Në thelb | Zgjedhjet Lokale 2017

Mimoza Kusari-Lila vs. Ardian Gjini

Nga - 17.11.2017

Në Gjakovë kryetarja e parë grua në Kosovë garon për të tretën herë përballë AAK-së.

Gjakova është ndër komuna e pakta në Kosovë e cila përgjatë periudhës 17-vjeçare është qeverisur nga tri parti të ndryshme. Qeverisjen lokale në Gjakovë në periudha të ndryshme e ka udhëhequr Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhërinë e Kosovës dhe Alenaca Kosova e Re.

Gjakova po ashtu është komuna e parë në Kosovë që u bë me një kryetare, ngase zgjedhjet e vitit 2013 i kishte fituar Mimoza Kusari-Lila, asokohe anëtare e partisë së Behgjet Pacollit AKR. Duke fituar zgjedhjet Kusari-Lila kishte arritur ta largonte AAK-në nga pushteti.

Në zgjedhjet e sivjetme lokale kryetarja aktuale Kusari-Lila, që kësaj here kandidoi nga radhët e Alternativës, arriti të sigurojë vendin e dytë duke u renditur pas Ardian Gjinit të AAK-së. Në përballjen e tretë kundër AAK-së, Kusari-Lila mori 32.1 për qind të votave, ndërsa Gjini 39.9 për qind, rezultat ky që të dielën, me 19 nëntor, do t’i përballë këta të dy si garues në balotazh.

Për të përmbysur rezultatin e 22 tetorit, Kusari-Lila ka arritur marrëveshje për koalicion me Vetëvendosjen dhe LDK-në, e që të dyja së bashku si parti kanë marrë mbi 9 mijë vota.

Kusari që tradicionalisht ishte përballur me AAK-në, edhe në këtë fushatë ishte e përqendruar në kritika ndaj partisë që përfaqëson kundërkandidati i saj, Ardian Gjini, duke i vënë theks asaj që Gjakova nuk duhet të kthehet në vitin 2013. Gjatë gjithë fushatës së saj ajo ka akuzuar AAK-në se në proceset zgjedhore të vitit 2009 dhe 2013 kishte manipuluar me vota. Kusari-Lila madje e kishte akuzuar Gjinin se edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 22 tetor, kishte manipuluar me vota.

Akuza e kritika ndërkaq nuk kanë munguar as në drejtim të Mimoza Kusarit. Kësaj Gjini ia mvesh meritat për keqqeverisje në Gjakovë, për demolim të objekteve komunale me qëllim që të akuzonte AAK-në, si dhe e e ka quajtur ksenofobe sepse, sipas tij, ajo ka thelluar ndarjet mes qytetit dhe fshatrave në Gjakovë.   

Për këto deklarata Kusari-Lila gjatë fushatës elektorale ka ngritur edhe dy padi për shpifje kundër Gjinit.

Gjini në anën tjetër shprehej se këto veprime të Kusari-Lilës janë vetëm për shkak se ajo po tenton ta shpëjtojë Gjakovën.

Për të përmbysur rezultatin e 22 tetorit, Kusari-Lila ka arritur marrëveshje për koalicion me Vetëvendosjen dhe LDK-në, e që të dyja së bashku si parti kanë marrë mbi 9 mijë vota, ndërsa Gjini ka hyrë në koalicion me PDK-në dhe Partinë Shqiptare Demokrisitiane të Kosovës që po ashtu kanë mbi 9 mijë vota si subjekte.

Të dy kandidatët kanë deklaruar se janë afër arritjes së marrëveshjes për koalicion me NISMA-n, por që nga kjo e fundit nuk ka pas ndonjë reagim.

Megjithëse të dy kandidatët kanë programe të varfra sa i përket qeverisjes në Gjakovë, K2.0 ju prezenton një përmbledhje të premtimeve të tyre si dhe të problemeve që e presin kryetarin/en e ardhshëm/e të Gjakovës.

Zhvillimi ekonomik

Kusari-Lila ka thënë se komunën e Gjakovës e ka gjetur në një krizë financiare për shkak të borxhit prej 6 milionë euro të qeverisjes së AAK-së, nën udhëheqjen e Pal Lekajt, asokohe kryetar i kësaj komune.

Përkundër kësaj, Kusari-Lila është shprehur se ka arritur që prej këtij borxhi të paguajë 4 milionë euro dhe me menaxhim të mirë të krijojë kushte të përshtatshme për zhvillim ekonomik të qytetit. Ajo është shprehur se me anë të disa projekteve është arritur që të ketë ndikim në punësim. Skema e granteve, funksionalizimi i qumështores në Rekë, pastaj organizimi i panairit të punësimit i përkrahur edhe nga GIZ-i i cili, sipas Kusari-Lilës, ka gjeneruar 800 vende të reja të punës.

Ajo ka përmendur si suksese të punës së saj katërvjeçare edhe hapat që janë ndërmarrë për aftësimin profesional, dhënien e informatave mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve, pastaj themelimin e Qendrës së Inovacionit si hapa të tjerë që janë ndërmarrë dhe kanë pasur efekt në hapjen e vendeve të reja të punës, thotë ajo. Gjithashtu, në debate televizive, Kusari-Lila ka përmendur se vetëm nga komuna gjatë këtyre katër viteve janë punësuar afër 900 persona.

Për mandatin e ardhshëm premton se do të vazhdojë skemën e granteve sepse shpërndarja e tyre ka ndikim në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe premton se do kërkojnë krijimin e hapësirave të përbashkëta të punës me anë të këtyre granteve.

Për afrimin e investitorëve të jashtëm, Kusari-Lila ka përmendur edhe krijimin e zonës ekonomike si një mundësi që të tërhiqen investime nga jashtë. Ky është edhe një nga premtimet e tjera të saj për zhvillim ekonomik në Gjakovë. Kjo edhe për shkak se nga analizat e premtimeve të të gjithë kryetarëve të komunave që ka bërë GAP-i, Kusari-Lila është cilësuar si kryetarja e cila ka realizuar më së shumti premtimet e saj, argument ky që i ka shërbyer asaj edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të sivjetme lokale.

Në anën tjetër Gjini në përgjithësi ka trajtuar zhvillimin ekonomik në Gjakovë. Ai ka thënë se çdo sektor duhet të lidhet ndërmjet vete dhe kështu është i pashmangshëm zhvillimi ekonomik. Ai ka thënë se çdo projekt që do të realizohet ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe është e rëndësishme që buxheti të përdoret për ‘‘zhvillim dhe jo për shpenzim’’.  

Ai ka thënë se ka identifikuar 27 biznesmenë me prejardhje nga Gjakova që veprojnë jashtë Kosovës dhe që kanë kapital mesatarisht mbi 10 milionë euro dhe është duke biseduar me ata që t’u krijojë kushte që të investojnë në këtë komunë. Kjo, sipas tij, përkthehet në vende të reja të punës. Gjithashtu gjatë vizitave te bizneset e vogla dhe të mesme në Gjakovë u ka premtuar përkrahje, por duke mos dhënë detaje shtesë se në çfarë forme do të jetë ajo.

Gjini gjithashtu ka premtuar përkrahje për të rinjtë, me qëllim që ata të nxiten të merren me inovacion, dhe gjithashtu ka premtuar bursa për studentë në drejtime deficitare me qëllim që pas përfundimeve të studimeve të kthehen të punojnë në Gjakovë.

Investimet kapitale

Kusari-Lila ka përmendur disa nga investimet kapitale në Gjakovë duke u shprehur edhe se është një nga komunat që më së shumti ka arritur të tërheqë investime nga donatorët e jashtëm. Ajo ka përmendur tre sektorë në të cilët është investuar dhe projektet ose kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër.

Rregullimi i rrjetit të ujësjellësit është një nga projektet me të cilin ajo mburret. Në lidhje me këtë, ajo është shprehur se 80 për qind e rrjetit është rregulluar dhe se kanë mbetur edhe pak kohë që edhe pjesa tjetër të finalizohet, dhe jep premtim se brenda vitit 2018 i gjithë rrjeti i ujësjellësit do të përfundojë. Për këtë është shprehur se do të zgjidhë problemin e ujit për Gjakovën për së paku 30 vitet e ardhshme.

Ka premtuar se do të investohet edhe në ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, që do të shtrihet vetëm brenda pjesëve urbane të qytetit. Sipas Kusari-Lilës mjetet për këtë projekt janë siguruar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët e jashtëm. Ajo ka premtuar se ky projekt do të përfundojë brenda mandatit të ardhshëm.

Një projekt tjetër me vlerë prej 14 milionë eurosh që do të investohet në Gjakovë është edhe ndërtimi i ngrohtores të qytetit e cila do të funksionojë 100 për qind me biomasë. Për këtë projekt mjetet janë të siguruara, sipas saj, dhe do jetë një nga impiantet më moderne, dhe në rajon nuk ekziston asnjë i llojit të tillë.    

Gjithashtu ka premtuar se do të përfundojnë punimet e rrugëve në zonat kryesore të qytetit, si dhe përfundimin e punimeve për Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Qendrën e Re të Mjekësisë Familjare.

Në anën tjetër Gjini, sa i përket investimeve në infrastrukturë, është shprehur se këto investime nuk do të mungojnë sepse ai ka mbështetjen e padiskutueshme të kryeministrit Haradinaj. Ai ka thënë se së bashku me Qeverinë e Kosovës do të bëjnë investime në infrastrukturë që nuk janë bërë qe 10 vjet. Edhe vet kryeministri gjatë fushatës elektorale ka dhënë premtime për elektoratin se mbështetja e tij do jetë maksimale për Gjinin.

Së fundmi, kryeministri Haradinaj gjatë një tubimi elektoral në mbështetje të Gjinit ka premtuar se do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës me katër shirita Kilnë-Gjakovë. Ky projekt sipas Kryeministrit do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

Gjithashtu Gjini ka premtuar se do të investojë edhe në rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit, dhe sanimin e rrugëve. Ai ka premtuar edhe investime në Parkun e Qytetit, ku në një projekt të tij parashihet që brenda parkut të ndërtohet një librari, pastaj kateteri dhe dyqane të tjera, një ndër to edhe një dyqan lulesh i cili do të përkujdeset edhe për parkun.

Ai gjithashtu ka premtuar se do të investojë në lagjen e Çabratit që të ndërtohen shkallë në mënyrë që t’u ofrohet qytetarëve të asaj pjesë qasje në rrugët kryesore, si dhe premtoi ndërtimin e një rruge në këtë lagje. Gjini ka premtuar edhe investime në infrastrukturë për arsimin dhe shëndetësinë duke i cilësuar këta dy sektorë me probleme të shumta.

Qytetarët e Gjakovës të dielen do të kenë mundësi të zgjedhin në mes dy kandidatëve, dhe cilido prej tyre që do të marrë mandatin, do të përballet me disa sfida që kërkojnë zgjidhje.

Sipas një raporti të Friedrich Erbert Stiftung (FES), disa nga sfidat e kryetarit të ardhshëm janë; instalimi i rrjetit te ujërave të zeza, ujësjellësi, sanimi i rrugëve, problemi i mosfunksionalizimit të aeroportit të Gjakovës, mungesa e trafikut urban, menaxhimi i mbeturinave dhe menaxhimi i financave.K

Ilustrimi: K2.0.

Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.