Biseda | Tech

Marcin Malinowski: Intelegjenca Artificiale do të ndryshojë gjithçka për njerëzimin

Nga - 17.11.2016

Kreu i partneriteteve botërore të Google me Evropën Lindore flet për Intelegjencën Artificiale, privatësinë e përdoruesve dhe mundësitë e punësimit në kompaninë e tij.

Për shumë njerëz, Intelegjenca Artificiale (IA) konsiderohet trillim i largët shkencor që e shohim në filma të Hollywood-it si Ex-Machina dhe Transcendent. Por muajin e kaluar, para një audience të madhe në Prishtinë, Marcin Malinowski i Google theksoi se si IA jo vetëm që ka qenë fokus i botës së teknologjisë në kohët e fundit, por edhe se brenda dy viteve, do të ndryshojë gjithçka për njerëzimin.

Duke folur për zbulime e zhvillime të rëndësishme të IA, Malinowski përshkroi se si IA e Google ka mësuar se si të luaj lojën antike kineze Go; e njohur për mundësi të pakufijshme të lëvizjeve dhe mendimin strategjik që të duhet për ta luajtur. Go shpeshherë konsiderohet si më komplekse se shahu. Ai tha se këtë pranverë, IA e Google arriti që ta mposhtë kampionin botëror të Go në atë që u konsiderua si betejë historike në Go, dhe fitore finale për hulumtuesit e IA.

Malinowski vazhdoi duke diskutuar atë se si IA sot mund të riprodhojë punime artistike të piktorëve më të mëdhenj në botë. Ai shpjegoi se si hulumtues nga një universitet gjerman zhvilluan një IA që është e aftë të kuptojë teknikën dhe lëvizjet e brushës; e si rezultat dalin algoritma të thella e të mësuara, që rikrijojnë kryevepra të piktorëve si Van Gogh dhe Edvard Munch. “është edhe një këngë që performohet nga IA, dhe i ngjanë muzikës së Beatles, sa më kujtohet”, tha Malinowski për K2.0.

majlinda-hoxha-kosict-qa-marcin-malinowski-prishtine-10-2016-4

Mundësitë e pafundme të IA dhe grumbullimit të së dhënave ishin fokusi i fjalimit të tij kryesor gjatë edicionit të pestë të festivalit të Teknologjisë KOSICT, organizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), me mbështetje nga Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe Universum University College. Kreu i partneriteteve globale të Google me Evropën Lindore, Malinowki, i cili jeton në Varshavë, ishte njëri prej folësve kryesor në këtë konferencë, në të cilën u përfshinë fjalime e biseda për disa tema botërore të Teknologjisë Informative; prej  marketingut digjital e deri te teknologjia në arsim dhe sportet elektronike.

K2.0 foli me Milanoëski pas konferencës për të diskutuar atë se çfarë u duhet zhvilluesve të ri që të jenë pjesë e Google, mendimet e tij për kahjen e IA, dhe çështje që lidhen me privatësinë e përdoruesve.

K2.0: Cilat janë procedurat e punësimit në Google? A duhet të jesh super i talentuar…?

Marcin Malinoëski: Sigurisht po. (qesh)

…apo i trajnojnë pasi që t’i marrin?

Janë dy tema të ndryshme këtu, pra po filloj me të parën. Si menaxher në Google, roli im prinar është që ta zhvillojë ekipin tim. Pra nëse anëtarët e ekipit tim nuk zhvillojnë aftësi të reja, dhe nuk po zhvillohen vet, e nuk po bëhen më të mirë në shumë sisteme e gjëra të ndryshme që ne i masim, unë dështoj – ky është dështim i imi. Pra mësimi është… i domosdoshëm në kulturën e Google.

Besoni që i kaloj hiç më pak se 25 përqind të kohës time duke mësuar. Jam trajnuar për produkte, procedura, e aftësi të ndryshme.

Dhe ka shumë njerëz të ndryshëm prej të cilëve lehtë mund të mësosh. Në Google si kulturë, nuk ka pyetje palidhje. Vetëm përgjigjet mund të jenë palidhje. Pra, e dimë që mund t’i shtrojmë kujtdo pyetje palidhje dhe askush nuk do ta keqpërdorë këtë. Pra jepim përgjigje, folim shumë, komunikojmë dhe mundohemi që të ndërtojmë besim në relacion me njëri tjetrin, si dhe të ndërtojmë mbi ekspertizën e njëri tjetrit.

Tani për t’iu kthyer pyetjes për procesin e punësimit. Sigurisht, Google është kompani që tërheqë standardet më të larta. Mundohemi që t’i punësojmë njerëzit më të mirë në botë. Kjo është idea dhe kriteri.

"Shumë produkte me të cilat punon ekipi im nuk ekzistuan para dy viteve – po të mos kishin qenë të aftë që të rriten, do të kishin patur probleme."

Pra nuk punësojmë vetëm njerëz të talentuar, por punësojmë njerëz të talentuar për pozita të caktuara; secili aplikacion duhet të lidhet me një pozitë të hapur. I masim disa elemente dhe atribute që janë shumë të rëndësishme. Një prej tyre është ajo që ne e quajmë ‘aftësi e përgjithshme kognitive’ – është aftësi e mënyrës së mendimit, mënyrës së lidhjes së gjërave në mënyrë logjike, apo për të vlerësuazr disa vlera me logjikë, thjeshtë për të parë nëse u punon logjika. Nëse i lidhin gjërat, është shumë e rëndësishme.

Dhe sigurisht dituria që lidhet me rolin e njeriut është shumë e rëndësishme sepse aftësitë e përgjithshme kognitive janë vlerë universale që çdo punëtor i Google duhet ta ketë, ndonëse janë aftësi që lidhen shumë me pozita të caktuara për të cilat po kërkojmë njerëz.

Dhe element shumë i rëndësishëm është gjithashtu të vërejmë nëse personi është i aftë të ndryshojë punën në të ardhmën. Po mundohemi që të vlerësojmë aftësinë për ta ndryshuar pozitën dhe për t’u zhvilluar më vonë. Google nuk ekzistonte para 18 viteve, dhe shumë produkte me të cilat punon ekipi im nuk ekzistuan para dy viteve, pra unë po punësoja vetëm specialistë në një fushë shumë të ngushtë – po të mos kishin qenë të aftë që të rriten, do të kishin patur probleme.

Çfarë këshilla keni për zhvillues entuziastë që duan të punojnë për Google?

Matini aftësitë e juaja dhe sfidoni vetën, para se të ju sfidojë dikush tjetër.

E dyta: Bëhu vetëvetja. Nëse je në një intervistë, absolutisht bëhu vetëvetja. Mos u shtirni si dikush tjetër sepse nuk dhezë, dhe kujtoni që Google është i hapur për çdo person; ne e vlerësojmë diversitetin. Po mundohemi që ta ndërtojmë një organizatë që i përfshinë të gjithë, pa marrë parasysh besimet, gjininë ose orientimin e tyre seksual.

T’ua them një tregim: Ishte një kohë kur një aplikacion i ri, YouTube, po ndërtohej për telefona mobil, dhe sigurisht u ngarkua në shuëm telefona tëp unëtorëve të Google, në mënyrë që ata të luajnë me të për disa ditë e javë, dhe zhvilluesit po analizonin atë që po ndodhte. Doli që 17 përqind të filmave që u ngarkuan në aplikacionin YouTube ishin mbrapsht. Dhe dolën 17 përqind personave që përdorin më shumë dorën e majtë, në popullsinë e testuar, që është shembull i përkryer për atë se sa ë e rëndësishme është që të kemi shumëllojshmëri njerëzish, në mënyrë që t’i përcjellim problemet para se të lansohet produkti. Ajo ditë ishte e mirë njëlloj edhe për majtakët, edhe për djathtakët, dhe mendoj se kjo dëhsmon vlerën e diversitetit në çdo organizatë, përfshirë Google.

Çfarë krittere ka për të hapur zyrë të Google në ndonjë rajon? A planifikoni të hapni zyrë këtu së shpejti?

Janë disa elemente. Fillimisht, Google është kompani botërore dhe mundohet që t’i shfrytëzojë maksimalisht operacionet, dhe një prej aspekteve është futja e operacioneve në qendra rajonale. Për Evropën, qendra më e madhe rajonale është Dublini, që i ka 5000 njerëz nëse nuk gaboj, e zyra e dytë më e madhe është Londra, që i ka diku dy mijë. Dhe Polonia është e treta, me rreth 1000 njerëz të përzier në tri zyra.

Nuk ka gjithmonë kuptim që të marrim persona në zyra lokale. Shumë operacione sot trajtohen nga teknologjia dhe nga prania e largët. Dhe ekonomikisht nuk ka kuptim që të kemi zyre çdokund, e të operojmë në bazë lokale. Shumë prej produkteve tona janë në dispozicion nga larg.

majlinda-hoxha-kosict-qa-marcin-malinowski-prishtine-10-2016-7

Cili mendoni se është projekti më i rëndësishëm në të cilin po punon Google aktualisht?

Mendoj se është DeepMind. Mendoj që është projekti më i fuqishëm që jemi duke e bërë, dhe mendoj që në përgjithësi është fenomeni më interesant që po ndodh në botë, pa marrë parasysh se a po flasim për Google apo për IBM… të gjithë po e shohin këtë industri dhe mundësi. Mendoj që do të ndryshojë gjithçka në dhjetëra vitet e ardhshme. Veç se ka filluar të ndryshojë në mënyrë mjaft dramatike produktet që i përdorim sot, përfshirë shërbimin e kërkimit e hulumtimit Google, dhe produktet tjera si Google Assistant; janë disa gjëra që kanë ardhur falë saj, dhe do të shohim më shumë në vitet e ardhshme.

A ka rreziqe në lidhje me Intelegjencën Artificiale, si në filmat e Hollywood-it, ku shohim robota që sulmojnë njerëzimin?

Prej çfarë kam dëgjuar, Elon Musk [inxhinier dhe kritik i IA] po ka frikë nga kjo. Ne jo. Në Google ne mendojmë në fakt të kundërtën, që do të jetë fitimprurëse për njerëzimin. Do të na pasurojë jetën, e nuk do ta rrezikojë atë.

Si i matë Google gjërat që duhen për të ardhmën? Për shembull reduktimi i trafikut në rrugë?

Është një ndarje e tërë në Google që quhet Google X. Këta janë njerëz që janë përgjegjës për lansimin e anijeve kozmike për në Hanë, projekte të mëdha, shumë, shumë të mëdha. Ata as që e konsiderojnë të merren me ndonjë projekt që nuk bënë ndryshim dhjetë-fish.

Po të ishte detyra, ‘Të prodhojmë një veturë që lëvizë dyfish më shpejtë’, ata nuk do të lodheshin as duke e marrë parasysh. Po të vinte dikush e t’ju thonte ‘Hej, pse s’pe merrni kerrin e me optimizu duke ja ndrru rrotat e kështu’, do ta diskutonin, por më shumë preferojnë detyra si ‘Hej, pse s’po mendojmë përsëri për ta zgjidhur përsëri çështjen e transportimit prej A deri në B, të 1 deri në 5 personave, me kosto të kufizuar’. Më parë kanë dëshirë të punojnë në projekte që me precizitet i përcaktojnë synimet, më shumë se sa zgjidhjet.

Në përgjithësi, kur Google X e shqyrton një çështje, duhet të jetë diçka që përpiqet të adresojë diçka shumë, shumë të madhe. Një prej shembujve që nisi në Google X ishte ‘Projekt Loon’. Problemi ishte se si të çohet interneti te një miliard përdorues tjerë, dhe një prej ideve që u zhvilluan ishte bashkimi i balonave që sillen nëpër stratosferë e që sjellin internet nga lart. Diçka që vetëm do ta kishim përfytyruar para 10 viteve.

Çfarëdo të dhëna që fusni në Google cloud shpërndahen në mijëra servera e hard drives në vende të ndryshme. Dhe e vetmja gjë në botë që mund t'i bëjë bashkë këto gjëra është emri i llogarisë dhe fjalëkalimi.

Çfarë po bënë Google sa i përket privatësisë së përdoruesve dhe kritikave për censurim të rezultateve?

Janë disa rregulla politike që aplikojnë për ato që bënë t’i kërkojmë dhe ato që nuk bënë. Besojmë që duhet t’i ofrojmë të gjitha informatat e botës, duke e bërë të qasshme universalisht për të gjithë njerëzit. Por gjithashtu po mundohemi që të sigurohemi që njerëzit të mund të ulen me fëmijët e tyre të vegjël e të kërkojnë e të shohin përmbajtje që nuk i ofendojnë fëmijët. Nëse reklama të Google shfaqen rreth përmbajtjeve, duam që ato të jenë të përballueshme prej fëmijëve 5, 6 e 7 vjeçar. Pra një prej masave që i kemi marrë shtë që të prezantojmë ato që duam si përmbajtje, e të mos i prezantojmë ato që nuk duam.

Sikur në YouTube. Ka rregulla që duhet të respektohen; kjo është e qartë, është pjesë e marrëveshjes dhe pjesë e politikës së kësaj platforme. Mund të thoni se kush jemi ne për të diktuar se çfarë është e drejtë e çfarë nuk është. Ne definitivisht nuk jemi personat më të zgjuar në planet, por me vetëdije po mundohemi që të ndërtojmë platforma që do të jenë të dobishme, dhe sipas atyre që i shohim dhe besojmë, këto rregulla duhet të respektohen.

Një temë tjetër është rregullimi që na aplikohet neve, dhe në rezultatet e kërkimeve në Google, prej qeverive lokale, qeverive të BE. Varet se ku po ndodh kërkimi, ku është i ulur përdoruesi dhe ndonjëherë edhe ku procesohen të dhënat.

A mendoni se Google po i mbronë të dhënat private në mënyrën më të mirë të mundshme?

Mendoj që jemi ndër më të mirët për mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve, nëse jo më të mirët. I trajtojmë të dhënat me kujdes të tepërt. Të thëm se si e trajtojmë llogarinë tënde në Gmail, nëse e ke një të tillë. Çfarëdo të dhëna që fusni në Google cloud shpërndahen në mijëra servera, hard drives, në lokacione të ndryshme. E vetmja gjë në botë që mund t’i bashkojë këto gjëra së bashku është emri i llogarisë dhe fjalëkalimi. Pra nuk ka rrezik që dikush ta vjedh një hard drive nga një lokacion – nëse e vjedh, marrin vetëm bytes të pakuptimta. Emri i llogarisë dhe fjalëkalimi e bëjnë magjinë dhe i sjellin të dhënat prej lokacioneve të ndryshme, serverëve të ndryshëm, dhe e bëjnë pjesën logjike.

Pra në fusha logjike e fizike jemi ok. Pastaj sa i përket rregullave, mendoj që jemi shumë, shumë të qartë për politikat tona, mënyrën se si i trajtojmë të dhënat. Këto të gjitha janë publike dhe super transparente, dhe nuk po bëjmë asgjë për të dëmtuar marrëdhëniet tona me përdoruesit. Jemi krejtësisht të hapur. U sigurojmë vegla përdoruesve nëpërmjet të cilave mund të kontrollojnë se sa dimë ne për ta dhe çfarë lloj diturie kemi.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Fotografitë : Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO