Shtyp | Religjioni

Fjala e kryeredaktores

Nga - 21.05.2012

Shpjehim mbi temën e besimit në 150 faqet e këtij numri të revistës.

Unë nuk jam rritur në një familje fetare. Feja më asocion me kujtimet fëmijërore të kremtimit të festës së Bajramit – bakllavat dhe vizitat bashkë me babanë te të afërmit, herët në mëngjes. Për drekë, ktheheshim në shtëpi për të shijuar disa prej ushqimeve dhe pijeve më të mira që shërbeheshin në sofrën tonë atë ditë.

Sot, në Kosovë, kurdo që flasim mes miqsh për Bajramin, na vjen ndërmend familja dhe ushqimi. Përvoja jonë nuk kishte të bënte domosdo me fenë, ndonëse ishte një zakon i rrënjosur në fe. Për më tepër, kjo mund të jetë e saktë vetëm për një grup të veçantë, sepse për të tjerët ngjall kujtime dhe ndjenja të tjera. Porse feja ka kaluar në sferën publike, na dëshmon forca e re e saj për të formuar dhe për të sfiduar idetë mbi rolin e fesë në shoqërinë, kulturën, etikën, moralin, gjininë, politikën dhe identitetin tonë.

Nëpërmjet këtij numri të revistës ne nuk mëtojmë të ofrojmë zbërthim të pohimeve dhe të mendimeve fetare. Ajo që ne sjellim me këtë numër është një koleksion artikujsh dhe tregimesh që pasqyrojnë përvojat dhe ndodhitë që formojnë sistemet e besimit, por njëkohësisht edhe shqyrtojnë kompleksitetin e jetëve politike, ekonomike dhe sociale që më nuk mund ta mohojnë ndikimin e fesë ndaj tyre. Duke shqyrtuar se sa është feja e pranishme dhe se si funksionon ajo në sferën publike dhe private, se si bashkëvepron apo ndeshet ajo me shtetin, se si propagandohet, dhe se si komunikon me mediet, ne zbulojmë se si feja vazhdon t’u japë karakter identiteteve të njerëzve, veçanërisht në politikë. Andaj, nuk bëhet fjalë për zhdukjen graduale të fesë nga bota moderne, por për transformimin e vazhdueshëm të saj.

Teksa nisëm hartimin e këtij numri, ne zbuluam se mbizotërimi i fesë ka të bëjë me nivelin e pjesëmarrjes – qoftë në shërbimet dhe në institucionet shtetërore, në jetën shoqërore, qoftë në procesin e krijimit të resurseve ekonomike. Sot, më shumë se kurrë më parë, teksa politikat e identitetit dhe të shteteve-komb po dështojnë ta bëjnë individin burim primar të identitetit, komunitetet alternative po ngrihen nëpërmjet formave të reja të besimeve dhe të paraqitjeve fetare. Talal Asad, i cili ka dhënë mendime të shquara në lidhje me dështimet dhe arritjet e laicizmit, në librin e tij “Formacionet e laicizmit” argumenton se njerëzit po ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar, dhe janë në kërkim të një dimensioni moral karshi laicizmit. Andaj, ata bazohen në referencat e identitetit të tyre fetar për të ndryshuar agjendat aktuale politike dhe sociale, çfarëdo qofshin ato.

Përfundimi i këtij numri të revistës sonë është se feja nuk po zhduket – qoftë ajo pika hyrëse në marrëdhëniet sociale, qoftë vetë fajtorja që na distancon nga ajo, qoftë arsyeja për represion apo barazi, apo qoftë mënyra për ngjallje të kujtimeve, njerëzit kudo në botë kanë histori të lidhura me të për t’u treguar të tjerëve, dhe ata po përdorin mjete dhe instrumente nga më të ndryshmet për t’iu dëgjuar zëri.

Kemi zbuluar se eksperiencat e tilla shërbejnë ose si faktorë polarizues, ose detyrues, pasi reagimet kanë qenë të ndryshme, varësisht nga vendndodhja e tyre. Shkrimi kryesor i këtij numri, “Allishverishe në emër të Allahut” (faqe 38) nga Enver Robelli, shqyrton efektet e tilla në vendet ballkanike në reformim e sipër ekonomikisht, pas komunizmit dhe pas luftërave. Ai paraqet fenë në udhëkryq midis pikëpamjeve ekstremiste dhe të moderuara, ku shumë vjet pas të praktikuarit të islamit si “vlerë kulturore”, teksa Qeveria e Bosnjës e Hercegovinës dhe ajo e Kosovës nuk po arrijnë të tejkalojnë vështirësitë ekonomike dhe të mundësojnë projekte politike në një botë postsocialiste dhe postsulmeve të 11 shtatorit, feja po ringjallet nëpërmjet afirmimeve të politikave të fesë në sferën publike. Por, ai bën një apel shumë të rëndësishëm për një kler mysliman shqiptar që mund të shërbejë si një shembull i tolerancës ndërfetare, brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Në Zvicër kjo mund të jetë realitet. Në një vend që dikur ka shërbyer si burim ekonomik për imigrantët shqiptarë nga Kosova dhe si burim i vazhdueshëm remitencash për ekonominë e Kosovës, një grup imamësh shqiptarë kanë bashkuar forcat nëpërmjet një platforme të moderuar myslimane. Unioni i Imamëve Shqiptarë, i përbërë nga shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, mëton të luftojë ekstremizmin dhe fundamentalizmin nëpërmjet forcimit të rolit të saj në shoqëri; mjeti të cilin ata e kanë zgjedhur për të arritur këtë qëllim janë mbajtja e orëve të mësimit të gjuhëve, kulturës dhe politikës (“Në Zvicër, myslimanët e moderuar këmbëngulin të dëgjohen”, faqe 78).

Zëri i tyre, megjithatë, mezi po dëgjohet aktualisht, gjë që ndodh zakonisht kur shfaqen platforma alternative në reagim ndaj ndjenjave të forta ekzistuese konservatore. Unioni i Imamëve Shqiptarë është krijuar pjesërisht si reagim dhe kundëriniciativë ndaj Këshillit Qendror Islamik të Zvicrës (IZRS), i cili beson dhe propagandon një formë më radikale të islamit. Nga ana tjetër, IZRS-ja e sheh vetë krijimin e tij si reagim ndaj retorikës së shpeshtë të ekstremit të djathtë evropian rreth islamofobisë, teksa simbolet e krishterimit po kthehen në politikë dhe teksa retorika e ekstremit të djathtë po bën thirrje për një platformë kulturore, sociale dhe morale që përjashton ata që nuk janë si ta (“Krishterët konceptualë europianë”, faqe 92).

Është veprim i gabuar të caktosh një pikë fillimi dhe fundi, siç bëjnë mediet e mëdha, sepse e lë jashtë historinë komplekse të praktikës dhe të institucioneve fetare. Megjithatë, shembujt e mësipërm në këtë numër dëshmojnë ndjeshmërinë dhe brishtësinë e gjuhës dhe komunikimit. Dhe, kur përdoret për të përcaktuar dhe dalluar midis “neve” dhe “atyre”, “së mirës” dhe “së keqes”, “së drejtës” dhe “së gabuarës”, feja jo vetëm që bëhet mjet i manipulimit, por edhe burim i gjithanshëm i konfliktit.

Kjo është diçka që ne e kemi vërejtur vetë në këtë rajon. Në luftërat që kanë karakterizuar ish-Jugosllavinë gjatë viteve të 90-ta, feja është përdorur, ndër të tjera, për të përcaktuar dhe siguruar mbështetje, por edhe për të vënë kufij ndërmjet grupeve etnike. Fotografi Andrew Testa fajëson edhe gazetarët njëlloj, teksa duke i dalluar vetëm boshnjakët nëpërmjet fesë së tyre si “myslimanë të Bosnjës”, ata bënë që të forcohet bindja se “bashkërrjedhja e katolicizmit, islamit dhe ortodoksisë duhet të jetë burimi i të gjitha konflikteve” (“Çështje e besimit”, faqe 62).

Shembujt nga ky rajon nuk janë të vetmit; ka shembuj edhe nga vendet e tjera. Në “Kryqëzimi fetar i Azisë Qendrore”, (faqe 105) Grif Peterson flet për një trajektore të ndryshme postkomuniste, teksa Qeveria në Kazakistan, ajo në Kirgizi, Taxhikistan, Turkmeni dhe Uzbekistan po i përdorin ligjet për t’i penguar grupet fetare në përpjekjet e tyre për bashkëpunim. Ndërkohë, në “Mësimet e vështira të Bahasë” (faqe 96), Jenna Hand shkruan se si represioni i Qeverisë së Iranit ndaj minoritetit më të madh në vend është shtrirë deri te shkollimi, me përpjekjet për t’ia mohuar këtij komuniteti të drejtën e tij për arsimim. Kufizimi i mundësive edukative-arsimore nuk është i rastësishëm, dhe jemi të mirinformuar për atë që ka bërë regjimi serb gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, pasi ai jo vetëm që kufizon pjesëmarrjen në hapësirën publike, por edhe e zvogëlon hapësirën e njerëzve për të kundërshtuar pabarazinë ndaj tyre.

Kjo është arsyeja se pse jemi habitur kur kemi dëgjuar se një iniciativë e re e autoriteteve fetare në Turqi po punon për bërjen e 3.100 xhamive të Stambollit më të përshtatshme për femrat besimtare, ngaqë kjo tregon se si po krijohen hapësira të reja nëpërmjet kërkesës publike (“Jam femër, edhe unë falem”, faqe 52). Kemi përfshirë histori të tjera të ngjashme, siç është eseja personale e Robin Holmesit për largimin e tij nga familja dhe komuniteti si një dëshmitar i Jehovait në “Zgjedhja e besimit tim” (faqe 88). Shpërthimi i tij ka ndodhur kur ai ka nisur të vërë në dyshim literaturën e madhe fetare në bibliotekën e familjes së tij. Portretizimi që i kemi bërë Albin Kllokoqit, i cili interpreton krishterimin nëpërmjet muzikës rok, dhe Yll Rugovës, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka krijuar komunitetin e parë të organizuar të ateistëve dhe agnosticistëve të Kosovës, dhe recensionet tona të librave dhe filmave, tregojnë dimensionet e reja kulturore të fesë nëpërmjet literaturës, artit dhe rrjeteve sociale ( faqet 110, 112 dhe 127).

Përfundimi i këtij numri të revistës sonë është se feja nuk po zhduket – qoftë ajo pika hyrëse në marrëdhëniet sociale, qoftë vetë fajtorja që na distancon nga ajo, qoftë arsyeja për represion apo barazi, apo qoftë mënyra për ngjallje të kujtimeve, njerëzit kudo në botë kanë histori të lidhura me të për t’u treguar të tjerëve, dhe ata po përdorin mjete dhe instrumente nga më të ndryshmet për t’iu dëgjuar zëri.

Ballina e këtij numri të revistës sonë paraqet një koleksion produktesh të blera në dyqane të ndryshme pranë xhamive dhe kishave në Kosovë, që na kanë intriguar dhe joshur me rëndësinë e tyre komerciale, morale dhe politike – parfumet “D&G” dhe “Armani”, të prodhuara në Arabinë Saudite, parfumin pa alkool “Secret Man” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, byzylykun që përmban disa prej figurave dhe shenjtorëve më të rëndësishëm të krishterë, dhe kishën ortodokse me katër S-të për sloganin “Vetëm bashkimi shpëton serbët”, që ishte bërë simbol i represionit shtetëror gjatë viteve të 90-ta.

Këto gjëra na vijnë në formë të produkteve, simboleve politike dhe porosive morale, pasi që ndodhen në treg dhe bëhen pjesë e kulturës. Më kujtohet se si mezi prisja të shkoja për Bajram bashkë me babanë për të vizituar të afërmit, të cilët më jepnin para për të shënuar festën dhe për të shfaqur zemërgjerësinë e tyre. Sot, më shumë se kurrë më parë, duket se kjo formë e dhënies dhe blerja e produkteve kërkojnë një formë të besnikërisë jo të dyfishtë dhe të afirmimit të përkatësisë fetare. Dhe përderisa shpresa e tyre për kthim të së mirës të pasohet nga këshillat për mirësjellje, dhe përderisa ajo të na bëjë ne t’u mbetemi atyre borxh apo të shfaqim përmbajtje morale dhe etike, përvojat dhe kujtimet tona do të formojnë identitete dhe shoqëri të reja në këtë botë postlaike.