Pikëpamje | Maqedonia

Kriza e Maqedonisë është e brendshme dhe duhet të zgjidhet përmes politikës së de-eskalimit – Artan Sadiku

Nga - 07.03.2017

Pavarësisht veprimeve jokushtetuese të presidentit, rrugëdaljet juridike nuk janë zgjidhje.

Përshkallëzimi i fundit i krizës politike në Maqedoni është karakterizuar me refuzimin e presidentit Gjorge Ivanov t’i japë mandatin liderit të Unionin Socialdemokrat të Maqedonisë (SDS), Zoran Zaevit,  përkundër faktit që ai po e udhëhiqte koalicionin me numër të mjaftueshëm deputetësh për të formuar qeverinë. Tash, deklaratat zyrtare ruse në lidhje me krizën i kanë dhënë statusin e “çështjes ndërkombëtare”, asaj që ishte çështje e brendshme e Maqedonisë.  

Aktualisht po shohim një krizë politike e cila buroi nga problemi i kapjes së shtetit dhe përfshiu politikanë të nivelit të lartë të involvuar në praktika korruptive, dhe e cila tash po e merr formën e një përplasjeje ndërmjet interesave gjeopolitke ndërkombëtare. Jemi dëshmitarë të krizës së Maqedonisë e cila nuk është vetëm çështje e interesit rajonal, për shkak të përfshirjes së vendeve fqinje, por edhe çështje e cila prodhoi komente dhe ndërhyrje të gjerë gjeopolitike.

Rusët, të cilët e kanë kritikuar ndërhyrjen e Perëndimit, e mbështesin VMRO-DPMNE-në, parti e udhëhequr nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski. Duke vepruar kështu, ata në mënyrë të qartë i kanë vizatuar vijat e demarkacionit lindje-perëndim përbrenda mjedisit të brendshëm politik të Maqedonisë.

Kjo dinamikë nuk ka ekzistuar më parë në vend. Ajo nuk ka çuar deri te kriza. Përkundrazi, kriza është plotësisht e brendshme në aspektin e burimit të saj, por tani po eksploatohet nga lloj-lloj akterësh të cilët atë e shohin si mundësi për të fituar ndonjë rëndësi politike.

Për shkak të kësaj, kur analizojmë zhvillimet e tanishme në Maqedoni, duhet të heqim dorë nga fetishi gjeopolitik i cili shpesh vjen në shprehje – fetishi i cili e mjegullon qartësinë dhe pengon diagnostikimin e duhur të ngjarjeve.

Prej të gjitha aspekteve të mundshme nga të cilat mund t’i qasemi gjëegjëzës së Maqedonisë, aspekti i cili shpesh është lënë jashtë debatit është rendi kushtetues i vendit dhe atë me të drejtë. Tash kjo është bërë çështje e retorikës dhe analizave politike, për shkak të intervenimit të presidentit Ivanov, i cili tashmë e gëzon reputacionin e personin, i cili përfshihet në veprime të pakuptimta, jokushtetuese e të dëmshme.

Tash VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj, Nikola Gruevski, po e shfrytëzojnë kushtetutën në propagandën e tyre kundër qeverisë së re potenciale. Ata pretendojnë se SDSM-ja, duke i pranuar kërkesat e partive shqiptare me të cilat ka formuar koalicion, i ka vënë në rrezik parimet themelore të shtetit të cilat janë të mishëruara në dokumentin e kushtetutës.

Krejt retorika e rrezikimit të Kushtetutës e shpalosur nga VMRO-DPMNE-ja, dhe e përzgjedhur nga presidenti, mbetet gjest i pastër propagandistik.

Këto pretendime mund të hidhen poshtë menjëherë nëse shikohet legjislacioni i Maqedonisë.  Çdo ndërhyrje në kushtetutë kërkon dy të tretat e shumicës së votës në Parlament, gjë që nuk do të ishte e mundur me përbërjen e tanishme në Kuvend pa votat e deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Krejt retorika e rrezikimit të kushtetutës e shpalosur nga VMRO-DPMNE-ja, dhe e përzgjedhur nga presidenti, mbetet gjest i pastër propagandistik, gjest i cili nuk ka bazë në realitet.

Një aspekt tjetër i krizës që ka të bëjë me Kushtetutën është më i saktë, por për fat të keq në këtë pikë, ai nuk duhet të jetë në fokus të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes. Është dispozita kushtetutese ajo që e obligon presidentin e vendit t’ia japë mandatin liderit të partisë politike, e cila mund të dëshmojë aftësinë për të formuar shumicën parlamentare.

Zaevi ka siguruar 67 nënshkrime, gjashtë më shumë sesa që nevojiten për të pasur shumicën në Parlament, që do të thotë se presidenti ishte i obliguar me Kushtetutë t’ia jepte atij mandatin.  Askund në tekst të kësaj dispozite nuk mund të interpretohet mundësia që presidenti të bëjë vlerësime dhe të vendosë nëse duhet apo nuk duhet ta japë mandatin. Akti i mandatimit i jepet presidentit si prerogativë, por është thjeshtë akt simbolik.

Presidenti i Maqedonisë nuk është bartës i sovranitetit.  Ai ka më pak kompetenca se të gjitha institucionet e tjera të larta shtetërore. Për shkak të kësaj, disa analistë dhe personalitete politike kanë kërkuar që të thirret parlamenti, të zgjedhet kryeparlamentari dhe pastaj të shkohet me zgjedhjen e qeverisë së re.   

Kjo rrjedhë e veprimeve do të ishte plotësisht në pajtim me kornizën ligjore dhe kushtetuese, sepse është parlamenti ai i cili është organi më i lartë demokratik i vendit dhe bartësi i sovranitetit i cili gëzon të drejtën ta zgjedhë qeverinë.

Megjithëse kjo rrjedhë e veprimeve do të krijonte një precedent të ri, pasi do të ishte hera e parë që qeveria zgjedhet pa mandatimin formal nga presidenti, si dhe sigurisht do të pasonin kontestet kushtetuese, prapëseprapë ky veprim do të ishte ligjor.  Por, këtu qëndron problemi i kërkimit të rrugëdaljes krejtësisht ligjore për t’i dhënë fund kësaj krize.

VMRO-DPMNE-ja ka arritur të prodhojë një valë të hatashme shpërthimesh nacionaliste tek elektorati etnik maqedonas, duke e eksploatuar faktin që partitë shqiptare dhe SDSM-ja nuk e kanë zbuluar përmbajtjen e marrëveshjes së tyre të koalicionit.

Për shkak të kësaj, një rrugëdalje krejtësisht ligjore nuk është zgjidhja më e mirë dhe ajo do të shkaktonte edhe më shumë tensione dhe do të çonte në përshkallëzim edhe më të madh. Kjo gjithashtu do t’i shtonte edhe më shumë flakë zjarrit ekzistues nacionalist, për shkak se do të interpretohej si manipulim i cili ka për qëllim ta anashkalojë presidentin, i cili i ka dalur “në mbrojtje shtetit dhe rendit kushtetues”.

Shtensioni i ngërçit politik është mënyra e vetme për ta shmangur kolapsin e gjithëmbarshëm të politikës.

Ajo për të cilën duhet të angazhohemi tash për tash është politika e de-eskalimit, retorika e cila do ta adresonte mungesën e transparencës, mungesën e debatit dhe të proceseve të politikëbërjes të cilat bëjnë të mundur një vlerësim të thuktë të vendimeve, të cilat po bëhen çdo herë e më shumë të ndjeshme. Shtensionimi i ngërçit ekzistues është mënyra e vetme për ta shmangur kolapsin e gjithëmbarshëm të politikës.

Nëse kjo nuk bëhet, atëherë do të krijohen mundësitë për tribalizëm politik (organizimin e shtetit me fise) shtesë dhe do të prodhojë pozicione të bazuara në vija etnike nga të cilat është vështirë të diskutohen çështjet, e edhe më vështirë të arrihen pozicionet politike përparimtare. Politikat përparimtare janë gjithmonë rezultat i zgjidhjeve të argumentuara, të avokuara e të shpjeguara në mënyrë të qartë, ato të cilat nuk u lënë hapësirë elitave të korruptuara të prodhojnë gogolë nacionalistë në mbarë shoqërinë.    

Në ditët në vijim, pritet t’i shohim liderët politik teksa përpiqen t’i mundin kundërshtarët e tyre politikë. Maqedonia ka kaluar nëpër shumë situata të ngjashme gjatë viteve të fundit, dhe të gjithë jemi bërë peng i këtyre mendësive.

Ajo që tash na duhet është angazhimi i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare për t’i bërë trysni partive që të gjejnë rrugë të përbashkët të de-eskalimit, së bashku me energjizim të ri të shoqërisë civile për të siguruar ide për natyrën e kësaj rrugëdaljeje. Vetëm pas stabilizimit institucional dhe shoqeror mund të niset një debat i hapur dhe i sinqertë, një debat i cili mund t’i adresojë nevojat e bashkësive të ndryshme të këtij vendi. Pa rimëkëmbjen e sundimit të ligjit në vend, askush nuk mund t’i gëzojë të drejtat e tyre indivduale dhe kolektive të cilat i kanë fituar, apo pritet t’i fitojnë.

Ne kemi neovjë për një betejë të përbashkët për t’i siguruar parimet themelore të një sistemi demokratik funksional, mbi të cilin mund të ndërtojmë një shoqëri më përfshirëse dhe më përparimtare. Ky ideal, i cili u komprometua nën udhëheqjen e Gruevskit, duhet t’i udhëheqë veprimet politike në Maqedoni në ditët në vijim.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO