsifikuar diploma dhe kishin kryer shumë krime të tjera. Si rezultat i kësaj, mediat kanë raportuar se buxheti shtetëror i Kosovës është “dëmtuar” për gati 1 milion euro. Por, ajo që ky raportim dhe gjuha e të raportuarit të korrupsionit lënë të pazbuluar është se buxheti i Kosovës janë paratë e qytetarëve të saj, dhe kur “buxheti dëmtohet”, në të vërtetë ne dëmtohemi. Qenësisht, taksat që ne i paguajmë po keqpërdoren.

Në Kosovë, meritokracia ka pushuar, apo, më mirë të themi, nuk ekziston. Përderisa korrupsioni në të gjitha format e tij është fenomen mbarëbotëror, ajo që duket të jetë bërë e veçantë në Kosovë është një mbështetje e idesë se asgjë nuk mund të arrihet pa pasur lidhje. Si e tillë, nisma humbet që në fillim. Studentët ngujohen, teksa partitë politike luftojnë për të shtrirë dhe për të siguruar kontrollin në pozitat vendimmarrëse, nga strukturat e ulëta e deri ato të larta edukativo-arsimore. Ndërkohë, Kosova po krijon një bazë të rinjsh me një cilësi të dobët të njohurive arsimore dhe pjesëmarrje të dobët qytetare, e paaftë për t’u përballur me sfidat që ndodhen përpara.

Ne kemi vendosur t’ia kushtojmë korrupsionit shumicën e numrit tonë të dytë, për shkak se përhapja e tij në diskursin tonë të përditshëm publik e ka hequr përgjegjësinë dhe llogaridhënien dhe i ka çrregulluar rolet tona si qytetarë. Një shembull i mirë i këtij çrregullimi më është treguar në Prishtinë në një prezantim të mekanizmave të mediave sociale që luftojnë korrupsionin, përfshirë Bribespot.com (shiko “Mekanizmat e drejtuar nga përdoruesit çojnë në internet luftën kundër korrupsionit”, faqe 50), i cili u mundëson përdoruesve të paraqesin raporte të korrupsionit të vërejtur në vende të caktuara, duke bërë kështu një hartë të korrupsionit. Një i ri në të njëzetat hodhi dyshime mbi efikasitetin e mekanizmave të tillë për të monitoruar korrupsionin, duke thënë se në Kosovë kjo do të paraqiste një udhërrëfyes për atë se ku duhet të shkohet për të kryer punë “shpejt”.

Rritja e numrit të shkrimeve për korrupsionin, të publikuara çdo vit, vlerësohet si rritje e vetëdijesimit publik; donacionet ndërkombëtare në dispozicion për projektet për monitorim të korrupsionit nga shoqëria civile ngatërrohen si nisma të vërteta rrënjësore; politikanët që japin deklarata formale për një qasje të vërtetë dhe të fuqishme për eliminim të korrupsionit bëjnë lajme, përderisa vetë ata rrallëherë përballen me pasoja të vërteta për gabimet e tyre; organizatat mbikëqyrëse ndërkombëtare theksojnë se si korrupsioni është bërë një pengesë e madhe ndaj përpjekjeve të Kosovës për integrim euroatlantik, por zgjedhin se kur duhet të heshtin, e kur të qortojnë.

Në këtë numër ne mundohemi të bashkojmë copëzat e mozaikut, tregimet dhe përvojat nga këndet e ndryshme të botës, përderisa në të njëjtën kohë përpiqemi të theksojmë ndërlidhjet, – ndërmjet industrisë së drogës të Indisë dhe praktikave farmaceutike të Kosovës, zonës së luftës në Afganistan dhe intervenimeve në veri të Kosovës, rritjes së vetëdijesimit në Bullgari dhe tregimit të Robin Hoodit ballkanik nga Mali i Zi, – dhe të lokalizojmë drejtësinë dhe angazhimin të qytetarëve (shiko temën tonë kryesore, “Nuk kemi kë të fajësojmë, kur të gjithë kanë faj”, faqe 34).

Në lidhje me arsimin, universitetet private, ashtu sikurse edhe shumë universitete private në Kosovë, gjerësisht vlerësohen se janë bërë makina që po vonojnë ilaçin ndaj papunësisë. Me rreth 9 000 studentë të pranuar çdo vit vetëm në Universitetin e Prishtinës, të rinjtë vijnë me mungesë motivi dhe vetëm për të marrë një diplomë, duke përgatitur Kosovën për krijimin e një gjenerate të arsimuar, por të papërgatitur për tregun aktual (thuajse të paqenë) të punës. Në nëntor, gazeta e përditshme prishtinase “Koha Ditore” ka raportuar se Universiteti i Prishtinës ka paguar 1.5 milionë euro në paga vetëm për tetor, nga buxheti i përgjithshëm prej 15.6 milionë eurosh.

Udhëheqja e lartë (rektorët, dekanët, etj.) kanë marrë shuma prej 2 000 deri në gati 7 000 euro për aktivitetet e tyre “shtesë” në universitet, si pjesëmarrja në programe të doktoratave dhe grupe punuese.

Në sektorët publikë dhe privatë, duket se korrupsioni është bërë normë e jo përjashtim. S’është për çudi që studentët po i marrin diplomat me fotokopje.

Ilustrimi nga Driton Selmani.