Blogbox | Film

Vëllau i vogël po të shikon

Nga - 21.07.2017

Duke e parë filmin e vëllaut tënd në zemër të Prishtinës.

Vëndi s’ka mujtë me qenë më i mirë. Nisi bash në zemër të Prishtinës. Kur u hap skena, mbretëronte një jehonë, njëri prej karakterëve duke bërtitur “NAZ, A KI LLAK?”, zë që dëgjohej prej altoparlantëve të pa kalibruar të PriFest, nëpërmjet publikut, drejtë posterit të Rugovës, rreth statujës së Zahir Pajazitit, dhe përsëri te publiku.

Kjo ishte skena e parë e “Kosova Calling”. Të drithëron, të bënë të buzëqeshësh shumë, dhe të mbush me energji, sikur t’i kishe ngrënë dy kafshata Tullum, e ja ke përcjellë me tomëloriz. Por kjo është tek skena e parë, sa jemi duke u njoftuar me Zekën e Shabanin. Dy aktorë të cilët si duket janë duke u marrë me punët e veta, pasi është shuar lufta në komunitetin e tyre. Pastaj Zi krejtë!

Po them haptazi këtu. Unë jam vëllau i vogël i regjisorit të filmit, Eki Rrahmanit, ndërsa Jeton Kulinxha, që ishte përgjegjës për skenar, mendon se është motra ime e madhe! Kjo nuk është kritikë e filmit, por thjeshtë nje vështrim personal.

Frymëzuese ishte ta shihja punën e vëllaut tim duke u shfaqur në një mbrëmje verore në Prishtinë, sigurisht edhe për faktin që për shkak se jam vëllau i vogël i tij, unë e kam parë se sa mund, energji dhe planifikim kërkohet për të bërë një film të tillë. Sa hard diskat, kabllat-USB, e-maila, mesazha në Viber – e më vonë edhe në WhatsApp – takime, udhëtime,ndjenja të mira, ndjenja të këqija, marrëdhënie, ndonjë selfie aty këtu. Është koktej i emocioneve dhe ngulmit që kërkohet për ta zhvilluar një tregim filmik. Tregimi i historive është mjeshtëri. Tregimi i tyre nëpërmjet filmit është diçka krejtë tjetër.

Ai tregim, një hajgare e gjatë, të jep një ndjenjë thuajse je në një kryqëzim të një vendkalimi kosovar.

Rreth tre vitesh me pare, gjatë një vizite në Kosovë për t’u takuar me miq e familjar, Eki e dëgjoi një hajgare që e bëri atë të qesh shumë. Aq shumë sa që ai e shkroi një skenar për të. Ajo hajgare e vogël, bashkë me planin e tij, diku rreth tre vite më vonë u realizua në film të metrazhit të gjatë. Më kujtohet biseda telefonike që e pata me të, toni i zërit të tij. Ai nuk më la me folë hiç. Po mundohesha dëshpërimisht me i tregu që Arsenali e kishte mposhtur Liverpoolin e tij të dashur – e pastaj e kuptova që ai do ta shndrronte këtë hajgare në film.

Ai tregim, një hajgare e gjatë, të jep një ndjenjë thuajse je në një kryqëzim të një vendkalimi kosovar. Gjithçka nis me qeshje të lehtë, “Shiko çfarë po bënë kjo veturë’, e pastaj ‘O Zot, na u qi nana, kena me vdekë’, e pastaj çlirim, ‘Qysh ndodhi? Ah, mirë qenkemi prap se prap’.

E kështu është edhe storja e filmit. Në një moment je duke qeshur kur njoftohesh me karakterët, e pastaj ‘bam!’, të godet një shtresë që të kthen te realiteti i komuniteteve të pasluftës. Në këtë rast, populli i Kosovës, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftës së vitit ’99 dhe nisën rindërtimin e jetëve të tyre mes rrënojave, të vdekurve dhe të humburve.

Unë jam rritë duke i shikuar kasetat dhe DVD-të e Ekit. Shikoja shpeshherë filma gjatë tërë natës. “Where is the Friend’s Home?” i Abbas Kiarostami ishte një prej filmave të preferuar. Më kujtohet që e shikova një herë “Stalker” të Tarkovskyt dhe më vonë ja përmenda Ekit. Ai më shpjegonte pastaj se si u shtjellua produksioni i Stalker, si regjisori e kishte bërë të njejtin film dy herë meqë i pari nuk ishte zhvilluar si duhet.

Kur të tregon Eki ndonjë tregim, ai e thotë me shumë ngazëllim dhe energji. Ndonjëherë i vjen të kollitet papritmas, por ai e duron dhe vazhdon duke i lëvizur duart lartë e poshtë. Megjithatë, kur është në modën e filmit, atehere vërehen mbreterit e kinemas, nga te cilet ai eshte frymëzuar.

Në “Kosova Calling” nuk ka pamje nga afer apo gjysëm-afer, por renditje të gjata të xhiruara prej një distance që ofron skena teatrale, meqë shikuesit i paraqitet një vazhdimësi e ngjarjeve që të japin ndjenjën sikur ke hyrë në ngjarje dhe po e sheh çfarë po ndodh në atë tregim. Përfundimi i secilës skenë nëpërmjet prerjes së shpejtë në zi të jep ndjesinë e perdeve që bien gjatë shfaqjeve.

Deri sa po shikoja kinematografinë e mrekullueshme që e kishte kapur kamermani Jake Corbett me ekipin e tij, nuk mund të mos i kujtoja kohët kur ulesha në kinema me vëllaun tim të madh. Ai i përjetoi filmat në mënyrë shumë më shpirtërore se unë, e më pas m’i shpjegonte taktikat e mençura të filmit, dialogjet, prerjet e skenave. “Krejtë lidhet me artin e të pamurit”, tha ai duke i trokitur duart e tij të mëdha.

Pasi përfundoi lufta dhe kishim përsëri mundësi që të ktheheshim për vizitë në shtëpi, Eki veçanërisht bënte udhëtime të shumta në Kosovë, gjatë së cilave njoftonte njerëz, dëgjonte tregime dhe krijonte miqësi të reja.

Ja ku ishte ajo, krenare me të birin e saj, duke i përmbajtur lotët dhe kujtimet e ngjarjeve që ndodhën në atë shtëpi.

Disa prej atyre tregimeve janë inkuadruar në këtë film simpatik, në të cilin kanë aktruar me shumë miqësi dhe besim aktorët, dhe i cili tregohet në një mënyrë që të bënë të shpërthesh së qeshuri, por njëkohësisht të thumbon me dhembshuri. Ky skenar i shkëlqyeshëm bënë tranzicione prej gjërave qesharake e deri te disa skena shumë prekëse.

Skena si ajo në të cilën Shabani, miku i pandashëm i Zekës, po luante dogergjik. Këtë herë, megjithatë, pa shokun e tij. Kjo skenë, diku pesë minuta e gjatë, t’i thith të gjitha emocionet, e edhe pse u mundova që të përmbahesha, përfundova duke u dukur si një idiot në një dasëm. Duke shndritur me gëzim, gati duke qajtur, por dëshpërimisht duke dashur që të bërtas – ‘Oh Eki Rrah-maaaaa-nnni!’

Në këtë komedi me krahë, “Kosova Calling” e tregon një histori shumë-shtresore që në sipërfaqe të bënë të zgërdhihesh, por si spec i djegëst në sallatë mikse, ngadalë të kaplon rezultati i luftës dhe mënyra se si këto pasoja e pengojnë një shoqëri.

Këto tregime janë zhvilluar në filma kosovar shumë herë, por rrallëherë tregohen në këtë mënyrë. Jo shumë regjisorë arrijnë ta pasqyrojnë ndjesinë dhe pamjen e Kosovës ashtu siq beri  Kosova Calling. Shumë regjisorë janë munduar por disi nuk kanë arritur ta bëjnë si duhet punën kur janë zhytur në pasojat e shëndetit mendor, frustrimit seksual dhe sekreteve familjare që vijnë si rezultat i luftës. Frymëzuese është mënyra se si Eki dhe Jetoni i qasen këtyre temave shumë prekëse nëpërmjet tekstit humoristik dhe skenave jashtëzakonisht të bukura – me i kënaqë sytë!

Kur Bekimi, djali i Zekës, është duke ikur prej shtëpisë së tij të djegur, publiku e kupton se nëna e tij dhe një shoqe e saj po digjen të gjallë brenda. Në publik gjindet edhe nëna ime, e cila është duke e shikuar shtëpinë e familjes duke u djegur në sfond! Megjithatë, këtë herë është në film, por kujtimi është ende aq i freskët për të gjithë ne. Të dy e shikuam njëri tjetrin në sy dhe e lëshuam nga një psherëtimë. Ja ku ishte ajo, krenare me të birin e saj, duke i përmbajtur lotët dhe kujtimet e ngjarjeve që ndodhën në atë shtëpi.

Kjo mizanskenë, ndërtesë e luftës, shtëpi e djegur e e lënë e paprekur, e përdorur përsëri për n jë film që tregon historinë që e jetojmë të gjithë. Kjo ishte shumë më shumë se prekëse.

Në këtë moment, një djalë i vogël i cili e pa se ka një mundësi, dhe sikur Kema – djaloshi i vogël e i pacipë në film -vendosi me ecë si ni Al Capone i vogël te kaloje nëpër kinema, kokën lartë dhe duke i buzëqeshur publikut.

Reagimet e publikut në disa momente kyçe të filmit ishin shumë të dalluara. Njerëzit shpërthenin duke qeshur, e pastaj kohë pas kohe i mbusheshin sytëm e lotë, e nga fytyrat e tyre në ato momente, shihej saktësisht ai mendimi i tyre, i cili thoshte “Ne e dimë shumë mirë se çka po ndodh këtu”.

Oh, Eki Rrah-maaaaa-nnni!

Foto kryesore: Hasan Rrahmani.

KOMENTO