timthumb
Biseda | Art

Lulzim Hoti: Kultura është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm

Nga - 14.09.2016

Artistët lokal po synojnë që ta aktivizojnë përsëri skenën e skaduar kulturore në Mitrovicë nëpërmjet 7 Arte.

Më herët gjatë muajit, u lansua një nismë e re e komunitetit të dizajnit në Mitrovicë, me synim të përfshirjes së qytetarëve në procese lokale të vendimmarrjes. Njëri prej ligjëruesve të ftuar në fazën e parë (që zgjati një javë) të quajtur Përballë Lumit ishte Lulzim Hoti, president i organizatës kulturore 7 Arte.

Kjo OJQ u themelua në 2005 nga artistët lokal që po mundoheshin që ta ngjallnin përsëri skenën kulturore të këti qyteti verior, skenë kjo që kishte rënë shumë pas luftës. E njohur dikur si qyteti i Rokut dhe Xhazit, Mitrovica u la e ndarë në vija etnike – serbët kryesisht jetojnë në veri të Lumit Ibër dhe shqiptarët në anën jugore – dhe me kulturë të përgjumur. Rikthimi i kulturës dhe aktivizmit civil ka qenë sfidë e vazhdueshme për tërë shoqërinë.

Duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme kulturore dhe programe të shkëmbimit nëpër Evropë, dhe duke organizuar evenimente të tilla dhe workshop-e kreative në Kosovë, 7 Arte synon që të zhvillojë dhe promovojë një kulturë të përbashkët evropiane. Aktivitetet e saja përfshijnë evenimente të fokusuara në çështje të ambientit si Green Music Festival, Gjuj Art, ku artistët e ri i dekorojnë muret në qytet me dizajne të reja, dhe video projektin Mitro je t’aime, që synon promovimin e diversitetit kulturor dhe të një pikëpamjeje pozitive për qytetin.

Kjo organizatë është e përbërë prej entuziastëve të ri të kinemasë dhe artistëve të disa disiplinave artistike, përfshirë edhe dizajnerë grafik, muzikantë, një gazetar, një të diplomuar të regjisë së teatrit dhe një artist të kamerës.

Filmbërësi dhe i diplomuari i letërsisë Hoti, përveç rolit të tij si president i 7 Arte, është edhe anëtar i bordit të NISI MASA, organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse që operon në 26 shtete, dhe që promovon profesionistët e ri në industrinë evropiane të filmbëries.

Gjatë projektit Përballë Lumit, K2.0 foli me të për 7 Arte, objektivat e saj dhe idenë që ai e prezantoi në workshop-in e projektit për të ardhmën e urës së Mitrovicës.

lulzim-hoti-7arte_intext-1473845789

K2.0: Kur u nis si koncept 7 Arte? Si erdhi kjo ide? Cilat ishin sfidat gjatë zhvillimit të saj, dhe si u zhvillua deri në momentin kur u themelua zyrtarisht në 2006?

Lulzim Hoti: Në 2005, pas një vizite studimi në Forumin Kulturor të Barcelonës dhe disa takime me organizata të ndryshme kulturore nga Evropa, u lind idea e themelimit të një organizate që fokusohet në zhvillimin e jetës kulturore në nivele lokale dhe kombëtare. Pas disa takimeve informuese me artistët vendas të Mitrovicës, u pajtuam mbi qëllimin dhe emrin e organizatës.

Procesi i regjistrimit si një organizatë u përfundua pas rreth një viti. Pasi u regjistrua si subjekt juridik, 7 Arte aplikoi për të qenë organizatë me të drejta të plota brenda Rrjetit Evropian të Kinemasë së Re (NISI MASA), që është e përbërë prej më shumë se 20 organizatave prej shteteve të ndryshme evropiane, dhe më pas u pranua si organizatë që përfaqëson artistët e rinj të Kosovës brenda këti rrjeti.

Çfarë fryme karakteristike ka kjo organizatë kulturore? Çfarë qëllime e synime ka? Mbi cilët parime funksionon?

Rrethanat e kohës kur u krijua organizata, zbrazëtia që ekzistonte në skenën e pavarur kulturore, veçanërisht në fushën e kinematografisë, na motivoi që të shërbejmë si urë lidhëse për delegacionet e artistëve kosovar; në veçanti për të mundësuar bashkëpunimin e artistëve të ri me evenimentet kulturore nëpër Evropë. Prandaj, qëllimi i organizatës është që t’i mbështetë artistët e rinj dhe të promovojë e zhvillojë një kulturë të përbashkët evropiane.

Më vonë, pasi ndryshuan rrethanat dhe nevojat në shoqërinë e Kosovës, 7 Arte vendosi që t’i shtojë vlerë misionit të vet duke përdorur kulturën dhe artin si mjete për promovimin e çështjeve që lidhen me ambientin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Organizata juaj është shumë aktive në skenën kulturore të Kosovës. Na tregoni ju lutem disa projekte ose aktivitete që i keni për zemër, dhe që më së miri e shpjegojnë qëndrimin e 7 Arte?

Një prej projekteve kyçe të 7 Arte është Green Festival, që veç se është bërë projekt tradicional, që synon të fuqizojë dhe zhvillojë sektorin kulturor dhe të promovojë kreativitet, si dhe ta rris ndërgjegjësimin e qytetarëve për ambientin. Green Festival përfshinë aktivitete si Green Music Festival, Open Green Cinema, dhe Panairin e Gjelbërt e Panairin Artizanal. Brenda këti programi inkorporohen ide të ndryshme si Gara e ARtit nëpërmjet riqarkullimit, gara e Oborrit më të Mirë në Mitrovicë, Nisma e Diasporës për Atdhe të Gjelbëruar, ndërhyrje artistike në hapësira publike nëpërmjet nismës Gjuaj Art, dhe workshop-e të ndryshme nga industria kreative.

Meqë keni punuar për një kohë mjaft të gjatë me skenën kulturore dhe artistike në Kosovë, veçanërisht në Mitrovicë, çfarë kritika konstruktive keni sa i përket fushave ku ka nevojë për përmirësime?

Ne mendojmë se skena e pavarur kulturore e Kosovës për më shumë se një dekadë ka bërë punë të mrekullueshme dhe ka patur sukses në përçim të mesazheve të fuqishme jashtë vendit. Për këtë ritëm të rritjes shpirtërore brenda Kosovës duhet të ketë mbështetje institucionale, duke i fuqizuar ndaras qytetet e mëdhaja të Kosovës.

Ku mendoni se duhet të fokusohet më shumë skena kulturore në Mitrovicë (ose Kosovë)? Çfarë duhet të bëjnë të gjitha partitë në skenën kulturore – institucionet qeveritare, OJQ-të dhe individët – në mënyrë që të rritemi si komb, me kulturën si përbërës kritik?

Skena e pavarur kulturore, në çdo qytet të Kosovës, duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin e politikave kulturore, me përfshirje të të gjithë qytetarëve të Kosovës në proces, dhe nxitjen e kreativitetit të vazhdueshëm.

Gjithashtu, institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës duhet të binden që kultura është një prej katër shtyllave kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm, e kështu edhe do të prodhonin vende të reja të punës, dhe do të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve dhe ambientit. Kosova është shtet i vogël me potencial të madh njerëzor, që duhet të kanalizohet drejt një vizioni të përbashkët kombëtar.

intext-2-1473845773

Për fund, ju e dhatë një propozim të ri gjatë projektit Përballë Lumit; a mund të shtjelloni imtësisht këtë dizajn dhe qëllimin e tij?

Idea e 7 Arte sa i përket urës së Ibrit është që pjesa e partë e krahëve të mbulohet me panele solare, e jo të ketë rol vetëm estetik siç ka pasur me vite tani.

Kështu do të prodhohej energji e ripërtëritshme, e mjaftueshme për nevojat e urës; kjo energji do të shërbente për ta ndriçuar urën, ndoshta me ngjyrë të gjelbërt, e jo me të kaltërt si tani. Ndërkohë, këto panele solare do të mundësonin që rinia t’ mbushin bateritë e telefonëve të tyre dhe pajisjeve tjera elektronike deri sa socializohen në pjesët rekreative rreth urës.

Zbatimi i kësaj ideje nuk do ta ndryshonte strukturën themelore aktuale; përkundrazi, vetëm do t’i shtonte vlerë, duke e bërë urë model që njihet edhe për vlera kreative.

Ura kryesore mbi Lumin Ibër veç se njihet në nivel ndërkombëtar, dhe si e tillë është bërë atraksion për shumë vizitorë të huaj. Kur të hapet përsëri, nëse bëhen këto ndryshime, ura do të shërbente për promovim të energjisë së ripërtëritshme dhe të përfitimeve të saj në lidhje me efikasitet dhe ndikim në ambient. Ne besojmë se kjo ide do të pritet mirë në të dy komunat e qytetit të Mitrovicës, si dhe në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO