Në thelb | Politika

Përfaqësimi politik i minoriteteve: Boshnjakët

Nga - 24.04.2017

Pjesa e dytë nga seria pesëpjesëshe mbi përfaqësimin e minoriteteve në Kosovë.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt, 2008 një pjesë e madhe e vëmendjes  ishte tek popullsia shumicë shqiptare. Mirëpo, ndërmjet 7 dhe 12 për qind të popullsisë llogaritet se e përbëjnë minoritetet etnike (këto burime dallojnë meqë edhe serbët edhe romët pjesërisht e bojkotuan regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011), flamuri verdhë e kaltër i shtetit të ri simbolikisht përfshiu edhe 6 yje — ku secili përfaqëson një komunitet apo komunitete minoritare. Kosova do të bëhej shtet multietnik, me të drejta të mëdha për komunitetet joshumicë.

Njëri prej këtyre yjeve përfaqëson komunitetin boshnjak, i cili, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 ishte komuniteti i dytë më i fuqishëm joshumicë në Kosovë, me mbi 27,000 banorë apo 1,6 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Por, llogaritet se më shumë se 3,000 boshnjakë jetojnë në veri të Mitrovicës ku rëgjistrimi i popullsisë nuk arriti të realizohej plotësisht.

Si pjesë e përpjekjeve për të siguruar të drejta për komunitete minoritare, Kushtetuta e Kosovës garantonte përfaqësim politik të pjesëtarëve të tyre. Nga 120 ulëse në Kuvend, 20 janë të rezervuara për grupe etnike joshumicë, të ndara në bazë të madhësisë relative të popullsisë së tyre; përfaqësuesve serb u garantohen 10 ulëse, 4 ulese janë të rezervuara për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, 3 për boshnjakët, 2 për turqit dhe 1 për përfaqësuesin goran.

Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës gjithashtu rregullon ndarjen e pushtetit të komuniteteve në organet ekzekutive të vendit, derisa qeveria e Kosovës është e obliguar që në përbërjen e saj të ketë edhe parti minoritare.

Megjithatë, përkundër krejt përfaqësimit të rezervuar brenda institucioneve kosovare, komuniteti boshnjak ballafaqohet me vështirësi të ndryshme të jetës në Republikën e Kosovës dhe rrallëherë ia del të bëhet pjesë e debatit të rëndomtë mbi çështjet e rëndësishme.

K2.0 takoi dy deputetë boshnjakë për të biseduar për mangësitë dhe sfidat e të qenit pjesë e jetës politike në Kosovë.

Të ndarë në pushtet

Që nga viti 1999, komuniteti boshnjak në Kosovë vazhdimisht është përfaqësuar në institucionet kryesore politike në vend nga Koalicioni VAKAT, një koalicion i përbërë nga tri parti politike. Megjithatë, ky koalicion së fundmi humbi shumë vota si rezultat i daljes në skenë të partisë më të re të komunitetit boshnjak, Nova Demokratska Stranka (NDS), e cila u themelua më 2009.

Kryetarja e kësaj partie, Emilija Redzepi, fitoi ulëse në Parlamentin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014, dhe u bë boshnjakja e parë që fitoi ulëse jashtë Koalicionit VAKAT. Ajo i tha K2.0 se partinë e formuan boshnjakët e Kosovës të cilët ishin të pakënaqur me mënyrën se si i përfaqësonte ai koalicion. “Ne politikën e shihnim ndryshe, jo si koalicioni VAKAT, i cili shihte vetëm përfitime personale, dhe nuk punonte për komunitetin boshnjak”, tha Redzepi.

Emilija Redzepi është pjesë e lëvizjes në rritje të boshnjakëve kosovarë të cilët janë të pakënaqur me mënyrën se si ata përfaqësohen politikisht. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ishte pikërisht kjo pëkanqësi me Koalicionin VAKAT ajo që, së paku sipas Redzepit, bëri që NDS të fitonte më shumë vota në zgjedhjet e vitit 2014.  Partia të cilën ajo e udhëheq mban postin e zëvendëskryetarit të komunës për çështje të komuniteteve në Prizren — qytet ku komuniteti boshnjak është i dyti për nga madhësia, dhe përbën 10 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Për Redzepin, Koalicioni VAKAT nuk ka arritur ta fuqizojë komunitetin boshnjak, si brenda Kuvendit të Kosovës ashtu edhe brenda grupit parlamentar të përbërë nga deputetët e komuniteteve joshumicë, i njohur si ‘6+’. Ky grup përfshin dy deputetë boshnjakë (Cerim Bajrami dhe Duda Balje nga Koalicioni VAKAT), dy deputetë turq, një deputet ashkali dhe një deputet rom.

“Në 6+ gjithçka funksionon më favor të komunitetit boshnjak përkundër faktit që aty janë edhe dy deputetë boshnjakë”, ankohet Redzepi.

Megjithatë, njëri prej dy deputetëve të këtij grupi, Cerim Bajrami, thotë se fuqia e komunitetit boshnjak dhe pozita e komuniteteve joshumicë nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm.

“Republika e Turqisë është një vend i fuqishëm dhe ajo vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën”, pohon Bajrami. “Duke e pasur këtë mbështetje, komuniteti turk ka pasur më shumë fuqi në politikën kosovare”.

Cerim Bajrami beson se mbështetja nga vendet më të fuqishme — diçka që komunitetit boshnjak i mungon — i ka ndihmuar edhe grupet tjera minoritare në Kosovë të bëhen më të fuqishme. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Ndryshe nga komunitetet tjera në Kosovë, të cilët mund të shfrytëzojnë mbështetjen e vendeve tjera të fuqishme për t’i përmirësuar të drejtat e tyre politike brenda republikës, përfaqësuesit boshnjakë e konsiderojnë Kosovën se shtetin e tyre të vetëm — pjesërisht për shkak të mungesës së mbështetjes nga Bosnja e Hercegovina përgjatë viteve. “Bosnja është atdheu për arsim, kulturë, histori e traditë — por vendi ynë i lindjes dhe shteti është Kosova”, thotë Bajrami.

Përveç Serbisë, Bosnja është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor i cili nuk e ka njohur Kosovën. Marrëdhëniet e tensionuara të të dyja vendeve, duke përfshirë edhe regjimin e rreptë të vizave ndërmjet këtyre shteteve, ka pasur ndikim të madh në komunitetin boshnjak të Kosovës.

“Vëllai im jeton në Bosnje. Hera e fundit që isha atje ishte në vitin 2012 dhe më duhej të merrja vizë”, shpjegon Cerimi. “Për ne, të marrësh vizë për Bosnje është më vështirë sesa të shkosh në Kanada apo Australi”.

Kundërshtarja e tij politike, Redzepi, shkon edh emë tej duke e përshëndetur vendimin e autoriteteve kosovare për të aplikuar masa të reciprocitetit të vizave me Bosnje e Hercegovinën, megjithëse ajo beson se “Kosova duhet të jetë e hapur për bashkëpunim në rajon”.

Premtimet e papërmbushura

Mungesa e mbështetjes nga Bosnje e Hercegovina shpesh çon te mbështetja në politikanët shqiptarë të Kosovës, të cilët, sipas bosnjakëve, shpesh i dominoinë dhe i shpërfillin. ‘Me sa shoh unë, shumica shqiptare shpesh mendon se votat e nëntë deputetëve — votat e 6+ dhe të tri deputetëve tjerë nga komunitetet [joserb] joshumicë [deputeti goran është në grupin parlamentar të Listës Srpska] — janë të siguruara dhe ata gjithmonë i bëjnë këto kalkulime”, thotë Bajrami.

Në Kuvend, Redzepi ulet përbrenda grupit më të madh parlamentar, PDK-së, por nuk pranon se kjo lidhje ka ndikuar në pavarësinë e saj.  “Madje edhe kam votuar kundër Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, insiston ajo. “Unë i kam qëndrimet e mia dhe askush nuk mund të ndërhyjë”.

Megjithatë, politikanëtbosnjakë nganjëherë dukej se kishin më pak fuqi për t’i ndryshuar gjërat në terren sesa kolegët e tyre turq e serbë, ndërsa premtimet e institucioneve kosovare për komunitetin boshnjak shpesh kanë mbetur të papërmbushura.

Qëllimi kryesor politik i partive boshnjake, edhe i Koalicionit VAKAT edhe i NDS-së, është formimi i Komunës së Reçanit, afër Prizrenit. Kosova ka kaluar nëpër një proces decentralizimi, duke transferuar dhe deleguar kompetenca të caktuara nga institucionet qendrore te ato lokale, derisa shumë politika vendimmarrëse gjithashtu kanë kaluar te pushteti lokal.

"Ne duhet ta ruajmë këtë pjesë të bukur të vendit për krejt Kosovën, jo vetëm për komunitetin boshnjak"

Cerim Bajrami për Reçanin

Krijimi i Komunës së Reçanit, e cila eventualisht do t’i merrte këto kompetenca, është një premtim i kahmotshëm i shumë udhëheqësve kyç të Kosovës, për të cilin shumë boshnjakë konsiderojnë se do t’u ndihmonte të vetëzhvilloheshin. Muajin që shkoi, Redzepi postoi një fotografi në Facebook ku ajo po i shtrëngonte duart me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me porosinë se e kishte “fituar mbështetjen për Komunën e Reçanit”.

Për Bajramin, formimi i Komunës së Reçanit shkon përtej interesave të komunitetit. “Nëse kalon pranë Zhupës ku planifikohet Komuna e Reçanit, vëren shkatërrim të hatashëm të mjedisit në atë regjion aq të bukur, dhe atje ka shumë vende të bukura natyrore”, thotë ai. “Ne duhet ta ruajmë këtë pjesë të bukur të vendit për krejt Kosovën, jo vetëm për komunitetin boshnjak”.

Megjithatë, rëndësia që Reçani të bëhet komunë gjithashtu ka të bëjë me zgjerimin e kompetencave në sistemin e arsimit, ku Bajrami sheh potencial të madh dhe është krenar me të arriturat e deritanishme. “Që nga klasa e parë e shkollës fillore e deri te degët e Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Prizrenit të cilat përdorin gjuhën boshnjake, kemi rreth 500 deri në 600 profesorë”, zbulon ai.

Bajrami thekson se, derisa gjuha boshnjake ka krijuar vende pune në këtë fushë, niveli i papunësisë së komunitetit boshnjak në përgjithësi në sektorin publik është mjaft i lartë, dhe Koalicioni VAKAT shpesh ka kërkuar fonde shtesë për t’i ndihmuar që të adresohet mungesa e mundësive të punësimit. Mungesa e këtyre mundësive e ka shtyrë komunitetin boshnjak të largohet nga Kosova; sipas një Raporti të OSBE-së të vitit 2010 të titulluar Profilet e Komuniteteve të Kosovës, një numër i madh boshnjakësh ka emigruar në vendet e Europës Perëndimore, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e në Serbi.

Në proceisn e ballafaqimit me sfidat e këtilla, përfaqësuesit politikë boshnjakë shpesh janë ndier të izoluar, pa ndonjë mbështetje nga Bosnje e Hercegovina. Siç thotë Redzepi, “kemi pasur më shumë mbështetje institucionale nga Sanxhaku sesa nga shteti i Bosnjes”. Ata kërkojnë më shumë ndihmë dhe mbështetje nga shteti të cilin e konsiderojnë të tyrin — pra, nga Kosova. “Bosnjen e kemi afër, por ajo nuk është atdheu ynë”, pohon Redzepi. “Vendi ynë është Kosova dhe ne ndihemi kosovarë”.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO