Në thelb | Maqedonia e Veriut

Maqedonia po humbet në tym

Nga - 23.06.2018

Amendamentet e Ligjit për Mbrojtje nga Pirja e Duhanit shkaktojnë polemika.

Meqë cigaret janë në dispozicion për t’u blerë gjithandej dhe janë financiarisht të përballueshme për pjesën më të madhe të njerëzve – një paqetë cigare kushton rreth 1-2 euro – dhe duhanpirja është kryesisht e pranueshme në shoqëri. Ndoshta nuk është për t’u befasuar që Maqedonia është në mesin e pesë shteteve me nivelin më të lartë të konsumimit vjetor të cigareve të duhanit, të paktën në renditjet e Tobacco Atlas, të përpiluara në vitin 2016.

Sipas kësaj renditjeje, konsumimi i duhanit në Maqedoni arrinë mesataren e 2,785 cigare në vit për kokë banori, duke e pozicionuar këtë shtet në vendin e katërt nga 184 shtete të listuara. Shqipëria vjen menjëherë pas saj, me konsumim mesatar të duhanit në vlerë 2,491 cigare në vit për kokë banori.

Shtetet e vetme që janë të listuara më lartë janë Andorra, Bjellorusia dhe Luksemburgu.

Shtete të tjera të Ballkanit, si Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i zënë vendet 21 dhe 25 përkatësisht. Në këto vende mesatarja e konsumimit vjetor është më pak se 2,000 cigare për kokë banori. Kosova nuk është e listuar në këtë renditje.

Pavarësisht këtij pozicionimi, vitin e kaluar Radio Evropa e Lirë raportoi se përderisa masat për reduktimin e duhanpirjes nuk kishin qenë krejtësisht efektive, “nivelet e duhanpirjes në Ballkan kanë qenë në rënie për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit”.

Fondi Botëror i Hulumtimeve Kundër Kancerit e listoi Maqedoninë të katërtën për numrin më të madh të rasteve të diagnostikuara të kancerit të mushkërive, pas zhvillimit të matjeve me një ‘shkallë të standardizuar sipas moshës’.

Megjithatë, Maqedonia është përjashtim i dallaur në këtë aspekt. Sipas Silvana Oncheva nga Instituti Kombëtar i Maqedonisë për Shëndetësi Publike, në 15 vitet e fundit numri i duhanpirësve është rritur për 4 përqind – në vitin 2002 ishte 42 përqind e vitin e kaluar ishte 46 përqind. Si krahasim, në Kosovë duhanpirësit përbëjnë 28 përqind të popullsisë, sipas një studimi për shprehitë e duhanpirjes që u publikua në Revistën Sllovene për Shëndetësi Publike.

Në Maqedoni, në rritje është edhe numri i vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me duhanpirjen – në veçanti u rrit numri i vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i mushkërive nga viti 2010 deri në vitin 2016. Në vitin 2012, Fondi Botëror i Hulumtimeve Kundër Kancerit e listoi Maqedoninë të katërtën për numrin më të madh të rasteve të diagnostikuara të kancerit të mushkërive, pas zhvillimit të matjeve me një ‘shkallë të standardizuar sipas moshës’.

Megjithatë, pavarësisht statistikave shqetësuese të shëndetësisë publike, në mars të këtij viti, qeveria e re e Maqedonisë miratoi amendamente për Ligjin për Mbrojtje nga Pirja e Duhanit, duke lehtësuar kështu ndalimin e duhanpirjes në vende publike.

Amendamente për politikat e duhanpirjes

Kur u miratua Ligji për Mbrojtje nga Pirja Duhanit në vitin 2008, duhanpirja ishte e ndaluar në të gjitha vendet publike, me përjashtim të terasave apo oborreve verore, e edhe në ato raste vetëm nëse hapësirat në fjalë janë të hapura në të paktën tri nga katër anët, për të garantuar rrjedhë adekuate të ajrit. Kjo bëri që shumë restorante dhe kafene t’i mbyllin terasat apo oborret verore me mbulesa plastike fleksibile dhe transparente, të cilat mund t’i hapin në kushte të thata atmosferike.

Megjithatë, amendamentet e miratuara në mars i lejojnë objektet shërbyese (term i gjërë që i mbulon të gjitha bizneset që ofrojnë ushqim ose pije) t’i përcaktojnë këto hapësira si zona të duhanpirjes. Gjithashtu është hequr edhe kërkesa për rrjedhë të ajrit, duke i lejuar kështu bizneset e tilla të ndërtojnë tavane dhe mure për t’i mbyllur krejtësisht këto zona të duhanpirjes.

Propozimi për ta rishikuar legjislacionin e duhanpirjes u dorëzua në korrik të vitit të kaluar nga disa deputetë, justifikimi i të cilëve ishte se ndalesat e rrepta që hynë në fuqi në vitin 2008 i kishin shkelur të drejtat e objekteve dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe klientëve të tyre dhe duhanpirësve.

Për ta shpjeguar propozimin për nismën legjislative, deputetët shkruan: “Legjislacioni aktual për duhanpirje e ka përkeqësuar situatën ekonomike në Republikën e Maqedonisë, për shkak të rënies drastike të numrit të klientëve në kafene, klube të natës, bare, kabare, diskoteka, birrari dhe sallone të bixhozit… sektori i shërbimit po përjeton rënie drastike në qarkullim (rreth 75 përqind), veçanërisht gjatë periudhave kur kushtet atmosferike nuk janë të favorshme për punë (dimër, në fund të vjeshtës dhe në fillim të pranverës)”.

Ministria e Shëndetësisë i dënoi amendamentet kur u lajmëruan ato, duke shkruar në Twitter se “nuk mund ta promovojë lehtësimin e ndalesës dhe mbështetjen e politikave që janë të dëmshme për shëndetin e popullit.

Ndryshimet e lajmëruara legjislative u pritën me reagim shumë të ashpër nga publiku, për shkak se shumë prej tyre e panë si hap prapa për Maqedoninë dhe përpjekjet e saj për ta përmirësuar shëndetësinë publike. Afro 15,000 nënshkrime u mblodhën për një peticion online që u themelua në përpjekje për t’i ndalur amendamentet e propozuara për ligjin.

“Flamuri i ri i Maqedonisë – reforma kundër shëndetit të popullit”, shkroi në Twitter dizajneri Nebojša Gelevski, dhe postoi një gif që paraqiste tymin e cigares duke bllokuar diellin e flamurit maqedon.

Edhe Ministria e Shëndetësisë i dënoi amendamentet kur u lajmëruan ato, duke shkruar në Twitter se “nuk mund ta promovojë lehtësimin e ndalesës dhe mbështetjen e politikave që janë të dëmshme për shëndetin e popullit. Duhanpirja është zgjedhje personale, por duhanpirja pasive nuk është”.

Legjislacion i përshpejtuar

Përveç kritikave për përmbajtjen e amendamenteve, pati kritika edhe për mënyrën e miratimit të tyre dhe prioritizimin e tyre në atë periudhë. Procedura për miratim të legjislacionit të ndryshuar u ‘përshpejtua’, që do të thotë se kishte shumë pak debat publik dhe pak kohë për t’i vlerësuar pasojat.

Në një postim në platformën botuese Medium, shkencëtari politik (dhe duhanpirësi) Misha Popović e adresoi këtë çështje: “Pse është kaq urgjente që duhet të ‘përshpejtohet’?, pyeti ai. “Një prej pikave kryesore të kritikës për punën e Parlamentit është se disa legjislacione të caktuara janë përshpejtuar pa nevojë”.

Në të njëjtin postim, Popović vazhdoi t’i kundërshtojë pretendimet e deputetëve se profiti i ofruesve të shërbimit ka rënë për 75 përqind, duke ndarë të dhëna nga Zyra Shtetërore për Statistika për periudhën 2010-14, që tregojnë se profitet e shërbyesve janë rritur me qëndrueshmëri.

Sidoqoftë, ligjvënësit nuk u bindën dhe amendamentet u miratuan më 15 mars, 2018. Ata reaguan ndaj këtyre shqetësimeve të shprehura duke pretenduar se efekti i ligjit po hiperbolizohej dhe se po targetoheshin vetëm terasat dhe oborret verore.

Popović tha për K2.0 se disa aspekte të ligjit ende janë problematike. “Ligji u miratua pa Vlerësim Rregullator të Ndikimit, dhe shembujt e dhënë gjatë debatit shumë të shkurtër publik në Parlament ishin të pavend dhe shumë anekdotik; përshkruheshin duhanpirësit duke u ngrirë jashtë, e nuk përmendeshin, për shembull, problemet si stafi shërbyes që duhet të punojë në zona ku pihet duhani”.

K2.0 bëri përpjekje t’i kontaktojë deputetët Tomislav Tuntev dhe Ivana Tufegdžić, dy prej nënshkruesve të nismës së dorëzuar, për t’i marrë komentet e tyre për këto çështje që u anashkaluan gjatë debatit. Megjithatë nuk morrëm përgjigje.

“Kam menduar të investojë 20,000 euro dhe ta bëjë vend ku pihet duhani, por vetëm nëse e bëjnë lokalet tjera në lagje. Nuk dua t’i humbë klientët e rregullt duke ua kufizuar vendin për duhanpirje”.

Janko Smilevski, pronar kafe bareve

Për Luka Ginovski, pronari i një kafe barit, shërbimi më kualitativ nuk duhet të lidhet me duhanpirje. “Cigaret nuk janë faktor kontribues për shërbim më kualitativ. Kualiteti i asaj që e ofrojmë ne varet në faktorë më të rëndësishëm, si shërbimi i mirë dhe marketingu i mirë etj”.

Gjatë prillit, pasi kishin hyrë në fuqi amendamentet e ligjit, duhanpirësit dhe njerëzit që nuk e pijnë duhanin filluan të vërejnë ndryshime. Shumë kafene dhe restorante kanë zgjedhur ta zbatojnë zgjidhjen ligjore, por jo krejtësisht dhe kjo ka bërë që ata që nuk pinë duhan t’i ekspozohen duhanpirjes në ambiente të mbyllura, duke kufizuar kështu numrin e vendeve që ata mund t’i frekuentojnë.

“Ndonëse me këto ndryshime të ligjit nuk do të thotë që zyrtarisht jemi kthyer në situatën në të cilën ishim para më shumë se 10 viteve, veç se e kam vërejtur se në disa kafene po i lënë të hapura dyert e terasës së mbyllur për duhanpirje, dhe klientët tjera po e thithin timin që hyn në dhomë dhe na mbetë në tesha, flokë dhe lëkurë”, shpjegon Maja Svetanoska, një psikologe 46 vjeçare nga Shkupi.

Janko Smilevski, pronar i dy kafe bareve në Shkup, tha për K2.0 se ai kishte menduar ta mbyllë terasën e një prej bareve të tij. “Kam menduar të investojë 20,000 euro dhe ta bëjë vend ku pihet duhani, por vetëm nëse e bëjnë lokalet e tjera në lagje. Nuk dua t’i humbë klientët e rregullt duke ua kufizuar vendin për duhanpirje”, shpjegoi ai. “A dua ta bëjë? Realisht jo. Mendoj se nuk ka nevojë. Por jemi bar me hapësirë 50 metra katrorë dhe duhet ta mbrojmë numrin e klientëve që i kemi”.

Për të tjerët, vendimi për të investuar dhe për t’i mbyllur oborret verore rrjedhoi në rritje të profitit. “Tani po e përfundojmë ndërtimin. Baret tjera në qytet kanë raportuar profite të shtuara. Rreth 80 përqind të njerëzve që dalin në këtë qytet janë duhanpirës, kështu që ka logjikë që ne t’u ofrojmë vende për duhanpirje”, thotë Mane Meshkov, pronar i një barit nga Kavadari, qytezë e vogël në rajonin e venës Tikvesh, në Maqedoni.

Ndonëse disa pronarë të bareve po gëzojnë rritje të profitit, sipas Tobacco Atlas, duhanpirja po e dëmton ekonominë maqedone. Në një fletë me fakte e përgatitur nga kjo organizatë pretendohet se duhanpirja i ka kushtuar Maqedonisë afro 16,065 milionë denarë (apo 262 milionë euro), duke përfshirë këtu koston e drejtpërdrejtë që rrjedh nga shpenzimet në shëndetësi dhe koston indirekte që rrjedh nga vdekshmëria dhe sëmundshmëria e hershme, të cilat rezultojnë në humbje të produktivitetit.K

Foto kryesore: Nebojsa Gelevski.