Pikëpamje | Zgjedhjet lokale 2017 | Media

Leviatanët digjitalë të Kosovës rrezikojnë krijimin e krizës demokratike

Nga - 17.10.2017

Online kultura e pakontrrolluar po e promovon personalizimin - dhe presidencializimin - e dëmshëm të politikës.

Në një demokraci të shëndoshë, mediat janë jetike për funksionimin e komunikimit publik ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve. Në Evropën Përendimore, teoricienët e komunikimit në media kanë deklaruar se në 30 vitet e fundit kemi përjetuar një rënie të kualitetit të komunikimit. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se këtë krizë e dëshmon rënia e nivelit të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe e lexueshmërisë së gazetave.

Megjithatë, njohuritë e fundit theksojnë se një lloj i ri i angazhimit politik dhe i komunikimit është zhvilluar bashkë me platformat digjitale dhe rrjetet sociale. Pjesëmarrja në votime është shtuar nëpërmjet angazhimit në rrjete sociale, dhe kështu janë themeluar lëvizje të tëra, përfshirë këtu mikroaktivizmin dhe lëvizjet pozitive si “Blacklivesmatter” në SHBA dhe “Parada e Krenarisë”, e cila u mbajt së fundmi edhe në Kosovë.

Logjika e mediave është përhapur në jetën politike dhe ka ndikuar te politikanët deri në një pikë sa që tani mediat – veçanërisht ato digjitale dhe rrjetet sociale – i japin formë logjikës dhe fushatave politike. Në rastin e Kosovës, duhet t’i analizojmë thellë sfidat që paraqiten nga ky lloj i politikës digjitale dhe i angazhimit të mediave.

Fjala ‘demokraci’, siç dihet, vjen nga fjala greke ‘demos’, që do të thotë ‘njerëz’, dhe ‘kratis’, që do të thotë ‘pushtet’ apo ‘sundim’; sundim i popullit nga populli për popullin, siç e përcaktoi Abraham Lincoln. Ndonëse u themelua në lashtësi dhe pa probleme, demokracia nuk u shfaq përsëri në Evropë deri në shekullin XVIII.

Prej grekëve të lashtë, deri te kafenetë e shekullit 17 në Londër, e deri te të ashtuquajturit “revolucionet e Twitter”, debati publik ka qenë, dhe është, jetik për demokracinë.

Mendimtarët si Thomas Hobbes e teorizuan rolin e shtetit në marrëdhënie me qytetarët. Në punimin e tij “Leviatan”, Hobbes argumentoi se njerëzit e shekullit XVII jetuan “jetë të shkurtër, të ndyrë dhe brutale”. Ata kishin nevojë për një shtet të fuqishëm, si një përbindësh deti Leviatan, për t’i mbrojtur të nënshtruarit nga njëri-tjetri. Megjithatë, në këtë sistem, sovranët e korruptuar dhe të ligë mund ta abuzonin pushtetin dhe t’i dëmtonin qytetarët.

Kjo bëri që mendimtarët si Jean-Jacques Rousseau dhe John Locke të propozonin më vonë që qytetarët e shtetit të nënshkruanin “kontratë shoqërore” me mbrojtësit e tyre, duke u lejuar qytetarëve ta tërheqin pëlqimin e tyre nëse ndihen të abuzuar nga shteti. Më në fund, John Stuar Mill e prezantoi konceptin e pluralizmit brenda demokracisë liberale, duke deklaruar se “tregu i ideve” duhet të jetë publikisht në dispozicion të qytetarëve. Prandaj në demokraci plurale liberale, mediat janë në qendër të zgjedhjeve politike.

Prej grekëve të lashtë, deri te kafenetë e shekullit XVII në Londër, e deri tek të ashtuquajturit “revolucionet e Twitter-it”, debati publik ka qenë, dhe është, jetik për demokracinë. Por platformat e rrjeteve sociale të cilat kanë kontroll të madh algoritmik mbi përmbjajtjet që shihen dhe ato që nuk shihen, a ka treg ideshë, apo, siç ka parashtruar shumëkush, tani kemi “fluska të filtruara” dhe “dhoma të jehonës”?

Tashmë që kanë filluar fushatat politike për zgjedhjet lokale në Kosovë, para se të votojnë qytetarët, është e rëndësishme ta analizojmë rolin e mediave tradicionale dhe digjitale, veçanërisht meqë ky sistem është shumë më ndryshe nga sistemi i kaluar medial, i cili ishte shtrirje e aparatit shtetëror. Siç kam shkruar më parë, zgjedhjet lokale janë të rëndësishme meqë qeveritë lokale i drejtojnë çështjet të cilat kanë ndikim në jetën e përditshme të qytetarit.

Kyç për debatin dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve është mënyra se si raportojnë mediat në Kosovë për premtimet dhe manifestet e partive politike. Kjo do të përcaktojë nëse dhe si qytetarët do ta jetojnë jetën, dhe në mënyrë efektive do ta krijojë një kontratë shoqërore me udhëheqësit e ardhshëm të komunave.

Mediat janë jetike sepse u mundësojnë qytetarëve të marrin vendime gjatë zgjedhjeve. Kualiteti i komunikimit ka rëndësi dhe mediat duhet ta përmbushin rolin e tyre si mbikëqyrës. Ato duhet të krijojnë marrëdhënie kundërshtuese me qeveritarët potencialë dhe të zgjedhur. Rolin e tyre e luajnë duke u kërkuar llogari politikanëve për shkeljet dhe abuzimet e tyre, dhe duke mos lejuar që të kontrollohen nga qeveria. Për themelimin e një demokracie vërtetë pluraliste, mediat duhet ta edukojnë publikun dhe të ofrojnë platforma të avokimit për debate intelegjente.

Askujt nuk duhet t’i interesojë se si duket gruaja e Hashim Thaçit në fotografi, por kur jemi te Trump dhe gruaja e tij, megjithatë kultura e famës brenda së cilës jemi zhytur kërkon që këto çështje të jenë ‘lajme’.

Megjithatë, kjo po mungon aktualisht në Kosovë. Ekziston një krizë e komunikimit publik – ndonjëherë duket se tek ne është situata më e rëndë se në vendet tjera. – dhe një personalizim i politikës. Këto janë të dëmshme për mediat, për demokracinë dhe për jetët e qytetarëve. Kandidatët politikë dhe anëtarët e partive bëjnë fushatë të drejtpërdrejtë për vota në rrjete sociale. Kështu po i anashkalojnë kontrolluesit tradicionalë dhe vlerat profesionale. Njëkohësisht, mediat tradicionale po detyrohen të konkurrojnë me postime në Facebook dhe Twitter. Këto postime shpeshherë nuk kanë të bëjnë me politika, por janë artikulim i opinioneve, justifikimeve, ose janë thjesht propagandë.

Shembuj të kësaj janë postimet e shpeshta të zyrtarëve qeveritarë, prej Hashim Thaçit e deri te kandidatët për kryetarë të komunave. Këto postime zakonisht përfshijnë fotografi me zyrtarë, personalitete të huaja apo njerëz të famshëm, e nuk përfshijnë hollësi për diskutime dhe diplomaci. Duken më shumë si ngjarje shoqërore të njerëzve të famshëm. Në disa raste në të cilat përmendet ndonjë çështje specifike, ata normalisht i anashkalojnë hollësitë për kërkesa ligjore apo legjislative, si postimi famëkeq i Shpend Ahmetit për vrasjen e qenve të rrugës.

Kjo metodë fokusohet në personalitet, e jo në politika, dhe kontribuon në personalizimin e politikës, brenda së cilës po mungon angazhimi për çështje që ndikojnë te jetët e qytetarëve. Askujt nuk duhet t’i interesojë se si duket gruaja e Hashim Thaçit në fotografi, por kur jemi te Trump dhe gruaja e tij, megjithatë kultura e famës brenda së cilës jemi zhytur kërkon që këto çështje të jenë ‘lajme’, e kështu zhvillohet një lloj i ri i politikanëve të cilët e kuptojnë mediatizimin e jetës politike, që është në përputhje me përfitimet që i ofrojnë mediat digjitale dhe platformat e rrjeteve sociale.

Tani ata e kanë përvetësuar logjikën e mediave dhe kështu i përshtaten agjendës së mediave, duke u interesuar më shumë për përfaqësimin dhe imazhin e tyre në media, se për politikëbërien apo zbatimin e legjislacionit. Caktimi i një agjende kuptimplotë po anashkalohet në favor të fotografive dhe diskurseve populliste.

Përdorimi i Facebook-ut dhe Twitter-it për të ndikuar te opinioni publik, për t’i fajësuar kundërshtarët dhe për ta projektuar imazhin dhe identitetin e dëshiruar, në vend të politikave aktuale, po zgjedhet gjithnjë më shumë nga politikanët dhe kandidatët politikë. Megjithatë, kjo mund të dështojë, dhe ndonjëherë kështu ndodh. Për shembull, përpjekja #KosovoInUnesco dështoi për shkak se lobimi real politik po mungonte; në vend se të lobojë, qeveria u fokusua në një fushatë glamuroze në rrjete sociale, e cila nuk u mendua si duhet dhe nuk i mori parasysh algoritmet të cilat kanë tendencë ta shfaqin fushatën vetëm para atyre personave të cilët e mbështesin fillimisht idenë.

Isa Mustafa, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti janë të ngjashëm si kult liderë të tillë, ndonëse në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën herën e fundit në Kosovë, edhe Kadri Veseli u mundua të inkuadrohet në këtë fenomen.

Mua më shqetëson fakti se kjo praktikë ka ndikim tek votuesit para zgjedhjeve. Ky fenomen nuk është i veçantë për Kosovën. Nëpër Evropë dhe Amerikë, politikanët popullistë po ofrojnë deklarata të paqarta politike dhe po shfrytëzojnë politika të identitetit – dhe madje kështu po fitojnë vota. Donald Trump dhe Nigel Farage janë shembuj të kësaj në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në Kosovë, gjatë kohës së tij si Kryeministër, Isa Mustafa e preferonte murin e tij në Facebook para foltores në konferenca për shtyp.

Postimet e Shpend Ahmetit, si ai që e postoi të premten e 13 tetorit – Të gjithë bashkë mund të shpifin! E vërteta është më e madhe, gjithmonë, si në 2013 ashtu edhe me 22 Tetor! #mezemër – janë shembull i përkryer i diskurist popullist. Kjo është problematike, por bëhet edhe më problematike kur ai i shkrin postimet personale me ato politike, duke e bërë shumë të vështirë që publiku ta kuptojë se a është duke dhënë deklarata zyrtare apo personale, e kështu i shmanget llogaridhënies.

Ky fenomen po kontribuon në rritjen e politikës ‘së pas të vërtetës’, ku votuesi duket më i interesuar në opinione personale të akterëve politikë sesa në informata faktike dhe qëndrime sa i përket politikave. Ndoshta pra nuk është e befasishme se kur u analizuan me fakte, shtatë nga dhjetë pretendimet e Trump-it gjatë fushatës ishin të pavërteta. Megjithatë, duke i anashkaluar mediat tradicionale, dhe duke e favorizuar Facebook-un e Twitter-in, politikanët e paskrupullt tani po i drejtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë publikut, dhe e kanë më lehtë se kurrë më parë.

Jemi gjithashtu dëshmitarë të shtimit të numrit të aktivistëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve të cilët po konkurrojnë për pozita politike, në vend se të punojnë për t’i mbikëqyrur politikanët dhe qeverinë e për ta informuar publikun. Në Kosovë, partitë kryesore politike qëmoti kanë filluar t’i pëvetësojnë gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile. Ngjashëm me këtë, javën e kaluar në Shqipëri tre aktivistë kosovarë të shoqërisë civile u emëruan pjesë e kabinetit të Edi Ramës.

Brenda ndryshimit hutues të digjitalizimit, mediatizimit dhe personalizimit të politikës, është edhe rritja e presidencializimit brenda politikës. Ndonëse normalisht ky argument vlen parimisht vetëm për Mbretërinë e Bashkuar – ku shembulli i ish-kryeministrit Tony Blair e demonstron këtë fenomen – tani edhe në Kosovë është duke i lëshuar rrënjët.

Individët po votohen dhe përcillen në platforma të rrjeteve sociale në bazë të fushatave të shkëlqyeshme dhe personaliteteve të famshme. Në mënyrë efektive, ata po bëhen udhëheqës të sferave të rrjeteve sociale, dhe po i ikin llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së mediave tradicionale. Isa Mustafa, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti janë të ngjashëm si liderë të tillë kulti, ndonëse në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën herën e fundit në Kosovë, edhe Kadri Veseli u mundua të inkuadrohet në këtë fenomen.

Informatat dhe idetë të cilat hynë në sferën publike janë kyçe në një demokraci të shëndoshë, por jo nëse ato nuk analizohen dhe promovohen pa mëshirë në rrjete sociale.

Problemet që i shkakton ky fenomen për qytetarët janë të shumëfishta. Kështu zgjedhen politikanë jokompetentë si Trump dhe zyrtarë të tjerë të rrezikshëm të cilët kanë pushtet për të ekzekutuar politika të cilat i bëjnë dëm shoqërisë, duke i bindur me forcë njerëzit që të pajtohen dhe duke zhvilluar mandatin nëpërmjet postimeve në rrjete sociale. Edhe më të rrezikshëm janë zëdhënësit e tyre, të cilët para mediave japin interpretime të ngjarjeve të cilat janë në favor të shefave të tyre, dhe kanë fuqi të madhe por nuk janë llogaridhënës apo përgjegjës për veprimet e tyre para publikut.

Në rastin e Kosovës, me dobësimin e mediave dhe shkrirjen e shoqërisë civile, gazetarisë dhe politikës, kemi një skenar edhe më të rrezikshëm në të cilin politikanët dhe akterët politikë i shfrytëzojnë platformat e rrjeteve sociale për t’i komanduar ata mijëra përcjellës që i kanë dhe për t’iu nënshtruar urdhrave të tyre. Ndonëse ata pretendojnë se nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e përcjellësve të tyre, ata janë përgjegjës për shkak të thirrjeve që i bëjnë në rrjete sociale, të cilat ndikojnë te këta përcjellës, veçanërisht kur politikanët deklarojnë se është arritur një ngërç politik në lidhje me një çështje të caktuar, duke aluduar se qytetarët duhet ta marrin në dorë çështjen.

Kjo situatë nuk kërkon vetëm rregullim të fushatave të drejtpërdrejta dhe të përdorimit të rrjeteve sociale nga politikanët dhe zyrtarët qeveritarë, por edhe shqyrtim kritik të postimeve në rrjete sociale dhe më shumë analizë të fakteve nga mediat qendrore. Informatat dhe idetë të cilat hynë në sferën publike janë kyçe në një demokraci të shëndoshë, por jo nëse ato nuk analizohen dhe promovohen pa mëshirë në rrjete sociale dhe prej organizatave mediale joprofesionale, përderisa gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile nxitojnë të kapin ndonjë pozitë politike për t’i braktisur detyrat që i kanë ndaj qytetarëve.

Kjo e lë shoqërinë tonë të ekspozuar dhe në mëshirë të liderëve të paskrupullt politikë; pra, në fund të fundit nuk do të isha befasuar nëse njerëzit përfundojnë duke jetuar “jetë të shkurtër, të ndyrë dhe brutale”.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia për Zgjedhjet Lokale 2017

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO