Në thelb | Të drejtat e njeriut

Lufta për të drejtat e njeriut

Nga , - 10.12.2017

K2.0 flet me gjashtë aktivistë të cilët po e zhvillojnë betejën për ndryshim.

Në vendin tonë vepron një numër i konsiderueshëm i organizatave joqeveritare. Përkundër kësaj, disa OJQ kishin ardhur në përfundim se megjithëse ka organizime të projekteve të ndryshme, ajo që mungon është bashkëveprimi mes tyre. Sipas këtij grupi organizatash joqeveritare, kjo ndodhi pasi që puna e OJQ-ve përqendrohej vetëm në disa grupe të veçanta apo në rajone të caktuara.

Duke u nisur nga kjo, shtatë OJQ vendosën të formojnë Koalicionin të Drejta të Barabarta për të Gjithë (ERAC) dhe të punojnë në një projekt të përbashkët.

Ky projekt përfshin këto organizata; Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR); Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteve-Kosovë (ECMI Kosovo); Qendra për Barazi dhe Liri (CEL); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); Qendra për Ndihmë Lokale dhe Zhvillim Regjional (Clard); Qendra për Zhvillim të Grupeve Shoqërore (CSGD), përfshirë dhe Kosovo 2.0.

Qëllimi i këtij koalicioni është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave themelore të grupeve të margjinalizuara. Fokusi i veçantë i projektit janë minoritetet, gratë, të rinjtë si dhe komuniteti LGBTI. Me qëllim të shtrirjes sa më të gjerë të këtij projekti, koalicioni bashkëpunon edhe me 19 organizata të tjera joqeveritare të cilat veprojnë në nivel lokal.

Koalicioni ka realizuar një sërë veprimesh fokusi i të cilave kanë qenë analizat, denoncimet dhe këshillat se si të përmirësohet gjendja e përgjithshme e trajtimit të këtyre grupeve. Disa nga shqetësimet që janë ngritur nga ky projekt janë: përfaqësimi i drejtë dhe proporcional i pjesëtarëve të minoriteteve; pjesëmarrja e grave në vendimmarrje dhe të drejtat e punësimit; incidentet me motive etnike; mbrojtja dhe qasja e personave të komunitetit LGBTI në shërbimet publike, etj.  

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përfaqësuesit e organizatave në kuadër të ERAC-it tregojnë se cilat çështje i shohin si më të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Marigona Shabiu, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Marigona Shabiu

Të rinjtë në Kosovë përballen me probleme të shumta dhe është shumë shqetësues fakti i mungesës së pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe publike. Pjesëmarrja e vogël e të rinjve në vendimmarrje si dhe në proceset e tjera politikëbërëse vjen si pasojë e mbylljes institucionale, e cila u pamundëson të rinjve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre si qytetarë aktivë dhe të barabartë. Rrjedhimisht, në mungesë të të rinjve, krijohen politika të tilla të cilat nuk i përfaqësojnë interesat e tyre e aq më pak i plotësojnë nevojat e tyre.

Prandaj, institucionet publike duhet të krijojnë mekanizma konkretë të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e të rinjve në çdo instancë të qeverisjes në vend si dhe të krijojnë politika të cilat nxisin dhe rrisin vetëdijen e të rinjve për pjesëmarrje më aktive në jetën politike dhe publike.   

Agim Margilaj, Qendra për Zhvillim të Grupeve Shoqërore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Agim Margilaj

Promovimi  dhe mbrojtja e të drejtave të personave gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI) vazhdon të jetë sfidë e vështirë për Kosovën. Miratimi i legjislacionit liberal sa i përket të drejtave të njeriut ka krijuar bazën e institucioneve të reja të Kosovës, por kjo nuk i ka pasqyruar domosdoshmërisht besimet e shoqërisë, dhe kjo është dëshmuar në mënyrën më të qartë në rastin e të drejtave LGBTI.

Vlerat e fuqishme patriarkale përbëjnë origjinën e mospërputhjes së thellë ndërmjet frymës së ligjit dhe normave shoqërore të cilat vazhdojnë të ushqehen nga sistemi arsimor dhe sundimi joefektiv i ligjit. Rrjedhimisht, vlerat patriarkale të shoqërisë kosovare mbesin kryesisht të pakundërshtuara, dhe kështu lënë hapësirë për praktika diskriminuese të cilat mbështeten nga kjo “traditë”.

Kjo ka krijuar një situatë në të cilën të drejtat LGBTI nuk përfshihen në fjalorin lokal të të drejtave të njeriut, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve kur thyhet heshtja, jehon bindja se të drejtat LGBTI janë normë e imponuar nga ndërkombëtarët. Prandaj edhe një përqindje e lartë e zyrtarëve publikë dhe atyre të zbatimit të ligjit e perceptojnë çështjen LGBTI si të imponuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Kjo situatë në të cilën ligji nuk përputhet me normat shoqërore ka mundësuar rritjen e homofobisë, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në njërën anë, dhe ngurrimin e shërbyesve civilë sa i përket përmbushjes së detyrës së promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave LGBTI në anën tjetër. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e personave LGBTI jetojnë të fshehur, ndërsa ata të cilët janë të hapur në lidhje me orientimin e tyre seksual ose perceptohen si anëtarë të komunitetit LGBTI përballen me forma të ndryshme të dhunës psikologjike dhe fizike nga familjet e tyre, shoqëria, si dhe institucionet.

Për më tepër, të drejtat LGBTI nuk janë të përfshira në politikat e partive politike të cilat në pjesën më të madhe të rasteve refuzojnë të merren me këto të drejta apo edhe të komentojnë për to nga frika e humbjes së mbështetjes së elektoratit. Sondazhi i Institutit Kombëtar Demokratik tregoi se 60% e popullit nuk do të votonin për një parti politike e cila i mbron të drejtat LGBTI, edhe nëse ajo parti do t’i trajtonte problemet më të rëndësishme të vendit tonë.

Kjo i ka dekurajuar partitë politike t’i shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me të drejtat LGBTI. Pjesa më e madhe e akterëve politikë në Kosovë japin deklarata në përkrahje të të drejtave LGBTI vetëm gjatë vizitave të përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, duke iu referuar legjislacionit përparimtar të Kosovës. Ndërsa gjuha nënçmuese e përfaqësuesve të partive politike dhe deputetëve është pothuajse praktikë e qenësishme.

Luljeta Demolli, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSG). Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Luljeta Demolli

Gratë vazhdojnë të përballen me shumë sfida në shoqërinë e Kosovës. Sfidat më të mëdha me të cilat ato janë përballur gjatë vitit 2017 ishin dhuna me bazë gjinore, mungesa e zbatimit të legjislacionit, tregu joformal i punës në sektorin privat dhe ngacmimet seksuale në vendet e punës.

Dhuna me bazë gjinore ndodh gjithandej në Kosovë. Ajo nis herët në jetët e të rinjve të Kosovës. Edhe më shqetësuese është se dhuna me bazë gjinore justifikohet dhe shfajësohet. Sipas Sondazhit Ndërkombëtar për Burra dhe Barazi Gjinore, 41.4 për qind e të anketuarve në Kosovë pajtohen pjesërisht apo plotësisht se ndonjëherë gratë meritojnë t’i rrahin.

Ndonëse legjislacioni i Kosovës konsiderohet si shumë përparimtar dhe demokratik, zbatimi i tij mungon. Ligji për Barazi Gjinore, i cili thotë se përfaqësimi i barabartë i burrave dhe grave në sfera publike është i domosdoshëm, vazhdon të mos zbatohet edhe nga institucionet qendrore, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Kosovës, organin përgjegjës për miratim të ligjeve.

Sektori privat vazhdon të funksionojë kryesisht në mënyrë joformale. Gratë punojnë pa kontrata dhe me orar të zgjatur, pushimet – siç është ai i lehonisë – nuk u paguhen siç parashihet me ligj, dhe ato ngacmohen seksualisht më shumë se në sektorin publik dhe atë të shoqërisë civile. Shumë pak gra janë të angazhuara në pozita drejtuese, dhe kjo shpeshherë bën që ato t’i nënshtrohen trajtimit të padrejtë, joetik dhe të pahijshëm.

Ngacmimi seksual në vendin e punës gjithashtu konsiderohet si tabu. Asnjë rast nuk është raportuar te mekanizmat në fuqi, pavarësisht faktit se më shumë se 50 raste janë raportuar nëpërmjet aplikacionit EcShlirë. KGSC-ja po punon me organizata të tjera të shoqërisë civile për ta përfshirë ngacmimin seksual në Kodin Penal, pasi që planifikohet rishikimi i tij.

Edona Lekaj, Qendra për Ndihmë Lokale dhe Zhvillim Regjional (CLARD). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Edona Lekaj

Zakonisht përfundon kështu: “Zoti ju shpërbleftë”. Ky është një ndër urimet më të shpeshta që dëgjohet në zyret tona pasi që ne e përfundojmë punën me palën e cila ka kërkuar ndihmë juridike falas. T’u ndihmosh qytetarëve të cilët kanë nevojë për këtë shërbim është ndjenja më e mirë që mund ta përjetojë një profesionist, e sidomos kur një person të cilit i është shkelur ndonjë e drejtë e garantuar me ligj, këtë shërbim e marrin falas.

Ofrimi i ndihmës juridike falas dhe këshillat ligjore, veçanërisht për grupet e ndjeshme në Kosovë janë aktivitetet kryesore në zyrën tonë. Këto shërbime përfshijnë çështjet civile, administrative, fushën e punësimit, të drejtat e familjes, dhe çeshtjet e të drejtave të pakicave në vendin tonë.

Në baza mujore CLARD-i siguron deri në 90 këshilla ligjore falas dhe ndihmë juridike për përfituesit, shumica e të cilëve mbulojnë dhunën në familje. Sigurimi i ndihmës ligjore vjen gjithnjë në bashkpunim me institucionet relevante.

Rastet e dhunës në familje referohen nga Policia e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale. Kur rastet referohen nga institucionet e larpërmendura shumë shpejt ndërmerren masat e nevojshme që qytetarit t’i ofrohet shërbimi në mënyre profesionale qe palës së dëmtuar në kete rast t’i mbrohen të drejtat e garantuara me ligje.

Ofrimi i shërbimeve të tilla ka edhe sfida gjatë punës së përditshme. Përveç që ne si jurist mundohemi të ofrojmë mbrojtje juridike, sfiduese është edhe kthimi i besimit të qytetarit karshi institucioneve vendimarrëse, në këtë rast gjykatave.

Shpesh qytetarët thonë se vendimet janë politike, pastaj edhe grumbullimi i lëndëve në gjykata e vështirëson edhe më shumë punën. Por me rëndësi është se pas shumë sfidave me të cilat ne si qytetarë ballafaqohemi, kënaqesi e veçantë është kur një rast përfundon me sukses, e që është akoma më motivuese për t’i shtyrë proceset përpara.

Adrian Zeqiri, Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Adrian Zeqiri

Ndër sfidat më të mëdha të Kosovës gjatë vitit 2017, sa i përket të drejtave të komuniteteve, është implementimi i plotë legjislacionit. Është tashmë i njohur fakti që Kosova ka zhvilluar një kornizë kushtetuese dhe një legjislacion të avancuar për sa i përket të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, kornizë kjo e cila u vendos gjatë shumë viteve të administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe me Pakon e Ahtisaarit.

Sfida e Kosovës është implementimi i kësaj kornize. Ky problem bëhet edhe më kompleks kur kemi të bëjmë me një pjesë të territorit të Kosovës ku popullsia refuzon t’i gëzojë këto të drejta, sikurse është rasti në komunat në veri të Kosovës. Të gjendur në mes të dëshirës për të ushtruar autoritetin publik në tërë territorin e Kosovës, dhe mungesës së resurseve dhe kapaciteteve njerëzore për të bërë këtë, si dhe situatës së përgjithshme ekonomike në vend,  autoritetet kosovare shpesh gjenden në tehun e kritikave të shumë mekanizmave kombëtarë dhe ndërkombëtarë të cilat përcjellin dhe vështrojnë nga afër punën e saj.

Për këtë arsye, ngritja e kapaciteteve të institucioneve publike për të adresuar implementimin e plotë të kornizës për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve është jashtëzakonisht e rëndësishme. Klima e përgjithshme politike edhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, natyrisht, është një parakusht i domosdoshëm për stabilizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, dhe zbatimin e dispozitave të ndryshme që prekin çdo sferë të jetës së komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës.

Blert Morina, Qendra për Barazi dhe Liri (CEL). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Blert Morina

Ne si CEL do të vazhdojmë punën tonë si deri më tash, ku trajnimet dhe kampanjat e ndryshme për fuqizimin e komunitetit do të jenë prioritet. Ngritja e vetëdijes tek grupet shoqërore, si gazetarët, studentët, pjesëtarët e komunitetit, policia e gjyqësori është një mjet të cilin ne do ta përdorim. Ky do jetë edhe targeti ynë.

Projekti i parë që jemi duke menduar ta bëjmë për vitin e ardhshëm është trajnimi i disa psikologëve që faza e parë e tranzicionit për personat trans të bëhet në Kosovë. Kjo për shkak se nga hulumtimet e realizuara në vitin 2016 kemi kuptuar se personeli shëndetësor ka njohuri të kufizuara për trajtimin e personave trans.

Komuniteti trans është jashtëzakonisht i diskriminuar nga shoqëria dhe ne duhet të ngrisim vetëdijen në mënyrë që të zbuten paragjykimet. Është problematike se si ende shoqëria jonë i sheh si të sëmurë pjesëtarët e komunitetit. Si pasojë e kësaj kemi edhe dhunë ndaj tyre dhe të gjitha këto duhet të na shtyjnë t’i informojnë njerëzit më shumë rreth kësaj sepse po shihet se mungojnë informatat bazike. Në shumë raste edhe vetë familjet janë distancuar nga pjesëtarët e komunitetit trans.

Kur jemi tek dhuna, më duhet ta theksoj se mungesa e implementimit të ligjeve e ka nxitur atë. Dikush që dhunon fizikisht dikë tjetër dhe nuk ndëshkohet për këtë veprim, për dikë tjetër mund të jetë sinjal se mund t’i sulmoni pjesëtarët e këtij komuniteti dhe të mos pësoni asnjë dënim. Ne u kemi dërguar rekomandime institucioneve vendore, ku kemi kërkuar prej tyre që në Kodin Penal të futet edhe orientimi seksual dhe identiteti gjinor.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull u shkrua nga Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Equal Rights for All, bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO