Pikëpamje | Terror

Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm ka rrezik të dështojë

Nga - 03.11.2016

Sipas natyrës dhe përbërjes së vet, përpjekjet kundër ekstremizmit mund ta përshkallëzojnë atë që po kërkojnë ta çrrënjosin.

Shërbimet më të njohura botërore të inteligjencës dhe të sundimit të ligjit kërkojnë të kuptojnë dhe përfundimisht ‘ta qartësojnë’ dukurinë e ekstremizmit të dhunshëm përmes një kornize të ndërlikuar dhe të mjegullt të quajtur Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm (Countering Violent Extremism – CVE). Në thelb, CVA-ja është teknikë e sponzorizuar nga shteti e cila përpiqet tia këpusë rrugën ekstremizmit dhe të ndërtojë ura ndërmjet organeve të rendit dhe komuniteteve të synuara, që është njëri prej qëllimeve shtetërore. Me krijimin e kësaj praktike, administrata e Obamës kërkoi ta zëvendësonte togfjalëshin mjaft kundërthënës “Lufta globale kundër terrorizmit”. Por zëvendësimi i një programi dykuptimësh e të hapur me një program tjetër nuk është zgjidhje. Sikur që Lufta kundër drogës besnikërisht i shërbeu drogës dhe Lufta kundër terrorizmit e përshkallëzoi terrorin global në përmasa të paparashikueshme, edhe CVE-ja rrezikon ta ketë fatin e njëjtë.

Menjëherë pas ngjarjes së 11 shtatorit, qeveritë në gjithë botën e stërngarkuan infrastruturën e tyre të sigurisë, shpeshhere me mjete të tepruara ose ilegale. Zbulimet e Snoudenit treguan — duke konfirmuar atë që tashmë dyshohej në masë të madhe — se agjencitë më të mëdha të inteligjencës si National Security Agency (SHBA) apo Government Communications Headquarters (Mbretëri e Bashkuar) po zhvillonin rrjeta elektronike të cilat përgjonin popuj të tërë, dhe jo vetëm persona të dyshuar të rasteve të terrorizmit. Ndërsa grupet ekstremiste po zgjeroheshin dhe po bëheshin më të shpërndara, agjencive çdo herë e më shumë u duhej të shqyrtonin mundësitë nëse qytetarët e tyre, shumë larg fushëbetejave, po radikalizoheshin për shkak të një numri faktorësh — duke përfshirë (por duke mos u kufizuar në) ekspozimin ndaj propagandës ekstremiste në internet, fajësimet e supozuara, apo ndjeshmërinë sociale. Për ta kuptuar më mirë ekstremizmin meqë ka të bëjë me zhvillime të individit, agjencitë e sundimit të ligjit kanë kërkuar të bëhen studime të cilat provonin ta hartëzonin ekstremizmin për ta parandaluar individin ta arrijë fazën përfundimtare të veprës së dhunshme të kryer në bazë të atyre besimeve. Tani, përveç rolit të ruajtësve të rendit, zyrtarët që punojnë në kuadër të kornizës së CVE-së morën përsipër edhe rolin e organizatorëve të lavdëruar të komunitetit.

Në praktikë, CVE-ja krijon gracka për komunitetet e synuara.

Por kjo krijoi tensione të mëdha ndërmjet komuniteteve muslimane dhe qeverive perëndimore. Megjithëse ‘ekstremizmi’ përkufizohet gjerë e gjatë brenda kornizës së CVE-së, shënjestra kryesore është komuniteti musliman — sidomos në Europë, ku shumë shoqëri po ballafaqohen me vështirësi në integrim. Popullsia muslimane e Nju Jorkut ishte subjekt i një operacioni spiunimi të zhvilluar nga policia e këtij shteti (siç zbuloi Associated Press), ndërsa FBI-ja ka investuar mjete të konsiderueshme  për ‘çrrënjosjen e terrorizmit’ në komunitetin somalez të Minesotas. Ndërsa sjellja publike e zyrtarëve të rendit dhe ligjit kërkon t’i fuqizojë komunitetet që ata vetë ta luftojnë ekstremizmin nga brenda, informatorët, gjithnjë e më shumë, po shfrytëzohen si mekanizëm për t’i futur në grackë individët e caktuar, duke krijuar një vijë ndarëse brenda këtyre komuniteteve ndërmjet atyre që janë të gatshëm ta çrrënjosin ekstremizmin dhe atyre që ngurrojnë të bashkëpunojnë me agjentë federalë — që mund të çojë në shuarjen e përpjekjeve të CVE-së sa i përket punës me komunitete.

Ky aspekt i ‘zhvillimit të komuniteteve’ është në bosht të qasjes së CVE-së së administratës së Obamës, e cila “ka për qëllim t’i adresojë shkaqet kryesore të ekstremizmit të dhunshëm duke u ofruar komuniteteve resurse që ato të ndërtojnë dhe të zhvillojnë përpjekje të vazhdueshme parandalimi dhe të promovojnë përdorimin e kundërnarrativave për t’u ballafaquar me mesazhet e dhunshme ekstremiste në internet”. Mirëpo në realitet, CVE-ja ndërton grackë për komunitetet e synuara: Bashkëpunimi i tyre pritet të zbulojë shenjat e para paralajmëruese të zhvillimit të ekstremizmit, edhe gjatë fazës së përgjimit të avansuar dhe futjes në grackë.

Kjo qasje e CVE-së ka përshkuar gjithë botën, ndërsa në Ballkan një prej synimeve primare të rajonit u përmend të jetë “forcimi i kornizave dhe kapaciteteve ligjore, institucionale dhe operative për ta adresuar kundërterrorizmin dhe sidomos sfidat e luftëtarëve të huaj terroristë [foreign terrorist fighter – FTF], duke i mbrojtur njëkohësisht të drejtat dhe liritë e njeriut”. Rreth 700 persona nga rajoni i Ballkanit Perëndimor i janë bashkuar grupeve terroriste në Irak apo Siri, ndërsa SHBA-të në veçanti i kanë dhënë mbështetje iniciatiave rajonale për luftimin e ekstremizmit (Iniciativa Rajonale e CVE-së në Ballkan).

Asnjë shtet në muajt e fundit nuk ka tërhequr vëmendje më të madhe sa i përket pranisë së elementeve ekstremiste sesa Kosova, e cila dikur, për kokë banori, kishte shkallën më të lartë të personave që largoheshin nga vendi për t’iu bashkuar të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS) para se të ndodhte një rënie e këtij numri para pak kohe. Natyra e Islamit në vend ka qenë temë shqyrtimi në veçanti, sepse ka pasur një lëvizje të qartë nga forma e moderuar e praktikimit në një formë ku interpretimet radikale, të frymëzuara nga sauditët, kanë filluar të zënë vend. Në të vërtetë, konvertimi ekstremist saudit – përmes trajnimit të imamëve dhe ndërtimit të xhamive anembanë botës — e ka çuar Islamin në shumë pjesë të botës drejt një rryme jotolerante, radikale.

Korrupsioni endemik, kushtet e këqija socioekonomike, dhe nepotizmi politik e lënë në hije rrezikun abstrakt nga ekstremizmi.

Fokusi i fuqishëm i SHBA-ve për prioritetizimin e qasjes së CVE-së ekspozohet si dyfytyrësh dhe fundamentalisht jokonsistent sa i përket masave që nevojiten për ta çrrënjosur ekstremizmin. Si njëra prej aleateve më të fuqishme të SHBA-ve, Arabia Saudite kryen funksion tejet të rëndësishëm rajonal për SHBA-të dhe mbështetet në patronazhin e saj (i.e. shitblerjet e mëdha të armëve), ndërsa Mbretëria i financon grupet e dhunshme ekstremiste dhe përkrah ideologji totalitare me qëllim të kontrollimit të njerëzve. Sipas idelogjisë dhe praktikës, suditët kanë prirje përputhëse me Shtetin Islamik, i cili padyshim është akter joshtetëror më i urryer dhe më famëkeq në botë tani për tani. Megjithëse SHBA-ta kanë punuar për një kohë të gjatë me Mbretërinë Saudite, lidhjet ndërmjet Shtetit Islamik dhe sauditëve vetëm formojnë një shtresë shqetësuese shtesë mbi marrëdhëniet tashmë mjaft të ndërlikuara. Si e tillë, çdo përpjekje e CVE-së, qoftë në Ballkan apo tjetërkund, domosdoshmërisht shikohet me sy të keq përderisa kjo marrëdhënie gjeostrategjike vazhdon të mbetet e pandëshkuar.

Por a është rreziku nga përhapja e ekstremizmit në Ballkan aq serioze sa të kërkojë masa gjithëpërfshirëse ndërqeveritare të kundërterrorizmit? Korrupsioni endemik, kushtet e këqija socioekonomike, dhe nepotizmi politik e lënë në hije rrezikun abstrakt nga ekstremizmi, përderisa këta faktorë mbizotërues janë të prekshëm dhe shkatërrues për pjesën e konsiderueshme të popullsisë (në Kosovë, një në tre persona jeton në varfëri relative). Ndërsa është përmendur lidhja shakore ndërmjet varfërisë dhe ekstremizmit, ajo nuk është përfundimtare — por është vetëm një prej shumë elementeve të mundshme të cilat mund ta nxisin një person, përndryshe ‘normal’, drejt ekstremizmit.

Një mënyrë potenciale për t’i dhënë fund disa prej dështimeve të përpjekjeve të deritanishme të CVE-së është qasja horizontale — me grupe të ndryshme qytetare që punojnë së bashku për ta zgjidhur problemin e terrorizmit përbrenda komuniteteve të tyre, në rast se ka diçka të tillë në rend të parë. Qasja e tanishme përpiqet ta afrojë shtetin me qytetarët, por ajo ka gjasa të dështojë duke marrë parasysh mospërputhjet e qenësishme të përmendura më lart. Në të vërtetë, komunitetet e prekura dhe aleatët e tyre duhet ta marrin rolin udhëheqës, dhe jo rolin e atyre që shërbejnë edhe si ndërlidhës të komunitetit edhe si karrem i paqëllimtë i futjes së njerëzve në grackë. Qeveria duhet ta luajë rolin e partnerit të gatshëm — gjithmonë e gatshme të dëgjojë dhe t’i përgjigjet shqetësimeve, por përfundimisht rolin e ndihmësit të komuniteteve të cilat shpeshherë i kuptojnë ngatërresat e tyre dhe e dinë se çka nevojitet për t’iu kundërpërgjigjur sulmit ekstremist.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0