Në thelb | #podumeditë

Terr mediatik për Sali Mekajn

Nga - 22.05.2017

Gjykimi për korrupsion i kryetarit të Gjykatës së Apelit vazhdon me dyer të mbyllura.

Në kohërat e shthurjeve të mëdha shoqërore, shtetin e mbrojnë nga kaosi policët, gjykatësit, prokurorët, mësimëdhënësit. Ata besojnë dhe jetojnë duke e respektuar etikën e punës dhe nderin profesional. Një gjë e tillë pritej edhe nga Sali Mekaj, kryetati i Gjykatës së Apelit, një nga postet më të rëndësishme në drejtësinë kosovare.

Por në vitin 2015, Sali Mekaj doli të jetë i implikuar në marrëdhënie me V. G., gruan e një të burgosuri, me të cilën, sipas akuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës të publikuara më parë në media të ndryshme, dyshohej se kishte negociuar 20 mijë euro ryshfet për të liruar bashkëshortin e saj që ishte në paraburgim për shtytje në vrajse dhe tentim vrasje.

Mekaj, u arrestua më 20 korrik të vitit 2015, në zyren e tij në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Apelit, dhe akuzohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa V.G. për shtytje në kryerjen e veprës penale.

Pavarësisht kësaj, raportimin për këtë rast kolegët e Sali Mekajt kanë vendosur t’ua ndalojnë mediave, duke i përjashtuar nga shqyrtimi gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht gjyqtari Shashivar Hoti, më 20 tetor të vitit 2016, me pajtimin e prokurores speciale Drita Hajdari që ndjek penalisht Mekajn dhe V.G, vendosi që shqyrtimi për rastin e ish-kryetarit të Apelit të mbyllet për opinion. Vendimi, kopjen e të cilit e ka siguruar K2.0, e merr për bazë dhe si të ligjshme kërkesën e avokatit Besnik Berisha, mbrojtës i V. G, që seanca të mbyllej duke u thirrur në mbrojtjen e jetës personale të klientes së tij V.G.

Mekaj dhe “Pronto”

Sali Mekaj, përveç se i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është edhe protagonist i aferës së njohur të përgjimeve të bisedave telefonike mes deputetit të PDK-së Adem Grabovci dhe bashkëpartiakë të tij, “Pronto”, të publikuara nga Insajderi në vitin e kaluar.
Sipas Insajderit, në vargun e bisedave me të cilat Adem Grabovci bënë pazare për poste publike, një telefonatë kishte mjaftuar që Salih Mekaj të emërohej në krye të Gjykatës së Apelit.

Xhevat Grabovci, kushëriri i Adem Grabovci, ishte ai që thuhet se ka ndërmjetësuar që Mekaj të zgjidhet kryetar i Gjykatës më të madhe në Kosovë. Xhevati i kishte garantuar Adem Grabovcit, se Mekaj është shumë i fortë dhe se e kishte garantuar se e ka “provuar se çfarë burri është”. Insajderi kishte publikuar dy biseda telefonike ‘që dëshmojnë ndikimin që ka PDK-ja dhe Adem Grabovci kanë në gjyqësorin kosovar’.

Aktvendimi përmban një pjesë detyruese për mediat në dispozitivin ku urdhëron “përjashtimin e publikut dhe mediave” nga shqyrtimi gjyqësor dhe ndalon publikimin e “aktakuzës apo pjesëve të saj, transkripteve të përgjimeve dhe bisedat telefonike”.  Ky vendim asnjëherë nuk i është dërguar mediave në adresat e tyre dhe nuk është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pavarësisht parimit se diçka e panjohur nuk ka sesi të bëhet e obligueshme për t’u respektuar.

Në arsyetimin e aktvendimit, thuhet që “publikimi i të dhënave personale mund të shkaktoj pasoja për të pandehurin dhe familjes së tyre”. Sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë, të dhënat personale përfshijnë të gjitha të dhënat që nënkuptojnë informacion në lidhje me një person. Në ligj thuhet se, “Person i identifikueshëm është personi i cili mund të identifikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në veçanti në bazë të një numri të identifikimit ose të një e më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij ose saj fizik, psikologjik, mendor, ekonomik, kulturor ose shoqëror”.

Vendimi është kritikuar edhe nga mediat por edhe ekspertë ligjor, meqë si i tillë e anashkalon interesin publik – për të mësuar më shumë për akuzat për keqëpërdorim nga ana e një zyrtari shtetëror – e që edhe bazuar në parimet e Kushtetutës së Kosovës është interes që mbizotëron mbi interesin personal dhe reputacionin e të akuzuarve.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazohet në nenin 294, paragrafin e parë të Kodit të Procedurës penale të Kosovës, që lejon përjashtimin e publikut për të mbrojtur jetën personale të të pandehurve në shqyrtim gjyqësor dhe disa procedura tjera. Megjithëse, vendimi për mbylljen e seancës u mor në kohën kur rasti Mekaj veç se ishte raportuar në detaje nga ana e mediave në Kosovë.

Publikja kundrejt personales

Megjithëse interesi publik mbetet mbi interesin personal bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, rasti i Mekaj nuk është i vetmi kur gjyqësori kosovar ka pasur përpjekje për mbylljen e seancave për media dhe opinion.

Ani pse të dështuara, tentativa për të mbyllur seanca të rëndësishme gjyqësore për media ka pasur edhe në dy raste. Një prej tyre ishte rasti “Toka”, në vitin 2016, me të akuzuarin kryesor deputetin e PDK-së Azem Syla si udhëheqës i një grupi prej 39 personave të dyshuar për dallavere me prona publike.

Veprat për të cilat disa nga ky grup akuzoheshin përfshinin: krim të organizuar; pastrim i parave; marrje të mitos; mashtrim i rëndë; mashtrim në detyrë; nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme; keqpërdorim i pozitës zyrtare; legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal; pastrim të parave.

Ky rast sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal , me hirearki të organizuar dhe afatgjatë, i cili ia ka privuar Kosovës pronat shoqërore. Ky grup i organizuar, aktiv prej vitit 2006, ishte i përbërë nga shqiptarë dhe serbë të Kosovës.

Gjyqtari i EULEX-it, Arcadius Sedek kishte marrë fillimisht vendim që ta mbyll gjykimin me kërkesë të avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Mirëpo, pas kritikave publike nga shoqëria civile dhe përfaqësues të mediave, Sedek menjëherë kishte ndryshuar vendimin e tij.

“E kam hapur gjykimin për mediat sepse jam në dijeni që është i rëndësishëm për mediat dhe iu intereson rezultati”, pati deklaruar Arcadius Sedek.

AGK dhe organizatat tjera të shoqërisë civile patën deklaruar se mbyllja e seancave gjyqësore për media nga ana e sistemit të drejtësisë po ndikon drejtpërdrejt në transparencë të gjyqësorit.

“Me këto veprime gjykatat kanë krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë,” thuhej  një reagim të AGK-së.
Një rast tjetër në të cilin ishte tentuar të përjashtohej prezenca mediale, po ashtu në vitin 2016, ishte  rasti “Stenta”, në të cilin akuzohen 100 mjekë, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani, për  keqpërdorime dhe korrupsion me stentat për zemër në QKUK. Megjithatë edhe këtu reagimi i Asociacionit të Gazetarëve kishte bërë që gjyqtarët të mos pajtohen me kërkesën e avokatëve të mjekëve të akuzuar.

"Mund të jetë i pranueshëm vendimi për mbylljen e disa seancave, porse jo i gjithë procesit gjyqësor”.

AGK, Jan. 2017

raportin e fundit të vitit 2016, Komisioneri Europian për të drejtat e njeriut, Nils Muiznieks ka thënë se “drejtësia, kohezioni social dhe liria e medias mbeten sfida të larta në Kosovë”. Në pikën 50 të memorandumit të tij, komisioneri shpreh shqetësimet e tij për shkak se “në disa raste me interes të lartë publik, seancat gjyqësore janë mbajtur in camera [term juridik që përdoret për të treguar që shqyrtimet janë mbajtur privatisht apo larg syrit të audiencës] edhe dukej se nuk ka pasur aryse për këtë”.

Shqetësimin e AGK-së për mbylljen e seancave gjyqësore, e ka përkrahur edhe Federata Europiane e Gazetarëve (European Federation of Journalist – EFJ).

EFJ në dhjetor të 2016-ës pati reaguar publikisht duke mbështetur kërkesën e gazetarëve që proceset gjyqësore të jenë të hapura për publik si dhe për gazetarët duke ia rikujtuar sistemit të drejtësisë se parimi bazë për punën e gjykatave është transparenca.

Sa i përket mbylljes së seancës për Sali Mekajn, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) pati pohuar se pas reagimeve për mbylljen e seancës, ka qenë në pritje të ndryshimit të vendimit dhe hapjen e seancave marrë për bazë pozitën e Mekajt dhe interesin publik për të raportuar për akuzat ndaj tij për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe AKG mosndryshimin e vendimit për rihapje të seancës e ka quajtur injorim të kërkesës së medias dhe publikut nga ana e sistemit të drejtësisë.

“Arsyetimi i gjyqtarit të rastit se seancat janë mbyllur krejtësisht për shkak të mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë nuk është i qëndrueshëm”, thuhej në reagimin e AKG-së. “Mund të jetë i pranueshëm vendimi për mbylljen e disa seancave, porse jo i gjithë procesit gjyqësor”.

Në fund të vitit 2016, AGK i kishte shkruar edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Megjithatë edhe ky institucion nuk ka dhënë ndonjë mendim sa i përket mbylljes së proceseve gjyqësore. Duke u thirrur në mandatin që ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se mbetet krejtësisht përgjegjësi e gjykatësve se si të veprojnë në këto raste.

“Përkundër kësaj, ne konsiderojmë se KGJK-ja duhet të ketë një rol më aktiv pasi edhe ky institucion bart një pjesë të përgjegjësisë për dështimet apo suksesin e sistemit të drejtësisë. Kërkojmë edhe publikisht që KGJK-ja të deklarohet në lidhje me këtë rast”, thuhej në reagimin e AGK-së.

KGJK nuk ishte deklaruar asnjëherë publikisht për këtë rast, dhe vendimi i gjykatës për mbylljen e seancës nuk është anuluar.

"Me shumë vështirësi jam pajtuar me mbyllje të seancës dhe nuk jam pajtuar për shkak të Sali Mekës."

Prokurorja speciale Drita Hajdari.

Për më tepër, në një përgjigje të dhënë për K2.0 zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka lënë për të kuptuar se gjykata nuk planifikon të hap seancën për Mekajn.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se është në fuqi vendimi i marrë nga gjyqtari i çështjes lidhur me rastin e të akuzuarit S.M”, tha ajo.

Një tjetër vërejtje e AGK-së ishte adresuar në drejtim të prokurores së rastit Drita Hajdari, e cila ndonëse në pozicionin e organit ndjekës ka pranuar që seanca të mbyllej. Por, e pyetur lidhur me arsyet e pajtimit të saj, Hajdari i ka thënë K2.0 se është pajtuar për ta mbrojtur jetën private të V.G., emrin e së cilës megjithatë nuk e përmend gjatë përgjigjes së saj.

“Në opinion zakonisht përceptohet se prokurori duhet të punojë vetëm kundër palës së akuzuar, por neve ligji na obligon të veprojmë edhe në dobi të të akuzuarit, dhe në këtë rast me shumë vështirësi jam pajtuar me mbyllje të seancës dhe nuk jam pajtuar për shkak të Sali Mekës. Jam pajtuar për shkak se në rastin e Sali Mekajt është e akuzuar edhe një grua e cila ka dy fëmijë dhe është e martuar, dhe publikimi i disa detajeve nga rasti është vlerësuar se do të dëmtonte jetën e saj personale dhe të fëmijëve dhe familjes së saj”, tha Hajdari.

“Bëhet fjalë për jetën e saj personale… Këtë mundësi të mbrojtjes së jetës personale e parasheh edhe Kodi i Procedurës Penale, por edhe Konventa për të Drejtat e Njeriut [neni 8], dhe kur diçka është e paraparë me ligj dhe konventë, atëherë është ligjore dhe për raste të tilla dhe duhet të vihet në funksion”, shpjegoi ajo.

Një debat ndërkombëtarë

Afro katër mijë kilometra larg Prishtinës, pesë vjet më parë në mediat britanike kishte zënë hapësirë jo të vogël pikërisht debati mbi publikën kundrejt personales në raste gjyqësore. Rasti i Helen Wood, një eskorte e njohur britanike, kishte rrëfyer për tabloidin “The Sun” aferën e saj me një aktor të njohur. Rasti përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila me të marrë rastin përsipër vendosi më 22 korrik të vitit 2011 disa kufizime lidhur me atë se çka do të mund të publikojë media e çka jo, por gjykata nuk përjashtoi tërësisht mediat dhe opinionin nga rasti.

Megjithëse seanca kishte mbetur e hapur për opinion, gjyqtari i rastit vendosi të mos bëhen publike të dhënat personale të aktorit për shkak të reputacionit të tij dhe jetës personale bashëshkortore të tij.

Për pasojë gjyqtari vendosi që emri origjinal i aktorit të paraqitet edhe në dokumentacione si “aktori kryesor” dhe “një aktor i famshëm”. Gjyqtari po ashtu vendosi të mos lejojë që mediat t’i referohen rastit si “skandal seksual” apo aferë, por si “marrëdhënie seksuale”. Mediat britanike e konsideruan këtë si “pengim” në raportimin e aferës së aktorit me shoqëruesen Wood, e cila njihej për lidhjet e saj me figura prominente publike në Britani. Megjithatë, jeta personale e aktorit u mor për bazë për shkak të reputacionit të tij dhe mungesën e interesit publik për të ditur më shumë rreth rastit.

I pakuptimtë dhe në dëm të interesit publik megjithatë mbetet vendimi i gjykatës sipas juristit Kushtrim Palushi, i cili ka disa raste të mbrojtjës së të dhënave personale përsipër si avokat.

Palushi ka shpjeguar se gjykata ka të drejtë të mbyllë shqyrtimin gjyqësor për publikun dhe mediat kur në pyetje është mbrojtja e jetës private dhe familjare të palëve në procedurë dhe se gjykata mund të mbyll tërësisht ose pjesërisht shqyrtimin gjyqësor.

Megjithatë, në çdo rrethanë, Gjykata duhet të arsyetoj vendimin e saj dhe në këtë arsyetim duhet të bëjë një analizë dhe të balancojë të drejtën e palëve për mbrojtje të privatësisë dhe jetës familjare në njërën anë. “Në këtë rast, të drejtën e publikut për të ditur dhe për t’u informuar për një gjykim i cili është me interes për publikun, sepse bëhet fjalë për ish-Kryetarin e Gjykatës së Apelit në Kosovë”, shjegoi ai.

Fakti që i tërë rasti i Sali Mekajt është ndërtuar bazuar mbi bazën e aferës me V.G. e bënë të nevojshme raportimin e këtij fakti për të shpjeguar keqpërdorimin për të cilin Mekaj akuzohet në cilësinë e zyrtarit shtetëror, çka e bënë këtë rast me  interes publik.

Marrë për bazë këtë, Palushi shpjegon se mbyllja e tërësishme e shqyrtimit gjyqësor, nuk është dashur të ndodh pikërisht shkak të pozitës që mbante Sali Mekaj dhe veprës penale për të cilën akuzohet, që është keqëpërdorim i pozitës zyrtare. Sipas Palushit gjykata lehtësisht ka mundur të vendos që të mos publikohen disa pjesë nga shqyrtimi apo informata që konsiderohet se dëmton jetën personale, por jo të mbyll tërë shqyrtimin.

“Është e mundur që efekti i njejtë, pra mbrojtja e jetës private dhe familjare të mund të arrihej me mbylljen e pjesërishme të shqyrtimit gjyqësor vetëm në ato biseda ose dëshmi që konsiderohet se cënojnë këto dyja. Gjykata, për më shumë, nuk arsyeton fare se si pjesëmarrja e publikut e cënon të drejtën në privatësi dhe jetë familjare të palëve, duke mos analizuar fare përmbajtjen e dëshmive nëse me të vërtetë kemi të bëjmë me biseda ose dëshmi që cënojnë të drejtën në privatësi”, tha ai.

"Një gjykim i tillë, me rregull është publik, sepse ekziston një interes dhe e drejtë e publikut për të ditur dhe për t’u informuar për gjykimet të cilat bëhen në emër të publikut."

Avokati, Kushtrim Palushi.

“Së dyti dhe më me rëndësi, Gjykata nuk arsyeton fare dhe nuk balancon të drejtat e palëve për mbrojtjen e privatësisë kundrejt të drejtës së publikut për të ditur dhe për t’u informuar. Gjykata ka për obligim të bëjë një balancim të tillë për arsye se një gjykim, si rregull është publik, sepse ekziston një interes dhe e drejtë e publikut për të ditur dhe për t’u informuar për gjykimet të cilat bëhen në emër të publikut”, ka thënë ai.

Duke vlerësuar tutje se në rastin Mekaj, Gjykata ka qenë e obliguar të bëjë një balancim të tillë edhe bazuar në praktikën gjyqësore dhe standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GjEDNj, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës.

“Standardet e GjEDNj-së që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe kufizimin e saj theksojnë që kufizimi krahas faktit që duhet të jetë i parashikuar me ligj, i njëjti duhet të synoj arritjen e një qëllimi legjitim dhe duhet të jetë i domosdoshëm në një shoqëri demokratike”, tha Palushi.

Vendimi për mbyllje të pjesërishme të seancës sipas tij, do të mund të ishte në përputhje me standardet e vendosura nga GjEDNj sepse i njëjti do të vendoste një balancë të drejtë në mes të drejtës për privatësi dhe mbrojtje të jetës familjare dhe të drejtës dhe interesit të publikut për të ditur dhe për t’u informuar për një gjykim publik.

Në kontekstin e të drejtës për tu informuar, Palushi konsideron se mbyllja e tërësishme e gjykimit privon publikun nga kjo e drejtë e njohur dhe e garantuar me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës.

Por pavarësisht reagimit të mediave dhe eskpertëve ligjor vendim për mbylljen e seancës për Sali Mekajn, duke u thirrur në interesin personal mbi atë publik mbetet në fuqi; e për pasojë vështirë se mund të besohet se nuk do të ketë tentativa të reja për të penguar raportimin e mediave për afera që përfshijnë zyrtarë të lartë të shtetit e politikanë. K

Afera presidenciale

Një rast tjetër, kur publikja dhe personalja ishin ndesh, është ai i ish-presidentit të SHBA -së Bill Clinton, i cili si 49 vjeçar në vitet 1995/96 pati një lidhje dashurie me praktikanten 22 vjeçare të Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky. Lajmi për këtë lidhje u publikua në media në janar 1998 dhe shpejtë u bë një prej skandaleve më të mëdha seksuale në politikën botërore.

Clinton fillimisht e kishte mohuar lidhjen, madje edhe kur u morr në pyetje me betim, në lidhje me një rast të ngacmimit seksual që u shtrua kundër tij nga ish-punëtorja. Në dhjetor të atij viti ai u akuzua nga Senati i SHBA-së për dëshmi të rreme dhe për pengim të drejtësisë, por më vonë u shfajësua.

E gjithë kjo aferë, si dhe procesi i akuzimit të tij, u mbulua shumë nga mediat, jo vetëm në SHBA por në krejtë botën. Disa ekspertë medial dhe ligjor më vonë diskutuan për atë se a ishte ekzagjeruar raportimi mbi këtë çështje, dhe se a ishin shkelur kështu të drejtat personale të presidentit dhe Lewinskyt.

Megjithtatë, mediat në përgjithësi e justifikojnë raportimin duke theksuar interesin publik, meqë ishte i përfshirë presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ky artikull vjen si përgjigje ndaj pyetjeve të lexuesve në lidhje me arsyjet e mbylljes të seancës pë ish-kryetarin e Apelit, Sali Mekaj gjatë fushatës sonë #PoDuMeDitë. Fushata #PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.