Në thelb | Greqia

Qorrsokaku i emrit të Maqedonisë

Nga - 17.06.2017

Maqedonia dhe Greqia të gatshme ta negociojnë kontestin 25-vjeçar.

Menjëherë pasi mori detyrën më 1 qershor të këtij viti, ministri i ri i punëve të jashtme i Maqedonisë, Nikola Dimitrov theksoi se rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik të vendit do të fillonte me rindërtimin e marrëdhënieve me fqinjët e Maqedonisë. Në krye të kësaj liste është fqinji jugor i saj, Greqia — me të cilën marrëdhëniet kanë stagnuar dhe janë përkeqësuar gjatë administratës së kaluar të udhëhequr nga VRMO-DPMNE —  dhe si pasojë e së ashtuquajturës ‘çështjes së emrit’.

Shumë analistë besojnë se pas krizës së gjatë të brendshme politike në Maqedoni, gjatë së cilës çështja e emrit ishte lënë anash, tash ekziston një ‘shans historik’ për t’i dhënë fund problemit, i cili po zvarritet për më shumë se 25 vjet.

“Prirjet iredentiste”

Çështja e emrit është një kontest politik sa i përket përdorimit të emrit ‘Maqedoni’. ‘Republika e Maqedonisë’ ishte njësi federale brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë deri në shkëputjen e saj në vitin 1991.  Në atë kohë, Maqedonia u bë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, por Greqia vazhdoi të kundërshtonte që vendi të quhej ‘Maqedoni’, që është emri i rajonit të saj verior.  Ministri i jashtëm Nikos Kotzias në prill tha se ‘kërkimi i emrit ‘Maqedoni’ ishte pjesë e ‘prirjeve iredentiste’ të fqinjit të saj, që në vete ngërthente edhe ‘kontestimin e kufive të një rajoni’.

Maqedonia greke është më e madhe se Republika e Maqedonisë — siç i referohet ky shtet vetes në Kushtetutë — dhe me miliona grekë e identifikojnë veten si maqedonas, pa kurrfarë lidhje me popujt sllavë që kanë lidhje me Republikën e Maqedonisë.  Për më tepër, Greqia e kundërshton shfrytëzimin e nocionit ‘maqedonas’ për t’iu referuar grupit më të madh etnik dhe gjuhës së vendit fqinj.

Vendit i është rekomanduar të fillonte negociatat për anëtarësim në BE që në vitin 2005, ndërsa në vitin 2008 ishte vendosur t'i niste bisedimet për anëtarësim në NATO mirëpo çështja e emrit e ndali këtë proces.

Në vitin 1995 këto dy vende i filluan bisedimet për çështjen e emrit, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara. Deri në gjetjen e një zgjdhjeje, organizatat ndërkombëtare dhe shtetet të cilat nuk e njohin përkthimin e emrit kushtetues e kanë përdorur emrin e përkohshëm ‘Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë’ (FYROM).

Vendit i është rekomanduar të fillonte negociatat për anëtarësim në BE që në vitin 2005, ndërsa në vitin 2008 ishte vendosur t’i niste bisedimet për anëtarësim në NATO, mirëpo çështja e emrit e ndali këtë proces. Gjatë samitit të NATO-s në Bukuresht, i cili u mbajt në prill të vitit 2008, Greqia e bllokoi rrugën e anëtarësit të Maqedonisë, duke pretenduar se megjithëse aplikacioni u dorëzua me emrin ‘FYROM’ fqinji i saj me gjasë do t’i referohej vetes si ‘Maqedoni’ brenda kësaj organizate dhe do të përpiqej ta formalizonte emrin me ta fituar anëtarësinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer pas kësaj doli me një tekst me të cilin u pajtuan anëtarët e NATO-s, në të cilin çështja e emrit të pazgjidhur u dha si arsye për refuzimin e ftesës për anëtarësim të Mqedonisë; qeveria në Shkup u inkurajua ta zgjidhte çështjen e emrit përmes dialogut me Greqinë dhe u tha se ftesa do t’i dërgohej në momentin që arrihet zgjidhja ‘e pranueshme nga të dyja palët’.

Sipas Toni Deskoskit, profesor i Ligjit Ndërkombëtar Privat dhe i Arbitrazhit Ndërkombëtar pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup, ekzistojnë tri dokumente ndërkombëtare që janë të rëndësisë vitale për çështjen e emrit, dhe të cilat shkojnë në favor të Maqedonisë.

“Dokumenti i parë është i vitit 1992 kur Maqedonia nxori përfundimin se ‘përdorimi i emrit nuk nënkupton pretendime territoriale’, thotë ai, duke iu referuar Deklaratës së Këshillit të Komunitetit Europian nga Lisbona. Po atë vit, në janar, Komisioni i Arbitrazhit i Komunitetit Europian, i drejtuar nga Robert Badinter, publikoi opinionin se Republika e Maqedonisë i plotëson të gjitha kriteret për njohje si shtet i pavarur, dhe se emri ‘Maqedoni’ nuk nënkupton ekzistimin e ndonjë pretendimi territorial ndaj një shteti tjetër.

Deskoski gjithashtu përmend verdiktin e vitit 2011 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pasi Maqedonia kishte bërë kërkesë që kjo gjykatë të vlerësonte nëse Greqia me bllokimin e anëtarësimit të saj në NATO në vitin 2008 kishte shkelur Marrëveshjen e Përkohshme të nënshkruar nga këto dy shtete në vitin 1995. Gjykata gjeti se Greqia e kishte shkelur marrëveshjen, e cila thoshte se ajo nuk do ta kundërshtonte asnjë kërkesë të fqinjit të saj për anëtarim në organizata ndërkombëtare përderisa e shfrytëzonte emrin ‘Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë’.

Drejtim i ri

Në prag të takimeve që u zhvilluan gjatë kësaj jave në Bruksel me zyrtarë të NATO-s dhe të BE-së, Dimitrov përfundimisht deklaroi se Maqedonia është e gatshme ta kthente në tavolinë çështjen e ndërlikuar të emrit dhe se është e gatshme të hyjë në NATO me emrin e përkohshëm FYROM.  Ministri i jashtëm la të kuptohej se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do t’i ndihmonte Ballkanit pas disa muajsh tensionesh politike në rajon, dhe se ky ishte ‘shans historik’ për Greqinë, nëse ajo e dëshiron një fqinj stabil. Megjithatë, ai theksoi se zgjdhja përfundimtare do të kërkohej përmes referendumit të qytetarëve.

Sipas ekspertëve, kjo strategji mund të jetë zgjidhje e përkohshme e cila i hap rrugë anëtarësimit të vendit në NATO dhe stabilitetit të shtuar. Deskoski thotë se momentumi të cilin Maqedonia e fitoi nga përfaqësuesit e EU-së dhe të NATO-s pas fitores së fundit të partisë s Zoran Zaevit është mundësi e jashtëzakonshme dhe se kjo strategji është e duhura.

"Mendoj se publiku mund të jetë shumë i kënaqur që më në fund dikush po e ngrit çështjen e emrit, meqë kjo tregon se vendit i është kthyer stabiliteti", Toni Deskoski, profesor nga Shkupi.

“Qeveria e sapoformuar ia doli ta kapërcente pengesën shumë të madhe me zgjidhjen e krizës politike dhe mori mbështetje të madhe nga përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe të NATO-s”, thotë ai. “Mendoj se publiku mund të jetë shumë i kënaqur që më në fund dikush po e ngrit çështjen e emrit, meqë kjo tregon se vendit i është kthyer stabiliteti”.

Analisti politik Albert Musliu thekson se agjenda e reformave e qeverisë së re në Maqedoni, e cila u jep prioritet marrëdhënieve të mira fqinjësore për t’iu kthyer binarëve të integrimit në BE dhe NATO, paraqet ndryshim të dallueshëm të tonit karshi atij qeverisë së kaluar.  Derisa kompromiset, siç është pranimi i nocionit ‘FYROM’ për të hyrë në NATO kanë gjasa të mos jenë fort të popullarizuara në skenën vendore, ai beson se strategjia më këmbëngulëse do ta forcojë pozicionin e Maqedonisë në të ardhmen në aspektin e emrit të saj.

“Na u desh ta ndryshonim narrativën për zgjidhjen e po të njëjtës çështje, sepse ne nuk mund të mundemi me Greqinë gjatë negociatave, dhe mendoj se kjo është pikërisht strategjia e qeverisë së re”, thotë ai.

“Të mos harrojmë se Greqia është anëtare e plotë e NATO-s dhe është një zë nga i cili varemi për ta fituar anëtarësinë në institucione europiane”. Besoj se strategjia e tanishme është përmirësimi dhe zbutja e marrëdhënieve me fqinjët tanë, sidomos me Greqinë, por u takon edhe partnerëve tanë ta japin ndihmë që Athina ta kuptojë pozicionin e Maqedonisë”.

Kryeministri Zaev e ka bërë të qartë se Maqedonia nuk po kërkon vetëm zgjidhje të përkohshme duke ofruar kompromis për të hyrë në NATO, por edhe është e gatshme të ulet me Greqinë dhe të zhvillojë diskutime serioze për zgjidhjen e këtij problemi njëherë e përgjithmonë.

Tashmë ka pasur indikacione se ndryshimi i qasjes ka prodhuar energji të re sa i përket ambicieve të Maqedonisë për integrtime euroatlantike. Më 12 qershor Zaev u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili e rikonfirmoi pozicionin e NATO-s lidhur me këtë çështje, por gjithashtu shprehu inkurajim. “Njëkohësisht, dëshiroj të theksoj se e mirëpresim porosinë e qartë të qeverisë së re se tash ata do ta shpeshtojnë dialogun me Greqinë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët përbrenda OKB-së”, tha Stoltenberg.

Gjetja e kompromisit

Deskoski beson se zërat që vinë nga NATO-ja dërgojnë porosi të qartë: “Duke u nisur nga situaata e tanishme, e vetmja hyrje e mundshme në NATO dhe në BE është përmes zgjidhjes së çështjes së emrit. Greqia dëshiron që ne ta ndryshojmë emrin për të dëshmuar se nuk po anojmë drejt iredentizmit dhe është e rëndësishme të dihet se partnerët e NATO-s e kanë pranuar këtë si kompromis”, tha ai, duke përmendur edhe faktin se kjo nismë është kundër disponimit të vendit.

Ai konfirmon se duke pasur parasysh konkluzionin e samitit të Bukureshtit të vitit 2008  për të mos e ftuar Maqedoninë për t’u bërë pjesë e NATO-s, është gati e pamundur që Maqedonia të hyjë në NATO pa bërë kompromise. “Konkluzioni i atij samiti sigurisht do të duhet të ndryshojë në vitin 2018 dhe tash për tash Maqedonia mund të hyjë në NATO me referencën e përkohshme ‘FYROM’, dhe njëkohësisht ta zgjidhë po këtë çështje”, thotë ai. “Tash ekziston momentumi për zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Musliu gjithashtu pret që zhvillimet e fundit t’i hapin rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO vitin që vjen, duke e hapur gjithashtu mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Greqinë në afat më të gjatë për çështjen e njëjtë. “Është e realizueshme që Maqedonia të hyjë në NATO, dhe unë pres që kjo të ndodhë brenda një viti, me referencën FYROM, derisa në ndërkohë zhvillohen negociatat për zgjidhjen përfundimtare, me ç’rast Greqia nuk do të ketë mundësi ta fajësojë Maqedoninë për iredentizëm”, thotë ai.

Megjithatë, përpjekja e parë e Dimitrovit për t’i rivendour lidhjet me politikanët grekë me vizitën që ia bëri Athinës gjatë kësaj jave e që shënoi vizitën e tij të parë zyrtare në cilësinë e ministrit të jashtëm, la të kuptohet se, përkundër optimizmit, nuk do të ketë zgjidhje të lehtë. Me përdorimin e emrit ‘FYROM’ gjithandej, homologu i tij Kotzias konfirmoi se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar tash për tash: “Së pari çështja e emrit, dhe pastaj përfshirja euroatlantike”.

Kotzias megjithatë i përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re të Maqedonisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje e cila po merr kaq kohë, duke thënë se ishte pikërisht administrata e kaluar e VMRO-DPMNE-së ajo e cila e imponoi iredentizmin si çështje ndërmjet dy vendesh, dhe shpreshu gatishmërinë e vendit të tij për të diskutuar më tej në lidhje me çështjen e emrit. Ai shtoi se Greqia e respekton pavarësinë territoriale të fqinjit të saj verior dhe se askush nuk duhet të ndërhyjë në këto bisedime.

Shumë analistë e shohin këtë takim të parë si premtues. Por koha do të tregojë nëse ka vullnet nga të dyja palët për t’i dhënë fund këtij kontesti kaq të gjatë.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.