Monografitë | Në thelb | Të drejtat e LGBTI

“Mamë, Babë, Unë jam…”

Nga - 10.10.2017

Të dalësh haptas në Kosovë.

Para dy viteve, në një ditë pranvere me diell, isha në një rrugë afër Kukësit, në veri të Shqipërisë, me gishtin e madh të dorës lart duke u munduar ta gjej dikë që do të më kthente me veturë në Kosovë. Pas pak kaloi një veturë e hirtë. Brenda saj ishin tre 20-e-pak vjeçarë. Babai im do t’i kishte përshkruar si djem “trendy” (në modë apo me stil). Isha me fat, se ata po udhëtonin nga Tirana në Prishtinë. Shoferi kishte për të mbajtur fjalim atë mbrëmje në një konferencë.

“Super”, i thashë. “Qysh ashtu?”

“Prit, a s’po e njeh a?”, më pyeti personi në ulësen e përparme të pasagjerit. “Kjo është lezbikja e parë e Shqipërisë!”

Normalisht ajo nuk ishte lezbikja e parë që mori frymë në Shqipëri, por ishte e para që foli për dukurinë e të qenët lezbike në TV – lëvizje e guximshme në një vend në të cilin para shtatë viteve 90.9 për qind e popullsisë i përshkruante veprimet homoseksuale si “të pamoralshme”.

Matanë kufirit në veri nuk është se kemi atmosferë më të hapur e mikpritëse. Harroje TV-në. Shumica dërrmuese e qytetarëve LGBTI në Kosovë nuk kanë dalur haptas as para familjeve të tyre. Kur një koalicion i tri OJQ-ve e organizoi një marsh të krenarisë nëpër Prishtinë vitin e kaluar, përfaqësuesit e tij i thanë Agence France-Presse se janë duke marshuar për “personat LGBT të cilët nuk mund të marrin pjesë në marsh për shkak se janë të rrethuar nga homofobia dhe transfobia në Kosovë”.

Si person që ka dalur haptas para krejt Kosovës në TV, dhe jo vetëm para nënës së tij, transgjinori 21-vjeçar, Lendi Mustafa, është pakicë brenda pakicës.

Lendi Mustafa është një prej kosovarëve të rrallë që jo vetëm ka dalur haptas para familjes, por para gjithë kombit, madje nëpërmjet një dokumentari televiziv. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndonëse nëna e tij është relativisht progresive sa i përket gjinisë dhe seksualitetit – ajo e ka më vështirë ta procesojë vendimin e motrës së Lendit për të mbajtur shami për shkak të përkatësisë fetare të saj se vendimin e Lendit për t’iu nënshtruar procesit të ricaktimit të gjinisë – Lendi e dinte se nuk do ta kishte lehtë t’ia shpjegonte asaj identitetin e tij. Si adoleshent, as ai nuk ishte i vetëdijshëm për leksikun e transgjinorizmit me të cilin do ta përcaktonte veten më vonë, pra shpresat që nëna e tij ta kuptonte menjëherë i kishte të vogla.

“Në fillim as nuk e dija çfarë do të thotë trans, kështu që u mundova të mos identifikohem fare si diçka. Isha i mbyllur dhe nuk flisja me askënd për të, por e dija se fizikisht isha femër, dhe fillova të mendoja mos ndoshta isha lezbike, dhe nëse ky është gabim”, thotë ai. “U mundova ta injoroja atë mendim deri kur i mbusha diku 15 vjet dhe fillova të njoftohesha me njerëz të rinj. I kisha tri shoqe të ngushta të cilat ishin lezbike, por ndonjëherë bisedonim e thonim se kishim dëshirë të ishim burra, e kështu”.

“I thashë se isha trans, por u detyrova t’ia shpjegoja hollësisht çfarë doja të thoja.”

Lendi Mustafa për atë se si doli haptas para nënës së tij.

Interneti i ndihmoi Lendit ta zbulonte identitetin e tij, duke hedhur dritë mbi hollësitë e T-së në LGBT. Me të lexuar për këtë, ai e kuptoi se lidhej me jetën e tij. “Fola me mamin por nuk mund t’i thoja thjeshtë se jam trans. I thashë vetëm se më pëlqejnë femrat”, thotë ai. Ajo e pranoi, por edhe ia tërhoqi vërejtjen duke i thënë se “mund të jetë fazë”.

“Pas një viti, i thashë se duhej të flisnim përsëri. I thashë se isha trans, por u detyrova t’ia shpjegoja hollësisht çfarë doja të thoja”, thotë ai. Më pas Lendi e vizitoi një psikolog i cili ia shpjegoi më tej situatën nënës së tij. Ajo u bë burim i fortë i mbështetjes për Lendin – kur ai ngurroi t’u tregonte motrave, nëna i tha t’ia linte këtë detyrë asaj.

“Nëna u mundua të më gjente mënyra më të lehta për t’u përballur me këtë. Fillimsht më tha të mundohesha të ndryshoja, se ndoshta një ditë do të ndihesha rehat në trupin tim”, kujton ai. “Por në atë kohë i kishta 16 vjet, dhe kur i mbusha 19, ajo e pa se problemi im i vetëm ishte se nuk po ndihesha rehat. Më tha t’i tregoja se si shkon operacioni – edhe pse ende ka frikë, ende më mbështet”.

Duke e pritur momentin e duhur

Lendi është pjesë e pakicës, dhe për pjesën më të madhe të kosovarëve, procesi i daljes haptas është diçka për të cilën duhet të planifikojnë dhe të shpresojnë për më të mirën. Vjen me një përzierje të ankthit dhe ngazëllimit.

Multi-instrumentalisti 18-vjeçar Stephany Candela, i cili kërkoi që t’i referoheshim sipas nofkës së tij, jeton me familje në Prizren. Ai planifikon të studiojë produksionin e muzikës në Amerikë. Shija muzikore e tij shtrihet nga metali ekstrem e deri te popi i rrymës qendrore.

Stephany Candela ende nuk është i sigurt për atë se si do të reagonin prindërit e tij po të dilte haptas para tyre. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ai fillimisht doli haptas para motrës së madhe, të cilës i tregoi në vitin 2013. Ndonëse ajo e mbështeti – “As nuk më pyeti dy herë”, thotë ai – u shqetësua gjithashtu se prindërit mund të mos e kuptojnë. “Më tha se babi do të bëhej shumë nervoz dhe ndoshta nuk do të më pranonte”, thotë ai. “Tha se nuk do të më mbështesin”.

Pas katër viteve, Stephany ende nuk e din sigurtë se si do të reagojnë prindërit e tij ndaj këtij lajmi. Ndonëse formalisht ende është i mbyllur para tyre, të dy palët iu kanë qasur në bazë joformale kësaj teme. “Për shembull, babi më tha një herë ‘gjithmonë ke qenë kështu, prej kur ke qenë fëmijë, me këto gjestet femërore’”, thotë Stephany. “I thashë ‘po, të jem i sinqertë, ky jam unë, dhe nuk mund të jem dikush tjetër’, dhe ai u pajtua”.

Stephany mendon se ky është reagim pozitiv, por e din se prindërit e tij nuk kanë mendim pozitiv për komunitetin LGBT. Por ai thotë se prindërit kurrë nuk i bëjnë presion për këtë çështje. Megjithatë, nuk po nxiton të dalë haptas para tyre, sepse po e pret momentin më të favorshëm.

“Dua të dal haptas kur ta gjej dashurinë e jetës”, thotë ai. “Kur të jem në marrëdhënie, kur ai person më bën të lumtur – dua ta përdor atë mundësi për t’i treguar mamit: Shiko se sa të lumtur po më bën ai. Dua që atëherë ajo ta shohë se çfarë po ndodh dhe ta ndjejë lumturinë [që ma sjell ajo marrëdhënie]”.

“Dua ta bëj një hap para dhe ta bëj këtë më normale, e këtë mund ta arrijmë vetëm duke dalur haptas.”

Stephany Candela

Me sa duket edhe miqtë e Stephany-t në këtë komunitet po e presin momentin e duhur. Asnjëri ende nuk u ka treguar prindërve të tyre.

Megjithatë, në Tetovë është një aktivist me emrin Bekim Asani, prania e së cilit në rrjete sociale e frymëzon dhe i jep shpresë Stephany-t. “E shoh duke postuar fotografi me nënën e tij, e cila mban shami e shkon në zyrë të tij e pi kafe me të”, thotë Stephany.

Ndonëse Stephany ende nuk ka dalur haptas para prindërve të tij, ai mendon se dalja haptas është e domosdoshme, para prindërve e para gjithë botës. “Dua ta bëj një hap para dhe ta bëj këtë më normale, e këtë mund ta arrijmë vetëm duke dalur haptas. Duhet të jesh shumë i mirë dhe i butë kur ua shpjegon këtë njerëzve në Kosovë”, thotë ai, duke shtuar se është e rëndësishme “t’ua thuash një tregim që i bën ata të ndihen sikur janë në pozitën tënde”.

“Kam biseduar me homofobë dhe i kam konvertuar; pas bisedës më kanë pranuar”, thotë ai. “Ua tregoj një rrëfim që i bën të ndihen sikur janë në pozitën tënde, e nxen bisedën ngadalë e ngadalë, dhe pastaj në një moment, u tregon”.

Thashetheme në qytet të vogël

A.R. u lind e u rrit në Prishtinë dhe identifikohet si joheteroseksual. Ai fillimisht u bë i vetëdijshëm për orientimin e tij në moshën 16-vjeçare. Nëpërmjet postës elektronike tregon se si vlerat konservatore familjare e shtynë atë të besojë se ka diçka gabim tek ai, dhe si lutej çdo natë për të gjetur shërim për ‘sëmundjen’ e tij. “Mendova se jam çmendur dhe se është diçka e përkohshme”, shkruan ai.

Pas disa muajve u shfaq një dokumentar i cili fokusohet në individët LGBTI në Kosovë dhe në të cilin paraqitet Lendi, “Mallkimi i LGBTI”. Kjo i dha atij shpresë. “Kur e pashë dokumentarin e kuptova se ka njerëz të tillë në Kosovë dhe ka organizata që avokojnë dhe lobojnë për të drejtat LGBTI”, kujton ai. “Pasi e pashë këtë dokumentar, fillova të ndihem më i sigurtë dhe më i plotë”.

Por sido që ndihet brenda vetës, kur mendon të dalë haptas para prindërve të tij ai ndihet i nevrikosur. “Asnjëherë nuk kam parë ndonjë shenjë që më tregon se ata mendojnë se kam të drejtë ta zgjedh identitetin gjinor dhe të më tërheqë emocionalisht apo seksualisht dikush i së njejtës gjini”, shkruan ai, duke shtuar se veçanërisht ka frikë kur mendon se si do të reagonte babai i tij. Ai mendon se besimi fetar i babait të tij, si dhe frika nga thashethemet në qytet, do ta bënin të vështirë që ai ta pranonte seksualitetin e të birit të tij.

“Mendoj se kur vjen koha dhe dal haptas para tij, ai ose do të heqë dorë nga unë, ose do të mundohet ta mbajë të fshehur prej të tjerëve”, shkruan ai.

Shumë persona LGBTI në Kosovë shqetësohen nga idea se po të dalin haptas mund ta humbin mbështetjen e familjes së tyre. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ai ka më shumë shpresa për nënën e tij, duke kujtuar një rast kur e shikuan bashkë një emision televiziv në të cilin u diskutuan identitetet transgjinore, dhe si ajo tregoi pak dhembshuri dhe tolerancë duke thënë “Shumë mirë që kanë arritur ta kuptojnë vetën. Zoti ka dashur që ata të jenë kështu”.

Albi* do ta nisë udhëtimin e tij akademik gjashtëvjeçar në degën e mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. 18 vitet e para të jetës së tij i kaloi në Gjilan. As ai nuk ka dalur haptas para prindërve të tij.

“Prishtina do të jetë një kapitull i ri në jetën time”, shkruan ai në Viber. Ai thotë se Gjilani është qytet i vogël që pothuajse ia ka pamundësuar atij gjetjen e një partneri dhe shprehjen e lirë të personalitetit të tij si biseksual i ri.

Ndonëse zyrtarisht nuk ka dalur haptas para prindërve të tij, Albi thotë se ekziston një thënie në mesin e komunitetit LGBTI: “Prindërit e dinë para teje”.

“Edhe po të kisha provuar, do të kishte qenë shumë, shumë e fshehtë dhe e frikshme”, shkruan ai. “E kam një shoqe lezbike e cila kaloi me një vajzë familja e së cilës e kuptoi për këtë marrëdhënie të re, dhe vëllezërit e së dashurës së shoqes sime… përdorën forcë fizike kundër saj dhe i thanë që të qëndrojë larg vajzës me të cilën po kalonte”.

Albi përshkruan se si vëllezërit e tërhoqën për flokësh dhe e rrahën me grushta para se ajo të ikte. “Gjëra të tilla ndodhin këtu në Kosovë, dhe kur jeton në një qytet të vogël, asgjë nuk mbetet sekret”, shton ai.

Ndonëse zyrtarisht nuk ka dalur haptas para prindërve të tij, Albi thotë se ekziston një thënie në mesin e komunitetit LGBTI: “Prindërit e dinë para teje”.

Albi thotë se prindërit e tij, të cilët i sillen rrotull temës por asnjëherë nuk i shtrojnë pyetje direkte për seksualitetin e tij, janë të shqetësuar për idenë e të qenët gej haptas në një ambient si Gjilani, meqë ata mendojnë se mund t’i kushtojë me reputacion, veçanërisht për shkak se janë pronarë të një biznesi dhe në një farë mënyre shtyllë e komunitetit.

“Një ditë i rruva këmbët dhe nënës sime nuk i pëlqei fare kjo”, shkruan ai. “Ajo tha ‘A po don me ju tregu njerëzve diçka që ata nuk e dinë a?’”.

Albi pajtohet me prindërit e tij për atë se tani nuk është koha e duhur për të dalur haptas. Ai thotë se më mirë është të presë deri kur është i pavarur, dhe idealisht, kur ka partner. Sidoqoftë, ai shpeshherë shpreson që prindërit e tij do ta bëjnë hapin të parët dhe t’i thonë se janë të vetëdijshëm për seksualitetin e tij. “Sigurisht mendoj se çdo fëmijë gej e dëshiron këtë”, shkruan ai. Ndërkohë, sidoqoftë, ai thejsht shpreson që të mos e gjykojnë për sjelljet dhe shoqërinë e tij.

Ai gjithashtu beson se prindërit e tij më shumë kanë frikë nga mendimet e të tjerëve se të vetat. “Mendoj se pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë do t’i kishin pranuar fëmijët e tyre, por do të kishin qenë të shqetësuar për atë se çfarë do të mendonin e të thonin tjerët”, shkruan ai. “Miq të nënës sime kanë pyetur se çfarë problemi kam… meqë postoj online për ‘pedera’. Para dy ditëve, një vajzë e çmendur i tha nënës sime ‘të lutem mos e le djalin tënd me ndejt me kushëririn tim… sepse është i degjeneruar dhe gej – kjo është një prej gjërave më të çuditshme që më kanë ndodhur!”

Por ndonëse Albi ngul këmbë që “nuk më ndalin bisedat e disa pleqve”, rreziku shumë i vërtetë i shndrrimit të paragjykimit dhe homofobisë në dhunë fizike është diçka për të cilën “duhet të shqetësohen të gjithë personat LGBT në Kosovë, jo vetëm unë”. Ai shton se ky rrezik pa dyshim luan rol në ngurrimin e prindërve të tij për t’ia pranuar plotësisht identitetin: “Asnjë prind nuk ka dëshirë ta shohë fëmiun e vet duke u trajtuar keq”.

Rreziku i dhunës është i vërtetë. Në vitin 2015, National Democratic Institute (Instituti Kombëtar Demokratik), OJQ amerikane, organizoi një sondazh me individë kosovarë të komunitetit LGBTI. Në të, 81 për qind raportuan se janë abuzuar verbalisht dhe 29 për qind se janë rrahuar ose sulmuar për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

“Mora vetëm mesazhe pozitive prej miqve të vjetër, të cilët më thonin: ‘Urime. I guximshëm je që dole haptas’. Ende po i pres kërcënimet!”

Lendi Mustafa flet për përvojën e daljes haptas në televizion kombëtar.

Megjithatë, prindërit dhe anëtarët e komunitetit mund të marrin guxim nga përvoja e Lendi Mustafës, i cili doli haptas para kombit në një dokumentar që u shfaq në TV.

“Ishte vendim që e mora brenda një sekondi. Isha duke folur me një shoqe dhe ajo më tha se dikush është duke e bërë një dokumentar për komunitetin LGBT dhe është duke kërkuar një person transgjinor. Ajo më tha se mund ta fsheh fytyrën dhe ta ndryshoj zërin, e unë thash se nuk mund ta bëja këtë sepse nuk doja të fshihesha”, thotë ai. “Fola me gazetarin dhe ai më tha ‘a je i sigurtë që ke dëshirë ta bësh këtë?’”

Ai ishte i vendosur. Gazetari e çoi për t’u takuar me anëtarë të shoqërisë civile (shumë prej të cilëve Lendi veç se i njihte shoqërisht) në mënyrë që ata t’ia shpjegonin rreziqet e daljes haptas si trans para gjithë shtetit.

“Ua tregova historinë time por edhe u dhash informata për transgjinorizmin, dhe me të vërtetë prisja për kërcënime e kësi sende”, kujton ai. “Mora vetëm mesazhe pozitive prej miqve të vjetër, të cilët më thonin: ‘Urime. I guximshëm je që dole haptas’. Ende po i pres kërcënimet!”

Por ndonëse tregimi i Lendit është tregim i suksesit, ai e kupton se përvoja e tij nuk është universale – madje, larg asaj. Kur i kërkuam që të japë këshilla për prindërit e fëmijëve LGBTI, ai tha: “Problemi më i madh për prindërit është se flasin shumë haptas për atë se sa shumë e urrejnë komunitetin. Nuk kam se çfarë të bëjë për ta. Nuk mund t’i mësoj prindërit që t’i pranojnë më shumë fëmijët e tyre”, thotë ai. “Por mendoj se mund ta këshillojë komunitetin [LGBT]: kur të dalin haptas, së pari duhet të mundohen të afrohen më shumë me familjen e tyre dhe t’ua shpjegojnë se nuk ndihen si të gjithë tjerët në familje, e pastaj mund të dalin haptas”.

Ai i paralajmëron anëtarët e rinj të komunitetit të mos nxitojnë në procesin e daljes haptas, sado që mund të jetë joshëse: “Mosha është shumë e rëndësishme. Pjesa më e madhe e adoleshentëve e kanë një dëshirë të fortë për të dalur haptas por duhet të kenë kujdes sepse do të jetojnë me këtë presion për tri vitet e ardhshme”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

  • PËR AUTORIN/EN Jack Davies
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO