Pikëpamje | E kaluara, tani | Drejtësi Tranzicionale

Me të kaluarën duhet ballafaquar, vazhdimisht

Nga - 28.09.2018

Monografia e radhës e K2.0 thellohet në të kaluarën, për të tashmen dhe të ardhmen.

Gati 20 vite që prej përfundimit të luftërave jugosllave, diskursi që përdoret për t’i përshkruar shtetet në rajon shpesh përqendrohet në atë se si rajoni duhet të ecë përpara, larg prej të kaluarës së tij ‘të trazuar’. Por, ka një mënyrë ndryshe se si mund të shihet kjo:

Dhjetëra mijëra thirrje për t’u marrë me krime lufte të pa dëgjuara; mungesë e vullnetit politik që çështja e mijëra personave të zhdukur të trajtohet vërtetësisht; politikat, shpeshherë qëllimisht të ngadalshme për njohjen e të drejtave të të mbijetuarve/ave të dhunës seksuale gjatë luftës; dështimi i mekanizmave juridik që t’i sjellin para drejtësisë mijëra dorasë të krimeve; mohimi i fakteve dhe krimeve të vërtetuara prej gjykatave; dhe interpretimet selektive ndaj asaj se çka mund të konsiderohet mizori masive apo gjenocid.

Pra, pasojat e luftës janë ende relevante, të pazgjidhura e kësisoji – përçarëse. Përbrenda narrativave që vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më shumë polarizuese e konfliktuale, të trajtosh të kaluarën dhe të ballafaqohesh me të është domosdoshmëri. Kjo vlen jo vetëm për marrëdhëniet midis shteteve në rajon, por edhe për ato përbrenda vetë shteteve.

Megjithkëtë, shpeshherë duket që nga shoqëria në tërësi dhe nga debati i përgjithshëm publik, koncepte të këtilla shihen si të vjetëruara dhe të parëndësishme. Ato konsiderohen si fraza boshe që udhëheqësit kalkulues politik i gjuajnë gjithandej me shpresën se do duken ‘progresivë’ ose ‘të demokratizuar’, derisa në thelb nuk janë të brengosur e as të përkushtuar; ose ato duken thjesht si koncepte të imponuara nga lartë-poshtë, prej të huajve, aktorëve ndërkombëtarë dhe se u mungon konteksti, kuptueshmëria dhe pronësia lokale.

Fundamentalisht e thelbësisht, drejtësia tranzicionale ka të bëjë me atë se nëse jetërat e qytetarëve janë përmirësuar.

Kështu, vlerat që drejtësia tranzicionale apo ballafaqimi me të kaluarën mund dhe në fakt, duhet t’i përfshijë, shpeshherë keqkuptohen, nuk vërehen dhe neglizhohen. Pra, drejtësia tranzicionale nuk është vetëm një grup mekanizmash apo hapash juridik dhe jo juridik, siç janë komisionet e së vërtetës, reformat institucionale, programet universitare, etj. Por, fundamentalisht e thelbësisht, drejtësia tranzicionale ka të bëjë me atë se nëse jetërat e qytetarëve janë përmirësuar.

Pra, teksa e publikojmë monografinë e radhës, të titulluar “E kaluara, tani”, është pikërisht ky aspekt që përcjellë të gjithë artikujt – ata vendosin njerëzit, rrëfimet e tyre, sfidat, betejat dhe mbijetesën në qendër të bisedës dhe sigurohen që tregimet të mos mbesin thjesht statistika në raporte. Dhe çka vjen si pikë e përbashkët është shpërfillja e stërzgjatur institucionale ndaj nevojës për drejtësi, qoftë për viktimat, të mbijetuarit, ose për shoqërinë në tërësi.

Biseda të këtilla gjithashtu vendosen në një kontekst rajonal, e kjo nuk bëhet vetëm për arsye se konflikti pati dimensione rajonale, por sepse mekanizmat që trajtojnë atë që shkaktoi lufta janë shpeshherë rajonale. Pa këtë element, kujtesat kolektive mbesin në duart e klasave politike dhe të ashtuquajturave elita që pretendojnë gjithëdijësinë e tyre dhe legjitimitetin që të përcaktojnë se çfarë është ‘e vërteta’.

Ky është një aspekt tjetër që përbën një prej themeleve të kësaj monografie – pra, nevoja që në mënyrë kritike të kundërshtohen klasat qeverisëse që shpesh janë protagonistë të nxitjes së tensioneve.  

Në fakt, krejt së fundmi kam hasur në termin ‘padrejtësi tranzicionale’ Sipas këtij koncepti, qeveritë, publikisht mund të pajtohen me idenë e drejtësisë tranzicionale, derisa në të njejtën kohë shpërfillin interesimin në ‘të vërtetën, paqen ose demokracinë”, dhe qëllimisht promovojnë mohimin, harresën madje edhe dhunën dhe legjitimimin e autoritarianizmit.

Kjo pra, është mënyrë e denjë e e përshtatshme për t’i përmbledhur të ashtuquajturat përpjekje të shumë prej udhëheqësve politik në rajon.

Për shembull, e kemi iniciativën KOMRA, e cila për vite me radhë ka dështuar të gëzojë mbështetje të gjithmbarshme si mekanizëm rajonal. Kjo kulmoi në Samitin e Londrës në verë, ku çështja e përkushtimit të qartë politik për krijimin e komisionit rajonal të së vërtetës u la jashtë rendit të ditës nga BE-ja, pasiqë nuk morri mbështetje prej të gjitha qeverive rajonale.

Përderisa ky dështim u pa thjesht si një çështje e vogël në gjithë procesin e Berlinit – e i cili është i dizajnuar pikërisht që të shtyjë përpara bashkëpunimin rajonal dhe të mirëmbajë lidhjet multilaterale me shtetet e BE-së – në fakt, ky dështim iu ndalon qytetarëve qasjen në një prej formave të drejtësisë, gjithashtu kontribuon në mohim e harresë.

Dhe nëse praktika të ngjashme lejohen, atëherë rrezikohet të normalizohen paradokset si ai i  udhëheqejes së ushtrisë serbe prej të akuzuarit për krime të shumëfishta lufte në Kosovë, gjeneralit Ljubiša Diković, deri para një muaji. Ose, ai i kthimit nga Haga me aeroplan të qeverisë i kriminelit të luftës Vladimir Lazarević pas vuajtjes së dënimit 14 vjeçar, i cili, pas kthimit, vazhdoi të ligjërojë në Akademinë Ushtarake të Serbisë. Ose, në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku kriminelët e luftës bartin poste publike, duke përfshirë këtu të dënuarin për krime lufte, Fikret Abdić, i cili pas vuajtjes së dënimit për 10 vite, në vitin 2015 u bë kryetar i Velika Kladiša.

Derisa rajoni duhet të ecë përpara, këtë nuk mund ta bëjë duke harruar apo duke mos trajtuar atë që ka ndodhur dikur.

Ndërkohë, ka padrejtësi tranzicionale edhe nga brenda. Tendencat autoritariane – shpeshherë të emëruara si stabilokraci, autokraci, ose kapje të shtetit – përçohen në mënyrën se si praktikohet ballafaqimi me të kaluarën, trajtimi dhe dokumentimi i saj.

Për të dhënë veç një shembull: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi – vetë subjekt akuzash – në njërën anë, krye në vete krijon Komisionin e së vërtetës dhe pajtimit dhe thërret për pajtim dhe marëdhënie të përmirësuara në mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, derisa në anën tjetër, e lavdëron veten për shtyerjen përpara të idesë së ‘ndërrimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ përgjatë vijave kryesore etnike me Serbinë.

Kjo është arsyeja përse nga brenda, reflektimi vetëkritik është qenësor në proceset e drejtësisë tranzicionale dhe ato të ballafaqimit me të kaluarën.

Në Kosovë, duhet parë se si periudha e menjëhershme e pasluftës ishte periudhë e krimit të gjithanshëm dhe se si gjer sot, askush nuk është dënuar për rreth 1,000 vrasjet e pjesëtarëve të minoriteteve ose për rreth 100 ekzekutime të shqiptarëve të Kosovës për arsye politike. Cilat
krime mund të jenë kryer nga individët e lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe cilat prej agjencionit sekret SHIK apo madje prej individëve të rëndomtë, janë çështje me të cilat nuk është marrë ndokush si pjesë e asaj që mbeti nga e kaluara e Kosovës së pas viteve ’99. Retorika që pasoi pas formimit në vitin 2015 të Dhomave të Specializuara, dëshmon që kjo çështje, në mos e stigmatizuar, vazhdon të mbetet e ndjeshme.

Në masë të madhe, refuzimi që periudha e pas 1999-ës të shikohet me sy kritik, kryesisht bazohet në një ndjesi të padrejtësisë, pasiqë të pranuarit e krimeve të kryera nga shqiptarët e Kosovës do ta relativizonte fajin apo përgjegjësinë. Pjesërisht, kjo rezulton prej faktit që në Serbi jo vetëm që nuk ka pranim zyrtar të përgjegjësisë kolektive e shtetërore, por edhe prej faktit që në përgjithësi ka një mosinteresim shoqëror, ku faji thjesht i hidhet regjimit të kaluar. Për më shumë, kjo ndjesi e padrejtësisë vazhdon të nxitet prej politikave shtypëse dhe pozicionimeve që kanë vazhduar përgjatë dy dekadave të pas luftës, të cilat janë në kundërshti me çfarëdo nocioni që thotë që shteti serb është gati të njohë elementet e errëta të të kaluarës së tij.

Kështu, mohimet dhe politikat subordinuese që po bëhen normë në mbarë rajonin, është jetike të mbajmë në mend që drejtësia nuk mund të ndodhë në baza selektive – të kërkuarit e drejtësisë për vetveten nuk duhet t’ua përjashtojë këtë mundësi të tjerëve.

Kjo duhet të jetë në qendër të çfarëdo përpjekjeje për t’u përballur me të kaluarën. Sepse, derisa rajoni duhet të ecë përpara, këtë nuk mund ta bëjë duke harruar apo duke mos trajtuar atë që ka ndodhur dikur.

Artikujt në “E kaluara, tani” kontribuojnë në këtë drejtim.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO