Në thelb | BiH

Misioni i pamundur për të arritur në Bosnje e Hercegovinë

Nga - 15.11.2016

Kosova dhe BiH ende në konflikt për regjim të vizave.

Pritja me muaj dhe procedurat e gjata e shpeshherë të ndërlikuara të marrjes së vizës për udhëtim në Bosnje e Hercegovinë (BiH) bëjnë që shumë kosovarë të qëndrojnë larg këtij shteti, madje edhe për mundësi biznesore.

Ndonëse shumë ndërmarrës kanë raportuar vështirësi në odën ekonomike të Kosovës, shumë tjerë veç se kanë hequr dorë nga shpresa për bashkëpunim në mes të tregjeve të këtyre dy shteteve. Në nivel individual, shumë mundësi të biznesit e karierës po humben për shkak të regjimit të vizave në mes të BiH dhe Kosovës.

BiH mbetet i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë – përveç Serbisë – që ende nuk e njeh Kosovën, për shkak të kundërshtimit nga Republika Srpska, entitet i BiH i dominuar nga serbët.

Në 2004, BiH solli një regjim të veçantë të udhëtimit për kosovarët, pjesë e së cilit ishte marrja e lejeve speciale për udhëtim duke përdorur dokumente të identitetit të lëshuara nga Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK). Megjithatë, pasi Kosova shpalli pavarësinë në 2008 – dhe pasaportat e fundit të UNMIK skaduan dy vite më pas – udhëtimi në BiH u bë shumë më i vështirë, pasi që BiH nuk i njohu menjëherë dokumentet e lëshuara nga Kosova; kjo ndryshoi në mars 2012, por procedurat për marrje të vizave janë shpeshherë shumë të ndërlikuara, dhe vizat nuk vulosen në pasaportë, por ipen në një dokument tjetër.

“Mua Bosnja më duket si tokë e ndaluar”, tha Arbër Selmani, gazetar i pavarur nga Prishtina i cili dy herë është parandaluar nga udhëtimi për në BiH për shkak të problemeve me viza.

"U thash se po shkoja për një eveniment, një trajnim, dhe nuk ka fare kuptim që viza të më lëshohet pasi të mbahet evenimenti.”

Arber Selmani

I ulur në një bar në qendër të Prishtinës, 24 vjeçari kujtoi “procedurat burokratike” me të cilat u detyrua të merret për të pranuar vizë të Bosnjes, së pari në 2009 e më pas përsëri në 2015, kur iu refuzua aplikimi.

Në 2009, vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Selmani nuk arriti të merr vizë me kohë për t’iu bashkuar nismës ndëretnike të të rinjve të Ballkanit Perendimor të quajtur “Balkans, Let’s Get Up”, që u mbajt në Sarajevë.

“Mendova: Më në fund po udhëtoj në një vend që ka histori shumë të ngjashme me atë të Kosovës, një shtet të pasluftës”, tha ai, duke shpjeguar se si procesi i aplikimit për vizë e ndërlikoi planin e tij meqë kërkohej një çertifikatë e punësimit, gjë që ai, si student i papunë i ekonomisë, nuk e posedonte.

Edhe pse në fund morri përgjigje pozitive në aplikimin e tij për vizë, ndërlikimet e gjata bënë që ai të mos e pranonte vizën deri pesë ditë pasi u mbajt grumbullimi i nismës së të rinjve.

“U thash se po shkoja për një eveniment, një trajnim, dhe nuk ka fare kuptim që viza të më lëshohet pasi të mbahet evenimenti”, tha ai.

Përveç regjimit të vizave për BiH, kosovarët janë gjithashtu të vetmit qytetarë në Ballkanin Perendimor që privohen nga liria e lëvizjes brenda zonës Shengen. Megjithatë, në të njejtin vit që atij iu refuzua viza për BiH, Selmani – që kohë pas kohe shkruan poezi – udhëtoi në Itali për një festival të poezisë dhe, si e shpjegoi ai, nuk pati vështirësi që të merr vizë të Italisë.

Ndonëse kosovarët mbesin të përjashtuar nga grupi i qytetarëve me liri të lëvizjes brenda Bashkimit Evropian, udhëtimi pa vizë në vendet fqinje nuk ka qenë problem; edhe Serbia madje lejon kalimin e kufirit me letërnjoftim, pas një marrëveshjeje dypalëshe në korrik të vitit 2011.

Mision i pamundur

Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, në 2008 të mirat e eksportuara nga Kosova në BiH ishin në vlerë rreth 5 milion euro. Një vit më vonë, pas shpalljes së pavarësisë, kjo shifër ra në 1.2 milion euro; kjo të çon në përfundim se zbatimi i regjimit të vizave pati ndikim dramatik në raportet ekonomike. BiH është tani një prej partnerëve më jo të favorshëm ekonomik të Kosovës në Ballkanin Perendimor.

Në 2014 BiH eksportoi të mira në vlerë rreth 64 milion euro në Kosovë, kryesisht në industrinë e ushqimit, ndërsa Kosova eksportoi vetëm 3.8 milion euro; ky është tregues i volumit jo të barabartë të tregtisë në mes të dy vendeve.

"Paradoksale është që mund të lëvizim pa viza nëpër Serbi e nuk mund të lëvizim lirshëm në Bosnje, me të cilët as që kemi luftuar ndonjëherë."

Safet Gerxhaliu

BiH mbetet i vetmi shtet, prej atyre në Ballkanin Perendimor që aspirojnë t’i bashkohen BE, që aplikon regjim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është ende lëvizje politike që BiH zyrtarisht nuk e pranon, e kjo i përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Odat ekonokime dhe ekspertët ekonomik në të dy vendet veç se kanë paralajmëruar se vizat po pengojnë biznesin, dhe biznesmenët kosovar shpeshherë nuk janë të gatshëm që të humbin muaj të tërë duke aplikuar për viza për BiH.

“Paradoksale është që mund të lëvizim pa viza nëpër Serbi e nuk mund të lëvizim lirshëm në Bosnje, me të cilët as që kemi luftuar ndonjëherë”, tha Safet Gërxhaliu, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, duke shtuar se regjimi i vizave po i dëmton lidhjet në mes të BiH dhe Kosovës.

Shumë ndërmarrës nga Kosova janë ankuar te ai për “burokraci dhe mundime” në lidhje me procesin e marrjes së vizës, dhe vet Gërxhaliu nuk ka patur mundësi që të udhëtojë në Sarajevë për të marrë pjesë në takime të shumta sivjet.

Ai refuzoi që të shkonte në Ambasadën e Bosnjes në Shkup, duke e quajtur “mision të pamundur” që të merr shumë kohë mbledhjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme për marrje të vizës. “Përderisa ka kaq shumë burokraci nuk do të aplikojë për vizë të Bosnjes”, tha Gërxhaliu, i cili e vizitoi BiH shumë herë para luftës së vitit 1999 në Kosovë.

“Përveç dëmtimit të lidhjeve ekonomike, lidhjet shpirtërore në mes të njerëzve të BiH dhe Kosovës po dëmtohen për shkak të regjimit të vizave”, tha ai. “Nëse hiqen vizat, udhëtimi im i parë do të jetë në Sarajevë, Visokë, Tuzël dhe Brcko, ku kam shumë miq prej kohës kur studiova në Dubrovnik”.

Gërxhaliu argumenton se dy shtetet, që pretendojnë të kenë perspektivë evropiane, e në të njejtën kohë zbatojnë regjime të vizave, duket se janë larg vlerave evropiane.

“Me getoizim dhe izolim nuk mund të lëvizim para”, tha ai, duke përfunduar me një refuzim kokëfortë të aplikimit për vizë, e duke e quajtur “marrëzi”.

Proces që të merr kohë e para

Para një viti, Selmani për herë të dytë u përpoq që të merr vizë për BiH, kur u zgjodh që të merr pjesë në programin “Sarajevo Talent” të Sarajevo Film Festival, si kritik i filmit dhe gazetar.

“Këtë herë mendova që do të jetë ndryshe, pasi që “Sarajevo Talent” është festival mjaft prestigjioz, e gjithashtu isha i punësuar këtë herë”, shpjegon Selmani, duke e krahasuar me vitin 2009 kur u mundua të vizitojë si student.

E njoh Bosnjen nga librat, Eurovizioni, futbolli, dhe shkrimtari Ivo Andric, por vetëm kaq."

Arbër Selmani

Megjithatë, edhe pse morri ftesë e i bëri gati të gjitha dokumentet e nevojshme, Selmani tha se u bë e pamundur që të merr vizën, pasi u shtuan kërkesa “absurde”, si kërkesa për çertifikatë të lindjes, dhe dokumente tjera “të panevojshme”.

“Në gusht [2015] po punoja në DokuFest si gazetar i pavarur për tri media dhe më duhej që të udhëtoja nga Prizreni e drejt për në Ambasadën e Bosnjes në Shkup, dhe ishte shumë e vështirë që të kthehesha në Prishtinë për të marrë dokumente tjera, e për t’i sjellur në Ambasadë”, kujtoi Selmani.

Qytetarët e Kosovës që duan të marrin vizë të Bosnjes zakonisht udhëtojnë në Shkup, ku gjindet ambasada më e afërt, por prap se prap është rreth 80km larg Prishtinës. Kjo krijon shpenzime shtesë, përkrah pagesës për vizë në vlerë mbi 30 euro.

“Shpenzimet shtesë për shkak të udhëtimeve deri në Shkup, bashkë me procedurat e pakuptimta burokratike, më bënë që të mendoja që thjeshtë të dorëzohesha”, tha Selmani, i cili gjithashtu pranon se po të kishte aplikuar disa muaj më herët, mund ta kishte marrë vizën me kohë.

Prap se prap, procedurat në rregullore duken mjaft të thjeshta; si kërkesa parashtrohen caktimi i takimit, paraqitja e një ftese dhe përmbushja e formave të aplikimit për vizë. Megjithatë, Selmanit iu kërkuan “dokumente shtesë” – e ai këto i quan “ogur i zi”, pasi që i ndërlikuan planet e tij për të udhëtuar në BiH.

Selmani është skeptik për idenë se situata në mes të BiH dhe Kosovës do të ndryshojë së shpejti, pavarësisht faktit se kosovarët së shpejti mund të udhëtojnë pa viza brenda Zonës Shengen, pas një propozimi të Komisionit Evropian në maj të këtij viti. Selmani argumentoi se nuk do të kishte kuptim që BiH të mbetet i vetmi vend që ka regjim të vizave për Kosovën.

“E njoh Bosnjen nga librat, Eurovizioni, futbolli, dhe shkrimtari Ivo Andric, por vetëm kaq”, tha Selmani. “E pashë që një mural i madh i David Bowie u zbulua në Bosnje së fundmi dhe e kam parë në internet. Shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë Bosnjen e lidhin vetëm me kohën e luftës dhe Srebrenicën, por Bosnja ka shpirt artistik që duhet të zbulohet nga të rinjtë e Kosovës”.

Disa prej shteteve anëtare të BE të cilat nuk e njohin Kosovën, si Greqia, Sllovakia dhe Rumunia, moti kanë hapur zyra ndërlidhëse në Prishtinë dhe i kanë lehtësuar shumë procedurat për marrje të vizave. Megjithatë, meqë BiH nuk e ka bërë një gjë të tillë, kosovarët ende duhet të udhëtojnë në Shkup, Beograd ose Podgoricë për të aplikuar për vizë të BiH.

“Nuk duhet të ndërrojmë aeroplane që të udhëtojmë në Bosnje, por ky vend është aq afër e aq larg nesh në të njejtën kohë”, tha Selmani. “Një shok i imi thotë, është më lehtë të shkosh në SHBA se në Bosnje”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0