Blogbox

Martesa(t) e pakurorëzuara

Nga - 03.04.2018

Recension mbi artin politik në një film.

Regjisorja Blerta Zeqiri së bashku me producentin Kreshnik Berisha dhe trupën kryesore të aktorëve, ia kanë dalë të sjellin filmin më të mirë me metrazh të gjatë së fundmi, bashkëprodhim i BunkerFilm, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare në Shqipëri. E veçanta e “Martesës” qëndron në faktin se regjisorja me mjeshtëri dhe përkujdesje ka ditur të ballafaqojë dy realitete kontradiktore që shkojnë përtej Kosovës dhe reflektojnë mbi bashkëjetesën e gënjeshtërt të shoqërive në Ballkan: realitetin brenda dhe jashtë dyerve, të shtrirë në dy perspektiva kohore të ndryshme.

“Martesa” nuk është (vetëm) një film për komunitetin LGBT. Madje një reduktim i këtillë do t’ia tkurrte esencialitetin filmit. Para së gjithash, ky është një film për shoqëritë e traditave të mykura ku mbi patriarkalizmin qëndrojnë shtete të dobëta të cilat as nuk e mbrojnë individin as nuk e pranojnë atë në gjirin e tyre. Konflikti kryesor i veprës nuk është dashuria e pamundur mes dy personave — në këtë rast midis dy burrave, njohja e të cilëve shtrihet mbrapa në kohë — por hipokrizia dhe dhuna e një sistemi të tërë shoqëror.

Foto: Screenshot nga filmi “Martesa”.

Bekimi (Alban Ukaj), një burrë i ri në moshë është në prag të martesës me Anitën (Adriana Matoshin), një grua të cilën e ka njohur në barin që drejton, në një mbrëmje gazmore mes pijesh dhe flirtimi. Gjithçka duket t’i jetë nënshtruar klisheve karakteristike të organizimit të një dasme për çiftin: ndreqjes së fustanit të bardhë, listës me të ftuarit, ankthit të zgjedhjes së orendive për shtëpinë e re, etj. deri në çastin kur në skenë shfaqet Noli (Genc Salihu). Noli, ish i dashuri dhe shoku i Bekimit, i konfirmon atij dashurinë e pandryshuar, pavarësisht viteve larg njëri-tjetrit, duke trazuar kësisoj ujërat.

Bekimi i druhet reagimit të familjes dhe shoqërisë për idenitetin e tij seksual. Por mbi të gjitha, ai i druhet vetes së tij. Andaj zgjedh t’i fshehë dhe t’i shtypë ndjenjat duke përqafuar së jashtmi modelin e atij burri që nuk është: i pavarur, mendjehapur, heteroseksual, modern dhe i lirë. Ai zgjedh sigurinë në vend të lirisë, dëshpërimin dhe rehatinë në vend të dashurisë, frikën në vend të guximit, nënshtrimin në vend të dinjitetit njerëzor dhe konformizmin në vend të lumturisë; ndryshe nga Noli, i cili është i gatshëm t’i pranojë pështymat dhe shqelmat e rrugaçëve, por kurrsesi të mos bëjë kompromis për dinjitetin si burrë dhe njeri.

Zeqiri ia del të shpalosë kompleksitetin social të një shoqërie të tërë në një kornizë të vetme: 10 vjet pas luftës shumëçka duket se ka ecur në drejtimin e duhur për protagonistët tanë. Atyre nuk u mungon më buka në tavolinë, nuk kërcënohen të dalin nga shtëpia e të marrin udhën drejt askundit, askush s’do t’iu vijë me mitraloz te dera… Tashmë, ajo çka i cënon është vetëm vetja e tyre.

Lufta e jashtme është zëvendësuar me luftrat e brendshme. Sa ironik po aq interesant është pohimi që Noli i bën Bekimit teksa rrinë të përqafuar në pranverën e vitit 1999, kur shtëpitë po hidhen në erë e shqiptarët e Kosovës janë në eksod. Ai shprehet se është i lumtur, pavarësisht rrethanave në të cilat kjo lumturi ka fituar jetë. Madje kjo gjë e bën të ndihet fajtor sepse arsyeja kërkon që lumturia të mos ecë paralelisht me luftën sepse lufta mbjell frikë dhe vdekje. Por ja që lufta e strehoi atë në krahët e Bekimit duke i dëshmuar se si në errësirë ka gjithmonë dritë dhe kjo dritë nuk mund të jetë kurrsesi gabim. Dashuria s’është gabim, përdhosja e saj dhe urrejtja, po.

Historia na ka mësuar se dashuria është më e fortë se urrejtja dhe ajo mund t’i bashkojë njerëzit më mirë e më drejtë, duke i bërë vend gjithsekujt.

Me një sens inteligjent të ironisë, Zeqiri ia del ta homogjenizojë mentalitetin patriarkal që ka lëshuar rrënjë në Ballkan kur nëpërmjet Nolit shpreh se si e vetmja gjë që mund t’i bashkojë serbët dhe shqiptarët në ato kushte është urrejtja ndaj personave si puna e tyre, urrejtja ndaj homoseksualëve. Këtë Bekimi e konfirmon paraprakisht kur ofshan se si në luftë, si në mungesë të luftës, edhe vet nëna që i ka bërë kokën do t’i dilte kundër duke e dhunuar. Pikërisht te ky  dialog i çiltër gjendet nyja lidhëse e gjithë filmit: krisja artistike e murit nacionalist dhe patriarkal.

Prej këtu filmi ka përfunduar së qeni thjesht një dramë kinematografike, ai fiton tashmë një përgjegjësi të re, atë të të qenit një material i drejtpërdrejtë edukativ dhe politik. Historia na ka mësuar se dashuria është më e fortë se urrejtja dhe ajo mund t’i bashkojë njerëzit më mirë e më drejtë, duke i bërë vend gjithkujt.  

Sot shtetet si Kosova, Serbia dhe Shqipëria synojnë t’i bashkohen familjes europiane, pavarësisht krizave të saj, me besimin se unifikimi jo vetëm që prodhon tolerancë dhe paqe por i hap rrugë mundësive më të mëdha dhe zgjidhjes së përbashkët e më të shpejtë të problemeve sepse e ardhmja u përket të gjithë njerëzve dhe si e tillë ajo s’mund t’i mohohet askujt. Kosova dhe Serbia, pavarësisht çështjeve të pazgjidhura, s’janë më në luftë me njëra-tjetrën por me vlerat e tyre të brendshme shoqërore.

Luftën tanimë e kemi të përbashkët kundër sistemeve zhvatëse dhe qeverive makute që nuk duan t’ia dinë për ne, pavarësisht orientimeve tona seksuale, besimeve që kemi zgjedhur t’iu përkasim apo korrektesës qytetare. Mospajtimet me qeveritë tona, janë më të mëdha e më serioze se dallimet e paqena mes nesh.

Kësisoj “Martesa” mund të trajtohet edhe si një ftesë për t’i kthyer sytë nga vetja, për të mësuar se mes një burri homoseksual dhe një burri heteroseksual, qofshin këta shqiptarë apo serbë, ato që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë. Luftën tanimë e kemi të përbashkët kundër sistemeve zhvatëse dhe qeverive makute që nuk duan t’ia dinë për ne, pavarësisht orientimeve tona seksuale, besimeve të cilave kemi zgjedhur t’u përkasim apo korrektësisë qytetare. Mospajtimet me qeveritë tona janë më të mëdha e më serioze se dallimet e paqena mes nesh.

Në këtë prizmë, e shkuara dhe lufta nuk kanë thjesht ndikim narrativ në film që na ndihmon të njihemi me dinamikën e marrëdhënieve mes subjekteve, por ato luajnë rol veçanërisht simbolik ku qëllimi është të kuptuarit e së tashmes duke i hedhur sytë pas (eshtrat e prindërve të vrarë të Anitës nuk janë kthyer ende në shtëpi, gjë që na kujton se s’mund të hidhet çap përpara pa mbyllur plagët e së shkuarës).

Për më tepër, filmi është i ngarkuar me një sërë elementesh simbolike të cilat ua gërvishtin njerëzoren audiencës, duke e bërë atë më empatike teksa e orientojnë nga problemi i vërtetë: kultura e dhunës dhe një padrejtësi e institucionalizuar. Kur Noli ndodhet në mjediset e komisariatit të qytetit, policët bëjnë kinse nuk i dëgjojnë burrat që i drejtohen atij me një gjuhë urrejtjeje sepse në Ballkan dhuna nis nga shteti, e më pas përhapet si efekt domino në të gjitha strukturat e tjera shoqërore.

Ai shkon te bashkëshortja në pranga teksa është realisht i prangosur nga zinxhirët e padukshëm shoqërorë dhe frika.

Gjithashtu, elementë të tjerë ngacmues vizualë do të ishin prangat me të cilat Bekimi kthehet në dasëm, pasi policia e qytetit vendos ta shoqërojë për aty për të konfirmuar se ai nuk kishte gënjyer në deklaratën e dhënë, pasi u ndalua për tejkalim të limitit të shpejtësisë, pikërisht atë ditë. Ai shkon te bashkëshortja në pranga teksa është realisht i prangosur nga zinxhirët e padukshëm shoqërorë dhe frika. Kjo martesë është velloja hipokrite e jetës së tij, të cilën e ka hedhur mbi krye duke e gënjyer veten dhe të tjerët, me iluzionin se këto kushte do ta mbrojnë. Po ç’mburojë mund të jetë gënjeshtra? Ajo nuk mbron; ajo thjesht e zgjat shkatërrimin në kohë duke e intensifikuar atë më tej.

Foto: Screenshot nga filmi “Martesa”.

Nga ana tjetër, fustani vintage i Anitës e cila na paraqitet e veshur me të edhe në adoleshencë, mund të lexohet jo thjesht si një fustan i adoptuar për estetikën e modës së shekullit XXI apo një lidhje e përshpirtshme nënë-bijë, por edhe si një urë e pashkëputur me traditën. Njëfarësoj, fustani i sjellë në të tashmen, mbart fijet e pashkëputura me normat e (pa)rrëzuara të së shkuarës ku roli i vetëm i gruas besohej të ishte ai brenda martesës, shërbimi ndaj burrit dhe mbarsja e fëmijëve.

Nëse do të kritikohej për diçka filmi, ky do të ishte hijezimi i Anitës, lënia e saj në një cep dhe mungesa e përqëndrimit të mjaftueshëm në pozitën e saj për rolin të cilin po e përqafon: ajo po bëhet bashkëshortja e një burri që nuk e dashuron, i cili po e përdor këtë martesë në mënyrë egoiste për të kuruar imazhin e tij publik. Anita dhe Noli ndodhen në një barkë por të dy janë të humbur në këtë betejë të padrejtë përpara Bekimit. Kjo do të kishte shërbyer edhe për të analizuar gjendjen e grave në shoqëritë tona pa i ndarë ato nga personat LGBT pasi patriarkalizmi i prek dhe i dëmton të gjithë, por në mënyrë të veçantë gratë dhe këtë komunitet.

Ndryshimet nuk nisin me receta të gatshme por duke ngritur pyetje dhe “Martesa” ngacmon pikërisht këtu.

Por, filmi është i arrirë dhe reflekton se si personazhet tanë janë të emancipuar vetëm në sipërfaqe, sikundër e gjithë kjo shoqëri. Atyre u lejohet të jenë modernë por me masë, në kuptimin që ata gëzojnë mundësinë të fantazojnë ose ta provokojnë lirinë, por jo ta përqafojnë atë. Emancipimi i tyre kërkohet të mos bjerë ndesh me normat arkaike që ecin kundër njeriut. Çdo hap përtej këtij qerthulli shoqërohet me thathetheme të liga e vështrime të egra të cilat degradojnë deri në përplasje shtazarake. Noli është shembulli ynë për vlerën e lirisë në këto rrethana. Bashkë me lirinë dhe të drejtën ai mbart në vete pasojat e luftës për këtë liri.

“Martesa” është mbi të gjitha një film kryekëput origjinal. Natyrshmëria e komunikimit mes personazheve që e veçon Genc Salihun në interpretimin e tij të parë si aktor – krejtësisht i shkëlqyer –  është e arritur nëpërmjet trios të talentuar dhe të përkushtuar Salihu – Matoshi – Ukaj. Loja e aktorëve, kujdesi që ata tregojnë ndaj personazheve, historisë dhe problematikës që kanë guxuar të përçojnë te një publik shqiptar dhe i huaj, e kurorëzon me sukses këtë martesë. Ky punim mund të qëndrojë më vete si një produkt thellësisht lokal aq sa të mos humbasë kurrfarë grimce nga universaliteti që ruan, ai që i dha dy çmime prestigjioze në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Talin (Estoni) dhe e nominoi për tre të tjera.  

Zeqiri nuk ofron zgjidhje në film. Ky mbetet material përshkrues i aktualitetit, me një sinqeritet goditës. Kjo zgjedhje mund të konsiderohet kufizuese por ndoshta nga një këndvështrim tjetër ajo do të ishte thjesht fisnike. Ndryshimet nuk nisin me receta të gatshme por duke ngritur pyetje dhe “Martesa” ngacmon pikërisht këtu.

Foto: Screenshot nga filmi “Martesa”.

Për shembull, nuk mund të mos na bëjë përshtypje niveli socio-ekonomik të cilit i përkasin personazhet tona. Ato përfaqësojnë një shtresë mikroborgjeze ku siguria ekonomike u lejon të manovrojnë lehtë në jetë (Noli largohet nga vendi drejt një shteti më mendjehapur, ku nuk do të dhunohet dhe të përçmohet si në Kosovë ose së paku jo me atë lloj intensitet ngacmimi, ndërsa Bekimi ka mundësinë të bëjë të njëjtën gjë ose të jetojë vetë aty ku është).

Por çfarë do të thotë të jesh në Kosovë (apo Shqipëri) homoseksual dhe i varfër? Të mos kesh mundësi të shkëputesh nga familja patriarkale dhe homofobia e gjithanshme, pra të mos marrësh dot aeroplanin e të ikësh nga sytë këmbët kur gjërat bëhen të papërballueshme? “Martesa” nuk ofron zgjidhje por ajo hap një debat konstruktiv në kërkim të tyre.

Në fund, ky film na ndihmon të shquajmë të përbashkëtën më tepër se sa të ndryshmen; na bën të hulumtojmë për pozitat tona sociale, në vend të intimitetit të njëri-tjetrit dhe na udhëheq drejt njerëzores aty ku sistemet shtrënguese orvaten ta shkatërrojnë atë. Prandaj uroj që për “Martesën” të ketë vend edhe në auditorët e universiteteve, jo vetëm në sallat e kinemave.

Foto kryesore: Screenshot nga filmi “Martesa”.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO