Monografitë | Në thelb | Zgjedhjet lokale 2017 | Aktivizmi

Me vetiniciativë

Nga - 17.10.2017

“Liga Total” solli futbollin nëpër qytete pa ndihmë komunale.

Qëkur Dardan Saraçi dhe shokët e tij filluan të organizojnë ndeshje të futbollit të vogël, shumë lipjanas ditën e diel e kanë të rezervuar për këtë aktivitet. Në këtë ditë edhe ata pak njerëz që gjenden nëpër kafenetë e qytetit janë duke u përgatitur për të, qoftë si lojtar apo si shikues.

Duke u ndjerë krenar, 24-vjeçari Saraçi, tregon se si pronarët e kafeneve shpeshherë e ngacmojnë duke i thënë se ai dhe shokët e tij ia kanë vjedhur të dielën Lipjanit. ‘‘Deri në ora 11 ka njerëz, pastaj askush nuk vjen më’’, bëjnë shaka ata.

Kanë kaluar katër vjet qëkur Saraçi dhe shokët e tij pasionin e tyre për futbollin e kanë shndërruar në organizim të një lige amatore të futbollit të vogël në qytetin e tyre, e të cilën e kanë quajtur “Liga Total”. Dhe që atëherë, liga të tilla janë organizuar edhe në qytete tjera, si në Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Kaçanik, Kamenicë, e kështu me radhë.

Ajo çka i bashkon ata, përveç pasionit për futboll, është përpjekja e tyre për të adresuar boshllëkun e mungesës së aktiviteteve për të rinj në qytetet e tyre.

Dardan Saraçi the miqtë e tij e themeluan “Liga Total” në Lipjan. Kjo u ndihmoi ligave të tjera të zhvillohen në krejt Kosovën. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas një raporti të vitit 2016 nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), 73 për qind e të rinjve deri në moshën 25-vjeçare në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë të përfshirë në ndonjë organizim kulturor, sportiv apo politik. Në të njëjtin raport pjesëtarë të shoqërisë civile vënë në pah se mungesa e angazhimit të të rinjve në aktivitete të tilla është për shkak të mungesës së hapësirave adekuate për organizim.

Ligji për ‘‘Fuqizimin dhe Pjesëmarrje të Rinisë’’ është miratuar në vitin 2009 me qëllim të krijimit të mundësisë për përfshirje të të rinjve në orgazime të tilla, si dhe parasheh obligime për të dyja nivelet, atë qendror dhe lokal.

Ligji obligon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të zhvillojë strategji, t’i miratojë dhe t’i zbatojë ato në bashkëpunim me pushtetin lokal. Ndërkohë, institucionet lokale kanë përgjegjësi për sigurimin e resurseve njerëzore dhe financiare për realizimin e programeve të rinisë. Po ashtu, komunat duhet të sigurojnë hapësirën e duhur publike për aktivitete rinore.

Për të siguruar që të rinjtë janë të përfshirë në zhvillimin e këtyre aktiviteteve, Këshilli Qendror për Veprim Rinor ka për detyrë të hulumtojë dhe të japë sugjerime tek institucionet lokale për përmirësimin e gjendjes.

Por, përkundër kësaj baze ligjore, obligimet institucionale shpeshherë mbesin të papërmbushura, dhe për pasojë organizimet rinore anashkalohen. Por kjo nuk i ka ndaluar njerëzit të punojnë në mënyrë private, sikurse që ka bërë Saraçi me shokët e tij, të cilët organizojnë aktivitete pa mbështetje institucionale.

Ligat paralele

Të rinjtë nga “Liga Total” kanë qenë të pasionuar për futboll që nga fëmijëria, dhe për shumë vite rresht kanë luajtur për çdo javë. Por në vitin 2013 rituali i tyre u shndërrua edhe në rutinë. Dhe Saraçi me shokët e tij filluan të kërkonin sfida të reja sportive.

Vetëm pas disa javëve, kërkimi i tyre solli rezultate dhe ata filluan të testojnë aftësitë e tyre kundër katër ekipeve të tjera në Lipjan, me të cilat nuk kishin luajtur asnjëherë më parë. Iniciativa e tyre spontane tërhoqi shumë njerëz dhe brenda muajit u krijuan tri kategori, secila me nga 16 ekipe.  

‘‘Kur pamë që numri i ekipeve po rritej, e kuptuam se kemi filluar diçka të rëndësishme dhe me këtë u rrit edhe përkushtimi në mënyrë që gjithçka të shkonte më së miri’’, thotë Saraçi.

Në fund të muajit shtator të këtij viti, “Liga Total” ka filluar sezonin e pestë. Sot, ajo numëron së paku 600 të rinj që angazhohen aty për çdo javë. Ata kanë arritur të angazhojnë gjyqtarë, të rezervojnë fushën për afat më të gjatë, të sigurojnë fizioterapeutë, fotografë, si dhe të formojnë komision të ndeshjes dhe të caktojnë oraret e ndeshjeve. Brenda ekipeve u ndërtuan edhe hirearki drejtuese, trajnerë dhe sponsorë.

Organizimi i mirë i garës dhe përgatitjet gati profesionale të ekipeve bën që shumë shpejtë të ketë edhe interesim të madh të shikuesve. Numri i njerëzve që vijnë të mbështesin ekipin e fshatit të tyre ngjanë në organizime të klubeve profesionale. Ka ndeshje të ligës amatore që ndiqen edhe nga më shumë se 1,000 persona.

‘‘Ata ngjajnë në tifozëri ultras’’, thotë i buzëqeshur Saraçi

#atmosfera👏🏻

Posted by Liga Total Lipjan on Thursday, June 29, 2017

“Liga Total” po ashtu tërhoqi edhe vëmendjen e bizneseve lokale, të cilat lojërat e tyre i panë si mundësi marketingu, por për organizatorët dhe ekipet u shndërruan në një nga përkrahjet e vetme financiare për të zhvilluar më tej aktivitetet e tyre.

“Ka biznese që për [një periudhë] 6-mujore në një ekip kanë investuar mbi 12 mijë euro’’, thotë Saraçi. “Ka raste kur një lojëtar paguhet 100 euro për ndeshje’’.      

Të hyra të tilla janë mjaft domethënese për të rinjtë, posaçërisht duke pasur parasysh se papunësia tek ata është 55.9 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në vitin 2014, “Liga Total” u organizua edhe në Kaçanik, me formatin e njëjtë të përdorur në Lipjan. Përgjegjësi i saj për komunikim është 19-vjeçari Shefket Dashi. Ai thotë se ajo që e shtyri për t’u bërë pjesë e ligës ishte dashuria e madhe për futboll, dhe mungesa e mundësive të ngjajshme në qytetin e tij.

Kjo mungesë e mundësive vjen edhe për shkak të mungesës së objekteve. Në vitin 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nisi projektin për ndërtimin e Palestrës Sportive në Kaçanik, dhe investoi rreth 700 mijë euro në dy faza të ndryshme. Sipas të dhënave në faqen zyrtare elektronike të Komunës, palestra parashihej të finalizohej në fillim të vitit 2017.  

Por, punimet u zhagitën në ndërtimin e palestrës, me dimension afërsisht 3 mijë metra katrorë, e ku parashihet të ndërtohen fusha që mundësojnë zhvillimin e ndeshjeve në futboll, hendboll, basketboll e sporte të tjera. Drejtori i Arsimit dhe Kulturës në Komunën e Kaçanikut, Enver Kamishi, tha për K2.0 se shpresojnë që bashkëpunimi do të rezultojë në finalizimin e projektit vitin e ardhshëm, por nuk dha më shumë detaje në këtë drejtim.

Kjo situatë i ka lënë të rinjtë e Kaçanikut me pak qasje në sport. ‘‘Përveç disa organizimeve vjetore në shkollat të mesme në këtë qytet mungojnë aktivitetet sportive’’, thotë Dashi.                                  

Liga në Kaçanik arrin të mbijetojë me pagesat prej 15 eurosh për ndeshje që paguan çdo ekip për pjesëmarrje. Dhe për dallim nga Lipjani ku bizneset janë sponsorë të ekipeve, në Kaçanik këtë rol e kanë marrë mërgimtarët.

Shefket Dashi ka ndihmuar në përhapjen e Ligës Total në Kaçanik, ku insiston se është bërë më e ndjekur se skuadra profesionale lokale. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dashi vazhdimisht tregon se si Liga ka arritur një sukses të madh, dhe se sipas tij njerëzit në Kaçanik e përcjellin më shumë ligën amatore sesa eipin profesional lokal “KF Lepenci”.

Ndërkohë, vetëm pas katër vitesh organizimi të ligës, komuna vendosi ta përkrahë ligën e Lipjanit. Verës që shkoi, ajo alokoi 1,500 euro, që u pa si triumf nga organizatorët dhe që shpresojnë se do të vazhdojë.

E në Kaçanik, për shkak të mungesës të përkrahjes komunale, ligës iu larguan rreth 30 ekipe, që sipas Dashit ka bërë që të shuhen dy kategori. Ai mendon se ekipet janë larguar në mungesë të parave dhe beson se një ndihmë e vogël nga komuna – rreth 500 euro çdo gjashtë muaj – organizatorët do të arrinin të mbanin brenda ligës edhe këto ekipe.

Lufta për përkrahje

Organizatorët e “Liga Total” janë të bindur se me ndihmën e komunave do të mund të angazhojnë edhe më shumë të rinj. Saraçi veçse e ka regjistruar ligën në Lipjan si shoqatë, që e lehtëson mbështjetjen komunale nga aspekti ligjor. Rregullorja komunale për alokimin e buxheteve lokale si dhe Ligji për Sportin në nivelin qendror fokusohen në aktivitete që ato kontribuojnë në masivizimin e sportit për të rinj. Dhe kjo është diçka që Liga Total padyshim ka arritur ta bëjë.

Basri Hashani, Drejtor i Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Lipjanit, thotë se kanë qenë në dijeni të këtij aktiviteti, por se në fillim kanë qenë skeptikë për të. Ai shprehet ende i rezervuar rreth këtij aktiviteti, për shkak beson se ‘‘liga të tilla nuk është që preferohen edhe aq’’, duke aluduar se në fusha të mbyllura preferohet që vetëm gjatë dimrit të zhvillohen ndeshje sportive.

Ai sugjeron se të rinjtë duhet të shikojnë mundësitë të aktivizohen nëpër klubet e qytetit. Mirëpo, ato zakonisht kanë nga 25 lojtarë që nuk do të arrinin të përfshijnë të gjithë entuziastët si dhe janë të fokusuara në zhvillimin e futbollit profesional.

Por hezitimin e zyrtarëve të Komunës së Lipjanit për t’i dalur në ndihmë ligës, duket se e ka lëkundur këmbëngulja e të rinjve për të vazhduar edhe më tej me organizimin e kësaj lige. Hashani thotë se, duke parë se ky aktivitet po vazhdon për disa vite me radhë, komuna ka vendosur t’u ofrojë ndihmën financiare.

Saraçi shpreson që kjo mbështetje do të zgjerohet, për të përfshirë rregullimin e tribinave ku ata i zhvillojnë ndeshjet. Këtë e sheh të rëndësishme për shkak se zakonisht numri i shikuesve është i madh, dhe shpeshherë kjo edhe ka penguar zhvillimin normal të ndeshjeve.

Sa i përket infrastrukturës sportive, edhe Ligji për ‘‘Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë’’ ia kalon përgjegjësinë autoriteteve lokale që të sigurojnë hapësirë publike ku të rinjtë mund të zhvillojnë veprimtaritë e tyre ‘‘rinore dhe edukimit joformal’’.

Komuna e Lipjanit në projektet e financuara në vitin 2016, ka shpenzuar mbi 900 mijë euro në infrastrukturën sportive. Mbi 700 mijë euro kanë shkuar për stadiumin e qytetit dhe pjesa tjetër për ndërtimin e fushave sportive në disa fshatra.

Por këto investime jo domosdoshmërisht i ndihmojnë ligës “Total” ngase ata përdorin fusha me dysheme prej barit sintetik, ndërsa fushat e ndërtuara nga komuna janë të ndërtuara prej betonit.

Pasi “Liga Total” filloi të zhvillohet edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës, bashkëpunimi ndërmjet organizatorëve është rritur. Kjo ka rezultuar me organizimin e një gare, ku katër skuadrat më të mira prej secilit qytet takohen dhe formojnë ‘‘Champions League’’.

Saraçi thotë se këtu janë hasur probleme të mëdha në organizim, posaqërisht sa i përket mundësive të ekipeve për të udhëtuar. Ai thotë se një ndihmë në këtë drejtim do të ndihmonte tej mase organizimin në tërësi.

Përveç angazhimit të të rinjve, “Liga Total” po ashtu ka arritur të nxjerrë në pah disa talentë. Saraçi përmend Ylber Ramadanin si shembull, i cili fillimisht tërhoqi vëmendje në ndeshjet në kuadër të ligës. E kjo rezultoi që ai të luante për disa klube profesionale në Super Ligat e Kosovës dhe të Shqipërise, para se të vazhdonte për në Danimarkë ku zhvillon edhe më tej karrierën.

Alban Zejnullahu, refer i ligës, beson se suksesi më i madh i “Liga Total” është fakti që ajo po u ofron të rinjve kulturë sporti. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ramadani nuk është futbollisti i vetëm që ka arritur të shfaqë talentin e tij tek liga amatore e futbollit të vogël. Disa nga lojtarët e klubit të qytetit ‘‘Ulpiana’’ fillimisht ishin të angazhuar në ekipe të ligës së drejtuar nga Saraçi. Ai tregon se mund t’i numërojë së paku 50 talentë që janë zbuluar nga aktiviteti i tyre në ligë.

Zbulimi i talentëve të rinj është pjesë e Planit të Veprimit Lokal të Qeverisë, të miratuar në vitin 2016. Qeveria shpreson të bëjë këto zbulime përmes: “organizimit të turnirëve, ekspozitave dhe kurseve të ndryshme’’. Por tani për tani, kjo mbetet vetëm si diçka spontane dhe jo domosdoshmërisht me strategji të qartë në vend.

Anën tjetër edhe gjyqtarët si Alban Zenjullahu, nga “Liga Total” në Lipjan, mendon se liga ka arritur të ketë një rol të rëndësishëm në jetën sportive të qytetit dhe kjo duhet të jetë një arsye që institucionet ta ndihmojnë atë. Zejnullahu, i cili është i licencuar edhe për ndeshjet e futbollit elitar të Kosovës por që ka refuzuar të jetë pjesë e saj, thotë se organizimi dhe disiplina që e ka gjetur tek këta të rinj e ka mahnitur.

‘‘Kjo ligë u ka dhënë të rinjve kulturë sportive dhe ky mbetet kontributi më i madh i saj’’, thotë Zenjullahu.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO