balkart-cover
Shtyp | Art

Fjala e kryeredaktores

Nga - 09.10.2013

Mendim mbi konfliktet dhe tensionet e artit në Kosovë.

Që nga fillimi arti ka qenë pjesë e pashkëputur e revistës “Kosovo 2.0”. Ne gjithmonë jemi siguruar që revista jonë të ofrojë diskutim për mënyrën se si arti bashkëkohor shqyrton, provokon dhe bëhet pjesë e temave të ndërlikuara shoqërore – qoftë fjala për imazhin, korrupsionin, fenë, seksin apo hapësirën publike (temat e numrave tanë të mëparshëm). Megjithatë, kanë qenë tri arsye më të mëdha që na kanë shtyrë të nxjerrim këtë numër me tematikë artin.

Arsyeja e parë është e bazuar mbi faktin se, shumë shpesh, mediat kryesore dhe politika e së sotmes e trajtojnë artin si aktivitet privat, thua se ndodh jashtë mjedisit tonë politik e shoqëror. Në diskurse të tilla arti shpesh shihet si dytësor ose i parëndësishëm për të kuptuar transformimet shoqërore dhe veprimet politike. Ne po e vërejmë se si po ndodh kjo sot nëpër qendrat evropiane, me reduktime të mëdha të fondeve për kulturën, si pasojë e krizës financiare; por këtu, masat për kursime përfshijnë edhe përpjekje për t’a dobësuar kritikën e pavarur.

Ngjashëm me këtë, edhe në rajonin tonë, financimi i artit me logjikën e tenderave – në kombinim me mbështetjen e ulët institucionale dhe atë private pothuajse inekzistente – i nënshtrohet politikës estetike nacionaliste. Përpjekjet për të krijuar dhe për të udhëhequr qendra alternative të artit shihen si beteja të “të tjerëve”, përderisa zërat kritikë dhe kundërshtues gjithnjë e më shumë po kanalizohen nëpërmjet politikës së polarizuar. Kështu, marrëdhënia ndërmjet artit dhe demokracisë, brenda së cilës hapësirë mund të ekzistojë apo në fakt ekziston ndjenja e lirisë për të kritikuar – i ofron këtij diskutimi pikënisje tjera të fuqishme.

Ne sfidojmë tendencat për t’i lokalizuar dhe për t’i përcaktuar artet nga rajoni si arte që kryesisht dhe ekskluzivisht duhet të formësohen, të prodhohen dhe të kuptohen brenda konstelacioneve të historisë tonë të zymtë të kohës së fundit apo të së tashmes tonë “ekzotike”.

Kjo është arsyeja e dytë se pse jemi përqëndruar në artin dhe pse kemi vendosur të përqendrohemi në përvojat e Shqipërisë dhe të vendeve që dikur kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Kjo sepse në mes këtyre “tranzicioneve të pasigurta” ne gjejmë një gjeneratë artistësh që spikat dhe sfidon tregimet të cilat i kemi dëgjuar dhe me të cilat jemi mësuar t’i interpretojmë historitë tona të fundit, dhe se si ne e kuptojmë ndryshimin tonë të vazhdueshëm dhe kontradiktor. Qoftë nëpërmjet teatrit, filmit, letërsisë apo artit pamor, këta individë dokumentojnë dhe ofrojnë një analizë të re të ngritjes si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Prandaj, kjo revistë ka grumbulluar përvojat dhe tregimet e individëve dhe të praktikave nga rajoni që nëpërmjet artit i japin formë ose e sfidojnë mendimin dhe veprimin politik.

Ne gjithashtu kemi bashkëpunuar me fondacionin “Culturescapes”, me seli në Zvicër, dhe programin e tyre të sivjetmë për Ballkanin, i cili po mundëson shkëmbime ndërmjet Zvicrës dhe Ballkanit, por i cili gjithashtu është duke krijuar hapësirë shtesë për ekspozim, shqyrtim dhe bashkëpunim të mëtejshëm në mes artistëve në Ballkan (lexo “Një perspektivë tjetër”, faqe 125). Ky numër gjithashtu shërben si kontribut për formën dhe përmbajtjen që prodhon ky dialog.

Arsyeja e tretë është se vlerësimi ynë nuk është i bazuar as mbi supozimin se gërmimi i së kaluarës do të zbulojë në këtë rajon një fushë të përbashkët kulturore ose një identitet të vetëm politik, dhe as mbi idenë se ajo ka ekzistuar gjithmonë. Me gjithë këto ngjashmëri të dukshme, mosmarrëveshje nga më të llojllojshmet e kanë gjallëruar fushën e politikës dhe të artit. Ne theksojmë nevojën për të pranuar se ideologjitë komuniste dhe socialiste kanë inkurajuar lidhje të ndryshmë të pushtetit në ato hapësira të ndryshme, dhe se kjo nuk ishte e ndarë nga mënyra se si organizohej komuniteti i artit, nga çka prodhonte ky komunitet, nga çfarë lëvizjesh alternative janë krijuar, dhe mënyra se si kanë ndryshuar këto në vitet e ’90 (lexo “Arti konceptor dhe transmetimi i komunikimit”, fq.17; dhe “Modernizmi në artin pamor kosovar”, fq. 24).

Në të vërtetë, ne qëllimisht paraqesim “Balkartin” si koncept që ka nevojë të konfrontohet. Ne sfidojmë tendencat për t’i lokalizuar dhe për t’i përcaktuar artet nga rajoni si arte që kryesisht dhe ekskluzivisht duhet të formësohen, të prodhohen dhe të kuptohen brenda konstelacioneve të historisë tonë të zymtë të kohës së fundit apo të së tashmes tonë “ekzotike” – pra, një kuptim në të cilin nocionet e identitetit, të luftës, etnisë dhe konfliktit dominojnë diskutimet për artin dhe madje edhe e përcaktojnë atë që duhet të transmetojë arti nga rajoni.

Ne e shqyrtojmë raportin ndërmjet artit dhe nocioneve të tilla, por këtë e bëjmë duke ofruar shpjegime dhe duke ekspozuar mediumet specifike, format dhe gjuhën e artistëve të ndryshëm: artistë që mishërojnë, sfidojnë dhe provokojnë historitë e prodhuara brenda konteksteve të tyre politike, si dhe ato që u servohen atyre.

Debatet të tilla, natyrisht se ndodhin ende, mirëpo kryesisht nëpër qarqet akademike dhe në platformat e grupeve dhe qendrave të artit, në ekspozita e diskutime, në gazeta e katalogje. Megjithatë, veçanërisht në rajonin tonë, ne identifikojmë nevojën për një diskutim më gjithëpërfshirës, një diskutim ku mediumi ynë luan një rol më të fortë për t’iu bashkuar aspiratave të artit si një praktikë angazhuese dhe transformuese.

Pa e pasur një qëllim të caktuar që të krijojmë kundërshti, ne shpresojmë se kavanozi ynë i turshive – i ushqimeve të gatshme të shtëpisë – dhe kubi i bardhë – enigmatike dhe e mbyllur – do të frymëzojnë për këto diskutime.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO