Në thelb | Politika

Përfaqësimi politik i minoriteteve: Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Nga - 19.04.2017

I pari nga seria e pesë shkrimeve rreth përfaqësimit politik të minoriteteve në Kosovë.

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, vëmendja ishte përqendruar tek popullsia shumicë shqiptare. Por, meqë 7 deri në 12 përqind e popullsisë vlerësohet të jetë e përbërë prej minoriteteve etnike (të dhëna këto të diskutueshme sepse serbët dhe romët pjesërisht e bojkotuan regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011), flamuri i ri shtetëror verdhë e kaltër simbolikisht i paraqet gjashtë yje – e secili përfaqëson nga një komunitet minoritar. Kosova u vendos të jetë një shtet multi-etnik, e me të drejta të avancuara për komunitetet që nuk janë shumicë.

Si pjesë e përpjekjeve për t’i siguruar këto të drejta, Kushtetuta e re garanton përfaqësim politik për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë. Prej 120 ulëseve në Kuvend, 20 janë të rezervuara për grupe etnike që nuk janë shumicë, të ndara në bazë të madhësisë relative të popullsive të tyre përkatëse; përfaqësuesve serb u garantohen 10 ulëse, komuniteteve rom, ashkali e egjiptianë iu garantohen katër ulëse, boshnjakëve tri, turqve dy, dhe një për përfaqësuesin goran.

Komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë janë në mesin e komuniteteve më të diskriminuara, më të varfëra e më të cenueshme në shoqërinë kosovare.

Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës gjithashtu rregullon ndarjen e fuqisë për komunitetet në organet ekzekutive shtetërore, ndërsa qeveria e Kosovës është e obliguar që të ketë një përbërje ku përfshihen partitë minoritare.

Njëri prej yjeve në flamurin e Kosovës i përfaqëson komunitetet e rom, ashkali dhe egjiptianë. Sipas shifrave zyrtare, ashkalinjtë përbëjnë 0.9 përqind të popullsisë së Kosovës, egjiptianët 0.7 përqind dhe romët 0.5 përqind – e që  të tri komunitetet kanë përfaqësues në qeveri.

Përkundër përfaqësimit të garantuar përmes vendeve të rezervuara në organet kyçe legjislative e ekzekutive kosovare, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë janë në mesin e komuniteteve më të diskriminuara, më të varfëra e më të cënueshme në shoqërinë kosovare.

Për artikullin e parë në serinë tonë pesë-pjesëshe për përfaqësimin politik të minoriteteve, K2.0 u takua me disa prej politikanëve që i përfaqësojnë këto tri komunitete në Kuvendin e Kosovës, për të mësuar më shumë për besimet dhe vlerat e tyre, mënyrën se si mundohen që t’i përfaqësojnë komunitetet e tyre dhe sfidat me të cilat përballen përgjatë kësaj rruge.

Tri komunitete, jo një

Ndonëse për shumë çështje, ligjet konsiderohen si të fuqishme por mungon zbatimi, për disa përfaqësues të komuniteteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, edhe vet ligjet janë diskriminuese. Përfaqësuesit janë të frustruar me këtë tendencë për t’i grupuar të tria komunitetit në ligjet zyrtare sikur një komunitet. Për shembull, ekziston gjuha dhe tradita që dallon romët, e ndonëse ashkalinjtë dhe egjiptianët tradicionalisht kanë të përbashkëta, edhe këto dy grupe kanë trashëgimi përkatëse unike.

Të nëjtin vit kur Kosova e shpalli pavarësinë, institucionet aprovuan edhe strategjinë 2009-2015 që përcaktoi planin shtetëror për fuqizimin dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe integrimin e plotë të tyre në shoqërinë kosovare.

Danush Ademi, nga Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK), është një prej dy deputetëve ashkali në Kuvendin e Kosovës, bashkë me Etem Arifin e Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI). Ademi, që është pjesë e bllokut ‘6+’ në koalicionin qeverisës, thotë se grupimi i tri komuniteteve ishte veprim racist dhe “kundër Kushtetutës”. “Ata menduan, masi këto tri komunitete e kanë një ngjyrë, po i bëjmë bashkë si një”, thotë Ademi. “Është sikur t’i bësh bashkë komunitetet e goranëve, boshnjakëve dhe turqve në një grup – si është e mundur që ta dish se interesat e kujt i përfaqësojnë ata?”

Danush Ademi e përshkruan grupimin e komuniteteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në disa prej ligjeve të Kosovës si “veprim në kundërshtim me kushtetutën”. Foto: Cristina Mari / K2.0

Pavarësisht vërejtjeve që i ka për strategjinë e vjetër, Ademi thekson progresin e viteve të fundit. “Jam krenar që mund të them se mbi 8,000 fëmijë [ashkalinj] janë në shkollë dhe numri i atyre që po e lënë shkollën fillore dhe të mesme është reduktuar në mënyrë drastike”, thotë ai.

Për Ademin, problemi i ashkalinjëve fillon kur ata duan të nisin fakultetin, e vazhdon edhe pasi ta përfundojnë atë. “Sot i kemi 80 [studentë] që e kanë kryer universitetin”, thotë ai. “Tash nuk duam që të na falen vende të punës, por duam që me kualifikimet tona të punësohemi”.

Me qëllim që ta shtyjë përpara këtë objektiv, Ademi ka qenë pjesë e procesit të draftimit  të strategjisë së re të qeverisë, që quhet “Drejt një politike të re”. Edhe pse ishte planifikuar që të hynte në fuqi vitin e kaluar, kjo strategji që mbulon periudhën 2016-2020 ka hyrë në fuqi vetëm këtë javë pasi u publikua në faqen zyrtare të kryeministrisë. Me strategjinë e re tashmë dihet që akronimi ‘RAE’ nuk do të përdoret – e kjo po mirëpritet gjerësisht nga tri komunitetet.

Progres i pjesshëm

Kujtim Paçaku nga Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP) përfaqëson komunitetin rom në Kuvendin e Kosovës dhe bashkë me Ademin është pjesë e bllokut 6+ brenda koalicionit qeverisës. Ai është i ngazëllyer për strategjinë e re, dhe e konsideron atë si mjet shtesë, “të nevojshëm” për përmirësimin e të drejtave të komuniteteve, meqë po mungon zbatimi i plotë i ligjeve dhe Kushtetutës. “Kjo strategji ka objektiva, ndërsa në ligje nuk ka objektiva”, thotë ai.

Për Paçakun, strategjia e mëparshme ishte shumë e gjërë dhe prandaj ishte e destinuar për të dështuar, ndërsa e reja është më e fokusuar. “Strategjia e mëparshme dështoi meqë kishte shumë objektiva – 10 deri në 12 – e tani do të jenë katër objektiva”, shpjegon ai.

Punësimi dhe mirëqenia sociale janë një prej katër objektivave kyçe të strategjisë së re, e tjerat janë arsimi, shëndeti dhe strehimi/banimi.  

Paçaku pajtohet me Danush Ademin se ndonëse ka patur stagnim dhe mungesë të zbatimit të ligjeve në përgjithësi për komunitetet që nuk janë shumicë, arsimi është një prej fushave ku janë parë hapat e parë në drejtimin e duhur për komunitetin e tij.

“E turpshme do të kishte qenë po të thonim se shteti nuk ka bërë asgjë për romët, sepse në vitin 2002 e kishim vetëm një student në Universitetin e Prishtinës, e tani janë mbi 100 studentë [romë] në Kosovë”, thotë ai, duke ia atribuar këto arritje përfaqësuesve të komuniteteve që vazhdimisht kërkuan arsimim më të mirë.

Kujtim Paçaku thotë se komuniteti rom ka bërë progres, veçanërisht sa i përket arsimit, por ka ende shumë punë që duhet kryer. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Megjithatë, Paçaku thekson faktin se përmirësimet në arsim nuk po rezultojnë domosdoshmërisht në mundësi më të mira të punësimit, dhe thotë që shteti është fajtor kryesor meqë nuk po i përmbush detyrat. Neni 11 i Ligjit për Shërbim Civil të Republikës së Kosovës thotë se brenda institucioneve të shërbimit civil në nivel qendror, të paktën 10 përqind të pozitave duhet të jenë të rezervuara për punëtorë që përmbushin kritere specifike të punësimit dhe që janë të komuniteteve minoritare.

Por ky përfaqësues i komunitetit rom thotë se realiteti është shumë më ndryshe. “Mund t’i gjesh vetëm 20 punëtorë nga komuniteti rom në institucione publike”, thotë ai.

Qasje më ndryshe

Veton Berisha pajtohet me pretendimin se për komunitetin egjiptian, që ai e përfaqëson në Kuvendin e Kosovës, papunësia mbetet çështje kritike; pavarësisht faktit se ky komunitet ka fuqi punëtore të kualifikuar sipas tij. “Në komunitetin egjiptian i kemi rreth 400 të diplomuar, dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar, ndërsa opinioni publik thotë se ky komunitet nuk ka persona të kualifikuar për t’u punësuar”, thotë ai.

Statistikat e Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të bashkuara (UNDP) thonë se papunësia e komuniteteve të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve tejkalon nivelin 90 përqind, në krahasim me nivelin 33 përqind të popullsisë së Kosovës në përgjithësi; më shumë se 75 përqind e burrave të moshave 15 – 24 të këtyre komuniteteve janë të papunë, në krahasim me 58 përqindëshin e burrave në nivel kombëtar. Berisha thekson se statistikat e tilla ekzistojnë përkundër ligjeve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, dhe pavarësisht strategjisë qeveritare.

Gjithë këto kanë prodhuar shumë pak rezultate të prekshme. Për përfaqësuesin e komunitetit egjiptian, strategjitë e veçanta vetëm se e konfirmojnë “dështimin” e shtetit në relacion me këto tri komunitete, ndërsa të gjithë qytetarët do të duhej të jenë të barabartë para sundimit të ligjit. “Për ne, strategjitë e tilla janë izolim total, meqë shteti e ka Kushtetutën dhe ligjet që i rregullojnë jetët tona”, thotë ai.

Edhe pse është anëtar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës – dhe kështu është edhe pjesë e koalicionit qeverisës – Berisha thotë se ka refuzuar që të merr pjesë në hartimin e strategjisë së re të qeverisë. Në fakt, ai do që komuniteti egjiptian të hiqet tërësisht nga strategjia, dhe pretendon se kolegët e qeverisë kanë premtuar që kjo do të ndodh. Këtë javë (të martën), ai në një postim në faqen e tij të Facebook, uroi komunitetin egjiptian që nuk janë më pjesë e strategjisë së re.

Veton Berisha ka refuzuar që të merr pjesë në hartimin e strategjisë së re të qeverisë për përfshirje të minoriteteve, duke argumentuar se strategjitë e tilla vetëm shërbejnë për t’i izoluar komunitetet. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Berisha e themeloi Partinë Liberale të Egjiptianëve (PLE) në vitin 2014 në përpjekje për të ofruar diçka më ndryshe për elektoratin egjiptian. “Vlerat tona si parti janë liberale, por elektorati ynë nuk është që e njeh konceptin liberal”, thotë ai. “Janë dashur përpjekje për t’i edukuar komunitetin egjiptian për konceptin liberal, por kemi punuar shumë për t’i edukuar ata që ky është koncepti është ai që i duhet shoqërisë sonë”.

Ai beson se në shumë mënyra partitë më të mëdha në Kosovë mund të mësojnë shumë prej vlerave liberale, por nuk beson shumë që kolegët politik të tij janë të hapur për ide të tilla. Ndonëse PLE aktualisht e ka një zëvendës ministër dhe dy këshilltarë politik, partia e Berishës është duke menduar mirë për pozitën e saj në koalicion, e po ankohet për mungesë të ndikimit. “Jemi duke konsideruar mundësinë e largimit nga qeveria, të paktën për t’ia dëshmuar elektoratit që ne e sakrifikojmë vetën – nuk mund të bëjmë shumë sepse jemi të dominuar nga shumica dhe jemi të shpërfillur”, thotë ai.

Berisha beson se ky dominim vjen në forma të ndryshme. Për të, shumica e politikanëve shqiptar të Kosovës i konsiderojnë deputetët e komuniteteve minoritare si mjete për t’u përdorur kur nevojiten votat e tyre. “Ne konsiderohemi si makineri e votimit, aq shumë sa që kur ka çështje si marrëveshja e demarkacionit [në mes të Kosovës dhe Malit të Zi] në votim, ata [shumica shqiptare] thonë ‘nuk e kemi problem [sigurimin e votave]’”, thotë Berisha. “Të jep një ndjenjë që këto çështje nuk na përkasin neve, dhe që unë nuk duhet të preokupohem për territorin e Kosovës. Në fakt, edhe unë brengosem [njejtë] si një shqiptar i Kosovës për territorin e Kosovës”.

Të dominuar, të përdorur e të përjashtuar

Tri komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë gjithashtu mendojnë se nuk janë të dominuar vetëm nga shumica e shqiptarëve të Kosovës, por edhe prej komuniteteve tjera, të cilat gëzojnë mbështetje më të madhe prej jashtë vendit, dhe kështu edhe më shumë vëmendje.

“Komuniteti serb është politikisht superior dhe dominojnë me epërsinë e tyre politike”, thotë Paçaku. “Në dialogun e Brukselit [në mes të Kosovës dhe Serbisë] gjendja e komunitetit rom – procesi i riintegrimit, jetët e tyre [romëve] ose të atyre të komuniteteve tjera – nuk janë diskutuar asnjëherë”.

Ademi gjithashtu beson se serbët kanë ndikim disproporcional sa i përket partive minoritare. Ai aludon se Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit – që kryesohet nga një ministër serb, me një zëvendës ministër rom dhe dy shqiptar përkatësisht – duhet ta ndryshojë emrin e të bëhet “Ministria e Komunitetit Serb”, duke argumentuar se nuk i shërben interesave të të gjitha komuniteteve minoritare. “Ne duam që fondet që i përkushtohen ashkalinjëve të mos përdoren nga komuniteti serb”, thotë ai.

Pavarësisht këtyre mospajtimeve, deputeti nga radhët e komuntietit ashkali insiston që të përdoret “mënyra institucionale” për zgjidhje të problemeve, dhe që të mos zgjidhen forma tjera të presionit. “Nuk jemi të lindur për bojkot, dhe nuk duam që t’i ngjajmë komunitetit serb, duke e përdorur bojkotimin si mjet”, thotë ai duke iu referuar bojkotit tre-mujor të Kuvendit nga grupi parlamentar i serbëve të Kosovës, Lista Srpska, e të cilit i erdhi fundi në muajin e kaluar.

Megjithatë, ai aludon gjithashtu se kjo qasje mund të ndryshojë në të ardhmen, nëse nuk respektohen përfaqësuesit e komunitetit të tij. “Ata [populli shumicë i shqiptarëve të Kosovës] mendojnë që ne nuk bëjmë shumë zhurmë, megjithatë një ditë këtij durimi do t’i vijë fundi”, thotë ai.

“Kur Majlinda [Kelmendi] arriti sukses në xhudo, shqiptarëve ua uruan çdokund – në TV, në gazeta e çdokund. Kjo na bëri mua dhe komunitetin tim që të ndihemi keq, sepse edhe ne ishim të lumtur me sukseset e saja."

Veton Berisha

Ky durim u testua deri në nivel ekstrem vitin e kaluar. Kur u publikuan disa biseda të përgjuara, zbuluan nepotizëm e abuzimin e pushtetit nga figurat qendrore të qeverisë, e u ekspozua edhe në mënyrë grafike hipokrizia e figurave udhëheqëse të qeverisë në qëndrimet e tyre ndaj komuniteteve minoritare. Përderisa publikisht i lavdëruan me plot ngazëllim virtytet e shtetit multietnik të Kosovës dhe legjislacionin që promovon barazi, figura kyçe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përfshirë kryesuesi i atëhershëm i grupit parlamentar Adem Grabovci dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, u dëgjuan duke diskutuar për minoritetet duke përdorur ton përbuzës dhe gjuhë denigruese.

Paçaku reagoi në Kuvend, duke denoncuar gjuhën e përdorur dhe duke refuzuar që të largohet nga foltorja e Kuvendit deri sa të kërkohej falje publikisht. Pa rrugëdalje tjetër, Veseli i kërkoi falje. Por përfaqësuesit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian thonë se zgjedhësit e tyre nuk shpërfillen vetëm në politika të nivelit të lartë – kjo ndodh edhe në ngjarje shoqërore e kulturore, që ndihmojnë në formimin e qytetarisë së barabartë.

“Kur Majlinda [Kelmendi] arriti sukses në xhudo, shqiptarëve ua uruan çdokund – në TV, në gazeta e çdokund”, thotë Berisha. “Kjo na bëri mua dhe komunitetin tim që të ndihemi keq, sepse edhe ne ishim të lumtur me sukseset e saja, dhe ndihemi keq kur vetëm shqiptarët urohen për suksese në art, kulturë dhe sport”, tha ai. “Edhe ne e duam më të mirën për këtë vend”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.