Eraldin Fazliu story
Pikëpamje | Politika

A është Lista Serbe një kalë trojan në shtetësinë e Kosovës?

Nga - 13.09.2017

Ekziston rreziku i diktimit të agjendës së qeverisë kosovare nga Beogradi.

Lista Serbe e dëshmoi pozitën e saj të fuqishme në politikën kosovare të shtunën e kaluar (9 shtator), duke e detyruar koalicionin e ashtuquajtur “PANA” të presë me orë të tëra për ta votuar qeverinë e re. Ishte kjo një lëvizje politike e cila u konsiderua prej shumë analistëve në Prishtinë si ‘poshtërim’ për demokracinë kosovare dhe sinjal për një varësi të re ndaj përfaqësuesve serbë.

10 ulëset e rezervuara të Listës Serbe kanë luajtur rol kyç në formimin e qeverisë së re, meqë ishin jetike për ta arritur shumicën minimale prej 61 votave, të cilat ishin të nevojshme për ta zgjedhur Ramush Haradinajn për Kryeministër. Këto numra e bëjnë muskulozin Haradinaj Kryeministër të dobët sa i përket votave. Ai është i varur nga Lista Serbe, e cila haptas e shpreh bashkëpunimin me qeverinë serbe në Beograd.

Derisa po pritej të mbahej seanca e votimit të qeverisë Haradinaj në Prishtinë, Lista Serbe po mbante “konsultime” gjithëpërfshirëse në Beograd, dhe si rrjedhojë u vonua ky proces. Kjo mungesë e përpikërisë e shfaqur nga Lista Serbe duket si lëvizje e qëllimshme e përfaqësuesve serbë, të cilët demonstruan fuqinë e tyre të shtuar në politikën kosovare.

Më shumë ndikim

Fakti që Lista Serbe tani drejton më shumë ministri është shenjë që tregon se ky entitet politik tani ka një pozitë më të mirë sa i përket kushteve të cilat i kanë caktuar në marrëveshje me partnerët e tyre të koalicionit qeverisës. Në mandatin e kaluar qeveritar (2014-2017), Lista Serbe i drejtoi vetëm dy ministri, gjegjësisht Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Marrëveshja e sivjetme, në anën tjetër, përfshin edhe Ministrinë e Bujqësisë. Kjo ka nxitur një reagim skeptik të opinionit publik kosovar, veçanërisht pasi koalicioni PAN e kishte përmendur mjaft shumë bujqësinë gjatë fushatës zgjedhore.

Zemërgjerësia e koalicionit PAN në relacion me Listën Serbe është me gjasë koncesion që është bërë, duke marrë parasysh kandidatin e koalicionit PAN për Kryeministër, Haradinajn. Para disa muajve, përfaqësues të Listës Serbe po bënin thirrje që Kryeministri aktual të ekstradohet për shkak të akuzave për krime të luftës. Në ditën kur Lista Serbe po e konfirmonte Haradinajn si Kryeministër, politikanët në Beograd theksuan përsëri se ai ende është në listën e kriminelëve të dyshuar të luftës.

Megjithatë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq theksoi gjithashtu se është më mirë ta mbështesin Haradinajn se Albin Kurtin e Vetëvendosjes. Vuçiq thotë se Kurti synon ta formojë “Shqipërinë e Madhe”. Vuçiq me gjasë e ka harruar retorikën e Z. Haradinaj, i cili pasi u lirua nga Franca bëri thirrje për ricaktimin e kufijve në rajon për ta përfshirë qytetin jugor të Nishit brenda kufijve të Kosovës.

"Beogradi në çdo çast mund të nxjerrë kabllon nga priza dhe t'ia ndalë rrymën kabinetit Haradinaj"

Enver Robelli

Enver Robelli, kolumnist i njohur në gazetën e përditshme kosovare, Koha Ditore, dhe kontribues i rregullt në media ndërkombëtare, tha për K2.0 se Beogradi kishte arsye të tjera për favorizimin e Haradinajt para Kurtit dhe Avdullah Hotit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). “Asnjëri prej tyre [Kurtit e Hotit] nuk mund të shantazhohet nga Serbia”, thotë Robelli. “Beogradi në çdo çast mund të nxjerrë kabllon nga priza dhe t’ia ndalë rrymën kabinetit Haradinaj. Domethënë mund ta rrëzojë, mund ta shantazhojë”.

Robelli është i shqetësuar për apetitin për pushtet që po e shfaq Haradinaj. “Duke e ditur etjen e pafrenueshme të Haradinajt për pushtet, është për t’u frikësuar se ai do të jetë në gjendje të bëjë lloj-lloj kompromisesh me këdo vetëm për të qëndruar në zyrën e kryeministrit”, shtoi ai.

Ndonëse Haradinaj i mohoi pretendimet se marrëveshja me Listën Serbe përfshin edhe kushte tjera, drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovë dhe Metohi në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, tha se Haradinaj është pajtuar të mos e përfshijë në program qeverisës transfromimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës.

Krijimi i ushtrisë përfshin nevojën për ndryshime kushtetuese, e si rrjedhojë e bënë të domosdoshme sigurimin e 2/3 të votave të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ndonëse nuk është bërë publike ndonjë marrëveshje tjetër, besohet se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është prioritet i kahmotshëm i Listës Serbe.

Robelli mendon se qeveria mund të shantazhohet dhe të kufizohet për t’i përmbushur kërkesat e Listës Serbe, gjë që rrezikon sovranitetin e Kosovës. “Sjellja e Listës Srpska varet nga shpejtësia me të cilën koalicioni i ri qeverisës do të plotësojë apetitet e saj ― për bashkësinë e komunave serbe, që mua më duket si eufemizëm për një lloj “Republika Srpska” brenda Kosovës. Fundja, përse një bashkësi e komunave të kenë flamur dhe himn?” pyet Robelli në mënyrë retorike.

Në Serbi, Gjuriq reagoi ndaj zhvillimeve në Kosovë duke thënë se “kjo është hera e parë që qeveria në Kosovë është e varur nga votat e serbëve”.

Problemi që nuk po diskutohet

Meqë zhvillimet e fundit kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik kosovar, partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, po përdorin më shumë se kurrë një diskurs që ka për qëllim frikësimin e popullit.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se Lista Serbe e demonstroi gjithashtu fuqinë që e ka mbi LDK-në – gjegjësisht Kryeministrin e kaluar, Isa Mustafën – gjatë mandatit të kaluar qeveritar. Lista Serbe debutoi në atë mandat si pjesëtare e qeverisë.

Ata të cilët nuk i ka prekur amnezia e kujtojnë me lehtësi kaosin që e pamë me javë të tëra në rrugët e Prishtinës, kur njerëzit dolën të bëjnë thirrje për shkarkimin e liderit të atëhershëm të Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq. Ato protesta shpërthyen pasi Jabllanoviq e kishte etiketuar një grup të protestuesve në Gjakovë si “egërsira”, pasi ata e kishin ndalur një autobus me serbë të cilët po shkonin në një kishë – shumë prej protestuesve ishin gra të cilat i kishin humbur familjarët e tyre në luftë, dhe në atë autobus besohej se kishte edhe kriminelë të dyshuar të luftës.

Shkarkimi i Ministrit të atëhershëm për Komunitete dhe Kthim erdhi vetëm pasi u destabilizua vendi me dhunë, sepse fillimisht Mustafa ngurroi të ndërmerrte masa.

Lëvizja Vetëvendosje është një parti tjetër e cila ka qenë e zëshme kundër shtimit të fuqisë së Listës Serbe në vitet e fundit. Megjithatë, kjo parti ka thënë se obligimet kushtetuese duhet të respektohen, duke aluduar se qytetarët e tjerë serbë mund të caktohen si pjesëtarë të qeverisë në rast se Lista Serbe nuk pajtohet t’i bashkohet qeverisë përkrah Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, ky kurs i veprimit është vështirë të bashkërendohet me parimet e demokracisë, meqë Lista Serbe i fitoi bindshëm votat e qytetarëve serbë në Kosovë.

Sipas Robellit, vetëm një bashkëpunim i mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA – bashkëpunim ky i cili mund ta kishte formuar një shumicë parlamentare pa i përfshirë votat e serbëve – do ta kishte reduktuar fuqinë e Listës Serbe. Ai i fajëson të dy subjektet për “personalizim të tepërt” të debatit, meqë kështu u pengua mundësia për partneritet.

Aktualisht Lista Serbe po bëhet një kalë i rrezikshëm trojan për sovranitetin e Kosovës. Ata tashmë e kanë të drejtën kushtetuese për të bllokuar vendime kyçe të një vendi i cili po i afrohet dekadës së parë si shtet i pavarur. Tash, polarizimi i spektrit politik në Prishtinë e ka shtruar rrugën që Lista Serbe ta përvetësojë një rol dhe pozitë shumë më të rëndësishme në qeverinë e re kosovare, duke i ruajtur njëkohësisht lidhjet e fuqishme me Beogradin, i cili vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e Kosovës çdo ditë.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO