Në thelb | Ambienti

Ekzistenca pa mish

Nga - 01.11.2017

Analizojmë botën e veganizmit dhe të vegjetarianizmit.

“Pse jam bërë vegan? Arsyeja e parë është ndoshta sepse i dua kafshët kaq shumë, dhe nuk mund të vras ose ha diçka apo dikë që me të vërtetë e dua apo e adhuroj”, thotë Eldena Dakaj, studente në Rochester Institute of Technology Kosovo dhe anëtare e kolektivit Termokiss.

Ajo ishte vegjetariane për tre vjet, para se të bëhej vegane vitin që shkoi. “Më kujtohet se doja të isha vegjetariane para shumë, shumë kohësh, ndoshta prej herës së parë që e kam dëgjuar këtë term”, thotë ajo. “Ne kishim shumë kafshë, kishim pula, disa lopë, një lepur dhe një qen, dhe më kujtohet se si vrapoja pas pulave e i përqafoja ato”.

E re siç ishte, Dakaj gjithmonë mendonte: ‘Pse duhet t’i hajmë? A nuk mundemi thjesht mos ta bëjmë këtë?’ Këto pyetje ia shtronte nënës së saj, por familja e saj gjithmonë e ka ngrënë mishin. Nëna e saj e nxiti edhe Eldenën të veprojë njëlloj, duke thënë se është shumë e rëndësishme për shëndet.

Për një kohë Eldena e pranoi këtë shpjegim, por pastaj një ditë familja e saj vendosi t’i priste disa lopë. “Në atë moment gjithçka u bë e qartë”, thotë ajo. Ajo i pa vetëm disa pjesë të skenës nga dritarja e dhomës së fjetjes, sepse ishte aq e tmerrshme. Por prej atëherë, mishi u shndrrua në ushqim pikëllimi për të.

Lidhja e Eldena Dakajt me kafshët e nxiti atë që fillimisht të bëhej vegjetariane, e më pas vegane. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Dakaj nuk është e vetmja që i është shmangur mishit prej kur ka mësuar për origjinën e tij. Në korrik, Dallas Observer raportoi se një dokumentar i titulluar “What the Health” po shkakonte rritje të madhe të numrit të klientëve në restorane vegane në qytetin e Dallasit.

Numri i kafshëve të cilat vriten për konsumim nga njerëzit është mjaft mahnitës. Në vitin 2010, redaktori për tema të ambientit në gazetën The Guardian, John Vidal, shkroi se njerëzit hanë rreth 230 milion tonë mish të kafshëve në vit, shifër kjo e dyfishuar nga viti 1980. Sipas organizatës Animal Equality, afro 56 miliardë kafshë të fermave vriten çdo vit, pa i përfshirë këtu peshqit dhe krijesat e tjera të detit.

Pastaj është edhe sasia e ushqimit që përdoret për t’i mbajtur kafshët. Ndonëse bagëtitë e përdorin më shumë se gjysmën e drithërave në SHBA dhe rreth 40 për qind të drithërave botërore, 795 milionë njerëz vuajnë nga ushqyeshmëria e dobët, dhe rreth 3.1 milionë fëmijë vdesin nga uria çdo vit.

Kjo situatë e ka frymëzuar edhe një kosovare tjetër për t’u bërë vegane, aktivisten Elza Ramadani. Ramadani beson se për çdo copë mish që e hanë “një krijesë vuan dhe vdes për këtë shkak”. Ajo ka vendosur që parimin udhëzues ta ketë nocionin “lëre rehat”. “Jo vetëm për vete”, shpjegon ajo, “por edhe për të tjerët, çdo krijesë që ka hundë apo sy, që ka bosht kurrizor dhe mund të lendohet”.

Përveç që është vegane, Elza Ramadani thotë se është edhe ‘anti-specieiste’, meqë nuk i sheh njerëzit si eprorë ndaj kafshëve të tjera. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Ramadani e pranon se edhe bimët janë krijesa të gjalla, por beson se krahasimi ndërmjet tyre dhe kafshëve është i gabueshëm, meqë ato kanë mungesë të sistemit nervor dhe të trurit, dhe prandaj nuk ndiejnë dhimbje. Ajo e përshkruan vetën si “anti-specieiste”, term që e shpreh idenë se njerëzit nuk janë eprorë ndaj kafshëve.

Flasin shumë e thonë pak

Përveç çështjes së keqtrajtimit të kafshëve ka edhe arsye të tjera që i shtyjnë njerëzit të mos hanë mish, përfshirë këtu edhe ndikimin që e ka ky fenomen në ambientin tonë.

Një studim i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së (FAO) i vitit 2006 gjeti se kafshët  e shumuara për mish përbënin 18 për qind të CO2-shit që kontribuon në ndryshimin klimatik, më shumë se veturat, aeroplanët dhe të gjitha format e transportit. Në vitin 2009, dy shkencëtarë të Bankës Botërore zhvilluan një analizë dhe erdhën në përfundim se bagëtitë dhe nënproduktet e tyre prodhonin minimum 32.6 miliardë tonë dioksid karboni çdo vit, apo 51 për qind të gazrave serrë.

Sipas një studimi japonez, kur prodhohet një kilogram mish lope lirohen gazra serrë që kanë potencial për ngrohje globale në vlerë të barabartë me CO2-shin që lirohet nga një veturë mesatare europiane në një udhëtim 250-kilometërsh, apo në vlerë të barabartë me energjinë e shpenzuar nga një llambë 100-vatëshe që rri e ndezur për 20 ditë.

Përveç se përbën një prej burimeve më të mëdha të gazrave serrë, studimet tregojnë se rritja e kafshëve për ushqim po ndikon shumë në mundësitë e planetit tonë për të mbështetur jetesën e specieve të ndryshme. Toka përdoret më së shumti për këtë veprimtari – gjegjësisht nga 40 deri në 68 për qind e tokës së planetit tonë – dhe kështu shkaktohet degradimi në pjesë të mëdha të saj. Për shembull, hapja e fermave për bagëti ka shkaktuar 80 për qind të shpyllëzimit në pyjet e Amazonës.

Pra, zgjidhja për ta shpëtuar botën është të bëhemi vegjetarianë, apo edhe më mirë, të bëhemi veganë. Marco Springmann, hulumtues në programin ‘E ardhmja e ushqimit’ në Oxford Martin School, bashkë me kolegët e tij ndërtoi modele kompjuterike të cilat parashikojnë rezultatet e vitit 2050 në një shoqëri që është bërë krejtësisht vegane. Modeli kompjuterik i tij tregoi se, kryesisht falë eliminimit të mishit të kuq, emetimet e gazërave që ndodhin për shkak të ushqimit do të uleshin për 70 për qind.

Megjithatë, studimet e tjera e kanë hedhur poshtë këtë ide, përfshirë këtu edhe një shkrim hulumtues me titulltin “Kapaciteti mbajtës i tokës bujqësore në SHBA: Dhjetë skenare të dietave”, që u botua në revistën shkencore Elementa.

Mes gjetjeve të tjera, ky hulumtim nxori në pah se sikur e gjithë popullsia e botës të bëhej vegane, kjo dietë do ta harxhonte kot tokën që përndryshe mund të përdoret për të ushqyer më shumë njerëz nëpërmjet blegtorisë. Ky studim thotë se rreth 1/3 e tokës së planetit tonë përbëhet nga tokat e thata dhe gjysmë të thata të cilat mund të përdoren vetëm për blegtori.

Hulumtuesit erdhën në përfundim se dieta vegane ishte e vetmja dietë e cila “nuk përdor fare toka bujqësore gjithëvjetore, dhe si rrjedhojë e kësaj humbet mundësia për të prodhuar shumë ushqim”, ndërsa dieta lakto-vegjetariane – në të cilën mishi zëvendësohet në mënyrë efektive duke shtuar më shumë vezë, arra, perime bishtajore dhe tofu – kishte më së shumti kapacitet mbajtës.

Veganizmi dhe trupi i njeriut

E argumentet e nënës së Eldenës, e cila besonte se e bija e saj kishte nevojë për mish për arsye shëndetësore? Nutricionistja Vala Pupovci thotë se përderisa kemi dietë të balancuar dhe i marrim të gjitha lëndët e domosdoshme ushqyese, cilado dietë mund të jetë e shëndetshme. Sidoqoftë, Pupovci thekson se ekziston një supozim i përgjithshëm se dietat vegjetariane, dhe në veçanti ato vegane, nuk janë të shëndetshme për shkak se nuk shfrytëzohet një grup i tërë ushqimesh.

“Në përgjithësi, veganët përballen me probleme sa i përket konsumimit të mjaftueshëm të proteinave, por zëvendësimi i tyre është diçka që arrihet lehtë”, thotë Pupovci. “Proteinat e mishit janë proteina të plota të cilat i kanë të gjitha aminoacidet, ndërsa në dietë vegane këto proteinë i merr duke kombinuar ushqime të ndryshme, si oriz dhe fasule, apo fara kërpi dhe produkte të sojës”.

Ndonëse nutricionistja Vala Pupovci beson se secila dietë mund të jetë e shëndetshme, duke përfshirë këtu edhe veganizmin, ajo beson se është e rëndësishme t’i balancojmë faktorët e tjerë, përfshirë këtu stresin dhe efektivitetin e kostos. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Ajo që i mungon dietës vegane është Vitamina B12, të cilën e gjejmë vetëm në mish. Pupovci rekomandon që ta merrni si shtesë – për shembull, në formë pilule – ndërsa të gjitha të tjerat mund t’i zëvendësoni me shumëllojshmëri ushqimesh. Pupovci ngul këmbë se të gjitha dietat e mira, veçanërisht ajo vegane, kërkojnë shumë vëmendje, por thotë gjithahtu se “duhet ta merrni parasysh atë se a mund t’i përmbushni këto nevoja dhe sa ju shkakton stres, sepse nëse jeni gjithmonë të stresuar për ushqimin tuaj, atëherë kjo nuk është e shëndetshme. Gjithashtu është mirë të analizoni nëse dieta vegane ka kosto efektive”.

Gjatë studimeve të saj, Pupovci mësoi gjithashtu për të ushqyerit mjekësor, dhe beson se nga ajo pikëpamje, dietat vegane dhe vegjetariane janë dëshmuar si më të dobishme për shëndetin. Në këto dobi përfshihet rreziku më i ulët nga kolesteroli dhe tensioni i lartë, si dhe rreziku më i ulët nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sulmi në tru.

Të jesh vegan apo vegjetarian në Prishtinë

Ramadani dhe Dakaj janë vetëm dy nga shumë veganë dhe vegjetarianë që i ka Prishtina, qytet i cili së fundmi është bërë shumë më i njoftuar me këto nocione, ose të paktën i njoftuar me konceptet, meqë njerëzit kanë tendencë të ngurrojnë t’i përvetësojnë këto dieta.

Zakonisht kur dikush tregon se është vegjetarian apo vegan, pasojnë hajgaret: “Çka han, bari a?”, “Nëse peshku noton në ujë, a është mëkat me e pi ujin?”, “Edhe bimët kanë shpirt”, dhe shprehje të tjera plot sarkazëm.

Sidoqoftë, kjo nuk është vështirësia më e madhe sa i përket zgjedhjes së kësaj diete. Deri para rreth gjashtë vjetësh, Prishtina nuk e kishte asnjë restoran vegjetarian. Ende nuk ka dyqane vegjetariane, por ka tregje më të mëdha dhe disa dyqane të shëndetshme në të cilat mund të gjeni ushqime të ndryshme që bazohen në dietën vegane.

Nurhan Qehaja e hapi resotranin e parë vegjetarian në Prishtinë, Babaghanoush. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Kur Nurhan Qehaja – e cila është vegjetariane tash e 11 vjet – erdhi në Prishtinë nga Zelanda e Re, ajo vërejti se ka shumë pak mundësi për njerëz vegjetarianë. “Kur erdha këtu, kërkova falafel”, tha ajo për K2.0. “Qysh me gjetë falafel? U detyrova ta bëja vet, dhe kështu nisi”. E ka fjalën për restoranin e saj vegjetarian/vegan, Babaghanoush, i vetmi i këti lloji në Prishtinë.

Ajo e hapi këtë restoran para rreth pesë vjetësh. Në fillim e mbante hapur vetëm në orët e pasditës. “Pastaj filluam nga ora pesë e pasditës. Kështu punuam për rreth katër vjet, e tash në vitin e fundit po punojmë gjithë ditën”, thotë Qehaja.

Qehaja thotë se prej kur e hapi restorantin, ajo ka vërejtur se shumë njerëz janë edhe veganë, jo vetëm vegjetarianë. Prandaj secili ushqim në menynë e saj ka edhe alternativën vegane.

“Po ka ndryshime të mëdha në Prishtinë”, thotë Qehaja. “Nuk e keni idenë sa njerëz nuk hanë mish. Është sikur po fshehen e po dalin pastaj duke thënë: ‘Jo, s’kam hëngër mish tash e disa vjet!’”

Qehaja mendon se një prej problemeve kryesore sa i përket veganizmit në Kosovë është kostoja. “Për shembull, ne bëjmë falafel dhe humus, ushqime të cilat janë shumë më të lira në Europë”. Fajin për çmimin e shtrenjtë ajo ia lë materialit bazë, sepse këtu, për shembull, qiqrrat janë të rrallë, dhe nuk ka kërkesë për to.

Ajo po mundohet të gjejë mënyra për ta sjellë këtu më lirë, që t’i mundësohet eksperimentimi në kuzhinë. “Dorën në zemër, dua çmime më të ulëta, sepse nuk duhet të jetë ashtu: ‘hej, unë jam vegan, dhe jo është e shtrenjtë’”, thotë Qehaja. Në fund të fundit, synimi i saj është që njerëzit, dhe veçanërisht studentët, të kenë qasje në ushqim vegan.K

Foto kryesore: Fikret Ahmeti / K2.0.