green-issue
Shtyp | Ambienti

Fjala e kryeredaktores

Nga - 05.08.2015

Mendoni se nuk mund të keni ndikim? Kjo revistë është këtu për t'ju treguar se e keni gabim.

Numri jonë për Ambientin na sjellë një përzgjedhje pikash në lidhje me temën e një rëndësie globale — mbrojtjen e mjedisit. Ky debat ka filluar para më shumë se 150 vitesh dhe kryesisht si përgjigje ndaj ndotjes së ajrit gjatë Revolucionit Industrial. Sot, ky debat trajton gjithçka, nga toka e ajri, oqeanet e detet, nga bota e egër e deri te njerëzit. Më e rëndësishmja, debati tani thirret në ngrohjen globale dhe në efektet e saj pasuese në ndryshimin klimatik.

Nocioni “ngrohja globale” së pari u përdor në një punim të vitit 1975 të shkencëtarit amerikan Wallace Broecker, i cili parashikoi rritje të temperaturave globale si rezultat i nivele të rritura të dioksidit të karbonitGati 40 vjet më vonë, një raport i vitit 2014 i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin Klimatik (IPCC) pohoi me 95 bindje se ngrohja globale shkaktohet nga aktiviteti njerëzor — duke alarmuar në lidhje me ndikimin në rritje të racës njerëzore mbi mjedisin tonë.

Ky faktor njerëzor pritet të jetë fokus i Konferencës së ardhshme të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin Klimatik, e cila do të mbahet në nëntor dhe dhjetor të këtij viti në Paris, ku pritet të takohen zyrtarët qeveritarë nga rreth 200 vendet e botës. Priten propozime për fuqizimin e rregulloreve më strikte; përfundimisht, në Paris do të kërkohet nga qeveritë e mbarë botës më shumë përkushtim për zvogëlimin e emetimeve të gazrave dhe një pranim të mirëfilltë të politikave miqësore ndaj mjedisit.

Derisa në botë zhvillohen biseda globale dhe lokale, numri ynë për Ambientin ofron një hyrje në disa prej problemeve dhe sfidave më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova.

Kësaj konference po i kushtohet mjaft vëmendje, sidomos për shkak të dështimeve të takimeve të ngjajshme në të kaluarën; Protokoli i Kiotos i vitit 2005 dhe Konferenca e Kopenhagës e vitit 2009 janë shembuj të spikatur të këtij dështimi (lexoni storien: “Pika e vlimit” faqe 18). Por derisa sytë e ambientalistëve, politikanëve dhe shkencëtarëve janë të kthyer në drejtim të Parisit, diskutimet dhe veprimet lokale kanë po aq peshë.

Çdo ditë anembanë botës nisma lokale të panumërta për avokim lobojnë dhe ngrisin vetëdijen në lidhje me efektet e menjëhershme të ndryshimit klimatik si dhe pasojat të cilat na presin më vonë. Gjithashtu ështe e rëndësishme se në ç’masë çështjet e tilla zënë vendin e tyre të merituar në debatet publike. Mediat luajnë një rol të madh këtu. E megjithatë, në Kosovë deri më sot ka pasur mungesë të madhe të një debati të tillë.

Për këtë arsye, në këtë numër ne po e përqafojmë një qasje e cila është informuese, arsimore dhe praktike. Derisa në botë zhvillohen biseda globale dhe lokale (megjithëse në disa vende më shumë e në disa më pak), numri ynë për Ambientin ofron një hyrje në disa prej problemeve dhe sfidave më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova. Në anën tjetër, në këtë numër ne i kemi vënë në pah mangësitë e kornizës ligjore, implementimin e dobët të ligjeve ekzistuese, dhe madje edhe mënyrën se si rrjetet e korrupsionit mund të luajnë një rol (lexoni “Të shkosh kundër rrymës” në faqe 51 dhe “Realiteti reciklues” në faqe 97). Në anën tjetër, vazhdimisht po i përshtatemi faktit se një qasje informuese është po aq thelbësore nëse me të vërtetë orvatemi që mbrojtja e mjedisit të jetë pjesë e avokimit qytetar dhe përkushtimit indvidual.

Si të tilla, politikat alternative dhe ekonomikisht të shëndosha të prodhimit të energjisë, konsumi i përgjegjshëm, zvogëlimi i ndotjes si një rrezik për shëndetin, trajtimi i mbeturinave, dhe uji si e drejta e njeriut janë disa nga temat në bosht të këtij numri. Ndërsa i analizojmë politikat, zbatimin e tyre dhe vetëdijen shoqërore lidhur me këto tema, bëhet menjëhere e qartë se Kosovën e pret një rrugë e gjatë. Adresimi i temave mjedisore dhe përkushtimet për ndryshim do të jenë përpjekje të dyanshme — për institucionet, sigurisht, por edhe për publikun.

Storia jonë hyrëse “Shkatërrimi i mjedisit, shkatërrimi i jetës” (shikoni faqen 24) lidhet shumë qartë me këtë diskutim. Ajo flet për ndotjen e ajrit nga termocentralet industriale dhe nga komunikacioni (si forma më vdekjeprurëse të degradimit mjedisor); për mbeturinat industriale dhe amvisënore, që e pozicionojnë Kosovën brenda disa prej niveleve më të larta prodhimi në Evropë; për ujërat e zeza të patrajtuara të cilat i ndotin lumenjtë; si dhe për shkatërrimin e vazhdueshëm të pyjeve, me më shumë se 40 përqind të pyjeve publike në Kosovë që prehen ilegalisht. Në këtë aspekt, janë të përmasave alarmuese pasojat serioze, dhe ndonjëherë edhe fatale, që i shkakton ndotja në shëndetin dhe jetën e njeriut.

Gjithashtu i kemi dhënë rëndësi të posaçme sektorit energjetik duke marrë parasysh se termocentrali i ri i linjitit, Kosova e Re, është gati i konfirmuar, por detajet më të hollësishme lidhur me të ardhmen energjetike të Kosovës ende negociohen.  Ky projekt shpesh ka qenë pikë e nxehtë diskutimesh dhe kritikash, por fokusi gjithashtu duhet të zhvendoset te thelbi. Pasi, në njërën anë, ky projekt është njëri nga invesimet e ardhshme më të mëdha kapitale qeveritare, transparenca dhe përgjegjshmëria duhet të jenë në plan të parë. Studimet e fundit të shoqërisë civile të prezantuara në një konferencë të organizuar nga KFOS-i tërhoqën vëmendjen në faktin se njëri nga emëruesit e përbashkët në mesin e investimeve të mëhershme kapitale (siç ishte dhënia me koncesion e aerpoortit, privatizimi i distribuionit të furnizimit me energji KEDS, ndërtimi i autostradës Kosovë-Shqipëri, si dhe përpjekjet e dështuara për privatizimin e PTK-së) është mungesa e transparencës. E në anën tjetër, planifikohet ndërtimi i një termocentrali tjetër të linjitit krahas mbylljes së Kosovës A, si dhe rehabilitimi i Kosovës B me qëllim të përmirësimit të prodhimit dhe përmbushjes së standardeve mjedisore, që të dyja të parapara për vitin 2017. Nëse merret parasysh situata e tanishme, përmbushja e këtyre standardeve me kohë duket joreale. Por meqë ndërtimi i Kosovës C/së Re ende po debatohet, dhe gjithashtu janë paraqitur alternativat e propozuara, ekziston nevoja për pjesëmarrjen më përfshirëse dhe më të zëshme të publikut (lexoni “Energji për popullin” në faqen 54).

Kështu, përsëri i kthehemi faktorit njeri. Diskutimet për mjedisin shumë shpejt tkurren apo edhe hasin në cinizëm në Kosovë — një qëndrim i bazuar në apati dhe mungesë besimi se veprimet individuale mund të kenë ndonjë ndikim. Derisa vullneti politik është kyç për prioritetizimin e kësaj fushe, pesha dhe rëndësia e kontributit tonë qytetar dhe mundësitë për ndryshim nuk duhen nënvlerësuar (lexoni profilet prej faqes 72 dhe “Hapat e vegjël për ta shpëtuar planetin tonë të madh” në faqen 104).

Shumë shpesh, njerëzit në Kosovë e kanë përshtypjen se jemi shumë të vegjël e të parëndësishëm për të pasur ndonjë ndikim në degradimin mjedisor global. Numri jonë për Ambientin na e dëshmon se nuk ka vende të vogla dhe se secili prej nesh lë gjurmë në planetin tonë dhe mirëqenien tonë. Prandaj ne shpresojmë se ky numër do ta mbështesë interesimin e kosovarëve për ta përmirësuar cilësinë e jetës së përditshme, duke treguar mënyra sipas së cilave mbrojtja e mjedisit zë vend kyç në atë synim.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO