Në thelb | Personat e pagjetur

Pritja e papërfunduar për familjet e personave të pagjetur

Nga - 30.08.2015

Pas 17 viteve, ende nuk ka përgjigje për famijlet e personave të humbur.

“Po thonë që bohesh e qetë ma vonë, por nuk e di…kur je shumë e prekun”, tha Isma Begiqi për Kosovo 2.0 me zë plot dëshpërim. “Ka të shkon të duket që i ke diku përmas…je gjithmonë e mërzitun. Del, shëtitesh, folë me dikë, por mend i ke gjithmonë aty”. Për Begiqin, pritja kurrë nuk do të ketë mbarim.

E bija e Begiqit, Luljeta, i kishte 23 vjet kur e morrën forcat serbe në mars të vitit 1999. Ato dyja, së bashku me anëtarë tjerë të familjes së tyre, po iknin nga vendlindja e tyre, Mitrovica, në fillim të fushatës ushtarake të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999. Tetë vite pas luftës, në 2007, trupi i Luljetës u gjet në një varrezë masive në Prizren. Identiteti i saj u konfirmua në bazë të mjekësisë ligjore.

“Gjithmonë kam majt ymyt që ka ikë dhe ka shku jashtë”, tha Begiqi. “Se plot po thonë se po gjenden gjallë dhe kam majt ymut. Edhe sot, ka raste që mendoj që nuk është trupi i saj ai që gjendet në varr. Nashta ka dalë në shtetet e jashtme”.

Luljeta u varros në Mitrovicë, në varrezat familjare të Begiqve. Megjithatë, e njejta gjë nuk ndodhi me bashkëshortin e Begiqit, i cili në 1999 vendosi të qëndrojë në shtëpinë e tyre në Mitrovicë. Sot ai është një prej rreth 1,650 personave të humbur në Kosovë.

Tortura, vrasje, përdhunime, dëbime të detyruara, dhe krime tjera lufte u kryen nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999. Raportet dhe hetimet ndërkombëtare tregojnë fushatë të koordinuar dhe sistematike që kishte për qëllim terrorizimin, vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve etnik nga Kosova.

Sot, Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, derisa familjet e viktimave ende presin të dëgjojnë për fatin e të dashurve të tyre. Familjet e viktimave dhe aktivistët marshuan në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë sot, në solidaritet dhe kujtim kolektiv, duke i nderuar të gjithë njerëzit që ende janë të humbur në Kosovë, si dhe në botë. Në një akt simbolik, aktivitetet e ditës së sotme përfunduan në 16:50, duke iu referuar 1,650 njerëzve të humbur. Në fund të konfliktit të armatosur u vlerësua se ishin 5,500-6,000 njerëz të humbur, edhe pse ai numër është zvogëluar gjatë viteve, kryesisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive.

miss1

Statistikat tregojnë se si konfliktet moderne ndikojnë në civilë. Para Luftës së Parë Botërore, proporcioni i viktimave – duke përfshirë të humburit – ishte shtatë luftëtarë me një civil. Sot, ky bilanc ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sot ky proporcion është një luftëtar me nëntë civilë.

Në Kosovë, Komisioni Qeveritar për Njerëz të Humbur organizoi program katër-ditor me aktivitete që filluan të enjten (27 gusht) me një konferencë. Kryetari i Komisionit, Prenke Gjetaj, lajmëroi programin katër-ditor me aktivitete përkujtimore, ndër të cilat tradicionalisht përfshihen homazhe për viktimat në lokacionet ku kanë ndodhur masakrat. Sivjet vizituan lokacione të ndryshme duke përfshirë fshatrat Kralan dhe Izbicë. 86 civilë shqiptar u vranë gjatë Masakrës së Kralanit me 4 prill, 1999 dhe 49 prej tyre ende janë të humbur. Vlerësohet se 150 civilë u vranë gjatë Masakrës së Izbicës me 28 mars, 1999.

Plumbi kam ni prej pleqve është i paqë. Ske dhimtë se shkon menjëherë.

Kadri Isufi

“30 gushti është bërë si traditë e veçantë e yna të shënohet kjo Ditë Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur dhe për fat të keq jemi pjesë e kësaj dhembjeje edhe ne”, tha Gjetaj për Kosovo 2.0. “Ende ka mbetur pa u ditë fati i 1,650 personave dhe është detyrë, obligim dhe përgjegjësi të punohet në ndriçimin e fatit të tyre. Familjarët e viktimave ende jetojnë me shpresën, pritjen dhe dhembjen për të ditur për të dashurit e tyre”.

Gjatë luftës së vitit 1999, trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës u transferuan në Serbi nga forcat serbe, ku u varrosën në varreza masive, për të fshehur dëshmitë e këtyre mizorive. Varrezat tjera masive të paidentifikuara besohet se ekzistojnë, por konstatimi dhe zbulimi i informatave në lidhje me lokacionet e tyre është ende sfidë e madhe.

miss2

Deri sot, trupat e gati 900 shqiptarëve të Kosovës që u ‘zhdukën’ nga forcat serbe janë zhvarrosur në Serbi. Mbetjet e rreth 800 trupave u gjetën në varreza masive në tokën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Batajnicë afër Beogradit, dhe mbetjet e 70 trupave tjerë u zhvarrosën në Petrovo Selo, fshat në Vojvodinë, Serbi veriore. Mbetjet e 84 trupave tjerë u gjetën në liqenin Perucacin, Serbi perëndimore. Zbulimi i fundit ishte varreza masive në minierën Rudnica afër qytetit jugor serb, Rashka, ku 55 trupa u zhvarrosën. Deri sot Beogradi nuk ka ndjekur penalisht asnjë zyrtar që ka urdhëruar operacionin kriminal të fshehjes së trupave.

“800 trupa janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë, në një lokacion që është kazermë ushtarake e njësive speciale të policisë”, tha Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, OJQ e të drejtave të njeriut që mbështet shoqëritë post-jugosllave në promovimin e rendit të ligjit dhe pranimin e trashëgimisë së shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. “Kush ka mundur t’i varrosë aty pa dijeninë e udhëheqësve dhe komandantëve nga radhët më të larta? Askush nga Serbia nuk është akuzuar në gjykaten speciale për krime lufte [në Serbi] për Batajnicë. Është shumë e qartë që nuk ka vullnet politik për të zbardhur fatin e 1,650 personave të zhdukur”.

I biri 26-vjeçar i Kadri Isufit nga fshati Kushtovë, Kosovë, u vra nga ushtria serbe në 1999. “E kam gjet trupin e djalit pesë muaj mas luftës”, tha Isufi për Kosovo 2.0. I biri i tij u gjet në Mitrovicë Veriore nga trupat e KFOR-it. “Plumbi kam ni prej pleqve është i paqë. Ske dhimtë se shkon menjëherë”, tha ai.

Isufi udhëton në Prishtinë për çdo ditë kombëtare e ndërkombëtare të personave të humbur për të marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore. “Ata [qeveria] duhet me shty para [çështjen e personave të pagjetun] dhe gjithë kemi me shku aty me familjet me marshu para hundes tyne, bile mi përkujtu që mi dhanë zor”, tha ai.

Gjashtëmbëdhjetë vite kanë kaluar prej luftës në Kosovë, por mungesa e gatishmërisë institucionale dhe politike vazhdon ta zgjasë ankthin e familjeve të të zhdukurve. Kur dialogu Kosovë-Serbi filloi në Bruksel në 2011, organizatat e shoqërisë civile dhe familjet e personave të humbur kërkuan që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave. Por shpresat e tyre u shuan shumë shpejtë.

“Mendoj që zbardhja e fatit të personave të pagjetur duhet të jetë pjesë e dialogut, qoftë për lokalizimin e varrezave masive, po ashtu edhe për çështjen e procedimit të lëndëve gjyqësore për rastet krimeve të luftës”, tha Teuta Hoxha, koordinatore e Nismës të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. “Fatkeqësisht, deri tash nuk kemi parë vullnet politik nga asnjëra palë”.

Blakaj tha se ekziston një ngurrim për të zbuluar informata, veçanërisht në anën serbe, pasi që do të shkaktonin nisjen e një procesi të ri të hetimit dhe ndjekjes penale të atyre të përfshirë në vrasje, ose në fshehjen e tyre; disa prej të cilëve mund të jenë ende në pushtet sot.

Krimet e forcave serbe nuk ishin të izoluara. Ka edhe shkelje të supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që besohet se ka rrëmbyer dhe vrarë civilë gjatë dhe pas luftës, duke përfshirë grupet e minoriteteve. Përkundër kësaj, Kosova nuk është gati të përballet me përfshirjen e viktimave nga minoritetet në diskursin publik të kësaj teme.

“Nuk është fare e ndershme, në rradhë të parë në aspektin njerëzor, mos-përmendja e viktimave të komuniteteve”, tha Blakaj. “Në mesin e personave të pagjetur janë mbi 400 persona të komunitetit serb që janë zhdukur dhe autoritetet kosovare duhen të japin maksimumin që të zbardhet fati i këtyre personave, të gjehen mbetjet mortore dhe të dihet se çka ka ndodhur me ta”.

Hoxha mendon se njëra prej çështjeve që duhet të diskutohet në diskursin publik është fakti se institucionet kosovare kanë përgjegjësi të zbulojnë informata për personat e humbur, dhe kjo përgjegjësi duhet të kryhet pa dallime etnike.” Kam përshtypjen që kjo çështje perceptohet si çështje e cila duhet të trajtohet vetëm nga ndërkombëtarët, apo nga pala serbe”, tha Hoxha. “Andaj, publiku duhet të vetëdijësohet në këtë drejtim, dhe të kërkoj më shumë llogaridhënie nga institucionet tona në lidhje me zbardhjen e fatit të përsonave të pagjetur”.

Prej 1999 deri në 2008, UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) ishte organi ndërkombëtar përgjegjës për procesin e gjetjes së personave të humbur. Kur misioni i BE-së për rend të ligjit, EULEX, u themelua në 2008, ai u bë udhëheqës në këtë aspekt. Në procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të humbur, së pari për UNMIK-u, pastaj EULEX-i u mbështetën nga Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Humbur.

Çfarëdo gërmimi i varrezave të dyshuara masive ose individuale nis me urdhërin e një prokurori; deri vitin e kaluar, prokurorët e EULEX-it lëshonin urdhërin, por sot prokurorët kosovar mund të japin autorizimin. Prokurori do të japë urdhër të tillë vetëm nëse ka informata të besueshme për një lokacion të mundshëm, zakonisht të siguruara nga dëshmitarët direkt, jo nëpërmjet fjalëve të pabazuara.

Problemet me Identifikimin

Rreth 300 mbetje mortore të paidentifikuara gjenden në morgun e Prishtinës – 200 burra dhe më pak se 100 gra – të cilat mbesin pengesë në zgjidhjen e çëshjes së personave të pagjetur.

Sipas një raporti të vitit 2013, të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) të EULEX-it, kur misioni për sundimin e ligjit në vitin 2008 mori përgjegjësinë nga UNMIK-u për hetimin e personave të zhdukur, ishte e qartë që disa qindra trupa kanë mbetur të paidentifikuara, gati një dekadë pas konfliktit. Që nga fillimi, EULEX-i doli me disa supozime themelore për të ndihmuar drejtimin e hetimeve të tyre: kishte mbetje mortore si pasojë e identifikimeve të gabuara menjëherë pas konfliktit; pjesë të caktuara skeletore i përkisnin kufomave të paplota, të cilat ishin identifikuar dhe si rjedhojë nuk u raportuan si të zhdukura; disa mbetje mortore nuk i përkisnin konfliktit; dhe disa mbetje i përkisinin minoriteteve siç janë romët, zhdukjet e të cilëve nuk ishin raportuar.

miss3

Keq-identifikimi është një çështje që shkaktoi shumë shqetësim në mesin e opinionit publik dhe veçanërisht në mesin e familjeve të personave të zhdukur. Menjëherë pas luftës, familjet përgjithësisht do t’i identifikohen viktimat bazuar në rrobat e tyre, pa praninë e ekspertëve të mjekësisë ligjore.

Kur testimet e ADN-së u kryen më vonë në mbetjet mortore dhe në familjet e personave të zhdukur, fotografia u bë e paqartë dhe filluan të vënë në dyshim disa nga identifikimet e mëparshme joformale; kjo çoi EULEX-in të fillojë zhvarrosjen e disa varrezave ekzistuese gjatë viteve të fundit për të siguruar saktësinë në procesin e identifikimit, dhe për të sjellë në fund pritjen e familjarëve.

Sipas Tarja Formistos nga DML, një nga faktorët e komplikuar me identifikimin ishte fakti që forcat serbe nxorrën trupat për t’i rivarrosur në Serbi; si rezultat i kësaj, në disa raste mbetjet nga kufomat e ndryshme janë përzierë në një qese. “Çdo person i pagjetur ka një histori pak më të ndryshme dhe duhesh të shkosh mbrapa dhe të kuptosh se çfarë ka ndodhur dhe sidomos mënyrën si personi ishte zhdukur, dhe po ashtu kush kishte punuar me eshtrat dhe çfarë është bërë”, ka thënë Formisto për Kosovo 2.0.

Më bëri të mendojë: ‘Si mund të jetë i gëzuar dikush që sapo kishte varrosur dy vëllezërit?

Bekim Blakaj

Formisto e ilustroi këtë me një shembull nga Çabrati i Gjakovës. Derisa DML punonte në inventorin e morgut, ata morën rezultatet e ADN-së nga të afërmit e gjallë të një viktime (që me sa dukej ishte varrosur në varrezat e Çabratit), dhe i krahasuan me ADN-në nga pjesë të ndryshme të trupit në morg. Sipas rezultateve kishte përputhje. Pasi që shikuan të dhënat e trupit të viktimës që i ishte dorëzuar familjes vite më parë u zbulua se e njëjta pjesë e trupit është regjistruar si e varrosur në varrezë. Si rezultat ishin në gjendje të konstatojnë se pjesa e trupit në varrezë nuk i përkiste viktimës, pra mbetjet mortore në varrezë ishin të përziera.

Me urdhër të prokurorit, DML ka kryer zhvarrosjet në varrezat e Çabratit për identifikim të mëtejshëm dhe analizim të ADN-së të 14 viktimave, në mënyrë që tua dorëzojë familjeve të gjitha mbetjet mortore të identifikuara saktë.

Procesi i zhvarrimeve nuk është pa vështirësitë e tij, veçanërisht për familjet që shpesh duhet të kalojnë nëpër pasigurinë e marrjes së mbetjeve mortore të të dashurve të tyre për herë të dytë. Jo rrallëherë, ndërmarrjet e EULEX-it për të zhvarrosur kufomat kanë shtuar edhe mëshumë barrën e patolerueshme për familjet e viktimave. Vetëm këtë javë, Rrjeti i Grave të Kosovës i ka dorëzuar EULEX-it ankesë për zhvarrimet e fundit në Krushën e Vogël se ato ishin kryer nën pretekste të rreme, dhe pa paralajmërim të përshtatshëm të anëtarëve të familjes, duke shkaktuar trauma shtesë për të afërmit e viktimave.

Ndoshta sfida më e madhe me të cilën autoritetet serbe dhe kosovare përballen në lidhje me personat e pagjetur është zbulimi i informacioneve mbi personat e zhdukur, trupat e të cilëve sipas gjitha gjasave janë asgjësuar në furrat industriale, të tilla si ato në Surdulicë dhe Trepçë.

Blakaj tha për Kosovo 2.0 që mekanizmat për të gjetur të vërtetën përmes dëshmitarëve dhe dokumentacionit janë jashtëzakonisht problematike në këto raste. “Për fat të keq nuk ka fakte të pamohueshme, por ka indikacione që një numër i caktuar i trupave janë djegë dhe aty nuk ka më evidencë fizike dhe është jashtëzakonisht e vështirë të hetohen ato raste”, tha Blakaj. “Autoritetet duhen të bëjnë maksimumin të vinë deri te dëshmitarët, të cilët mund të dëshmojnë për djegien ose asgjësimin e trupave, ashtu që familjet e viktimave dhe ne, shoqëria, të dimë fatin e tyre dhe të pajtohemi që mbetjet mortore të atyre personave nuk ekzistojnë më”.

Sot, në një shënim tjetër të Ditës Ndërkombëtare e të Zhdukurve, 1,650 familje të personave të pagjetur në Kosovë ende nuk dinë se çka ka ndodhur më fëmijët, bashkëshortët, prindërit dhe të afërmit e tyre dhe ende nuk janë në gjendje për t’u dhënë atyre varrim të denjë, apo të vajtojnë pranë varrezave të tyre. Ata meritojnë përfundimin, të cilin do t’ua jepte identifikimi i saktë i trupave të viktimave.

Blakaj solli ndër mend një ngjarje prej shumë viteve më parë kur intervistoi një burrë të ri nga Vushtria, i cili sapo kishte rivarrosur dy vëllezërit e tij që ishin zhdukur gjatë luftës, për tu gjetur më vonë në varrezën masive në Batajnicë. “Se mbaj mend që kam qenë kaq i gëzum ndonjëherë,” burri i ri i kishte thënë Blakaj. “Më bëri të mendojë: ‘Si mund të jetë i gëzuar dikush që sapo kishte varrosur dy vëllezërit?’” tha Blakaj. “Në atë moment kjo më bërë të kuptoj se çfarë dhembje të madhe kanë realisht familjet përderisa ende i kanë të afërmit e tyre të pagjetur”.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO