Shkurt | Dhunë Seksuale

Mbështetje e re për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Nga - 20.06.2018

“Bëhu Zëri Im” synon diskutim gjithëpërfshirës për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Nanën teme dhe katër motrat na morrën prej tubës së madhe të grave dhe na shtinë në shkollë. Na ndanë, nanën në një klasë, dy motrat në një klasë, e mua e njërën motër në një klasë tjetër. Unë s’disha se fëmi jam kon, as 11 vjeçe s’jom kon. Dy janë kon me mu – njoni qel e njoni me fytyrë të shkrume. Mi shkyvi teshat edhe tmerr qa në kanë bo. Masanej me thikë më ka pre në faqe dhe në ballë – një shenjë si kryq.

‘Ki me majt kujtim’, më kanë thanë shqip. Mu ka lëshu gjakderdhja edhe s’di mo, e kom hup vetëdijen. Mas lufte baba kur nijke për gratë tjera thojke: shyqyr që s’ka ndodhë në shpi teme se me dorë teme i kisha myt”.

Ky tregimi i një vajze që i kishte 11 vjet gjatë luftës 1999 në Kosovë, është një prej qindra rrëfimeve të të mbijetuarve të torturës dhe dhunës seksuale e që për herë të parë u bënë publike. Dje, (e martë, 19 qershor), në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, letra të shtypura dhe futura nëpër zarfe ishin vendosur në mes platosë të sheshit Zahir Pajaziti. Nëpërmjet këtyre letrave, historitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës shënuan hapjen e Kampanjës “Bëhu Zëri Im”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Qindra qytetarë që iu bashkangjitën kampanjës, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Medica Gjakova, kishin mundësi që të marrin një zarf dhe të mësonin storie që ilustrojnë përvojën traumatike të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Një lule e vogël e verdhë dhe e qëndisur, figuronte e ngjitur në supet e të gjithë të pranishmëve, përfshirë Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ish-Presidenten Atifete Jahjagen, Shefen e BE-së në Kosovë Natalia Apostolova, Ambasadorin e SHBA-ve Greg Delawie, Ambasadorin ei Britanisë së Madhe Ruari O’Connell, deputetë, aktivistë, të mbijetuar të dhunës seksuale dhe familjarë të tyre.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në QKRMT, para pjesëmarrësve shpjegoi se si lulja e verdhë, si simbol i pranverës, miqësisë, por edhe brishtësisë, është zgjedhur qëllimisht si emblemë e fushatës. Ajo tha që shpalosja e parë publike e narrativave të luftës duhet të vazhdojë me përkrahjen e nevojshme për gratë dhe burrat, viktima të dhunës seksuale që padrejtësisht janë stigmatizuar me vite të tëra nga familjarët dhe shoqëria që nga përfundimi i luftës.

Në vitin 2015 Kombet e Bashkuara miratuan 19 qershorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Aktivitete të ndryshme në të gjithë botën organizohen për të bërë thirrje për eliminimin e përdorimit të dhunës seksuale si armë luftë nëpër konflikte. Në Kosovë aktivistët për të drejtat e njeriut synojnë që përmes lansimit të kampanjës të kërkohet mbështetje më e madhe për të mbijetuarit.

“Bëhu Zëri Im” vjen në prag të mbarimit të gjashtëmujorit të parë prej kur ka filluar procesi i aplikimit për të marrë statusin ligjor të viktimës së luftës. Rushiti i shpjegoi K2.0 se në vitet e kaluara fushatat e ndryshme kanë vënë në fokus zërin e viktimës, përmes sloganit “Dëgjo Zërin Tim”. Sipas saj, tani është radha e shoqërise kosovarë të bëhet zëri i viktimave përmes pranueshmërise dhe empatisë që duhet të tregohet në familje, komunitet e deri te institucionet.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Fillimisht, kur nuk është dëgjuar zëri i tyre kemi filluar me ‘Dëgjo Zërin Tim’, sepse s’ka qenë i dëgjuar dhe mendoj që e kemi arritur këtë”, tha Rushiti. “Tani zëri është dëgjuar, është njohur ligjërisht, po fillon kompenzimi i tyre. Megjithatë ende duhet të punohet me mentalitetin shoqëror, që të mësohen t’i pranojnë viktimat”.

Sipas Rushitit, përkrahja më e madhe shoqërore domosdoshmërisht do të çojë deri tek një inkurajim më i madh për gratë dhe burrat e mbijetuar, që të aplikojnë për statusin e viktimës dhe të kërkojnë të drejtën e tyre për rehabilitim, njohje, reparacion dhe drejtësi.

Gjatë dy viteve të kohëzgjatjes së kampanjës, videot dhe aktivitetet e ndryshme informuese do të shfaqen në nivel nacional, ndërsa në nivel lokal aktivistët do të punojnë me struktura lokale, si komunat dhe agjencitë për barazi gjinore, deputetët dhe organizatat. Po ashtu, Rushiti shpjegoi për K2.0 se si puna në terren do të jetë e fokusuar brenda komunitetit, e veçanërisht në zonat rurale, që gradualisht diskutimi për viktimat e dhunës seksualke gjatë luftës të shtrihet në të gjithë cepat e vendit.

“Ende shumë nuk arrijnë ta kuptojnë që profili i grave dhe vajzava të dhunuara është shumë i ndryshëm”, thotë Rushiti. “Dhunimi seksual ka qënë armë e luftës, ku viktimat janë prej krejt shtresave, urbane dhe rurale, vajza të vogla e deri te moshuarat. Shoqëria ka folur shumë pak, ka debatu shumë pak. Prandaj edhe storiet janë bërë publike”.

Reparacione të mirëpritura

Që nga shkurti i këtij viti, të mbijetuarit kosovarë të dhunës seksuale të kohës së luftës, më në fund janë në proces të marrjes së njohjes dhe reparacioneve të shumëpritura për vuajtjet që i kanë pësuar. Por arritja deri këtu nuk ishte e lehtë.

U desh të pritej viti 2014 që e drejta e të mbijetuarve për reparacion, kryesisht në formë të kompensimit monetar prej 230 euro në bazë mujore, të futej në amendamente të ligjit ekzistues që mbulon statusin e viktimave të luftës. Edhe tre vjet të tjera u deshën që Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për rishikimin e aplikacioneve, të themelohej në prill të vitit 2017, si dhe tetë muaj të tjerë për ta ndarë një buxhet për t’i paguar reparacionet.

“Duke ia njohur shteti statusin, edhe për to bëhet më e lehtë që në familjet e tyre të përçojnë zërin e tyre dhe ta ndjejnë veten më ndryshe se po i dedikohet fajësia dikujt tjetër e jo atyre".

Feride Rashiti, drejtoreshë e QKRMT-së

Të mbijetuarit mund të zgjedhin të aplikojnë në tri mënyra, njëra prej të cilave është nëpërmjet katër OJQ-ve specifike të cilat autorizohen nga Qeveria – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës(KRCT), Medica Kosova, Medica Gjakova dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave – Drenas. Gjithashtu mund të aplikojnë edhe në mënyrë individuale dhe drejtpërdrejt te Komisioni nëpërmjet një zyreje qeveritare të themeluar në Prishtinë, si dhe nëpërmjet zyrave rajonale të Departamentit për Familje të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Luftës, pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Rushiti i tha K2.0 se nga 560 persona që kanë aplikuar deri tani, rreth 120 – ndër ta 5 burra – tashmë e kane marrë vendimin pozitiv, ku gjysma e atyre që i’u ka njohur statusi kanë filluar t’i gëzojnë pensionet. Duke qenë në kontakt të përditshëm me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Rushiti shpjegon se si njohja e statusit të viktimës dhe kompensimi monetar ka ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tyre.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Për ata dhe ato nuk është në pyetje veç ana materiale, por njohja e dhimbjes”, thotë Rushiti. “Duke ia njohur shteti statusin, edhe për to bëhet më e lehtë që në familjet e tyre të përçojnë zërin e tyre dhe ta ndjejnë veten më ndryshe se po i dedikohet fajësia dikujt tjetër e jo atyre”.

Ndonëse vlerësohet se janë rreth 20,000 persona të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, numri i saktë mund të mos dihet kurrë. Deri para fillimit të procesit të aplikimit, katër OJQ-të e përcaktuara kishin dokumentuar dhe identifikuar rreth 1,000 persona të cilët i kanë rrëfyer tregimet e tyre të dhunës seksuale. Megjithatë aktivistet tregojnë se si që nga fillimi i procesit të aplikimit për të marrë statusin ligjor të viktimës së luftës, të mbijetuar të rinj, të panjohur deri tani për organizatat, kanë filluar të trokasin në dyert e tyre.

Mirlinda Sada, drejtoreshë ekzekutive e Medica Gjakova, tha për K2.0 se ofrimi i shërbimeve rehabilituese psiko-sociale do të jetë prej një rëndësie të veçantë për të mbijetuarit që deri tani kanë qëndruar tërësisht në heshtje.

“Kompenzimi do t’iu ndihmojë duke parë gjendjen e varfër ekonomike për shumë të mbijetuar. Por kur vinë gratë të aplikojnë, sidomos ato që nuk kanë qenë më herët dhe shohin shërbimet që ofrohen thonë që pensioni është shumë i mirëseardhur, por shërbimet që ofrohen janë edhe më të rëndësishme”, është shprehur Sada. “Thonë ‘Ne po hjekim atë gurin që na ka rënduar më herët’”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Edhe pse Sada dhe Rushiti theksojnë që i gjithë procesi i aplikimit dhe verifikimit është mjaft i kënaqshëm, e sidomos masat e mara për të ruajtur konfidencialitetin, ata thanë që sfidë e dukshme janë vendimet e vonshme nga ana e komisonit, që kalojnë afatin e parashikuar ligjor prej një muaji.

Rushiti tha që vonesat nga ana e komisionit ndodhin sidomos kur rrëfimi i përvojës është dëshmia e vetme.

“Një ngjarje e një gruaje për shembull, një narrativ i përjetimit të saj i ka diku rreth 18 faqe”, tha Rushiti. “Dhe Komisioni nuk po arrin të lexojë storien e viktimave. Pastaj duhet të ulet ta analizojë, konkretizojë, të nxjerrë evidenca dhe të krijojë një mostër. Nuk është aq e lehtë dhe kjo ka filluar të diskutohet”.

Me synimin për të gjetur një zgjidhje që do të ndikojë në ritmin e vendimeve të Komisonit, por edhe për të analizuar refuzimin shumë të madh të aplikuesve, Rushiti tha që në korrik të këtij viti do të fillojnë punëtori të shumta me të gjithë akterët e përfshirë në procesin e marrjes së dokumentacionit dhe të verifikimit të statusit. Edhe pse procesi i verifikimit është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, sipas Rushitit punëtoritë janë të domosdoshme që të shqyrtohen sfidat e ndryshme dhe viktimave tu sigurohet trajtim i dinjitetshëm.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO