Shkurt | Politika

Shkarkim masiv i shërbyesve civil në Shqipëri

Nga - 23.06.2017

Zyrtarët publik po shkarkohen për kontribut të supozuar në fushata zgjedhore.

Derisa Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve të përgjithshme, ky vend po përballet me një fenomen të rrallë politik: gati çdo ditë zyrtarë publik në nivele të ndryshme po shkarkohen për shkak të kontributeve të supozuara në fushatat aktuale zgjedhore. Sipas të dhënave publike, 21 zyrtarë u shkarkuan prej zyreve të tyre vetëm brenda periudhës 30 maj – 6 qershor.

Ndonëse ngjarje të ngjashme ka çdo katër vjet – pra njerëzit që punojnë në administratë shkarkohen pas zgjedhjeve në bazë të asaj se cila parti vjen në pushtet – sivjet kjo po ndodh në shkallë shumë më të madhe, edhe para ditës së votimit. Ekspertët po paralajmërojnë që këto shkarkime nuk janë të ligjshme dhe se në të ardhmën kjo mund të jetë arsye për shqetësime serioze, madje edhe mund ta vëjë në dyshim rrugën e Shqipërisë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE).

Ministra teknik

Në fund të majit, dy partitë më të mëdha në parlamentin shqiptar, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, u pajtuan që të formojnë një pjesë teknike të qeverisë aktuale, që është udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) që prej zgjedhjeve të vitit 2013.

Kjo marrëveshje bëri që gjashtë ministra të zëvendësohen prej gjashtë ministrave teknik, si dhe e solli një zëvendëskryeministre e cila do ta mbikëqyrë një Task Forcë që do t’i monitorojë zyrtarët administrativ gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Zyrtarët që janë shkarkuar janë akuzuar për mbështetje të partive politike gjatë orarit zyrtar, si dhe për përdorim të burimeve të institucioneve publike për fushata partiake.

Zyrtarisht arsyeja për këtë është që opozita insistoi që t’u garantohet që zgjedhjet nuk do të pengohen në çfarëdo mënyre prej koalicionit në pushtet. Argumentet e tyre ishin që zyrtarët administrativ mund ta përdorin pozitën e tyre për të marrë vota në mënyrë të paligjshme për koalicionin qeverisës.

Megjithatë, LSI, partia e tretë më e madhe në vend, e sheh marrëveshjen në mes të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike si komplot kundër tyre, ndërsa dy partitë kryesore e akuzojnë LSI për përdorim të zyrtarëve për shtim të numrit të votave.

Zyrtarët që janë shkarkuar janë akuzuar për mbështetje të partive politike gjatë orarit zyrtar, si dhe për përdorim të burimeve të institucioneve publike për fushata partiake. Ndonëse shumë pozita, si ato të ministrave qeveritar dhe drejtorëve të departamenteve brenda bashkive, emërohen prej administratave përkatëse udhëheqëse, personave që i okupojnë ato pozita u lejohet që të bëjnë fushatë për partitë e tyre vetëm jashtë orarit zyrtar, dhe nuk u lejohet që të përdorin burime publike si pjesë e fushatës politike. Anëtarëve të shërbimit të përhershëm civil në nivele kombëtare dhe lokale nuk u lejohet pjesëmarrja në fushata të partive politike.

Tani për herë të parë në Shqipëri janë larguar një pjesë e madhe e shërbimit civil, plus ministrat dhe drejtorët e departamenteve të bashkive, pak para zgjedhjeve të përgjithshme.

Pranvera Strakosha është Komisionere për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil. Roli i saj është që të mbikëqyrë një ekip që analizon shkeljet e kryera nga zyrtarët administrativ. Strakosha tha për K2.0 se pjesëmarrja e zyrtarëve publik në fushatë zgjedhore është “shumë e pakëndshme”, por se ministrat teknik nuk kanë mandat ose kompetenca për t’i menaxhuar apo shkarkuar zyrtarët administrativ.

Strakosha e shpjegoi punën e ekipit të saj, që përfshinë monitorimin dhe mbikëqyrjen e 156 institucioneve në bazë ditore. Pas verifikimit të disa rasteve që u dërguan prej ministrave teknik, ekipi ra në përfundim se disa prej shërbyesve të shkarkuar civil nuk kishin qenë pjesë e ndonjë fushate zgjedhore.

Fushatë hakmarrëse

Menjëherë pas shkarkimeve, LSI e dërgoi një ankesë te Presidenti, Prokurori i shtetit, Kryetari i Parlamentit, Komisioni Qendror Zgjedhor, zyrës së OSCE-ODIHR në Shqipëri, dhe disa ambasadave, duke pretenduar që kjo praktikë e shkarkimit të zyrtarëve është “e padrejtë” dhe “me motive politike”.

Luan Rama, zëvendëskryetar i LSI, tha për një televizion lokal para disa ditëve se zyrtarët, drejtorët dhe punëtorët tjerë administrativ që janë shkarkuar do të ktheheshin në punë me 26 qershor (një ditë pas zgjedhjeve) në qoftë se fiton partia e tij. Për më tepër, LSI ka nisur procesin e paditjes së tre ministrave teknik dhe zëvendëskryeministres teknike, duke i akuzuar ata për abuzim të pushtetit.

Kejdi Mehmetaj, deputet i LSI, tha në një konferencë për shtyp se dy partitë kryesore po punojnë së bashku kundër LSI.

“Task Forca në mënyrë flagrante po e shkel ligjin dhe në mënyrë arbitrare ka filluar të hakmerret. Është duke i bërë shantazh zyrtarëve administrativ. E denoncojmë publikisht këtë fushatë të hakmarrjes”, tha Mehmetaj.

Megjithatë, zëvendës kryeministrja teknike e cila është në krye të kësaj Task Force, Ledina Mandia, tha për media se ata individë që ishin emëruar në mënyrë politike dhe që ishin shkarkuar më pas, kishin kryer abuzime serioze. “Këta zyrtarë administrativ kanë kryer shkelje të ndryshme si abuzime të burimeve njerëzore, si dhe abuzime të fondeve”, tha ajo në një intervistë për TV “Vizion Plus”. “LSI kryesisht është duke shprehur shqetësimin e tyre më shumë se Partia Socialiste, por janë shkarkuar edhe shumë drejtorë prej radhëve të Partisë Socialiste”.

Kryeministri Edi Rama, i cili u pajtua që t’i ketë gjashtë ministra teknik, tha se shkarkimet masive nuk janë kryer nën ndikimin e tij. “Unë nuk e shkarkoj askënd”, tha Rama për News 24. “Unë nuk jam pjesë e këtij procesi. Kjo pjesa teknike e qeverisë është në krye të kësaj. Ne jemi pajtuar që t’i kemi këta ‘roje zgjedhore’. zëvendëskryeministrja merret me këtë”.

Implikimet ligjore

Roden Hoxha, avokat me përvojë nga Tirana, tha për K2.0 se ministrat teknik po veprojnë kundër ligjit, dhe se pjesa më e madhe e shkarkimeve janë të paligjshme. “Ligji thotë se Departamenti i Administratës Publike është institucioni që mund t’i shkarkojë ata”, shpjegoi Hoxha. “Ministrat janë zyrtarë politik të cilët nuk kanë të drejtë ta largojnë askënd nga puna. Në secilin institucion është nga një sekretar i përgjithshëm që e ka këtë për detyrë. Ministrat nuk mund të ndërhyjnë në këto raste, vetëm në disa raste specifike. Pjesa më e madhe e shkarkimeve janë të paligjshme. Nuk është përdorur kurrëfarë procedure e rishqyrtimit apo vlerësimit”.

Klajda Gjosha, ministrja e LSI për Integrim Evropian, ka paralajmëruar se këto shkarkime mund të rezultojnë në një “faturë të padëshiruar” për vendin, meqë disa prej zyrtarëve të shkarkuar i kanë çuar rastet e tyre në gjykatë. Ajo gjithashtu aludoi se raporti i Komisionit Europian pas zgjedhjeve nuk do t’i sheh në mënyrë pozitive zhvillimet e fundit, dhe se ato mund ta dëmtojnë perspektivën europiane të vendit.

Delegacioni i BE-së, në Tiranë, nuk ka komentuar ende në lidhje me këto zhvillime. Kreu i këtij delegacioni për komunikim, Ernest Bunguri, reagoi ndaj pyetjeve të K2.0 me deklaratën në vijim: “Delegacioni i BE është duke e ndjekur nga afër situatën në Shqipëri, dhe nuk do të komentojë për momentin”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Merxhan Daci
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO