Në thelb | Politika

A i mbajnë kryetarët e komunave premtimet?

Nga - 17.10.2017

Çfarë është bërë dhe çfarë jo në katër vitet e fundit në komunat më të mëdha?

Kur Donald Trump synonte Shtëpinë e Bardhë, dy ishin zotimet të veçuara në planin e jashtëm: njëri që do t’i përmirësojë thellësisht marrëdhëniet me Rusinë dhe tjetri që do të ketë relaksim të raporteve me Korenë e Veriut. Akoma pa e mbushur një vit në mandatin e tij, marrëdhëniet me Rusinë edhe janë përkeqësuar, ndërsa ato me Korenë e Veriut janë para pikës së shpërthimit dhe vetëm opsioni i relaksimit përjashtohet në ketë mes.

Premtimet janë planifikime dhe, në disa raste, realizimi i tyre ndikohet nga shumë faktorë.

Ngjashëm ndodh edhe me shumë premtime në Kosovë që japin kandidatët për kryetarë të komunave duke dhënë premtime për fusha e projekte që më vonë, gjatë mandatit, e shohin se nuk janë krejtësisht në mundësinë dhe fuqinë e tyre për t’i realizuar ato.  Sipas institutit GAP, komunat e Kosovës, përveç atyre të veriut, në fushatën e kaluar zgjedhore kanë dhënë 548 premtime dhe kanë përmbushur vetëm gjysmën e tyre gjatë katër viteve të fundit.

Tani ata po bëjnë premtime të reja. Të arriturat e komunave gjatë këtyre katër viteve janë prezantuar gjatë fushatës nga kryetarët aktualë, ndërsa ngecjet ose dështimet e tyre do të shfrytëzohet nga kundërkandidatet për t’i shpalosur me premtimin që ato nuk do të ekzistojnë nëse ata vijnë në krye të komunës.

Por, nuk ka asnjë Komunë në Kosovë që gjatë këtyre katër viteve të kaluara nuk e ka realizuar ndonjë projekt me të cilin krenohet udhëheqja e saj, e po ashtu nuk ka asnjë komunë ku nuk ka pasur ngecje, dështime e probleme të natyrave të ndryshme.

Ja një përmbledhje e disa të arriturave, pengesave e dështimeve të qeverive komunale gjatë katër viteve të kaluara në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.

Prishtina: Suksese në shëndetësi, administratë, ndërmarrësi, e çerdhe, por ngecje në projekte

Asnjëherë nuk është folur më shumë e më shpeshë për Prishtinën se sa gjatë këtyre katër viteve. Kjo është pozitive, ngase nuk e lë udhëheqjen e Komunës t’u shmanget problemeve dhe prioriteteve të qytetit e të qytetarëve.

Prishtina. Foto: CC license.

Por cilat janë të arriturat kryesore të qeverisjes së Shpend Ahmetit? Sektori i shëndetësisë është reformuar, stafi është disiplinuar, ekziston hierarkia e shërbimit dhe e përgjegjësisë. Koha e marrjes së shërbimeve është përgjysmuar dhe aparatura mjekësore përgjithësisht ka funksionuar.

Njësoj ka ndodhur me sektorin e administratës. Prishtina ka qenë e para ndër komunat e vendit që ka përdorur e-kioskë, ku merren shërbimet administrative brenda pak sekondave siç është certifikata e lindjes, certifikata e gjendjes martesore, dhe ekstrakti i lindjes.

Dy ndërmarrje të Prishtinës, ajo e “Trafikut Urban” dhe ndërmarrja publike banesore kanë pasur rritje të kapitalit gjatë këtyre katër viteve. Para katër viteve një punëtor i “Trafiku Urban” merrte pagë mujore ndërmjet 120 dhe 170 eurove, dhe kanë qenë të shpeshta rastet e vonesave në dhënien e pagave, që kanë shkuar edhe deri në katër muaj. Tani paga e tyre është 350 euro dhe pranohet në baza mujore. Te ndërmarrja Publike Banesore të hyrat financiare të ndërmarrjes në vitin 2013 janë llogaritur rreth 300 mijë euro, ndërsa që nga viti 2015 të hyrat janë rreth 1.1 milionë euro.

Komuna e Prishtinës para vitit 2013 nuk arrinte të hapte çerdhe publike. Pamundësia për të ndërtuar çerdhe në atë kohë ka qenë për shkak se Ministria e Financave nuk lejonte rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin publik.

Ky kufizim e ka shtyrë udhëheqjen e komunës të shikojë modalitete për hapjen e çerdheve pa e rritur numrin e të punësuarve. Dhe modeli i partneritetit publiko-privat, ose të njohura ndryshe si çerdhe me bazë në komunitet, kanë funksionuar mirë dhe kanë arritur të zbusin gjendjen e keqe për shkak të mungesës së çerdheve në kryeqytet.

Në bazë të ketij modeli janë hapur pesë çerdhe. Ky model tani mund të bartet edhe në komunat e tjera, ngase nuk krijon shpenzime të buxhetit publik në kategorinë e pagave dhe njëherazi i shtyn prindërit dhe lagjet të jenë aktivë në mjedisin ku sistemohen fëmijët e tyre.   

Ndalja e ndërtimeve pa leje, shujtat falas për nxënësit, autobusët e rinj, rritja e numrit të vendkalimeve për këmbësor, bërja transparente të procesit të prokurimit, bërja transparent e lejeve të ndërtimit,  zgjerimi i rrugëve me sistem të ndriçimit publik, janë disa të arritura tjera të këtyre katër viteve në Prishtinë.

Por ka pasur edhe ngecje e probleme. Komuna nuk ka arritur ta menaxhojë si duhet projektin e platosë së lagjes “Dardania”, ku punimet janë stërzgjatur, ndërsa cilësia e tyre nuk po rezulton e qëndrueshme. Përveç kësaj, niveli i përgjithshëm i investimeve kapitale ka renë dukshëm.

Në vitin 2013 për investime kapitale Prishtina ka pasur buxhet afro 35 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 buxheti në ketë kategori është me pak se 23 milionë euro. Po ashtu, tatimi në pronë ka shënuar rritje, në disa zona deri në 80 për qind. Pastërtia në qytet nuk është më e mirë.

Hapësira afër komunës, e njohur si sheshi “Adem Jashari”, ofron një pamje të shëmtuar të qytetit dhe kjo nuk është evituar. Komuna ka humbur një donacion zvicran për ketë hapësirë, shkaku i koordinimit joadekuat ndërmjet Komunës dhe Kuvendit të Kosovës e cila e ka në pronesi një pjesë të asaj hapësire.

Shitësit ambulantë, mungesa e parkingjeve për vetura, qentë endacak, taksit ilegalë, mungesa e riparimit të shpejtë të gropave në rrugë kanë qenë probleme e ngecje të tjera që e kanë përcjellur Komunën e Prishtinës gjatë kësaj periudhe.  

Gjakova: Arriti të pavarësohet nga Peja, por nuk arriti ta bëjë funksionale zonën ekonomike

Ndarja e Gjakovës nga Peja mund të konsiderohet si një ndër arritjet kryesore të kryetarës së komunës, Mimoza Kusari Lila.

Për shembull, Gjakova ka arritur t’i përfitojë tabelat e veturave ndaras nga Peja dhe qytetet tjera, duke vendosur numrin 07. Kjo nuk e ka ndryshuar domosdoshmërisht jetën e përditshme të gjakovarëve, por kur është dhënë si premtim pakkush ka besuar se kjo do të mund të ndodhte.

Gjakova. Foto: CC license.

Gjatë katër viteve të fundit, Gjakova ka tërhequr 16 milionë euro donacione, disa nga qeveria zvicrane e disa të tjera nga ajo gjermane. Këto donacione Gjakova i ka koncentruar në trajtimin dhe zgjidhjen e problemit të ujrave të zeza dhe rregullimin e sistemit të ngrohjes qendrore të qytetit.

Ndër sukseset tjera mund të llogaritet zgjerimi i listës se subvencionimit të bujqve, hapja e zyrës informuese për turistët, krijimi i fondit të veçantë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbështetje e vazhdueshme për klubet sportive, funksionalizimi i qendrës inovative, zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Rekes së Keqe si dhe rregullimi i rrugëve dhe i trotuareve në disa zona të Gjakovës.

Ndërsa si probleme ose ngecje gjatë kësaj periudhe mund të konsiderohet mungesa e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve në shëndetësi, mungesa e funksionalizimit të zonës ekonomike, dështimi për ta nisur projektin për zgjerimin e rrugës Gjakovë-Prizren dhe lidhja e qytetit me autostradën “Ibrahim Rugova”, mungesa e ndërtimit të çerdheve të reja, mungesa e zgjerimit të rrjetit të ndriçimit publik në fshatra si dhe mungesa e projekteve rekreative-sportive dhe e këndeve për fëmijë në lagjet dhe zonat e qytetit.  

Peja: Suksese në turizëm e arsim, por ngecje në bujqësi e shëndetësi

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, para se ta merrte timonin e komunës ka udhëhequr me Drejtorinë e Urbanizmit në ketë komunë për katër vjet. Kjo i ka mundësuar t’i njohë mirë planet lokale si dhe përparësitë dhe mangësitë në terren.

Peja. Foto: CC license.

Periudha e kaluar katërvjeçare do të mbahet mend për nismën dhe dinamiken e mirë të ecjes në realizimin e projektit turistik “Borea”. Projekti “Borea” do të kapë vlerën e investimit prej 55 milionë eurosh, ku pritet që operatori privat (partneritet publiko-privat) të ofrojë shërbime të skijimit, teleferikut, hotelerisë dhe shërbime të turizmit në katër stinët e vitit. Kompania fituese është zgjedhur dhe punët deri në finalizimin e krejt projektit është thënë se do të zgjasin deri në muajin prill të vitit 2019.

Një projekt tjetër si sukses i qeverisjes Muhaxhiri mund të merret ndërtimi i shkollës së mesme të mjekësisë, objekt ky që u stërzgjat për disa vite më herët, herë për shkaqe pronësore herë buxhetore. Tani shkolla është ndërtuar dhe nxënësit e mjekësisë pritet të zhvendosen nga objekti i shkollës teknike ku kanë zhvilluar mësimet deri tani.

Si sukses tjetër i kësaj qeverisjeje mund të merren edhe projektet e zgjerimit të rrugës në hyrje të qytetit nga pjesa e Prishtinës, asfaltimi i rrugëve në fshatrat e rajonit të Rugovës si dhe evidentimi i pronave  të uzurpuara komunale.

Ngecjet gjatë kësaj periudhe kryesisht janë shënuar në shëndetësi dhe bujqësi. Komuna nuk ka arritur të jetësojë një premtim të saj për ngritjen e zonave me pemishte, serra dhe krijimin e kulturës në kultivimin e domateve. Edhe në shëndetësi nuk janë evidentuar zhvillime me rëndësi, qendrat mjekësore nëpër fshatra që nuk kanë qenë duke punuar si dhe nuk janë evidentuar zgjerim të pajisjeve dhe shërbimeve në ketë sektor.

Prizreni: Investime në digjitalizim e siguri, por dështim në trashëgimi    

Prizreni vazhdon të jetë qytet që tërheq mijëra turistë, por jo si rezultat i punës së komunës.

Ky qytet përfiton miliona euro nga festivali i filmit “DokuFest”, një organizim ky i vullnetareve, artistëve dhe aktivistëve të Prizrenit. Por qytetarët dhe vizitorët përgjithësisht ballafaqohen me mungesë të parkingjeve për vetura, mungesë të WC-ve publike si dhe mungesë të shportave për hedhjen e mbeturinave të imëta.

Prizren. Foto: CC license.

Komuna ka arritur të vendosë kamera në pjesët kryesore të qytetit që në disa raste kanë shërbyer për zbulimin e krimeve të ndryshme. Po ashtu, komuna i ka digjitalizuar shërbimet administrative, dhe si sukses mund të llogaritet edhe shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në shumë vendbanime dhe rritja e kapacitetit të ujit të pijes.

Komuna po ashtu ka punuar së bashku me ndërmarrjen regjionale të ujit, dhe kanë tërhequr një donacion në vlerë prej 21 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim për trajtimin e ujrave të zeza dhe ndërtimin e impiantit.

Prizreni nga ana tjetër ka qenë në qendër të kritikave për shkak të pamundësisë së mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. Disa objekte të kësaj natyre janë shembur dhe në disa raste kjo ka ndodhur me leje dhe pëlqime nga komuna.

Dështim mund të merret edhe pamundësia e komunës për të përmbushur zotimin e saj për ndërtimin dhe hapjen e parkut të biznesit në 84 hektarë të ndarë për ketë qëllim dhe po ashtu nuk është arritur realizimi i asnjë projekti në partneritet publiko-privat edhe përkundër planifikimeve e premtimeve në ketë drejtim.   

Mitrovica: U bë me shesh, por dështoi në punësim dhe zhvillim

Befasia e zgjedhjeve të kaluara lokale ka ndodhur në Mitrovicë. Gara është pritur që do të fitohet ose nga kandidati i PDK-së ose nga ai i LDK-së, por fitoi kandidati i AKR-së Agim Bahtiri — një person që deri në atë kohë ishte e panjohur për opinionin publik.

Mitrovica. Foto: CC license.

Bahtiri gjatë këtyre katër viteve do të mbahet mend për ndërtimin e sheshit të qytetit. Po ashtu pozitiv do të vlerësohet fakti se ai vullnetarisht ka hequr dorë nga pranimi i pagës së kryetarit të Komunës dhe këto mjete i ka dedikuar një grupi të studentëve të Mitrovicës. Kriteri për përzgjedhjen e studentëve përtitues të pages së kryetarit e ka bërë personalisht vet kryetari, duke favorizuar rastet me gjendje jo të mirë ekonomike.  

Po ashtu është përmirësuar komunikimi mes qytetarëve dhe zyrtareve komunalë, duke u shpeshtuar vizitat e udhëheqësve komunalë në zonat e ndryshme të qytetit dhe duke i pranuar një herë në jave qytetaret në zyrën e kryetarit, pa parashtruar paraprakisht kerkesë për takim.

Sheshi nuk ka qenë premtim i fushatës, por është bërë. Premtimet në fushatë kryesisht kanë mbetur premtime.

Disa nga këto premtime janë: hapja e 15,000 vendeve të punës, punësimi i një anëtari për çdo familje, hapja e fabrikës së kërpudhave dhe punësimi i 1,000 personave në këtë fabrikë. Një fabrikë e kërpudhave është ndërtuar dhe është hapur, por ajo ka punësuar deri tani 55 persona.

Bahtiri ka premtuar edhe bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe nxjerrjen e ligjit për Trepçën. Kjo e fundit është bërë, por jo nga Bahtiri, ngase kjo nuk është kompetencë e nivelit lokal

Gjilani: Me plane e donacione të mëdha, por me investime të vogla

Komuna e Gjilanit ka qenë në mesin e tri komunave — pas Pejës dhe Gjakovës — që ka trashëguar nivel të lartë të borxhit ndaj operatorëve privatë, të pashlyera nga ish-udhëheqja e komunës.

Gjilan. Foto: CC license.

Borxhi kryesisht ka ardhur për shkak se udhëheqësit e kaluar të komunave kanë lidhur kontrata me oparatorët privatë pa pasur mjete të zotuara për kryerjen e punëve. Kjo pastaj i ka obliguar udhëheqësit e ri të komunave t’i shlyejnë këto borxhe dhe kësisoj është pamundësuar investimi i tyre në projekte të reja.  

Suksesi kryesor i kësaj komune gjatë katër viteve të kaluara ka qenë hartimi i planit për zgjidhjen e çështjes së ujrave të zëza. Për këtë, Gjilani ka përfitues donacion nga qeveria austriake në vlerë prej 6 milionë eurosh. Donacioni është fituar, por projekti akoma nuk ka nisur të realizohet.   

Kryetari aktual Lutfi Haziri kishte premtuar projekte të mëdha për Gjilanin, duke përfshirë zgjerimin e rrugës në hyrje të Gjilanit në katër korsi nga drejtimi i Prishtinës, ndarja e 1 milionë eurove për bujqit në vitin e parë të mandatit, ndarja e 2 milionë eurove për bujqit në vitin e dytë të mandatit dhe se do të ulet çmimi i tatimit në pronë për 40%. Asnjëri nga këto premtime nuk është realizuar. 

Ferizaj: Suksesi me shesh, por dështimi me hekurudhë

Vitin e fundit të mandatit të kryetarit Svarqa e ka shfrytëzuar për të nisur ndërtimin e sheshit të qytetit, i cili do të shtrihet nga rruga “Naim Beka” përgjatë rrugës “Dëshmorët e Kombit” e deri tek xhamia dhe kisha ortodokse. Më vonë punimet do të zhvillohen nga komuna deri tek tregu i gjelbër. Punimet nuk kanë përfunduar, por emri sheshit i është gjetur: “Toni Blair”. Ky mund të konsiderohet si projekti kulmor i këtyre katër viteve.

Ferizaj, Foto: CC license.

Por fusha ku nuk është punuar, edhe për kundër premtimeve, është ajo te hekurudha. Kryetari gjatë fushatës kishte premtuar zhvendosjen e binarëve për disa metra, pastaj ndërtimin e nënkalimeve dhe vendosjen e pengesave me qëllim të sigurimit të qytetarëve. Asnjëra nga këto nuk janë bërë, ndërsa aksidentet, madje edhe me të vdekur, kanë vazhduar në ketë zonë të qytetit.

Ngecje dhe probleme në Ferizaj janë evidentuar edhe në fushën e ndërtimeve, atë të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe ekonomisë. Për shembull, komuna nuk ka arritur të hapë ose të ndërtojë zonën industriale, ndonëse kjo ishte premtuar në vitin 2013 si një ndër projektet me prioritet.  

Në fushën e bujqësisë komuna nuk ka arritur të prezantojë shifra që flasin për rritje të plantacioneve ose rritje të prodhimit edhe përkundër subvencionimit. Derisa plani i komunës për të krijuar një zonë dhe park industrial nuk është realizuar për shkak të mungesës së iniciativës konkrete. K

Foto kryesore:  CC license.

Kthehu prapa tek Monografia për Zgjedhjet Lokale 2017